Shqipëria, zyrtarisht vend kandidat

Shqipëria zyrtarisht është vend kandidat i Bashkimit Europian. 28 vendet anëtarë të Unionit i thanë “PO” rekomandimit të Komisionit Europian për t’i dhënë statusin vendit tonë.

Rezultati pozitiv u paralajmërua nga një sërë Ministrash të Jashtëm të vendeve të BE-së teksa hynin për të marrë vendimin për Shqipërinë:

Menjëherë nga vendimarrja në Luksemburg, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Europian, përveç se në gjuhën angleze, me një shqipe të shkruajtur pastër ka uruar të gjithë shqiptarët në profilin e tij në Twitter.

“Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga Ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë”, shkruan Fyle.

Konkluzionet e Këshillit Europian për Shqipërinë gjithashtu theksojnë se vendimi pro statusit u mor pas konstatimit të progresit të vazhdueshem në vendin tonë. Në vijim të vendimarrjes për statusin, në konkluzionet e publikuara Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për të gjitha rekomandimet në raportin e Komisionit Europian për prioritetet kyçe.

Në këto të fundit Këshilli veçon, reformën në administratën publike, gjyqësor, vijimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Është e rëndësishme që Shqipëria të zbatojë strategjinë e saj anti-kurrupsion, të vendoset një rekord i qendrueshëm i hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, theksojnë Ministrat e Jashtëm të BE-së.

Këshilli nënvizon se është e rëndësishme për Shqipërinë të forcojë, pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit, për t’i dhënë siguri investitorëve vendas dhe të huaj.

Në konkluzionet e publikuara të Këshillit, pika e fundit është nxitja e Shqipërisë për të ndaluar flukset migratore nga Shqipëria drejt vendeve të BE, duke iu përmbajtur marrëveshjes për regjimin e liberalizimit të vizave.

Venizellos: Shqipëria e meritoi

Ministri i Jashtëm grek paralajmëron vendimin unanim për statusin

Vendimin për statusin e paralajmëroi në hyrje të mbledhjes së ministrave të jashtëm kreu i diplomacisë greke, Evangellos Venizellos.

Duke folur në cilësinë e vendit që mban presidencën e BE-së, Venizellos deklaroi se Shqipëria e meritonte marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Statusi është me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor, stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë”, tha Venizellos.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close