Hetimet për paktin detar me Greqinë Berisha:Sulmi i radhës ndaj opozitës

TIRANE– Thuajse 10 ditë pas deklaratës se ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ku i bënte thirrje Prokurorisë të hetonte marrëveshjen e Paktit Detar me Greqinë, të vitit 2009, pasi kish konstatuar shkelje të rënda, ish-kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar ato si sulmin e radhës që po i bëhet opozitës, konkretisht liderit të saj. Sipas Berishës kjo qeveri nuk do të jetë e aftë të zgjidhë problemin e paktit detar me Greqinë. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, ka mohuar që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të ketë negociuar por në fakt nuk është e vërtetë, pasi mazhoranca e asaj kohe përmes deklaratave thoshte të kundërtën, madje ishte ngritur komision ndërministror i cili do të shqyrtonte të gjithë hapat e mëtejshëm për të përfunduar marrëveshjen për ujërat me Greqinë.

“Edvin Kristaq Rama ka paditur kryetarin e opozitës Lulzim Basha për paktin detar kjo është përpjekja e fundit e Spiro Kolekës për të goditur opozitën shqiptare. A e imagjinoni ju se ç’zgjidhje mund të japë një qeveri që shpall 0 probleme me fqinjët, më së paku 0 zgjidhje për të gjitha problemet”, tha ish-kryeministri Berisha.

“Ministri i Jashtëm lëshoj një shashkë në lidhje me marrëveshjen e detit, që unë mendoj që është shumë e rëndë si ministër i jashtëm sepse mënyra se si partia socialiste trajtoj marrëveshjen e detit kur ne e lidhem e ktheu në një çështje, në një patate të nxehtë të cilën nuk e prek dot tani.

Absolutisht në këtë çështje nuk ka përgjegjësi penale gjykata kushtetuese është shprehur si dhjetëra nisma të qeverisë që ka rrezuar atëherë për këto 4-5 nisma të qeverisë i ka rrezuar gjykata kushtetuese do qojmë për ndjekje penale njerëz ne?!

Ne nuk negociuam ne morëm sepse ishte fundi i mandatit dhe një marrëveshje nuk bëhet në fund të një mandati por bëhet në nisje të një mandati dhe aq më tepër me ngarkesën që i dha opozita e djeshme në mënyrë të papërgjegjshme”, tha ish-ministri i Jashtëm Aldo Bumçi.

Akuzave të ish-qeverisë Berisha, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është përgjigjur duke theksuar se po ndreqen gabimet e së shkuarës për një sërë çështjesh, përfshirë dhe këtë.

“Unë nuk di çfarë do të thotë sulm ndaj opozitës ose ndaj liderit të opozitës, deklarimi im ka qen i qartë si kristali, i kam kërkuar prokurorisë së përgjithshme që të shqyrtojë çështjen dhe t’i thotë opinionit publik në rast se jemi në kushtet e shpërdorimit të detyrës apo vepër penale nga nënshkruesi i kësaj marrëveshje. Unë nuk di që të jetë lideri i opozitës nënshkruesi i kësaj marrëveshje, por unë di që është ministri i Jashtëm nënshkruesi i kësaj marrëveshje. Kemi nxjerrë le të themi disa masa se çfarë duhet të ketë parasysh një ekip, një skuadër kur futet në një proces të tillë negocimi, negocimi ka të bëjë më mirëbesimin, me vjen shumë keq që flitet për patate të nxehta sepse kur flas për mirëbesimin kam parasysh gjithmonë faktin që Greqia është një fqinj me të cilin ne kemi një tërësi çështjesh të cilat duhen adresuar, siç ishte rasti i toponimeve që u adresua po nga qeveria jonë dhe për këtë rast opozita nuk ka pasur asnjë qëndrim përveçse nuk i ka dhënë dot zgjidhje kur ishte në qeverisje”, tha ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Por nga aleatët e dikurshëm të ish-qeverisë Berisha, tashmë pjesë të mazhorancës së majtë është koha për të rinegociuar me fqinjin jugor. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI, Luan Rama, kjo çështje i takon tashmë Prokurorisë.

“Çështjet e paktit detar nuk duhen trajtuar të personalizuara. Ka një vendim të gjykatës kushtetuese e cila e ka shpallur të pavlefshme paktin çka do të thotë që pas kësaj lind detyrimi që rinogociuar me palën greke, nëse ka fakte që ministri gjykon që ka të bëjë me shpërdorime apo me shkelje proceduriale kjo është një çështje që nga ky çast i përket prokurorisë”, tha Luan Rama, sekretar i Përgjithshëm i LSI.

Shkresa informative e dërguar nga ministria e Jashtme, Prokurorisë, bën fjalë për veprimet e të 11 negociatorëve të paktit detar që asistuan në bisedimet me palën greke. Zëra brenda institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme bënë me dije disa ditë më parë se kanë nisur verifikimet për të mësuar nëse personat e autorizuar për të marrë pjesë në bisedime kanë shkelur ligjin ose jo.

Sipas Prokurorisë, ky verifikim është administrativ duke u bazuar vetëm mbi dokumentacionin që shumë shpejt të tërhiqet nga ministria e Jashtme.

“Do verifikohet hap pas hapi, për të parë nëse ka shkelje. Bëhet fjalë për një hetim administrativ të dokumentacionit ku nëse do jetë e nevojshme do thirren për t’u pyetur dhe shtetasit që kanë marrë pjesë në këto bisedime diplomatike. Fillimisht do shikohet praktika e ndjekur dhe korrespodenca mes palëve”, thanë burimet pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ato shtuan se është ende errët për të nxjerrë konkluzione rreth emrave të fajtorëve në këtë çështje.

Në nenin 210 të Kodit Penal, thuhet se “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cënuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet burg”.

Pakti Detar me Greqinë u firmos në 2009-n nga Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha, dy Ministrat e Jashtëm të atyre viteve në Shqipëri e Greqi. Opozita e atëhershme e ankimoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se vendi humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej saj. Në janar 2010 Gjykata e rrëzoi Paktin Detar duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese asokohe konsideruar nga qarqet e larta të politikës së këtij vendi si një humbje shumë e madhe. Dora Bakojanis, ish-ministrja e Jashtme që negocioi marrëveshjen me Lulzim Bashën, akuzoi shqiptarët që ishin kundër kësaj marrëveshjeje si “ekstremistë”. Tashmë mbetet në dorën e Prokurorisë për të nxjerrë përgjegjësit penalë, ndërsa rinegociimi për paktin detar mbetet në dorën e qeverisë.
– See more at: http://www.shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=218819&IDCategoria=1#sthash.RyzAWs2o.dpuf

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close