Eksluzive/Dosja Skajola: Berisha tentoi të pastronte miliarda euro të mafies në “energjinë nga era”

Cosa Nostra dhe Ndrageta kishin hesape me qeverinë Berisha, ishin bërë gati të “investonin” miliarda euro në energjinë e rinovueshme, në energjinë e prodhuar nga era. Skema përfaqësonte dy anë të medaljes. E para ishte spekulimi financiar dhe thithja e fondeve të BE-së dhe qeverisë italiane për ndërtimin e impianteve të energjisë së rinovueshme në vendet e mesdheut nga kompani italiane.
Së dyti, kompanitë italiane nëpërmjet lidhjeve politike siguronin projektet por nëpërmjet lidhjeve me organizatat mafioze siguronin dhe një skemë të gatshme për pastrimin e miliardave. E gjithë fabula e mësipërme ka dalë në pah nga hetimet e prokurorisë italiane. Fillimisht një deputet i Berluskonit, Amedeo Macatena u arrestua në Shtatorin e vitit të kaluar. Dy javë më parë u arrestua ish-ministri i Ekonomisë së Berluskonit,  Klaudio Scajola, pasi u zbulua se ndër të tjera e kishte ndihmuar deputetin Macatena të arratisej në Dubai duke e shpëtuar nga burgu. Por duket se tek përgjimet e bëra ndaj Macatenës, këtij deputeti berluskonist, gjenden dhe fijet që lidhin organizatat mafioze italiane, rangjet ministrore italiane, fondet e miliardave të BE-së , miliardat për tu pastruar të mafies dhe…Shqipërinë.
Gruaja mban kontaktet
Faksimile e raportimit të Këshillit të Ministrave në vitin 2010 për takimin Berisha-Skajola

Faksimile e raportimit të Këshillit të Ministrave në vitin 2010 për takimin Berisha-Skajola
Nga hetimet rezulton se që para 4 vitesh në Romën e Italisë bluheshin plane investimesh e pastrime marramendëse të miliarda eurove të mafias në ekonominë shqiptare, me “bekimin” e qeverisë Berisha. Një projekt për të investuar në Shqipëri miliardat e drogës, femrave, armëve apo gjobave të mafies italiane në ndërtimin e disa hidrocentraleve me kredi nga bankat e huaja, thuajse u konkretizua më 9 shtator 2013, pikërisht në momentet e fundit para dorëzimit të pushtetit. Garante kishte hyrë vetë gruaja e ish-deputetit të lidhur me mafian, Chiara Rizzo, sepse ajo kishte një “kushëri” në Shqipëri. Diçka shkoi keq dhe miliardat ndryshuan destinacion. Faktet, dëshmitë dhe rrëfimet e protagonistëve, janë botuar këto ditë në mediet italiane si “La Repubblica”, “Il Giornale”, etj.
Si pasojë e hetimit zyrtar që antimafia italiane e ka koduar “Breakfast” (Mëngjesi), ku deri më tani është arrestuar ish-ministri italian i Ekonomisë në qeverinë Berluskoni e disa zyrtarë të lartë, teksa është në kërkim ish-deputeti i “Forca Italia”, partia e ish-kryeministrit italian, Amedeo Macatena. Shqipëria ishte piketuar nga “çakajtë” që do të përlanin secili copën e vete, ku lukunisë mesa duket i ishte shtuar çdokush me pushtet mafioz apo politik, i përzier me interesa të ngushta mediatike. Disa pronarë mediash rezultojnë në listat e hetimeve të Antimafies, si të implikuar në biseda ku fokusi mbetet energjia e erës në Shqipëri.
Takimi që i hapi rrugë paktit
Më 11 shkurt 2010, Berisha, ndodhej për një vizitë zyrtare në Itali dhe zhvilloi një takim të veçantë me ministrin italian të Ekonomisë, Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës, në prani edhe të ish-ministrit shqiptar të Ekonomisë, Dritan Prifti. Në njoftimin zyrtar u tha se “Në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Nga ana e tij, ministri italian Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme.”. Mirëpo, mesa duket diçka pati mbetur pezull. Antimafia italiane kishte nisur të hetonte Macatenën, deputetin e Berluskonit, për një aferë afër në zonë, në Selanik të Greqisë. Macatena akuzohet si politikani që përfaqësonte interesat e mafies italiane Ndrageta në investime serioze apo edhe në rekrutimin për kandidime për në Parlamentin Europian. Një bankë greke  i kishte dhënë një hua 3.5 milionë dollarë shoqërisë  “Amadeus” spa, pronari i së cilës  ishte vetë deputeti. Ai dha dorëheqjen, pasi mësoi se po hetohej nga Antimafia për pastrim parash, por syrin e kishte tjetërkund. Te parajsa ujore, energjia e pastër e shqiptarëve. Krahu i tij i djathtë, ministri Scajola takohej me Berishën, teksa ky i fundit theksoi se do mbështeste pa kushte këto investime italiane në energjinë e rinovueshme. Marsin e po atij viti(2010), kur diskutimet e palës italiane për investimet në Shqipëri ishin bërë frazë kyçe për Europën, një zë zyrtar nga Brukseli parashikonte se pas këtyre investimeve nga Shqipëria do të importoheshin 3 miliardë kilovat orë energji elektrike e rinovueshme në vit, nga 6 projekte të miratuara të centraleve.
Në foto: 1. Ish-ministri italian i Ekonomisë, Claudio Scajola 2. Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni 3. Bashkëshortja e deputetit Macatena, Chiara Rizzo 4. Deputeti në arrati Amadeo Macatena

Në foto: 1. Ish-ministri italian i Ekonomisë, Claudio Scajola
2. Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni
3. Bashkëshortja e deputetit Macatena, Chiara Rizzo
4. Deputeti në arrati Amadeo Macatena
Tirana, përgjimet, qeveria e re, tentakulat
 Fashikujt e dosjes italiane që ka çuar në pranga deri dhe deputetë dhe ministra, sa i takon pjesës që lidhin aferën me Shqipërinë nuk janë bërë plotësisht të ditura. Deri më tani mediet italiane kanë publikuar disa përgjime nga kjo dosje. Bëhet fjalë për gruan e deputetit berluskonist të arratisur, Amedeo Macatena, e cila në Shtatorin e vitit 2013, ndërsa ishte duke u realizuar rotacioni politik në Tiranë, komunikonte me një rrjet avokatësh në Itali dhe në Tiranë, të gjithë italianë dhe diskutonin “se si do i shkonte halli projektit”.  Në përgjimet e gruas së deputetit të arratisur me një avokat italian që jeton në Tiranë, rezulton se zonja është interesuar në telefon duke i shprehur shqetësim për ndërrimin e qeverive në Tiranë, duke diskutuar më pas në detaje se si mund të kryheshin lëvizjet e radhës nga ana e tyre për të bërë që projekti të finalizohej. Zonja, në të gjitha bisedat e regjistruara fliste për një “kushëri shqiptar në Tiranë”, një emër i koduar që nënkuptonte një person me rëndësi në Tiranë që kishte ofruar mbështetje për planin e italianëve.  Ende nuk është bërë e ditur se për cilin projekt bëhet fjalë, për cilin impiant që pritet të ndërtohet në vendin tonë. Por e sigurt është se në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra projekte me të lidhura në fije italiane për ndërtimin e impianteve të energjisë së rinovueshme, të cilat, për shkak të problematikës teknike por edhe për shkak të lojës spekuluese me fondet, kanë mbetur të gjitha vetëm në letër.  Në ditët në vijim pritet të mësohet se deri në ç’masë kanë implikuar Shqipërinë zyrtarët e arrestuar në Itali, por e sigurt është që në Tiranë këta zyrtarë italianë kishin gati rrjetin e tyre të bashkëpunëtorëve, kryesisht avokatë, që bënin koordinimin. Historia e fondeve për energjinë e rinovueshme, por jo vetëm, që thithen nga buxheti i BE-së për tu kanalizuar dhe spekuluar më pas nëpërmjet Shqipërisë ka vite që funksionon dhe që është vënë në veprim nga ‘arkitektët italianë në Romë’. Spekulimi, projektet fantazmë, pastrimi i parave, thithja dhe deformimi i destinacionit të miliardave të marra nga BE-ja, janë disa nga skemat e preferuara që aplikohen në Shqipëri nga një sërë aktorësh  italianë të biznesit të cilët janë të atashuar në vendin tonë prej vitesh.
Prokuroria: Kemi marrë sinjale nga pala italiane por…
 DITA u interesua dje pranë Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me këto hetime të nisura q para 4 vitesh nga Antimafia Italiane, ndërsa organi i akuzës konfirmoi se gjatë disa kontakteve me palën italiane, nga këta të fundit ishte lënë porosi me gojë që të kiheshin parasysh të gjitha lëvizjet apo projektet e mëdha të investimeve, sidomos në energjinë e rinovueshme dhe sidomos nëse në lojë ishte Scajola apo Macatena, sepse të dy hetoheshin ndërkohë. Ndërkaq, sipas të njëjtave burime, prej Antimafies Italiane nuk kishte mbërritur ndonjë letër-porosi për të zhvilluar hetime në Shqipëri, për shkak se planet e personave nën hetim ishin ende projekte të pa miratuara. Nga burime jozyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme u mësua nga gazeta “Dita” se në takimin e djeshëm mes prokurorëve në Tiranë, diçka u tha jo-formalisht mes ekspertëve të akuzës edhe në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, pas një shfletimi të njoftimeve zyrtare apo mediatike të kohës, shihet se që në vitin 2009 kishin nisur planifikimet e këtyre investimeve. Siç njoftonte media asokohe, Ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, marsin e 2009-ës, ka nënshkruar me ministrin italian të Zhvillimit Ekonomik, Claudio Scajola, marrëveshjen për integrimin e sistemeve elektrike dhe të gazit natyror. Aty përmendej ndërtimi i një linje interkonjeksioni prej 500 MV, realizimi në Shqipëri i një linje interkonjeksioni ndërmjet rrjetit shqiptar dhe rrjetit italian, një central elektrik të ushqyer me gaz natyror, etj. Më tej, në 2010-ën u përfol që do të ndërtohej Parku i Erës në zonën e Vlorës dhe Centrali me Biomasë në Lezhë.
Bosët e Cosa Nostra dhe Ndrageta në lojën e energjisë së rinovueshme
Kreu i organizatës Cosa Nostra quhet Matteo Messina Denaro është shpallur në kërkim që në vitin 1993, ai dyshohet se luan shumë fort në skemën spekulative të ndërtimit të centraleve me energji të rinovueshme. Vitin e kaluar në Itali, Ivan Lo Bello, nënkryetari i shoqatës “Confindustria” të Italisë deklaroi se “Matteo Messina Denaro qëndron prapa shumë biznesmenëve që konsiderohen si të pastër dhe të padyshuar dhe që në fakt përkujdesen për asetet e bosit real të ‘Cosa Nostra’-s,”. Grupimet kriminale të Italisë së Jugut, “Cosa Nostra”, “Ndrangheta”, dhe “Camorra”, vlerësohet se kanë të ardhura vjetore prej 116 miliardë eurosh. Kjo është një shifër më e lartë se sa të ardhurat e kompanisë më të madhe të Italisë, gjigantit të energjisë ENI. Gjatë pesë viteve të fundit ka pasur më shumë se 125 arrestime dhe hetime mbi lidhjet e mafies me sektorin e energjisë së rinovueshme. Ky sektor merr shumë subvencionime nga qeveritë, të cilat synojnë në këtë mënyrë të zhvillojnë burime alternative energjie. Claudio Scajola, ish-ministër akuzohet se ka favorizuar për arratisje ish-parlamentarin Macatena.
* * *
Energjia e erës, vetëm letra dhe projekte….deri tani
Çfarë ka ndodhur me disa projekte të miratuara nga qeveria Berisha për ndërtimin e centraleve të energjisë të rinovueshme. Pse ekspertët janë skeptikë për funksionomin e këtyre centraleve dhe çfarë interesi ka Italia që i kërkon…
Të reklamuara me bujë si investime që do të zgjidhin krizën energjetike të Shqipërisë dhe do të integrojnë rrjetin shqiptar me atë italian, investimet në energjinë eolike nuk është se po ecin aq shpejt sa u premtua. Kompanitë që kanë marrë licencat, duhet që të masin shpejtësinë, densitetin dhe drejtimin e erës në kushte reale për së paku një vit para se të analizojnë kostot dhe përfitimet. Energjia e erës është një inxhinieri komplekse dhe shumë e kushtueshme. Shumë specialistë në të gjithë botën nuk e pranojnë si burim të besueshëm energjie, pavarësisht se disa vende kanë arritur të plotësojnë deri në 10 për qind të konsumit të vet me burime të energjisë me erë. Problemi kryesor i kësaj energjie është fakti se era fryn jashtë kontrollit të njeriut ndërsa pikat ku fryn era janë zakonisht larg zonave të banuara. Nga studime të ndryshme të Rrjetit Europian të Transmetimit, rezulton se energjia e erës shkakton shpesh mbingarkesë në rrjete transmetimi dhe në shumë raste është e papërdorshme. Impiantet e mëdha të energjisë me erë janë ndërtuar gjithkund falë shpenzimeve bujare mbështetëse të qeverive që përdorin paratë e taksapaguesve.
Viti 2009 si tregues
Tre nga kompanitë që kanë marrë leje koncesionare për prodhimin e energjisë elektrike me anë të mullinjve të erës, kërkuan dhe morën shtyrje të afatit të përcaktuar për studimin e nevojshëm për fizibilitetin e projektit dhe kryerjen e matjeve në kushte reale nga Enti Rregullator i Energjisë në vitin 2009.
“Duke konsideruar kompleksitetin e problematikës që i licencuari ka hasur në kryerjen dhe dorëzimin e studimit të fizibilitetit të bazuar në matje reale dhe duke qenë se ndërtimi dhe instalimi i parqeve eolike, përveç etapave administrative në të cilat kalon çdo projekt, përbën akoma një teknologji jo shumë të njohur në vend dhe që kërkon asistencën teknike të huaj, ERE vendosi shtyrjen e afatit me 12 muaj”, argumentohet në secilin prej vendimeve përkatëse.
ERE ka dhënë disa licenca paraprake për ndërtimin e parqeve të energjisë me erë. Në rast se realizohen, investimi i përgjithshëm mund të arrijë në disa miliarda euro. Prodhimi i pritshëm nga këto impiante sipas ERE është 3100 miliardë kVh, shifër kjo e barabartë me gjysmën e konsumit aktual kombëtar. Mullinjtë e erës mund të ndërtohen në Karaburun, Butrint, grykën e Shkumbinit, Lezhë dhe në Kryevidh të Kavajës.
Shpresa tek Italia
Sipas ekspertëve shqiptarë, vendi ynë nuk ka asnjë shans të pranojë në rrjetin e vet qoftë edhe një pjesë të vogël të impianteve të energjisë me erë, të licencuara për shkak të konceptit të sigurisë së prodhimit përmes mbajtjes në punë të kapaciteteve shtesë. Kapacitetet prodhuese të energjisë me erë duhet të mbështeten nga termocentrale apo hidrocentrale konvencionale, në mënyrë që furnizimi i rrjetit me energji të mos ndërpritet në rast se era ndërpritet papritur. Sistemi aktual shqiptar mban në gjendje pune një kapacitet sigurie prej 3-4 përqindësh të kërkesës, pra mban në punë një prej turbinave të hidrocentraleve të Matit. Për këtë arsye, të gjitha impiantet e projektuara për energji me erë shpresojnë në ndërtimin e një linje interkonjeksioni Shqipëri-Itali, për ta shitur energjinë e erës në tregun italian. Italia ka shprehur mbështetje politike për këto projekte, në mënyrë që të plotësojë angazhimet që ka marrë në kuadër të traktatit të Kiotos.
Qeveria shqiptare ka licencuar deri tani rreth 8 linja interkonjeksioni me Italinë. Njërës prej tyre i skadoi licenca vitin e kaluar për shkak se nuk arriti të respektojë axhendën e punës për realizimin e projektit. Katër linjave të tjera pritet t‘i skadojë afati gjatë vitit të ardhshëm. Në këto kushte, ka pak shpresa që në mungesë të një linje interkonjeksioni, në Shqipëri të ketë një industri të mullinjve me erë. Shtyrja e afatit të kryerjes së studimit të fizibilitetit nga subjektet e licencuara, vë në dukje se energjia e erës ndoshta nuk do të vijë së shpejti në Shqipëri.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close