Pensionet e minoritarëve, nga 1 qershori përfitojnë 22 mijë vetë

Disa orë para zgjedhjeve të 25 majit për Parlamentin Europian dhe raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Greqi, kreu i Entit të Sigurimeve Agrare ka deklaruar se prej 1 qershorit do të fillojnë të rimarrin pensionet e tyre minoritarët e moshuar nga Shqipëria, pensionet e të cilëve ishin ndërprerë në shkurt të vitit 2013.

Deklarata e tij është bërë në një prej televizioneve private të vendit, ku ai ka theksuar se kjo iniciativë i takon vetë Kryeministrit Samaras. Sipas zotit Ksenofon Vergini, bëhet fjalë për pensionet e 22 mijë të moshuarve minoritarë nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, që ishin ndërprerë pas votimit të ligjit afatmesëm në Parlamentin grek për reformat ekonomike të vendit.

Ky ligj përfshinte edhe ndryshimin e kritereve, duke e bërë thuajse të pamundur përfitimin e një pensioni minimal, pasi parashikonte 20 vjet qëndrim në Greqi dhe të mos merrje pension në shtet tjetër. Ndërkohë, nënkryetari i Omonias së Greqisë, Jorgos Xhumakas, ka deklaruar për “Top Channel” se përshëndet iniciativën e Kryeministrit Samaras, por mban rezerva deri sa ky premtim të realizohet, pasi, nga ana juridike, duhet që ligjin ta miratojë Parlamenti dhe të paktën deri më 1 qershor nuk do të zhvillohet asnjë seancë parlamentare. Në 14 muajt e fundit janë dhënë disa herë premtime dhe deklarata për ripërfitimin e pensioneve nga minoritarët, por ende asgjë nuk është bërë dhe brenda komunitetit ekziston dyshimi se me deklaratën e fundit para zgjedhjeve, Demokracia e Re synon votën e të paktën 70 mijë minoritarëve që kanë marrë nënshtetësinë dhe mund të votojnë në zgjedhjet për PE dhe ato lokale. Gjithsesi, sipas burimeve nga Enti i Sigurimeve Agrare, prej javës tjetër pritet të publikohet një deklaratë për shtyp për sa u përket procedurave që do të ndiqen dhe kritereve që duhet të plotësojnë të interesuarit.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close