Forcat greke stërvitje në kufi me Shqipërinë për luftë ndaj UÇK dhe UÇÇ

Forcat greke të reagimit të shpejtë të sektorit verior dhe Departamenti i komandove janë aktivizuar në një stërvitje në rajonin malor të Prespës, në kufi me Shqipërinë.

Operacioni i quajtur “Pirpolitis 11/13” është zhvilluar duke u gdhirë dita e premte, me qëllim identifikimin dhe neutralizimin e grupeve të armatosura të UÇK-së dhe UÇÇ-së (Ushtria Çlirimtare e Çamërisë) brenda territorit grek, transmeton Balkanweb.

Forcat Speciale dhe komandot u zhvendosën me katër helikopterë Chinook, të mbështetura nga dy helikopterë Apache. Sipas informacioneve, ka prova se shqiptarët fusin në Greqi armë nga rajoni i Prespës, për të zhvilluar me to veprimtari të paligjshme.

Në operacionin e urdhëruar nga shefi i Mbrojtjes, paralelisht me Forcën e reagimit të shpejtë u aktivizua edhe sistemi i mbrojtjes ajrore të vendit. Merrnin pjesë të gjitha njësitë, por interesi ishte përqendruar në sistemin e raketave anti-ajrore S-300. Sipas burimeve nga Shtabi i Përgjithshëm, rezultatet kanë qenë mbresëlënëse.

Në fillim të muajit, në rajonin e Prespës në territorin grek u vranë dy shqiptarë dhe një polic grek, ngjarje pas së cilës kryetarët e komunave të zonës bënë thirrje që “ushtria të mbrojë banorët e zonave kufitare, që ndihen të kërcënuar nga kriminelët shqiptarë”.

Një stërvitje e ngjashme, me të njëjtin qëllim është zhvilluar edhe mëngjesin e 10 shtatorit të këtij viti, pranë malit të Gramozit. Sipas burimeve nga shërbimet sekrete greke, UÇÇ ka 5 000 persona të armatosur, të cilët janë gati për sabotime dhe luftë guerile në Greqi. U tha se stërvitja kishte qëllim parandalimin e ndonjë veprimi të mundshëm ekstremist në dëm të interesave të Greqisë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close