“Turqia është Kosovë”, Serbia hakmerret ndaj Erdogan

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka anuluar samitin trepalësh të Serbisë, Turqisë dhe Bosnjës, i cili është dashur të mbahet këtë muaj në Beograd, shkruan e përditshmja serbe “Danas”.

Sipas burimit të njëjtë, Nikolliq ka qëndruar pas deklaratës së tij se do të anulojë pjesëmarrjen në nismën trepalëshe, nëse kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk kërkon falje për deklaratën: “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”.

Pavarësisht anulimit të samitit, burime diplomatike kanë thënë për mediat turke se “mekanizmi trepalësh është në fuqi dhe funksionon”.

“Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”.

Këtë mesazh dha kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, gjatë fjalimit të mbajtur në Prizren, të mërkurën më 23 tetor. Kryeministri turk vizitoi Kosovën për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së terminalit të ri të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, i cili është marrë me koncesion nga një kompani franko turke.

Cilësimi që i bëri Kosovës zoti Erdogan, ka nxitur reagimin e Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit.

Përmes një deklarate me shkrim, ai ka thënë se “Erdogan ka shprehur dëshirën që të jetë padroni i shqiptarëve”.

“Ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenët shqiptar. Mirëpo, me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur”.

“Porse, fjalimi i zotit Erdogan në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zë padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, thuhet në reagimin e ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.

“Derisa dëgjoja këtë fjalim, më është kujtuar fjalimi i ngjashëm ogurzi në Fushë Kosovë, para më shumë se dy dekadave, ku me një dalldisje e tillë triumfaliste, nxitej masa me shpresa të rrejshme. Por, ne e dimë dhe jemi dëshmitarë se sa të këqija dhe sa mjerime ka bartur në vete koha dhe përvoja jonë njerëzore, që atëherë e deri te liria jonë”, thuhet në reagim.

Reagime të kësaj fryme, në kuadrin e qenësisë së një Kosove shtet më vete, ka pasur edhe në editorialet e gazetave të përditshme në Kosovë.

Kosova s’është Turqi, është…


Por reagime të një fryme krejt tjetër, të asaj se “Kosova është Serbi”, kanë ardhur nga Beogradi.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Erdoganit që urgjentisht të kërkojë falje.

“Konsideroj se kjo deklaratë është skandal i madh dhe i bëj thirrje Turqisë dhe kryeministrit të saj, Erdogan, të kërkojë falje publike. Kjo është një sjellje e papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe duhet të shohim se cilat do të jenë reagimet e shteteve të tjera”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.

Të enjten ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Serbisë, duke thënë se “të gjithë në botë e dinë se Kosova është fjalë serbe dhe territor serb, madje edhe ata që kanë pranuar këtë kuazi-shtet”.

Në Prishtinë ndërkaq, udhëheqësit politikë kanë heshtur edhe ndaj “Kosovës Turqi” dhe ndaj “Kosovës Serbi”, mbase për shkak të dinamikës së fushatës për zgjedhjet vendore, të cilat do të mbahen më 3 nëntor.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close