Si të ambientohesh me kryeqytetin e egër dhe të padisiplinuar të Shqipërisë

Nga Carolyn Stevens*

M’u desh pak kohë që të mësohesha me zhurmat e qytetit. Ndërtesat e gjata jehojnë çdo zhurmë, fëmijët bërtasin në shkollë, thirrjet për lutje në xhami dhe kambanat e katedrales ortodokse, boritë e makinave, thirrjet e tregtarëve ambulantë dhe një gjel që nuk e ndal këngën. Kryeqyteti shqiptar, Tirana, është i gjallë, plot jetë dhe personalitet.

Shqipëria, për mua, është pak e padisiplinuar dhe po përpiqet që të gjejë vendin e saj. Por është plot me entuziazëm dhe potencial. Ka një histori interesante, pasi ka kaluar mijëra vite me pushime nga çdo perandori e madhe, përfshi grekët, romakët dhe turqit otomanë. Heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, mbrojti vendin e tij kundër turqve otomanë për 25 vite thuajse i vetëm derisa vdiq nga malaria.
Shqipëria fitoi pavarësinë 101 vjet më parë, falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Woodrow Wilson. Shqipëria e pavarur është udhëhequr nga një seri mbretërish dhe qeverish deri kur në pushtet erdhi diktatori Enver Hoxha, regjimi i të cilit e mbajti të izoluar vendin nga bota deri në vitin 1992.

Që atëherë, vendi ka njohur një kapitalizëm të shfrenuar, pasojat e të cilit duken kudo. Në mes të shtëpive të vjetra e me tjegulla ngrihet krejt papritur një bllok apartamentesh, disa të papërfunduara për shkak se kanë mbaruar paratë.

Po ashtu e dukshme është se sa larg ka shkuar Shqipëria si demokraci. Ajo hyri në lajmet ndërkombëtare pasi refuzoi që të bëhej vendi ku do shkatërroheshin armët kimike siriane. Protestat shpërthyen brenda dhe jashtë Tiranës për javë përpara refuzimit. Pashë se si i gjithë vendi u bë bashkë për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet.

Barriera gjuhësore ishte pak problem për mua. Shumica e shqiptarëve flasin gjuhën e tyre amtare, italisht dhe anglisht dhe unë do këndoja në një opera gjermane me njerëz të kombësive të ndryshme. Për fat, arrita të mësoja disa fjalë në shqip dhe gjermanisht. Është e mahnitshme se sa shpejt u bë krejt normale që të flisja tre- katër gjuhë të huaja në ditë.

I gjithë udhëtimi ynë ishte shumë intensiv, veçanërisht kur iu afruam premierës së “Tannhaeuser”. Dy ditë përpara hapjes, nuk e dinim nëse kishim kostumet. Pak ditë përpara kësaj, nuk e dinim nëse do mund të bënim projektimet apo të vendosnim pikturat. Askush nuk kishte provuar më përpara makijazhin deri natën e hapjes. Asnjë publicitet nuk u bë deri pesë ditë përpara performancës.

Por në njëfarë mënyre, me ndihmën e një konference për shtyp, e gjetëm veten në skenë, duke kënduar me zemër për një audiencë të plotë, me bileta të shitura (përfshi ambasadorin gjerman dhe 10 persona nga ambasada amerikane) dhe kamerave televizive nga Kosova.

Patëm një nisje të suksesshme, pasuar nga intervista televizive, urgjenca të vogla me thuajse gjithë stafin të sëmurë. Vetë e kalova performancën e fundit me rrufë.

Por a kanë ndihmuar përpjekjet tona në riintegrimin e Shqipërisë? Nuk e di, por jam e lumtur që pata një eksperiencë të tillë të mrekullueshme. Kur perdja ra, njerëzit në sallë po brohorisnin, por në skenë po qanim dhe po brohorisnim më fort.

*Carolyn Stevens kaloi një muaj në Shqipëri për të kënduar në premierën e operas “Tannhaeuser” të Richard Wagner

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close