Ekskluzive/ Armët kimike, plani SHBA,ishte zgjedhur Bisht-Palla

DURRES – Nuk ka qenë as Qafë Molla dhe as Mjekësi, baza e synuar nga amerikanët për t’u përdorur si vend për demontimin e armëve kimike të diktatorit sirian Al-Assad. Shkatërrimi i tyre ishte planifikuar për t’u kryer në bazën ushtarako-detare të Bisht-Pallës pranë Durrësit.

Kjo u mësua nga Shqiptarja.com dje, prej burimeve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW). Me sa duket, ka qenë një “perde tymi”, e përhapur qëllimisht për të spostuar vëmendjen, edhe lajmi se në Uzinën Kimike të ushtrisë në Mjekës të Elbasanit po përgatitej një hapësirë e lirë prej 5 hektarësh, që la të kuptohej se edhe ky repart kishte gjasa të përdorej për demontim.

Propozimi
Mësohet se amerikanët i kishin vënë syrin pikërisht një baze, me hapësirë të konsiderueshme prej 16 ha truall, që ishte në breg të detit, çka lehtësonte gjithë operacionin e transferimit të masës së armëve dhe lëndëve të rrezikshme kimike siriane. Pas pezullimit të planeve të qeverisë së mëparshme për privatizime masive të objekteve ushtarake, Bisht-Palla mbetej gjithnjë në dispozicion të Forcave të Armatosura, një zonë ushtarake e ruajtur nga popullsia.

Kjo bazë plotëson afërsinë me detin, por jo thellësinë që do duhej për zbarkimin e kamionëve të blinduar me nga 30-40 tonë lëndë kimike, që do të transportoheshin me një traget special nga porti sirian i Latakias. Për këtë, rreth 500 trupa të Xhenjos të ushtrisë amerikane do të krijonin kushtet, duke thelluar, në masën e duhur dhe me shpejtësinë maksimale të mundshme, basenin e portit (molit) ushtarak, si dhe duke rregulluar infrastrukturën, për ta përshtatur atë për përballimin e operacionit të transportimit.

Eliminimi
Sipas burimeve të OPCW, të kontaktuara nga Shqiptarja.com, në territorin e bazës së Bisht-Pallës xhenjerët amerikanë dhe specialistë të ndryshëm nga vende të tjera do të ndërtonin një bunker betoni me thellësi deri në 25 metra, që do të bënte të mundur vendosjen e pajisjes së demontimit. Procesi do të kryhej me hidrolizë, pra duke ndarë përbërësit helmues kimikë në substanca më pak të rrezikshme.

Të parat do të eliminoheshin armët dhe konteinerët që përmbajnë gazin e frikshëm Sarin, të aftë të eliminojë qenie njerëzore edhe pasi kanë thithur një sasi prej të dhjetash të miligramit. Sasia, jo më shumë se 50 tonë, që ka ushtria siriane, sipas konstatimit të ekspertëve të Organizatës, duhej të “ekzekutohej” në më pak se një javë. Më pas, do të vijonte arsenali tjetër, që janë në fakt përbërës kimikë, nga të cilët krijohet sarini apo gazi mustard; të rrezikshëm, por jo aq helmues. Sasia prej rreth 950 tonësh e tyre do të kërkonte më shumë kohë për t’u eliminuar.

Evadimi
Procesi do të kishte detyrimisht skorjet e veta, që janë gjithashtu tepër të rrezikshme në afatgjatë për shëndetin e njerëzve, mjedisin, florën dhe faunën. Këto skorje, sipas planit, do të mund të largoheshin në drejtim të dy vendeve, që ishin kontaktuar: Francës dhe Gjermanisë. Eliminimi përfundimtar i tyre do të kryhej me djegie në temperatura shumë të larta në pajisje (inçenerator), që të dy vendet i kanë dhe ku mund të eleminohen madje edhe lëndë radioaktive. Por, mund që edhe t’i “varrosnin” në landfille speciale.

Sekreti
Pala shqiptare ka qenë në dijeni të gjithë këtij plani. Por asaj, deri ditën e fundit, iu mbajt e fshehtë se kush do të ishte një “vend i dytë”, veç Shqipërisë, që iu premtua nga SHBA se mund të ndante me të detyrën e demontimit. Kjo krijoi idenë se një vend i tillë, që të kishte pranuar barrën, nuk ekzistonte.

Detaje me shifra
50 TONE
Kjo është sasia e armëve kimike të tipit Sarin në dispozicion të ushtrisë siriane
950 TONE
Është sasia e gjithë lëndëve të ndryshme helmuese të tjera, më pak të rrezikshme
500 TRUPA
Është numri i xhenjerëve amerikanë që do thellonin molin e rregullonin infrastrukturën
25 METRA
Do të ishte thellësia e bunkerit që do të ndërtohej për të strehuar pajisjen e hidrolizës

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close