Greqia me objektiva “interesantë” për naftë në Jon e Adriatik

Intervista e ministrit grek të Energjisë, Maniatis

Ministri grek i Mjedisit, Energjetikes dhe Ndryshimeve Klimaterike, Janis Maniatis, ka konfirmuar nisjen e shpimeve dhe kërkimeve për naftë në detin Jon dhe Adriatik. Ministri Maniatis në një intervistë ekskluzive për “Top Channel” ka deklaruar objektivat e qeverisë greke, por ka refuzuar të japë shifra për sasinë dhe vendndodhjen e burimeve të naftës dhe gazit. Ai i ka cilësuar ato si objektiva interesantë pa dhënë detaje. “Të gjithë shkencëtarët e fushës u thonë të gjithë politikanëve, të mos shpallin sasira dhe rezerva të mëdha përpara se të fillojnë të shpojnë sondat. Por për të ulur pak zhgënjimin tuaj, mund t’ju them se realisht në detin Jon duket se kemi mjaft “objektiva interesantë”. Po i njëjti formulim është dhënë nga Maniatis gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe për kërkimet në jug të Kretës. “Jemi të sigurt se kur në fund të vitit të ardhshëm do të shpallim dhëniet e koncesioneve për Jonin dhe jugun e Kretës, do të kemi një interes investimesh nga kompani të mëdha dhe serioze në mënyrë që të vijnë të investojnë për të gjetur rezerva nafte ose gazi natyror. Duke u ndalur te bashkëpunimet e ardhshme mes Greqisë dhe Shqipërisë, Maniatis theksoi se në sektorin e energjisë pritet dhe bashkëpunimi më i madh për shkak të projektit TAP, por duke mos përjashtuar as fushat e tjera.

“Sigurisht ekziston një fushë e madhe bashkëpunimi edhe në fushën e bashkëpunimit edhe në sektorin e Ministrisë së Mjedisit. Kisha kënaqësinë të kem një bashkëpunim bilateral me ministrin kompetent, ku konsideroj se në çështjet e pyjeve, të biodiversitetit, të administrimit të mbetjeve, por edhe në çështje të tjera, mund të kemi një bashkëpunim të ngushtë, kryesisht përmes përcjelljes së dijes teknike dhe të përvojës nga pala greke drejt palës shqiptare”, theksoi Maniatis.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close