Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Arbëreshët e Italisë vizitojnë Gostivarin

“Komuna nga vijmë ne është shumë e rëndësishme për Arbërinë tonë, sepse atje ndodhet shkolla ku ka mësuar Jeronim De Rada, Zef Serembe, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi dhe shumë të tjerë”-tha Zef Nigori, ligjërues i gjuhës shqipe në njërën nga shkollat e mesme të Kalabrisë

Denion Ndrenika
Një delegacion i arbëreshëve të Italisë qëndron në Gostivar, hera e parë e vizitës së tyre në këtë qytet. Ata u pritën nga kryetari i komunës, Nevzat Bejta. Ligjëruesi i gjuhës shqipe në një nga shkollat e mesme të rajonit të Kalabrisë, Zef Nigori, tha se ishte shumë i gëzuar për këtë vizitë dhe këtë takim.

“Komuna nga vijmë ne është shumë e rëndësishme për Arbërinë tonë, sepse atje ndodhet shkolla ku ka mësuar Jeronim De Rada, Zef Serembe, Luiq Gurakuqi, Avni Rustemi dhe shumë të tjerë. Jemi të gëzuar për këtë vizitë dhe mikpritjen që na bëri kryetari i Gostivarit, dhe shpresoj se në të ardhmen ky bashkëpunim do të jetë aq i fortë sa janë rrënjët tona”-tha Zef Nigori, ligjërues i gjuhës shqipe në njërën nga shkollat e mesme të Kalabrisë. Ai tha se ishte i gëzuar që e vizitoi komunën e Gostivarit dhe për takimin me kryetarin Bejta. “Një përshëndetje gjithë popullit të Gostivarit me të cilin jemi vëllezër. Ne arbëreshët jetojmë në Italinë e jugut në regjionin e Kalabrisë”-tha ligjëruesi i shqipes Nigori.

Në delegacionin që priti zoti Bejta ishin edhe përfaqësues të Liceut Klasik të “Shën Mitrit” të Kozencës, së bashku me nxënës të kësaj shkolle. “Personalisht ndjej një kënaqësi shpirtërore që për herë të parë në historinë e qytetit të Gostivarit të pres në takim vëllezërit tanë arbëreshë nga Kalabria. I njoftova me historinë e qytetit”-tha ai. Të dy palët u pajtuan që krerët e komunave shqiptare në shtetin maqedonas të vizitojnë trevat e arbëreshëve në Itali, pasi siç tha zoti Bejta “do të jetë një nder për ne në vizitën kthyese”.

“Kryetari Bejta, mysafirëve u ndau nga një profil të komunës, kurse mysafirët arbëresh i dhuruan një pllaketë me figurën e poetit dhe themeluesit të letërsisë dhe kulturës arbëreshe, Jeronim de Rada dhe një hartë me vendbanimet arbëreshe në Kalabri. Vizitën e përmbyllën me shëtitjen në qytetin e Gostivarit”-raportuan mediat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button