Besart Berisha i thotë JO ftesës së FSHF-së

Besart Berisha ridel në skenë për Kombëtaren shqiptare. Kriza që po kalojnë sulmuesit aktualë të kuqezinjve ka detyruar trajnerin Xhani de Biazi t’i bëjë një tjetër ftesë kosovarit. Burime pranë drejtuesve të FSHF-së konfirmuan dje për “Panorama Sport” se gjatë javëve të fundit ka pasur një kontakt telefonik me futbollistin 28- vjeçar, që aktivizohet në Australi me Brisbane Roar. Mirëpo, të njëjtat burime saktësuan se Berisha ka refuzuar sërish ftesën për t’u rikthyer në përfaqësuesen kuqezi.

Refuzimi “Ju falënderoj për interesimin, por e kam të pamundur t’i përgjigjem pozitivisht ftesës suaj, edhe pse dëshira për t’u rikthyer në Kombëtare është e madhe. Jo vetëm që luaj futboll këtu, por kam ndërtuar edhe jetën time në Australi. Në këto kushte mendoj se është shumë e vështirë që unë të vij edhe për ndeshje të Kombëtares. Largësia është e madhe dhe kjo më pengon shumë”. Kështu mësohet se është përgjigjur së fundmi Berisha.

Suksesi Sulmuesi ka tri sezone që shkëlqen në Australi, duke qenë një ndër futbollistët më të mirë të këtij kampionati. Ai është kthyer në një idhull te Brisbane Roar, teksa në sezonin 2011-2012 arriti të fitojë edhe titullin kampion me këtë skuadër. Gjithashtu Berisha është shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit australian të ALeague. Ai do të mbahet mend si i pari futbollist shqiptar që ka arritur të shënojë në grupet e Ligës së Kampioneve, pikërisht kur ka qenë pjesë e gjermanëve të Hamburgut. Lojtari me origjinë nga Prishtina u bë pjesë e kuqezinjve në vitin 2006, kur Shqipërinë nisi ta drejtonte kroati Oto Bariç. Berisha luajti 17 ndeshje me fanellën kuqezi dhe arriti të shënojë një gol në miqësoren kundër Anglisë B, të zhvilluar më 25 maj të vitit 2007. Pas transferimit në Australi, sulmuesi nuk u grumbullua më nga Kombëtarja shqiptare. Forma e tij e mirë habiti jo pak opinionin sportiv pse nuk bëhej pjesë e kuqezinjve, por më pas ishte vetë Berisha që refuzoi ftesën.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close