Strasburgu rrëzon kërkesën e vrasësve të Azem Hajdarit
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka rrëzuar pretendimet e Jaho Mulosmanit dhe Izet Haxhisë, të dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit dhe badigardit të tij Besim Cera.
Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut konkludohet se nuk u gjet dhunimi i të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve shqiptare, e për këtë arsye Gjykata e deklaron kërkesën e Haxhisë dhe Mulosmanit të papranueshme.
Në vendim thuhet se për të dyja rastet nuk zbulohet ndonjë element pandershmërie gjatë gjykimit dhe se gjykata nuk gjeti asnjë arbitraritet në vlerësimin e fakteve ndaj dy ankuesve.
Duke iu referuar fakteve kryesore, gjykata e Strasburgut kujton se në mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 Azem Hajdari, deputet i PD-së me një prej badigardëve të tij u qëlluan për vdekje. Menjëherë pas vrasjes kreu i PD-së Sali Berisha bëri një deklarate publike duke akuzuar Mulosmanin për vrasje. Në lidhje me këtë ankesë të Mulosmanit për dështimin e Gjykatës Shqiptare për të marrë në pyetje Berishën si dëshmitar në referim edhe të deklaratës së mësipërme, Gjykata e Strasburgut nënvizon se Berisha nuk ka qenë një dëshmitar okular për vrasjen dhe deklarata e tij publike e bërë menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit nuk është paraqitur si fakt gjatë gjykimit.
Në lidhje me pretendimin se deklarata e Berishës kishte shkelur prezumimin e pafajësisë, Gjykata vlerëson se megjithëse Mulosmani u akuzua një vit pas ngjarjes, konsiderohet se kjo deklaratë ka pasur impakt të vazhdueshëm, megjithatë Berisha nuk veproi si një zyrtar publik dhe në atë kohë ai nuk mbante një detyrë publike dhe nuk ishte i përfshirë në hetimet për vrasjen e Azem Hajdarit. Berisha, sipas gjykatës, e bëri këtë deklarate si individ privat në detyrën e kreut të partisë që është e pavarur nga shteti.