Dalja e Greqisë nga euro, pasoja të rënda për ne

Emigrantët mund të humbasin kursimet, minoritarët pensionet, Shqipëria humbet remitancat

Gjergj Erebara
Mediat në të gjithë botën kanë dhënë një listë me skenarë se si mund të ndodhë që Greqia të dalë nga eurozona, si dhe pasojat e saj. Deri para pak muajsh, vetëm faqe interneti periferike i lejonin vetes parashikime të tilla apokaliptike, por së fundmi, edhe mediat kryesore botërore po japin skenarë të tillë.
Dalja e Greqisë nga eurozona është ende një ngjarje që mund të shmanget dhe e pasigurt, megjithatë shtetarët dhe bankierët po bëjnë llogaritë e veta. Greqia është partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë. Megjithëse nuk ka as statistika dhe as studime të mirëfillta, pranohet gjerësisht se shumica e shqiptarëve emigrantë jetojnë në Greqi dhe shumica e remitancave që vijnë në vendin tonë janë pikërisht nga këta emigrantë.
Emigrantët shqiptarë vlerësohet se kanë miliarda euro kursime në formën e depozitave në banka, nga të cilat një pjesë i kanë transferuar në atdhe, ndërsa sasi të konsiderueshme parash të paguara në formën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore pritet të përgjysmohen në vlerë në rast se Greqia del nga eurozona.
Zona jugore e Shqipërisë, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka qenë dukshëm më e pasur se sa pjesa veriore, rrezikon të vuajë më shumë.
Procesi
Greqia është aktualisht pa qeveri dhe nuk pritet të ketë një të tillë, së paku për dy muajt e ardhshëm. Ndërkohë, Athina ka një detyrim përballë BE-së dhe FMN-së të shkurtojë shpenzimet në këmbim të parave të ndihmës. Duket e pamundur që Greqia të respektojë marrëveshjen e shpëtimit financiar dhe në këtë mënyrë, topi mbetet në dorë të BE-së dhe FMN-së. Këto institucione mund të vendosin të ndërpresin ndihmën, gjë që do ta bëjë të pashmangshme falimentin. Duke qenë se një qeveri nuk mund të funksionojë pa monedhë, dalja nga euro bëhet gjithashtu e pashmangshme. Ekziston një aludim që thotë se BE-FMN mund të vendosin të kufizojnë sasinë e ndihmës me minimumin e nevojshëm që shtetit grek i duhet për të funksionuar. Në të dyja rastet gjasat janë që Greqia të zhytet edhe më tej në recesion, gjë që e bën daljen nga euro edhe më të pashmangshme.
Pasojat
Fqinji ynë jugor pritet të përballet me rënie të konsumit në masën 30 për qind në muajt e parë pas daljes nga eurozona, ndërsa në fund të procesit, Greqia pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në fund, klasifikimi i këtij vendi si “vend i pasur” mund të rrëzohet për ta futur në listën e vendeve me “të ardhura të mesme”. Me dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë ende depozita në bankat greke do të shohin se si vlera reale e depozitave të tyre do të përgjysmohet. Duke qenë se një pjesë e mirë e emigrimit shqiptar në Greqi është informal dhe kursimet mbahen poshtë jastëkut, kjo pjesë e eurove do të shpëtojë nga zhvlerësimi. Ndërkohë, analistët besojnë se qeveria e Greqisë mund të tentojë të bllokojë daljen e eurove nga Greqia pa i vulosur më parë, gjë që mund të krijojë premisat për kontrabandë valute nga Greqia në drejtim të vendeve të tjera.
Për shkak se nga mirëqenia e Greqisë varet edhe nga një pjesë e madhe e mirëqenies së Shqipërisë, vendi ynë rrezikon të zhytet në një recesion me përmasa të konsiderueshme. Tharja e remitancave nga Greqia, bllokimi i tregtisë me fqinjin tonë jugor, zhvlerësimi i pensioneve të minoritarëve, bllokimi i eksporteve të pakta dhe vendeve të punës në Shqipëri që lidhen me këto eksporte do të mjaftojnë të zhysin vendin tonë në krizë ekonomike. Një krizë e tillë rrezikon para së gjithash të ardhurat në buxhetin e shtetit e më pas, rritjen e borxhit publik të vendit tonë. Megjithatë, ekzistenca e lekut si monedhë e pavarur mund të ndihmojë në zbutjen e pasojave.
Në rast se Greqia del nga euro, kriza nuk do të zgjasë pa fund. Në çastin që monedha e re do të jetë në qarkullim, pushimet në Greqi do të jenë dy herë më të lira për turistët perëndimorë nga sa janë aktualisht. Pagat e grekëve do të jenë shumë më të ulëta nga sot, por gjithsesi grekët (dhe emigrantët shqiptarë atje) do të vijojnë të punojnë dhe mungesa e punësimit nuk do të jetë më një problem.
Ndërkohë, ndikimi politik dhe ekonomik i Greqisë në Ballkanin Perëndimor do të tkurret ndjeshëm. Greqia do të jetë në varësi të eurove të Brukselit për të mbajtur stabël monedhën e vet të re, ndërsa zyra e përfaqësuesit të përhershëm të FMN-së në Athinë do të fillojë të hartojë politikat monetare e fiskale, pak a shumë njësoj siç bëri në Shqipëri për shumë vite.

Hapat e daljes së Greqisë nga euro

Lajmi: Ekspertët si Barry Eichengreen mendojnë se lajmi për daljen e Greqisë nga euro do të jepet nga Kryeministri një të premte pasdreke, kur bankat janë të mbyllura dhe njerëzit nuk kanë mundësi të tërheqin depozitat e tyre
Bllokimi: Hapi i dytë është urdhri për ndalimin e shpërndarjes së depozitave në euro, konvertimin e tyre automatikisht në një monedhë të re me një kurs të përcaktuar nga qeveria dhe banka qendrore. Konvertohen edhe kreditë e borxhet
Vulosja: Për shkak se prodhimi i një monedhe të re kërkon rreth katër muaj, Banka Qendrore e Greqisë do të shpërndajë gjatë kësaj periudhe kartëmonedha euro të vulosura. Këto kartëmonedha do të kenë vlerë më të ulët se sa eurot e vërteta
Pasojat: Periudha tranzitore do të shoqërohet me një bllokim të tregtisë së brendshme e të jashtme. Grekët do të mund të përdorin eurot fizike që i kanë sakaq në xhep, por të ardhurat e konvertuara në dhrahmi do të ulin konsumin me 30-50 për qind
Dhrahmia e re
Pritet të jetë një monedhë e paqëndrueshme, që do të zhvlerësohet në mënyrë të vazhdueshme kundrejt euros. Në fund të procesit Greqia mund të bëhet një vend me “të ardhura të mesme” dhe jo më me të ardhura të larta siç është tani

Ndikimi në Shqipëri

Depozitat. Si popullsi emigrantësh, shqiptarët në Greqi kanë më shumë depozita se sa kanë kredi dhe këto depozita do të reduktohen ndjeshëm në vlerë reale. Një pjesë e shqiptarëve sakaq i ka transferuar kursimet në atdhe
Pensionet: Shqiptarët që kanë punuar me dokumente të rregullta në Greqi dhe kanë paguar sigurime shoqërore do të përfundojnë me pensione me vlerë të papërfillshme. Pensionet e minoritetit do të jenë edhe më të vogla
Remitancat. Greqia është burimi kryesor i të ardhurave nga emigrantët për Shqipërinë dhe dalja nga euro do të sjellë humbjen e këtij burimi të rëndësishëm ekonomik. Për shumë familje, veçanërisht në fshat, do të ketë varfëri ekstreme
Tregtia: Eksportet e pakta të Shqipërisë në Greqi do të zerohen, ndërsa importet do të bllokohen së paku përkohësisht, për t’u zëvendësuar me importe nga vende të tjera. Disa mijëra vende pune mund të mbyllen së paku për disa muaj
Emigrantët: Ndryshe nga situata aktuale, ku emigrantët mbesin pa punë, pas daljes së monedhës së re, shqiptarët në Greqi do të mund të përfitojnë së bashku me grekët nga “të mirat” e një monedhe sovrane dhe të lirë

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close