Vrasjet në Maqedoni, Haki Haziri: Shoqërova vrasësit, më vret ndërgjegjja

Haki Haziri

Gazetat maqedonase sot kanë trajtuar rastin e Haki Hazirit, të arrestuarit gjatë operacionit “Monstër”, më 1 maj, i cili u shpall i zhdukur nga familja për dy ditë dhe gjykatësit hetues në Shkup i dhanë masën e paraburgimit 30 ditësh, duke e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

Gazeta e përditshme “Fokus” duke cituar burime pranë gjykatësve hetues shkruan sot se “29-vjeçari jo vetëm që ka dhënë deklaratë dhe në detaje e ka përshkruar rrugën përmes së cilës kanë kaluar të dyshuarit për vrasjen, por edhe ka këmbëngulur të flasë sepse ka thënë se është dobësuar 20 kg pas ngjarjes, pasi e ka vrarë ndërgjegjja se është bërë pjesë nga grupi që e ka kryer vrasjen, pa e ditur”.
“Haziri në hetimi ka pohuar se nuk ka ditur se përgatitet vrasje dhe nuk ka parë që vrasësit të kenë armë. Ai i ka pritur në veturë, ndërsa ka filluar të dyshojë në qëllimin e tyre kur ka parë se maskohen dhe armatosen. Pas vrasjes e kanë braktisur vendin, e kanë lënë veturën, që më pas e ka gjetur policia, ndërsa janë drejtuar me veturë tjetër te fshatrat e Kumanovës, ku xhaxhai i tij u ka ndihmuar që në mënyrë ilegale të kalojnë në Kosovë”, shkruan “Fokus”.
Ndërkohë, gazeta tjetër e përditshme “Dnevnik” shkruan se i dyshuari Haki Haziri, që deri të martën nuk i ishte publikuar identiteti, për shkak se ishte përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, me kërkesë të tij kishte kërkuar të mos dëshmojë për rastin “Monstër”. Vendimi i tij për të hequr dorë nga dëshmitari i mbrojtur bëri që ai të shpallet i dyshuar dhe tij u vendos masa e paraburgimit me dyshimin për vepër terrorizëm.
“Ai fillimisht kishte rënë dakord dhe kishte nënshkruar marrëveshje me njësinë për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe pikërisht për këtë askush nuk dinte vendndodhjen e tij, përfshirë edhe familjen e tij. Deri tani askush nuk dëshiron të publikojë hapur se përse Haki Haziri kishte vendosur nga dëshmitar i mbrojtur të ndiqet për terrorizëm, që sipas praktikës, me këtë vendim të tij, ai rrezikon të shpallet fajtor dhe të marrë dënim me burg të përjetshëm”, shkruan “Dnevnik”.
Avokati i tij, Naser Raufi, ka thënë për gazetën se nuk e di saktësisht se përse klienti i tij ka humbur statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Edhe nga gjykata kanë theksuar se në interes të hetimeve nuk sqarojnë se përse Haziri ka hequr dorë nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur.
Nga MPB kanë theksuar për “Dnevnik” se Haziri ka qenë në mesin e nëntë personave ndaj të cilëve paraprakisht ishte ngritur kallëzim penal, por gjykata nuk i kishte caktuar paraburgimin.
“Tanimë është e pasigurt se gjatë procedurës eventuale gjyqësore mund të shfrytëzohet deklarata e Hazirit, i cili kishte marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Sipas ligjit për mbrojtjen e dëshmitarit, në kërkesën për përfshirje në programin për mbrojtje, krahas të dhënave kryesore të dëshmitarit, mund të përfshihet edhe përshkrimi i veprës kriminale dhe vlerësimi i provave ekzistuese si dhe përmbajtja e deklaratës, të cilat do të vlerësohen se sa janë të vlefshme gjatë procedurës”, thuhet në gazetën “Dnevnik”.
Mediat maqedonase bëjnë të ditur se në Maqedoni rrallë herë ka pasur raste të dëshmitarit të mbrojtur, por që asnjëherë nuk kanë dalë në opinion.
Familjarët kanë dyshime të mëdha se përse djali i tij ishte zhdukur dhe fshihej nga organet shtetërore përgjegjëse në Maqedoni.
Rasti i dëshmitarit të mbrojtur ka qenë ai i Ramadan Bajramit, nga fshati Sopot i Kumanovës. Ramadan Bajrami gjashtë vite pas shpërthimit të një mine në periferi të fshatit të tyre në vitin 2003, ku jetën e kishin humbur ushtarë të kontigjentit polak të NATO-s, ka rrëfyer se ai ishte detyruar të akuzojë 11 bashkëfshatarët e tij për gjoja vendosjen e mjetit shpërthyes.  Bajrami, si dëshmitari kryesor, gjashtë vite më pas zbardhi të vërtetën e Sopotit dhe nxori nga burgu bashkëfshatarët e tij. Ai ka pranuar se ishte mbajtur peng nga shërbimi sekret dhe ishte detyruar me dhunë të dëshmonte se 11 bashkëfshatarët e tij kishin vendosur mjetin shpërthyes në Sopot.
Por, nga ana tjetër, fillimi i procesit gjyqësor do të zbardhë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Haki Hazirin dhe akuzën e ngritur ndaj tij.
 
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close