Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Eksod nga Shkodra drejt Suedisë, i nxisin agjencitë serbe

Anila Dushi
Mbi 50 persona nuk janë lejuar të kalojnë drejt Malit të Zi në pikëkalimin kufitar të Muriqanit në Shkodër. Sipas informacioneve nga policia kufitare, në 24 orët e fundit janë mbi 50 persona, kryesisht djem të rinj nga fshatrat e Nënshkodrës si Berdica, Bushati, Trushi, Barbullushi e Dajçi, që nuk janë lejuar të kalojnë në tokën e shtetit fqinj pasi gjatë kontrollit u janë gjendur bileta udhëtimi që i kanë prerë për në Suedi dhe që nisja do bëhej nga Mali i Zi. Kjo është bërë për të parandaluar fluksin e vërejtur ditët e fundit për udhëtime drejt Suedisë, ku banorë të zonës së Nënshkodrës janë dendur drejt këtij vendi.
Mashtrimi
Gjithçka ka nisur me një informacion të përhapur në Shkodër se deri më 10 maj Suedia pranon emigrantë ekonomikë. Efektivët e policisë të sektorit Kundër Krimit Financiar kanë kontrolluar zyrat e lëshimit të vërtetimeve në komunat e Bushatit, Berdicës dhe Dajçit të Bregut të Bunës dhe pasi kanë marrë listën e personave që janë pajisur me vërtetime për gjendjen ekonomike, ua  kanë dërguar atë të gjitha pikave të kalimit kufitar në Republikën e Shqipërisë duke kërkuar që në rast se këta persona duan  të largohen nga  Shqipëria dhe kanë me vete bileta për në drejtim të Suedisë të mos lejohen që të largohen nga territori shqiptar. Kthimet e para kanë nisur gjatë pasdites të së enjtes ndërsa kontrolle të detajuara janë duke u kryer në pikat kufitare të Muriqanit dhe Hanit të Hotit për të parandaluar çdo lloj eksodi të këtyre banorëve të cilët largohen më pas nga aeroporti i Podgoricës për në drejtim të Beogradit e nga aty në drejtim të Suedisë për te kërkuar azil ekonomik.
Hetimi
Policia po vijon hetimet për zbulimin e personave që kanë përhapur fjalët që deri më 10 Maj Suedia do të pranoje azilin ekonomik të shtetasve shqiptare. Sipas burimeve nga blutë e Shkodrës, dyshohet se disa agjenci që kanë shitur biletat e udhëtimit drejt Suedisë të kenë bashkëpunuar me agjencitë e udhëtimeve nga Serbia dhe këto të fundit të jenë ideatorët e këtij lajmi të rremë. Gjithashtu bëhet e ditur se prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për këtë rast. Megjithëse mediat apo dhe strukturat lokale kanë apeluar që banorët e Nënshkodrës të mos bien në grackën e mashtrimit me azilin ekonomik në Suedi, banorë të fshatrave të Nënshkodrës, vazhdojnë të jenë mosbesues ndaj asaj që fjalët e hapura janë mashtrime. Ata shprehen se është e sigurt që Suedia i pret dhe nuk tërhiqen nga përpjekja për të shkuar atje.
Agjencitë
Biletat për në Suedi shiten nën dorë
Nga agjencitë e udhëtimeve që operojnë në Shkodër, mësohet se nuk ka bileta për në Suedi pasi janë shitur të gjitha deri më 10 maj, nga ana tjetër të thonë se për disa ditë është bllokuar shitja e tyre. Sipas informacioneve të fundit, biletat për në Suedi në Shkodër, në të shumtën e rasteve po merren nën dorë nga frika se mund të kenë probleme me shtetin. Agjencitë e udhëtimeve turistike thonë se janë prerë deri para dy ditësh rreth 300 bileta me një kosto prej më shumë se 100 mijë dollarë, me destinacion shtetin e Suedisë. Të gjitha biletat deri më 10 maj janë prenotuar nga qytetarët shkodranë. Në fshatrat Barbullush, Trush, Gur të Zi, Berdicë etj, ka banorë që pohojnë se “gjithçka është e vërtetë dhe ata janë të vendosur të shkojnë e të provojnë fatin”. Banorët e këtyre zonave pajisen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike dhe me vërtetime nga komunat lidhur me gjendjen e tyre ekonomike. Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se vërtetimet e komunave janë ligjore dhe nuk ka raste të evidentuara se ato u janë dhënë personave që realisht nuk i plotësojnë kriteret e lëshuara në vërtetime. Mësohet gjithashtu, se ka një rritje të çmimit të biletave drejt Suedisë. Banorët shprehen se përderisa të njohurit e tyre që kanë shkuar në Suedi nuk janë kthyer, kjo do thotë se ky shtet i pret ata. Madje, sipas banorëve, arrihet të besohet se Suedia e bën këtë pasi ka pasur dyndje të banorëve me ngjyrë drejt saj dhe ajo nuk i ka pranuar dhe në zbatim të angazhimeve ndërkombëtare ka pranuar shtetas shqiptarë. Sipas banorëve, është përhapur fjala se këtë do t’a bëjë së shpejti dhe Norvegjia. Nga këto zona ka mjaft shtetas që prej muajsh kanë shkuar drejt Suedisë si turistë dhe atje kanë kërkuar azil për gjakmarrje apo  shkaqe të tjera. Mësohet se këta sistemohen në vendqëndrime të posaçme deri kur intervistohen dhe vendoset për qëndrimin ose jo të tyre në këtë vend.
Kryetari i komunës: “Pse i lëshova vërtetimet”
“Janë të varfër. Kemi 10 mijë kërkesa për ndihmë ekonomike, qeveria u jep vetëm 60 familjeve”
Kryetari i komunës Bërdicë, Besnik Brahimi, i pyetur nga Shekulli, ka theksuar se komuniteti i komunës që ai drejton është i dobët ekonomikisht, por bujar e me zemër të madhe. “Kanë ardhur dhe ju kam lëshuar vërtetime e do të vazhdoj që t’u lëshoj vërtetime atyre që ju takon , se unë e njoh zonën. Nuk e bëj dot fukaranë pasanik dhe as pasanikun fukara. Kisha dashur që të gjithë komunitetin që më ka votuar e besuar t’a kisha të pasur, por këtu ka shumë familje që nuk kanë as bukë. Ndihma ekonomike, atyre që u jepet është 2000 lekë të reja në muaj dhe janë 10.000 banorë në këtë komunë, kam 3000 kërkesa për trajtim me ndihmë ekonomike, sepse kanë nevojë edhe për atë 2000 lekësh në muaj.  Por, vetëm 60 familje përfitojnë sepse shteti më jep lekë vetëm për to. Shteti aktualisht më jep lekë vetëm për 60 familje. Vërtetime për atë që është reale u jap në çdo kohë dhe në mesnatë po qe nevoja, por gjithmonë sipas gjendjes reale dhe jo duke mashtruar. Ja kam borxh t’i shërbej këtij komuniteti”,- ka theksuar Brahimi.
Lidhur me këtë çështje, burime zyrtare të komunës Bushat theksojnë se “prej disa ditësh në zyrat e komunës Bushat ka pasur një fluks në rritje të banorëve të komunës, kryesisht të rinj të cilët tërheqin vërtetime të mostrajtimit me ndihme ekonomike si dhe një deklarim nga komuna se i interesuari nuk disponon biznes privat. Këto dokumente i janë lëshuar të interesuarve konform ligjit dhe pa shkeljen më të vogël të tij”.
Policia: Ka lëvizje drejt vendeve nordike për azil
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, Pëllumb Nako, tha dje për “Shekullin”, se ata janë duke vëzhguar të gjithë procesin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së. Nako tha se ka ditë që është vënë në dijeni të një lëvizjeje të lirë të qytetarëve shqiptarë drejt Malit të Zi me destinacion final kërkimin e azilit në vendet nordike. Nako tha se do të vazhdohet të monitorohet procesi i lëvizjes së lirë dhe se do të merren masat përkatëse në raste kur dyshohet se lëvizja ka qëllime për kërkimin e azilit, apo të qëndrimit në vendet e BE-së për qëllim punësimi, apo jashtë kritereve të përcaktuara në lëvizjen e lirë.
Komisioni Europian
Komisioni Europian paralajmëroi një ligj i cili mund të çojë në pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së lirë, nëse shkelen rregullat e vendosura. Numri i kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë është i konsiderueshëm. Të dhënat e Eurostat-it raportojnë për  600 deri në 800 kërkesa në vit dhe më shumë se 90% e tyre janë refuzuar
Vërtetimet për gjakmarrje
Pas shqetësimit të bërë publik nga Shekulli në lidhje me fluksin e banoreve të zonës së Nënshkodrës, të cilët po lëvizin drejt Suedisë me qëllim për të përfituar azil ekonomik ka reaguar edhe Shoqata e Pajtimit të Gjaqeve në Shqipëri duke u shprehur se ajo nuk ka lëshuar vërtetime për asnjë arsye tjetër, vetëm për familjet që janë në gjak. Sipas sekretarit të kësaj shoqate Nikollë Shullani, kohët e fundit , sidomos në 10 ditët e fundit ka pasur një shtim të kërkesave për vërtetime, nga banorë të fshatrave të Berdicës, Dajçit, Bushatit, Gurit të Zi etj., por nga kjo shoqatë nuk janë lëshuar vërtetime. “Ne lëshojmë vërtetime vetëm për ato persona që janë realisht në gjak dhe ku ne kemi ndërmjetësuar për pajtim dhe e njohim problemin se e kemi të prekur prej nesh”,- shprehet Shytani
Ministria e Jashtme e Suedisë
Sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Jashtme Suedeze, bëhet e ditur se shtetasit shqiptarë nuk mund të kërkojnë azil politik dhe ekonomik. Përjashtim bëhet vetëm për ata shtetas të cilët kanë të rrezikuar jetën e tyre në Shqipëri dhe kjo duhet vërtetuar nga Ministria e Brendshme shqiptare.
Suedezët në Bushat
“Një delegacion suedez, i cili ka në përbërje dhe përfaqësues të qeverisë së këtij vendi, do të jetë prezent në komunën e Bushatit në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë e këtij vendi mik”, informon zyra e shtypit te komunës së Bushatit.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button