Smilkovci, vrasje e pesdhjetëfishtë e shqiptarëve

Gjëja e parë që duhet të bëjnë partitë shqiptare, është që të paraqiten me një propozim ligj të përbashkët me të cilin për vrasje të këtilla masive (duke përfshirë edhe vrasjen në Smilkovc) do të parashihet dënim me vdekje. Por paralelisht me këtë duhet të mbyllin të gjitha mundësitë për rast të montuar, në të cilin do të pësonin qytetarë të pafajshëm.

Editorial i së përditshmes “Lajm”

Vrasja e pesëfishtë e maqedonasve në Smilkovc paraqet vrasje të pesëdhjetëfishtë për shqiptarët në Maqedoni, nëse është i vërtetë informacioni zyrtar që e prezantoi ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska.

Jo se me këtë tezë duam të nënvlerësojmë dhimbjen që e kanë pësuar familjarët e pesë viktimave, por edhe komuniteti maqedonas për bashkëkombësit e tyre, por për shkak se informacioni zyrtar për këtë vrasje komprometon shqiptarët duke u mveshur një imazh i cili nuk u takon.

Pa marrë parasysh se Jankullovska nuk përmendi asnjë fjalë për përkatësinë e tyre etnike (nga korrektësia apo hipokrizia nuk është me rëndësi), vetë fakti se në cilat rajone është zhvilluar aksioni policor flet mjaft. Prandaj nuk guxojmë të bëhemi naiv por duhet të parashtrojmë pyetjen se çka duhet të bëjnë shqiptarët në këtë rast?

Ne si media shqiptare duhet haptazi të dënojmë vrasësit pa marrë parasysh kush janë dhe prej nga janë. Njëkohësisht duhet të bëjmë sqarime dhe të sjellim të gjitha argumentet e mundshme se autorët e kësaj vrasje mund kenë emra shqiptarë, por në realitet janë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Kurse mysliman nuk mund të jenë asnjë gram. Me çdo respekt për besimtarët e vërtetë, patjetër duhet të sqarojmë se në mesin tonë ka njerëz të cilët sa më të gjatë e kanë mjekrën, aq më të thella i kanë rrënjët te shërbimet armiqësore të shqiptarëve. Dhe këta shpirtra të shitur dhe të instrumentalizuar janë të detyruar të zbatojnë urdhrat e padronëve të tyre, pa marrë parasysh se çfarë natyre janë ata urdhra.

Kuptohet se barrën më të madhe në kësi situata duhet ta marrin ata që i shfrytëzojnë beneficionet më të  mëdha në emër të shqiptarëve– partitë politike shqiptare. Gjëja e parë që duhet të bëjnë ata, është që të paraqiten me një propozim ligj të përbashkët me të cilin për vrasje të këtilla masive (duke përfshirë edhe vrasjen në Smilkovc) do të parashihet dënim me vdekje. Por paralelisht me këtë duhet të mbyllin të gjitha mundësitë për rast të montuar, në të cilin do të pësonin qytetarë të pafajshëm (siç ka me bollëk në Maqedoni).

Sepse VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Gruevskit, Cërvenkovskit dhe politikanëve tjerë maqedonas mund të ju konvenojë të ketë sa më shumë shqiptarë të tillë, që dëmtojnë imazhin e gjithë shqiptarëve, por partive shqiptare (nëse janë vërtetë shqiptare!) një gjë e tillë nuk duhet të ju konvenojë.

Vetëm nëse bëjnë një hap të tillë ata do të hapin rrugën për të nxjerrë në sipërfaqe të gjitha dyshimet që kanë përcjellur aksionin “Montsra”.

Dyshimi i parë është se çfarë roli kanë mundur të ketë në një akt terrorist plaku 63 vjeçar nga Shutka. Apo gruaja plakë nga Hotla, e cila si shumë nëna shqiptare ka jetuar e vetmuar përskaj tre djemve, të cilët për të siguruar kafshatën e gojës kanë migruar në Zvicër e Belgjikë.

Dyshimi tjetër është se si është e mundur policia të mos zbulojë 20 ditë asnjë gjurmë për një vrasje aq të madhe të cilën e kanë kryer pjesëtarë të një grupi i cili (sipas Jankullovskës) numëron së paku 20 anëtarë. Dy pjesëtarë të kishte ky grup do të zbulohej më shpejtë ndonjë gjurmë, e lëre më njëzet.

Edhe më i madh është dyshimi se si është e mundur që në qendër të Shkupit të operojnë persona që kanë luftuar kundër NATO-s në Pakistan dhe Afganistan dhe policia të mos ketë njohuri për një gjë të tillë. Është paradoks “par exellance” që një shtet i cili rrah gjoks se po lufton terrorizmin ndërkombëtar në Afganistan e Irak, të mos mundet të zbulojë luftëtarë anti NATO 100 metra larg Shkupit. Apo policia ka pasur njohuri për ekzistimin e tyre, por i ka ruajtur t’i zbulojë në momentet kur nuk do të mund të ndriçojë ndonjë akt kriminel, si ai në Smilkovc.

Kulmin e dyshimit e paraqet fakti se vrasësit e Smilkovcës zbulohen në momentet kur në opinionin shqiptar u zbulua fjalimi i deputetit serb në Parlamentin e Maqedonisë Dragisha Miletiq, i cili një muaj para vrasjes ka paralajëmruar zhvillime dramatike në Maqedoni gjatë muajit prill. Miletiq mundet ditë e natë të thotë se me atë deklaratë ka paralajëmruar trazira të karakterit social, por askush nuk do t’i besojë. Sepse drama me të cilën ai i ka paralajmëruar zhvillimet në prill, nuk ka aspak “karakter social”.

Nuk duhet të harrojmë se Miletiq nuk është politikan i rastit, por një deputet i cili në vitin 1999 kur zhvilloheshin sulmet e NATO-s kundër Serbisë, e pat shndërruar Shkupin në kryeqendër të propagandës së regjimit të Millosheviqit.

Po ashtu zbulimi i “vrasësve” ndodhi një ditë pasi ish ministri i punëve të brendshme Pavle Trajanov, (i cili si pjesë e pushtetit aktual llogaritet në mesin e personave  me më tepër “informata operative”) deklaroi se vrasësit gjenden jashtë Maqedonisë.

Shpresojmë se ditët në vijim do të qartësohet më tepër aksionin “Monstra”. Ajo që mund të thuhet pa asnjë dyshim është se vrasja në Smilkovc nuk është hakmarrje shqiptare. Sepse pa marrë parasysh se shqiptarët dyshojnë në shumë vrasje që ka kryer policia maqedonase, asnjë shqiptar i vërtetë nuk do të hakmerrej për gabimet e policisë duke vrarë të rinj të pafajshëm.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close