Shqiptarja që rrëmbeu “Çelësin e Diturisë”, në Rusi

Rediana Çuraj 

Anila Çuli
“Kljuç znaniy” (Çelësi i Diturisë), është një nga titujt më të lartë që jo kushdo arrin ta fitojë në “Voronezh State University”, në një nga Universitet më prestigjioze të Rusisë. Vetëm pak kohë më parë ky titull i është dhuruar shqiptares simpatike, Rediana Çuraj e cila pasi ka mbaruar studimet me rezultate maksimale, në këtë universitet ka mundur të marrë një titull të tillë. “Ishte një titull i cili jepej në ceremoninë e diplomimit për studentët e huaj të cilët vinin nga vende të ndryshme si, Amerikës, Afrikës, Evropës, Kinës etj. U ndjeva shumë e vlerësuar dhe mbi të gjitha krenare që një çmim i tillë i dorëzohej një studenteje shqiptare”, pohon Rediana e cila duket sikur e ka parasysh atë moment.

Këtë “çelës” ajo ia dhuroi më pas një tjetër studenti të vitit të parë nga Afrika, si simbol i përcjelljes së diturisë nga një brez më i vjetër tek një brez më i ri.

Ish- studentja e rritur në Tepelenë dhe diplomuar me rezultate të shkëlqyera pohon, se zgjedhje e Rusisë si vend për të vazhduar studimet ka qenë një rastësi. “Në lidhje me konkursin për studime në Rusi e mora vesh nga një miku im, i cili kishte lexuar një njoftim të shpallur nga Ministria e Arsimit në gazetë. Unë, ende pa mbaruar gjimnazin aplikova dhe fitova”. Gjatë asaj periudhe kemi qenë shumë pak studentë që përfaqësonim Shqipërinë në këtë Universitet”, tregon Rediana e cila ka vijuar të mbajë të njëjtin ritëm studimi edhe gjatë viteve në universitet ku studioi për “Marrëdhënie me Publikun dhe Reklamë”.

Rediana tregon se nuk e pati aspak të vështirë për të mësuar gjuhën ruse, pasi njohja e gjuhëve të huaja dhe kulturave të vendeve të ndryshme janë pasioni i saj. Prandaj asaj iu deshën vetëm tre muaj për të mësuar rusishten. Gjithashtu Rediana njeh mirë edhe gjuhë të tjera si: persishten, anglishten, italishten, frëngjishten etj.

Teksa rrëfen ajo tregon se studimet universitare kanë qenë për të një eksperiencë ndryshe, e bukur dhe e paharrueshme në një shtet madhështor siç është Rusia. “Gjatë kohës që studioja unë njëkohësisht merresha dhe me projekte të ndryshme ku punoja. Kjo më ndihmoi shumë që përveç studimeve në Universitet, ta njihja tregun e punës nga afër. Eksperienca ime e parë e punës ka qenë: menaxhere shitjesh në një kompani ruse, e më pas u përfshiva në projekte dhe eksperienca të tjera në kompani të niveleve ndërkombëtare. Dua të theksoj se në projektet që unë kam qenë e përfshirë konkurrenca ka qenë tepër e fortë dhe nga ana tjetër ka qenë një konkurrencë tepër e pastër, ku askush nuk donte t’ia dinte se kush ishe dhe nga vije. Nëse ishe i zoti askush s’të pengonte. Diçka tjetër tepër të vyer që unë kam marrë nga Rusia, kanë qenë shkëmbimet kulturore dhe njohjet që unë kam krijuar me qytetarë të vendeve të ndryshme të botës, pasi atje organizoheshin herë pas here shumë aktivitete kulturore, artistike, muzikore etj ku përfshiheshin studentë nga më shumë se 120 vende të ndryshme”.

Dhe sigurisht të studiuarit në mënyrë sistematike dhe autodidakte, e kanë bërë që kur u kthye në vendin e saj të ishte me këmbë në tokë, optimiste dhe pse jo të pozicionohej në një vend të mirë si në jetën profesionale ashtu dhe atë shoqërore. “Të studiuarit jashtë më ka bërë të ndihem me këmbë në tokë, më optimiste dhe largpamëse dhe më ka edukuar me një mënyrë të punuari dhe të komunikuari ndryshe, gjë që e kam vënë re edhe tek shumë studentë të tjerë që janë diplomuar jashtë Shqipërisë. Por ka edhe raste kur studentët shqiptarë kthehen këtu dhe i mbulon ndonjëherë njëlloj pesimizmi e zymtësie kur përballen me një realitet tjetër nga ai që ishin mësuar jashtë”.

Në lidhje me nostalgjinë e saj për Rusinë, Rediana thotë: “Është paksa larg dhe nuk shkoj shpesh, kjo edhe për shkak të angazhimeve të mia në punë, por gjithsesi do të më pëlqente dhe është bukur të shkosh gjatë kohës së pranverës, kur dhe janë “Netët e Bardha”. Është një mrekulli dhe kalohet shumë bukur, pasi nata dhe dita janë të shkrira bashkë. Pra ka vetëm ditë, gjelbërim dhe shatërvanë, pasi në dimër fatkeqësisht shatërvanët qëndrojnë më shumë të mbyllur dhe uji është i ngrirë. Një periudhë e bukur për të shkuar padyshim është dhe shkurti, komplet dëborë, bardhësi e ajër i pastër”, përfundon Rediana.

Jeta

Mosha 28 vjeç

Vendlindja Tepelenë

Vendbanimi Tiranë

Arsimi i lartë

Ka studiuar për “Marrëdhënie me Publikun dhe Reklamë” në “Voronezh State University” të Rusisë, e më pas studimet master po në këtë Universitet. Aktualisht punon si Menaxhere Biznesi në një Kompani private prestigjioze.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close