Në qershor korrigjohet enciklopedia maqedonase

Shkup, 1 maj 2012, ZSH – Gudar Beqiraj, presidenti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë thotë se deri në qershor, akademitë shqiptare e maqedonase të arteve e shkencave do të formojnë një këshill të përbashkët që do të ofrojë një interpretim të ndryshëm të historisë së marrëdhënieve midis popujve të Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Beqiraj tha se me kushtetutë, një organizëm i tillë, do të mund të zgjidhë problemet dhe çështjet e hapura.

Sipas Vlado Kambovskit, Presidentit të Akademisë maqedonase (MANU) shkenca duhet të udhëheqë rrugën për dialogun, jo për konfliktin.

“Një akademi e Ballkanit duhet për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura lidhur me historinë dhe shkencën”, tha Kambovski.

Anëtarët e dy akademive do të takohen në qershor në Ohër për t’iu drejtuar çështjeve midis maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Maqedonasit dhe shqiptarët kanë histori të përbashkët. Të njëjtët sundimtarë qeverisën dhe përdorën të njëjtat masa ndaj tyre. Cilado të jetë e vërteta rreth marrëdhënieve maqedonase-shqiptare, ajo duhet parë nga të dy anët,” i tha SETimes Rizvan Sulejmani, profesor në Universitetin e Tetovës.

Një nga çështjet kyçe që do t’i drejtohet është Enciklopedia Maqedonase.

Shqiptarët e kundërshtojnë librin, sepse ai thotë se ata janë të ardhur rishtaz në Ballkan dhe jo banorë vendas në Maqedoni.

Botimi i librit në vitin 2009 u ndërpre nga një valë kritikash.

Enciklopedia është një projekt i Qendrës Leksikografike të MANU.

Më shumë se 250 anëtarë të akademisë, profesorë universiteti dhe studiues krijuan enciklopedinë dyvëllimëshe gjatë rrjedhës së shtatë viteve.

Ajo mbulon 9000 individë, koncepte dhe ngjarje nga të gjitha periodat brenda kufijve gjeografikë të Maqedonisë, nga kohërat prehistorike në ato bashkëkohore.

Enciklopedia i përshkruan shqiptarët si “njerëz të malit” dhe thotë se popullsia zbriti në Maqedoni së bashku me perandorinë otomane në shekullin e 16-të.

ASHSH thotë se këto pikëpamje janë nacionaliste dhe u bëri thirrje kolegëve të tyre maqedonas ta rikonsiderojnë botimin për hir të “së vërtetës në histori dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.”

“Të gjitha deklarimet në enciklopedi janë bazuar në prova dhe dokumente që janë verifikuar. Në qoftë se disa nuk pëlqejnë faktet, nuk do të thotë se faktet duhen ndryshuar. Le të provojnë ata se janë vendas në këto toka,” i tha SETimes historiani Gjorgi Malkovski, një nga autorët e enciklopedisë.

“Përpjekja për të ndryshuar enciklopedinë maqedonase në interes të shqiptarëve do të degradojë shkencën historike maqedonase, që ka bërë një përparim të hatashëm”, shtoi ai.

“Akademia Maqedonase (MANU) po formon një ekip të ri për të prodhuar një enciklopedi të re e cila do të përmbajë deklarime që do të jenë të pranueshme për shqiptarët. Por asgjë nuk do të dalë nga kjo përpjekje. Në fund të fundit, po ndërhyn MANU në botimin dhe përmbajtjen e enciklopedisë shqiptare? Në të, maqedonasit nuk njihen bile si popull por janë asimiluar në fantazmën ‘sllavomaqedonas’,” i tha SETimes Blazhe Ristovski, botues i librit dhe historian veteran i akademisë.

Megjithë përpjekjet për të zbutur marrëdhëniet, historianët janë njëzëri për atë se historia nuk është subjekt i marrëveshjeve të vullnetit të mirë.

“Ne kemi parë përpjekje të ngjashme në mbarë rajonin, kryesisht nga Greqia dhe Bullgaria, për të ‘zgjidhur’ ligjërisht të çarat në shkrimet e tyre kombëtare historike, përfshirë atë të një diktati politik apo marrëveshjeve politike lidhur me Maqedoninë”, tha historiania Violeta Açkovska.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close