Mjaft me festa për 1 Maj – Protestë

Nga Fiqiri Xibri
Para se të filloja këtë shkrim hodha një vështrim të shpejtë në internet çfarë është thënë apo thuhet mbi 1 Majin në media dhe forume shqipfolëse, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Përfundimi, u mërzita pasi thjesht konstatova atë që dihet (më gënjeu mendja për një çast se mos gjërat do kishin ndryshuar me magji), se shumica e mediave dhe gazetarëve, më keq akoma edhe shumica e qytetarëve të thjeshtë, më keq akoma edhe shumica e sindikatave dhe shoqatave me karakter social, flisnin për 1 Majin si për një ditë normale feste. 22 vjet kapitalizëm “i egër” dhe akoma nuk shkëputemi dot nga mentaliteti i sistemit komunist, ku na rreshtonin me zor nëpër parada “fitorjesh”.

Ka disa vjet rresht, që herë njëra, e herë më shumë se një sindikatë në Shqipëri, organizohen për të protestuar. Nënqeshim nga zori, por në fakt është për të vënë kujën me ulërima dhimbjeje, kur ne marshojmë rrugëve të Tiranës me parulla kërkesash sociale në duar, dhe kalimtarët të lajnë me shikime blindshpuese me domethënien: “Po këta?! Nerva që paskan !” Tek- tuk qëllojmë me njerëz të njohur, me farefis, me komshinj, shokë të vjetër pune apo aktivitetesh, por edhe ish bashkëluftëtarë të sindikalizmit dhe demokracisë. Dikush të përshëndet i përhumbur, dikush thjesht ngre sytë pa arritur dot ta kuptosh nëse të mori apo jo për pamje të vërtetë, dikush nxiton të degdisë shikimin gjetkë, që të mos vetëpërballet me detyrimin moral të bashkimit me ne.

Ndërkohë që marshojmë bulevardit, shumë më tepër në numër sesa ne protestuesit, të tjerë qytetarë(pavarësisht se shumica syresh janë fshatarë nga kolonizimet në rrethinat e Tiranës), në çifte apo familje, në grupe shokësh apo kolegësh, ja mësyjnë kodrave të liqenit për t’ju gëzuar barit të njomë. Për të shumtët e këtyre, protesta jonë është një realitet virtual që nuk ka kurrfarë arsye t’i kushtosh vëmendje. 1 Majin e kanë ditë feste, shëtitje apo pikniku.

Ndërkohë që edhe vetë mediat tona me kutërbim qeveritar pasqyrojnë sesi në shumë e shumë vende të botës, ku funksionojnë demokracia dhe marrëdhëniet e tregut të lirë, protestohet për të drejtat sociale të punonjësve dhe jo vetëm. Protestohet madje edhe në vende me standarde të larta mirëqenie për të përmirësuar më tej treguesit socialë dhe ekonomikë të qytetarëve.

Ndërkohë që pikërisht ne shqiptarët, që për nga treguesit ekonomikë e socialë jemi në fund të listës, jemi nga vendet e pakta, ku efektet e krizës globale nuk ndihen menjëherë për shkak se ne jemi në krizë permanente, por janë tepër të ashpra sepse e kapin pikun kur vendet e tjera kanë rifilluar progresin, pikërisht ne shqiptarët pra jemi ata që nuk e bëjmë qejfin qeder dhe në vend të protestojmë, festojmë sipas një konceptimi e mënyre edhe më të pakuptimtë sesa në kohën e diktaturës.

E shohim se problemet i kemi kapicë, e provojmë përditë në kurriz sesa e dhimbshme është varfëria, sesa fyes është arbitrariteti dhe megalomania e pushtetarëve, sa i kushtueshëm është korrupsioni i ngritur në sistem, sa shkatërrues është mosfunksionimi i ligjit dhe institucioneve, se sa turpërues është mungesa e dinjitetit social, sesa alarmante është përçarja e sindikatave dhe oponencës në përgjithësi. E megjithatë filozofia jonë abstraksioniste vazhdon ritualin e vet të përmotshëm dhe të përmortshëm, mbetemi me sytë nga qielli ose nga partitë, me shpresën boshe se dikush do na i kuptojë hallet që ne vetë përtojmë t’i numërojmë dhe do na i zgjidhë problemet që po na asfiksojnë, ndërkohë që ne vetë shullëhemi e zhgërryhemi në diell.

Jemi përsëri para 1 Majit. Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë herë jemi një numër sindikatash dhe organizatash të ndryshme që kemi koordinuar formën e protestave që do zhvillojmë. Një pjesë do jetë tek Kryeministria, ndërsa një pjesë me në krye ne minatorët do e fillojë në orën 10:30 tek Ministria e Punës, nga do lëvizë në drejtim të Ministrisë së Punës e më pas kryeministrisë.

Duam të tërheqim vëmendjen e qytetarëve se asgjë nuk mund të ndryshojë pa angazhimin tonë, pa prononcimin tonë dhe protestën tonë. Vota është vetëm njëra nga armët që një herë në 4 vjet kemi, armë e cila nuk funksionon as ajo, nëse nuk funksionon shoqëria dhe shpirti qytetar, pa të cilët çdo armë bën “xhap”.

Por ajo që duam më tepër, ajo për të cilën kemi nevojë si për ujin, bukën dhe ajrin, është shpirti qytetar, shpirti i mosnënshtrimit, dinjiteti njerëzor i shqiptarëve. Me të metat dhe të mirat tona, ka vite që ne po përpiqemi me thonj e me dhëmbë të ndërtojmë vetëorganizimin qytetar të vetëmbrojtjes sociale, të konfigurojmë një oponencë efikase dhe të rindërtojmë një sindikalizëm frymëzues, bashkëpunues, agresiv dhe rezultativ.

Edhe ne kemi nevojë të frymëzohemi, të inkurajohemi, të mbështetemi, të ndjejmë krahët e ngrohtë. Aty ku qytetari është në këmbë, aktiv dhe konsekuent, aty janë edhe premisat maksimale për këtë lloj sindikalizmi të munguar. Ne i ofrohemi qytetarit me përvojën, guximin dhe moralin tonë. Qytetari duhet të na vërë në provë me mbështetjen e tij. Rrugë tjetër nuk njoh, as në teori e as në praktikë. Eksperienca botërore më vërteton.

Prandaj duam që bashkë me qytetarët të jemi këtë 1 Maj në një protestë, ku pjesëmarrja të jetë e lartë dhe kërkesat të jenë të qarta, duke filluar që nga kërkesa për deklarimin zyrtar të minimumit jetik, e duke vazhduar për rritjen e pagave dhe pensioneve, për ligjërimin e pagës dhe pensionit të 13-të, për rishikimin e moshës së pensionit dhe përcaktimin sipas profesioneve, për krijimin e gjykatave të punës, etj.

Tashmë  protestës i  është bashkangjitur edhe Organizata “Zgjohu Shqiptar” ndaj I ftojmë të gjitha sindikatat dhe organizatat e tjera, politike ose jo politike, të gjithë qytetarët, që të bëhen pjesë e kësaj protestë të përbashkët të 1 Majit. Në orën 10:30. Tek Ministria e Punës.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button