“Hapen” prapë varret e ushtarëve grekë, negociata në Tiranë

Varrezat në Përmet

Megjithë ftohjen e supozuar të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, përmbushja e detyrimeve që burojnë nga marrëveshjet e firmosura vijojnë në mënyrë korrekte. Kështu komiteti i përbashkët i ekspertëve grekë e shqiptarë për zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, “Për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, ka zhvilluar dje në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë një takim që ka zgjatur rreth 5 orë. Pas tij nuk është bërë asnjë deklaratë konkrete mbi atë çfarë është diskutuar, nisur edhe nga fakti se vetë komunikimi ka qenë parashikuar të jetë konfidencial.

“Zgjerim i varrezës në Përmet dhe organizimi çdo vit i ceremonive përkujtimore nga Ministria jonë e Mbrojtjes”,- këto dy tema të nxehta të marrëveshjes mbeten akoma për t’u diskutuar, sipas një burimi nga brenda komisionit. Nisur nga fakti se komisioni i ngritur është në rang ekspertësh dhe në bazë të një marrëveshjeje konkrete, është e qartë se tema mbi të cilën është folur ka të bëjë me varrezat ekzistuese dhe plotësimet e nevojshme që ka procesi në fjalë. I pyetur nga Shekulli, një prej përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme në këtë komision, nuk ka pranuar të bëjë komente, duke shmangur kështu tërësisht dhënien e çdo informacioni zyrtar.

Çështja tërheq vëmendjen jo aq për mbajtjen e saj jashtë syve të publikut, sesa për ndjeshmërinë që ka nisur nga incidentet e së shkuarës. Duke filluar me dosjen Kosina, ku zhvarrimet dhe më keq akoma, ngatërrimi i eshtrave, implikoi në një zhurmë të madhe mediatike, përfaqësues të diplomacisë greke, të Kishës Ortodokse, të autoriteteve shqiptare, për të vijuar më tej me lojën politike që qarkon të gjithë procesin e ndërtimit të varrezave, problemi si i tillë është bërë shkas për të nxitur të tjera ngarkesa negative në gjykimin e fqinjit jugor.

Në variantin më ekstrem, opinioni publik shqiptar është ushqyer në raport me këtë çështje, me tezën se varrezat e ushtarëve grekë të rënë në LIIB në territorin e sotshëm të Shqipërisë së Jugut përfaqësojnë një lloj kufiri të Epirit të Veriut. Një kufi i cili përmes memorialësh dhe varresh supozohet se do të mbajë të hapur pretendimin e Greqisë. Konfirmime të dyshimeve të kësaj natyre erdhën sidomos me deklarimet e ish-konsullit grek në Korçë, Teodoros Ikonomu. Në variantin më optimist, opinioni ka kuptuar se me këtë marrëveshje qeveria “Berisha”, ka përfituar shumëçka përherë në funksion të zgjedhjeve, sidomos mbështetje për në procesin e Integrimit. Por arsyetime të tilla bien poshtë, sa kohë Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit i vitit 1996 nuk është hedhur poshtë e as rishikuar nga socialistët. Pikërisht ky Traktat është baza politike mbi të cilën qeveria operon për varrezat, por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me Greqinë.

Marrëveshja dhe detyrimet shqiptare

Ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar në nëntor të vitit 2009, dy janë ato që janë disi më delikate. Paraprakisht qeveria shqiptare ka nxjerrë në qershor të vitit 2011 një vendim për zbatimin e saj, ku parashikon edhe urdhërimin e Ministrisë së Mbrojtjes “të organizojë, në bashkëpunim me palën greke, ceremonitë zyrtare në përkujtim të të rënëve në luftë, çdo vit, në datën 28 tetor”. Ceremonitë do të jenë në të dyja gjuhët dhe ato mbahen në atë që njihet si dita e JO-së së Madhe në Greqi. Që prej vitit 2011 kur ka dalë urdhri e deri më sot, kjo pikë interesante e marrëveshjes nuk dihet të jetë zbatuar, ndaj edhe takimi i djeshëm mund ta ketë inkuadruar në axhendën e këtij viti.

Pika tjetër është zgjerimi i varrezës në Këlcyrë të Përmetit dhe sikundër e para është pjesë e dokumentit dypalësh. Bëhet fjalë për 4000 m2 zgjerim, duke parë se përmasa e varrezës ekzistuese nuk përmbush kërkesat fizike që kërkon numri i trupave që dergjen aty. Qeveria shqiptare ka marrë përsipër detyrime të qarta edhe për financimin e nevojshëm për shpronësimin që do të bëhet për zgjerimin, organizimin ceremonial dhe më tej bashkëpunimin me palën greke. Në fund, palë e tretë e këtij dokumenti është edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë së cilës i njihet e drejta për të administruar varrezat në fjalë që ndodhen njëra në Bularat të Gjirokastrës dhe tjetra në Këlcyrë të Përmetit.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

  1. wtf berisha e ka degjeneru shqiperin jo veq berisha po edhe ata tjert nuk e di ndoshta jan cmend ose skan pik gjak shqiptari politikant sidomos berisha tradhtit e esat pashes e hamza kastriotit jan zero ne lidhje me domin qa eshte ti bo berisha shqiperis ne pergjithesi qeshtjes shqiptare ,,,menoj se duhet dikush me dal e me qit jasht loje berishen sa su bo von…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close