Hileja e detit, Greqia do të përfitojë 5 miliardë metër kub gaz

Berisha-Karamanlis

Deputetët grekë: Rezervat e gazit në Jon, ja pse shqiptarët i thanë “jo” marrëveshjes për detin…

Athinë, 21 prill 2012, ZSH – Gjatë raportimit në Komisionin për Politikën e Jashtme dhe Mbrojtjes, ministri i Jashtëm grek, Stavros Dimas ka deklaruar se Greqia nuk do të rinegociojëë marrëveshjen për kufirin detar me Shqipërinë, por i kërkon Tiranës zyrtare të gjejë mënyrën për t’i dhënë fuqi juridike marrëveshjes së arritur mes dy qeverive në vitin 2008.

Sipas kreut të diplomacisë greke, marrëdhëniet mes dy vendeve do të varen nga predispozita e palës shqiptare për të zgjidhur këtë çështje kruciale për Greqinë, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe raportet e qeverisë shqiptare me minoritetin grek.

Në seancën e thirrur për të informuar deputetët e Komisionit të Jashtëm, kryediplomati Dimas ka bërë të ditur se së shpejti Athina zyrtare do t’i parashtrojë qeverisë shqiptare kërkesat e saj për legalizimin e marrëveshjes së ujërave dhe respektimin e të drejtave të minoritetit.

Dimas ka shprehur rezervat për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për heqjen e termit “kombësi” nga çertifikatat lindjes si dhe e ka quajtur të pabesueshëm censusin e zhvilluar nga qeveria shqiptare.

Nga ana e tyre deputetët konservatorë të “Demokracisë së Re” dhe partisë “LAOS” kanë zbuluar më tepër detaje rreth refuzimit të palës shqiptare për të pranuar marrëveshjen e delimitimit të kufirit detar.

Sipas tyre pala shqiptare është diktuar nga faktorë të jashtëm për t’i thënë “Jo” kësaj marrëveshjeje, pasi në hapësirën detare të ishujve të Jonit ndodhen rezerva të mëdha gazi, që llogariten në 5 miliardë metër kub.

Pasaportat e çamëve, kontakte në nivel teknik me Greqinë
Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë nisur kontaktet në nivel teknik për zgjidhjen e problemit të krijuar në kufi për shtetasit shqiptarë që kanë të shënuar në pasaportë vendlindjen “Çamëri”. Burime nga Kryeministria bënë të ditur dje se pjesë e përgjegjësisë institucionale në këtë çështje është edhe Ministria e Brendshme që përgjigjet për emetimin e pasaportave dhe si e tillë ajo është palë në trajtimin e problemit. Meqenëse ende nuk ka një ofertë konkrete duket se qeveria shqiptare po kërkon të fitojë kohë në raport me palën greke, me të cilën ka të hapur paralelisht edhe çështja “Disho”. Në këtë kuadër, gama e problemeve me Greqinë duket se ka krijuar një rrjetë të gjerë, zgjidhja e së cilës mban pezull edhe shkëmbimin e vizitave në nivel politik. Burimet nga Ministria e Jashtme thanë dje për Shekullin se një arsye për këtë është edhe situata në vendin fqinj, ku funksionon një qeveri teknike dhe me mbajtjen e zgjedhjeve shpresohet që diçka të qartësohet.

Minoriteti do t’a çojë në Strasburg certifikatën pa kombësi
Heqja e termit “kombësi” nga certifikatat, me gjasë do të bëhet objekt shqyrtimi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Do të jetë minoriteti dhe përfaqësia e tij politike në Shqipëri që mund të vërë në lëvizje një procedurë të këtillë, meqenëse Greqia vetë ka preferuar të ulë profilin e veprimit. Ministri Dimas ka shpjeguar se reagimi i Athinës zyrtare është diplomatik; ai synon ndikimin dhe diskutimin me palën shqiptare, e cila e ka të qartë se çfarë detyrimesh burojnë në kuadër të procesit integrues. Kriza e tanishme kushtëzon këtë qëndrim, i cili kërkohet me forcë nga të djathtët nacionalistë në Greqi. Për këtë arsye rezultati i zgjedhjeve të afërta në vendin fqinj, ka rëndësi edhe për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve meqenëse një fitore e Samarasë me gjasë do të riciklonte temat e nxehta mes të dyja vendeve.  “Për Greqinë, minoriteti etnik grek është një urë miqësie mes dy vendeve. Presim që edhe Shqipëria të ketë të njëjtën optikë në mënyrë që marrëdhëniet tona të ecin në drejtimin e duhur, pasi shumë shpejt do të nisim diskutimet për të gjitha këto çështje me qeverinë shqiptare, në mënyrë që të qartësojmë edhe qëllimet e saj. Dua t’ju them se minoriteti grek po shqyrton mundësinë e ankimimit në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, është shprehur ministri grek, duke sqaruar se mes Shqipërie dhe Greqisë ka një axhendë konkrete të vënë në vijë diskutimi.

…………..

Pjesë nga diskutimi që është bërë në 15 Dhjetor 2011 në Komisionin e Mbrojtjes dhe atë të Jashtëm të parlamentit grek në kuadër të marrëveshjes së ujërave me Shqipërinë dhe heqjes së termit “kombësi” nga çertifikatat e zyrave të gjendjes civile në Shqipëri.

Në komision ishte thirrur për të raportuar ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Dimas.

Stavros Dimas

Stavros Dimas ( Ministër i Jashtëm): “Në bisedën që kam patur me ministrin e Jashtëm shqiptar diskutuam ndër të tjera edhe çështjen e mbetur pezull të marrëveshjes së ujërave, e cila u nënshkrua nga dy qeveritë tona në vitin 2008, pas negociatave të bazuara në të drejtën detare.

Çështja e kufirit ujor të Greqisë do të jetë prioritet edhe në bisedimet që do të kemi me qeveritë e reja në Libi dhe Egjipt, ndërsa me Republikën e Qipros kemi një rakordim të vazhdueshëm”.

Panos Panagiotopulos (Demokracia e Re) : “Në Shqipëri, kohët e fundit po krijohet një klimë antigreke, e cila sponsorizohet kryesisht nga dy parti politike, Aleanca Kuq e Zi, e cila drejtohet nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e mbështetur nga presidenti i Republikës, Bamir Topi. Partia tjetër është ajo e Çamëve drejtuar nga zoti Idrizi. Të dyja këto forca politike janë pozicionuar djathtas duke ushtruar presion mbi Partinë Demokratike të Berishës dhe duke e detyruar atë të konformohet me qëndrimet e tyre. Problem po ashtu është edhe fryma antigreke që po kultivohet në radhët e socialistëve të Edi  Ramës. Po ju rikujtoj këtu se zoti Rama e dërgoi marrëveshjen  e ujërave në Gjykatën Kushtetuese, duke arritur ta bëjë atë të pavlefshme. Jam dakord me ju, ne nuk duhet të avancojmë në negociata të reja me palën shqiptare, por duhet të bisedojmë që të rikthejmë marrëveshjen e ujerave që nënshkruan dy qeveritë tona. Kjo është shumë e rëndësishme sepse u arrit që të pranohej parimi i baraslargësisë, duke marrë në konsideratë ishujt si dhe të vendosej një parim i drejtë i kufijve edhe në kuadrin rajonal”.

Qirjakos Velopulos (LAOS): “Sa i përket çështjes që parashtroi zoti Panagiotopulos për marrëveshjen e ujërave ju zoti ministër duhet ta dini më mirë se problemi i shqiptarëve janë ishujt e Jonit. Zoti Bretos e di shumë mirë pse po e diskutojmë këtë çështje-janë rezervat kolosale të gazit që ndodhen në afërsi të këtyre ishujve. Këtë e thonë edhe gjeologët. Shqiptarët nuk e pranojnë ndarjen e kufirit ujor sepse aty ndodhen 5 miliardë metër kub gaz. Ky është realiteti. E përsëris 5 miliardë metër kub gaz, herë 100 dollarë fuçia, bëhet fjalë për 500 miliardë dollarë. Kaq janë rezervat, e thonë edhe gjeologët. Pra çfarë do të bëjmë me këtë histori. Nuk më intereson nëse janë socialistët apo demokratët ata që qeverisën aktualisht Shqipërinë. Më intereson të dij kush u ka thënë të thonë jo për këtë marrëveshje”.

Ioanis Koranis (LAOS):  “Thatë zoti ministër se biseduat me homologun tuaj shqiptar, besoj se diskutuat në detaje edhe çështjen e marrëveshjes së ujërave.

Besoj me të drejtë qeveria greke nuk pranon rinegociimin e marrëveshjes, duke i kërkuar palës shqiptare t’i përmbahet marrëveshjes së arritur, në ç’mënyrë, kjo i takon palës shqiptare dhe jo neve. Nisur nga sa thatë besoj se nuk do ketë ndryshim të qëndrimit nga qeveria greke. Zoti ministër nuk ju dëgjova t’i referoheshit vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, për heqjen e termit “kombësi” nga  çertifikatat e zyrave të gjendjes civile, një vendim që krijon mjaft turbullira, në mos, zhdukjen e minoritetit etnik grek në Epirin e Veriut.

Kam bërë një pyetje dhe kërkoj përgjigje. Edhe njëherë ju pyes nëse kishit mundësi ta diskutonit këtë çështje me ministrin e jashtëm shqiptar dhe nëse po çfarë ju tha. Sepse të gjithë po e kuptojmë se kemi të bëjmë me një aleancë të heshtur mes Aleancës Kuq e Zi, partisë së Çamëve, Partisë Socialiste, por edhe demokratëve të Berishës, që ndonëse mund të jetë për qëllimet e tyre të brendshme, kanë si objektiv Greqinë.

Nacionalizmi i shqiptarëve ka arritur kulmin dhe ajo që dua të di është nëse do ta çoni në Gjykatën e Strasburgut vendimin e palës shqiptare për heqjen e termit “kombësi” nga çertifikatat”.

Stavros Dimas (Ministër i Jashtëm): “Me Shqipërinë synojmë të kemi marrëdhënie të mira. Madje mund t’ju them se Greqia ka punuar për zbutjen e klimës së acaruar politike në Shqipëri dhe shpresojmë se kapërcimi i krizës politike do të shoqërohet me reformat ë mëtejshme.

Bashkimi Evropian i ka vendosur prioritete të qarta Shqipërisë, në të cilat kërkohet të ketë progres edhe në çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të minoritetit.

Në Vilnus të Lituanisë u takova me ministrin e Jashtëm shqiptar dhe bisedova mjaft çështje të karakterit dypalësh. Shqipëria i njeh përpjekjet e mëdha të Greqisë sa i përket perspektivës euroatlantike të saj.

Ju thashë sa i përket çështjes së ujërave, e cila nuk ka hyrë ende në fuqi, si aleatë dhe partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian presim që Shqipëria të tregojë më shumë ndjeshmëri në çështje të karakterit tejet të rëndësishëm për Greqinë, siç janë edhe problemet me respektimin e të drejtave të minoritetit.

Fatkeqësisht siç u përmend edhe nga disa kolegë, disa incidente të ndodhura kohët e fundit kanë rritur shqetësimin tonë. Mes këtyre mund të përmend çështjen e regjistrimit të popullsisë, një proces, që nxori në pah mungesën e besimit të minoritetit ndaj autoriteteve shqiptare, pasi në shumicën e tyre minoritetet vendosën të mos marrin pjesë në këtë regjistrim. Po ashtu mund të përmend vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare për marrëveshjen e ujërave dhe heqjen e termit “kombësi” nga çertifikatat.

Për Greqinë, minoriteti etnik grek është një urë miqësie mes dy vendeve. Presim që edhe Shqipëria të ketë të njëjtën optikë, në mënyrë që marrëdhëniet tona të ecin në drejtimin e duhur, pasi shumë shpejt do të nisim diskutimet për të gjitha këto çështje me qeverinë shqiptare, në mënyrë që të qartësojmë edhe qëllimet e saj. Dua t’ju them se minoriteti grek po shqyrton mundësinë e ankimimit në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”. (zgjohushqiptar.blogspot.com)

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close