Çfarë do të ndodhte sikur të ndalohej hyrja e një greku në Shqipëri?!…

Nga Përparim Halili
Turpi dhe padrejtësia shoqërore, politike e diplomatike që po vazhdon të bëjë Shteti Grek me shtetasit shqiptarë në pikat e kalimit të kufirit Shqipëri-Greqi, nuk e kanë bërë as nazitët e as fashistët me lëvizjen e lirë në kohën e pushtimit. Pa folur për sjelljen harbutërore e deri kriminale ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët janë trajtuar nga shteti grek, si skllevërit e mesjetës së hershme. Po ndalemi në rastet e shtetasve shqiptarë, që nuk janë emigrantë por që kërkojnë të hyjnë në territorin grek për shërbime, pushime, vizita turistike e takime me të afërmit që punojnë dhe jetojnë atje.

Çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh? Në sportelet kufitare greke, ka një “listë të zezë” me emra shtetasish shqiptarë, të skeduar si “të rrezikshëm” dhe të “padëshirueshëm” nga Greqia. Këtu bëjnë pjesë disa gazetarë shqiptarë, të cilët kanë botuar vëzhgime e qëndrime kundër politikave dhe praktikave shoviniste greke ndaj interesave kombëtare shqiptare. Në këtë “listë të zezë”, bëjnë pjesë dhe politikanë, intelektualë e historianë shqiptarë, të cilët i kundërvihen publikisht qëndrimeve anti-shqiptare greke dhe skemave shoviniste, për diversion ndaj territoreve shqiptare. Këtyre personave të skeduar, përpara se të liberalizoheshin vizat “Shengen”, nuk u jepej vizë në Ambasadën Greke në Tiranë dhe në konsullatat Greke në Korçë e Gjirokastër. Ndërsa pas liberalizimit të vizave, atyre po u ndalohet hyrja në Greqi, duke u kryqëzuar e dëmtuar pasaportat. Në “listën zezë” të personave që nuk lejohen të futen në Greqi, janë përfshirë dhe shtetasit shqiptarë me origjinë çame. Edhe këta, kthehen në pikat e kalimit të kufirit grek me damkën “i padëshirueshëm”, ose “i rrezikshëm për shtetin grek”. Tre ditë më parë, në “listën e zezë” u futën edhe gjyqtarët, prokurorët e policët gjyqësorë që arrestuan, denoncuan dhe dënuan një farë Naum Disho, shtetas shqiptar, me origjinë rumune, i vetëshpallur grek, i dënuar me burg në Shqipëri për shkulje varrezash, aktualisht i strehuar në Greqi nën mbrojtjen e shtetit grek, si “atdhetar grek, luftëtar për mbrojtjen e çështjes së Vorio-Epirit”.

Shteti Grek e ka mbajtur qëndrimin e vet kundër shqiptarëve dhe po e vazhdon pa asnjë tërheqje këtë qëndrim të turpshëm anti-shqiptar e anti-BE. Po çfarë bën Shteti Shqiptar, kur shikon e dëgjon që shtetasit e tij nuk lejohen të lëvizin lirshëm në Greqi? Asgjë! Vetëm hesht, përtypet dhe gënjen publikisht, se gjoja “po negocion”. Dhe pas përtypjeve, zvarritjeve prej pordhaci përballë shtetit grek, në pikat e kalimit të kufirit kthehen përsëri çamët, grisen përsëri pasaportat e gazetarëve, përzihen përsëri me shqelma intelektualë, gjyqtarë, historianë e qytetarë të thjeshtë shqiptarë! Paralel me shqiptarët që nuk lejohen të kalojnë në tokën greke, në tokën shqiptare futen qindra e mijëra shtetas grekë, të cilët priten me rregull, me respekt e edukatë dhe lejohen të futen lirshëm në tokën shqiptare. Shtrojmë pyetjen? Po sikur të ndodhte psh, të ndalohej hyrja e një shtetasi grek në Shqipëri, çfarë do të bëhej? Do jepej alarmi e do bëhej gjëma! Sipas meje, do ndodhte kështu:

– Kryeministri Shqiptar Sali Berisha, ende pa reaguar shteti grek, do të dilte urgjent me deklaratë shtypi në media, duke kërkuar falje në emër të qeverisë shqiptare e të popullit shqiptar, për këtë incident të rëndë, që ka cenuar dinjitetin e shtetit dhe popullit Grek.

– Kryeministri Shqiptar Sali Berisha, do të niste urgjent ministrin e Brendshëm në pikën e kalimit të kufirit ku ishte bllokuar shtetasi grek, me urdhrin për të shkarkuar gjithë efektivin e policisë kufitare.

– Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, do të kishte mbledhur në seancë të jashtëzakonshme parlamentin, me “rend dite” hartimin e një rezolute ndjese ndaj shtetit Grek dhe me shprehjen e sigurisë, se raste të tilla nuk do të ndodhnin më dhe se shkaktarët, do përgjigjeshin ligjërisht me dënime maksimale.

– Ministri Jashtëm Edmond Haxhinasto, do të shkonte e do të përulej me urgjencë e vullnetarisht në Ambasadën Greke, duke kërkuar ndjesë për incidentin e ndodhur dje duke dalë në konferencë shtypi, me ambasadorin Grek.

– Ministri Brendshëm Bujar Nishani, do të kishte shkarkuar urgjent drejtuesit e gjithë pikës së kalimit të kufirit dhe do kishte zëvendësuar gjithë efektivin e policisë së saj, duke kërkuar nga SHKB dhe prokuroria ndjekjen e tyre penale.

– PD do të distancohej publikisht e politikisht nga ky qëndrim rrugaçëror i disa “policëve të papërgjegjshëm”, që kanë cenuar rëndë miqësinë shqiptaro-greke, të drejtën e shtetasve grekë për lëvizje të lirë dhe dinjitetin e shtetit Grek.

– Grupi parlamentar i PD, do të kërkonte komision hetimor për zbardhjen e ngjarjes së rëndë ndërshtetërore dhe ndëshkim të rënd për këtë akt të turpshëm e të qëllimshëm, të cenimit të miqësisë me Greqinë.

– Grupi i intelektualëve të pavarur të qeverisë shqiptare, do të dilte me deklaratë ndëshkuese për incidentin e ndodhur.

– TV-KLAN do të organizonte urgjent një emision special “Opinion”, me analistë e njohur të pushtetit, të cilët do të përsëritnin deklaratat e kryeministrit e të qeverisë, për ndëshkim të incidentit.

– PDIU e Shpëtim Idrizit, do të reagonte duke e dënuar ashpër qëndrimin, në emër të reciprocitetit ndërshtetëror dhe lidhjes së pastër miqësore mes dy popujve grek-shqiptar.

– PBDNJ e Vangjel Dules dhe “Omonia” e Bollanos, do kishte bërë namin duke “shkulur botën” në TV, gazeta e parlament, për këtë skandal të rënd të shtetit shqiptar, kundër të drejtave të shtetasve grekë për të lëvizur të lirë dhe do të kërkonte interpelancë me kryeministrin Sali Berisha, m ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Brendshëm.

– Ambasada Greke në Tiranë, do të bënte notë të ashpër proteste ndaj Shqipërisë, duke kërkuar që qeveria shqiptare të shprehte falje publike për incidentin.

– Diplomacia e shtetit grek, do t’i kërkonte BE dhe KE, bllokimin e negociatave për dhënien e Statusit Vend Kandidat për Shqipërinë.

– Qeveria greke do t’i kërkonte vendeve anëtare të BE, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe gjithë institucioneve ndërkombëtare donatore, që të bllokonin gjithë financimet ndaj Shqipërisë.

– Qeveria Greke do kishte nisur operacionin e famshëm “Fshesa” ndaj emigrantëve shqiptarë.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

  1. do doja ta provojm nje hap te tille edhe pse e besoj qe ndodhin keto masa qe jane larte permendur. por nje gje jam i sigurt se shqipetaret per grekun me te urryer se tash nuk do ishim as atehere.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close