Grekët dynden në Shqipëri për karburant

Tension në kufi
Kufitarët e Kapshticës dyshojnë për kontrabandë dhe ndalojnë hyrjen e 50 shoferëve

Ka tension në kufirin shqiptaro-grek, të paktën në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës. Nuk ndodh për shkak të kthimit mbrapsht nga autoritetet greke të disa gjyqtarëve e prokurorëve të Korçës, as për ndonjë çështje tjetër me karakter politik. Bëhet fjalë për para dhe për tregti dhe si asnjëherë në këto dy dekadat e fundit, janë kufitarët shqiptarë ata që nuk lënë grekët të kalojnë kufirin dhe janë homologët grekë ata që ankohen e protestojnë.

Kriza e rëndë ekonomike që ka pllakosur Greqinë, ka bërë që në harkun kohor të disa javëve, interesat e qytetarëve të dy vendeve për të lëvizur, të ndryshojnë. Banorët e fshatrave kufitare dhe qytezave të afërta të Greqisë Verilindore kanë zbuluar se është me shumë leverdi të furnizojnë makinat e tyre me karburant në Shqipëri.

Një distributor që ndodhet fare pranë Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës është duke jetuar ditë të arta. Njerëzit nisen enkas nga shtëpitë e tyre matanë kufirit për të mbushur serbatorët plot me karburant në këtë pikë, pasi në Greqi një litër naftë kushton rreth 2 euro, ndërsa në Shqipëri rreth 1,3 euro (180 lekë). Grekët kursejnë rreth 50 euro për një serbator benzinë dhe kjo nuk është pak në kohë krize.

Por duket se jo të gjithë e marrin rrugën për në Shqipëri për të kursyer. Ka nga ata që po bëjnë tregti, apo më saktë kontrabandë, pasi nuk ka se si të shpjegohet që e njëjta makinë të mbushë serbatorin plot çdo ditë, apo edhe disa herë në ditë. Oficerë të policisë kufitare në Kapshticë i thanë gazetës “Shqip” se ka dyshime të forta se disa shtetas grekë po shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë kontrabandë nafte. Por duke qenë se autoritetet kufitare nuk kanë mundësi ta vërtetojnë kontrabandën, e vetmja masë që mund të ndërmarrin është ndalimi i hyrjes në territorin shqiptar të personave të dyshimtë.

I njëjti burim konfirmon se afro 50 shtetas grekë janë ndaluar të hyjnë në Shqipëri gjatë një jave nga policia kufitare në Kapshticë, pasi kanë rezultuar se në mënyrë të përsëritur kanë hyrë për t’u furnizuar me karburant në pikën më të afërt të tregtimit, që ndodhet thuajse brenda territorit të doganës shqiptare.

Sipas këtij burimi, janë evidentuar raste kur i njëjti person me të njëjtën makinë ka ardhur më shumë se një herë brenda 24 orëve për t’u furnizuar me karburant dhe i vetmi shpjegim logjik për këtë është që ai ta zbrazë karburantin në shtëpi, ta shesë e të kthehet për t’u ngarkuar prapë. Kjo është kontrabandë!

Por kufitarët grekë nuk janë dakord. Rastet e shpeshtuara të kthimeve në kufi kanë bërë që policët grekë të ankohen te homologët shqiptarë, duke e konsideruar shkelje të të drejtave të njeriut ndalimin e shtetasve të vendit të tyre për të hyrë në Shqipëri, për sa kohë që këta shtetas janë të pajisur me dokumentacion të rregullt.

Pavarësisht ankesave, situata nuk ka ndryshuar, sepse në fund të fundit, ashtu si grekët, edhe kufitarët shqiptarë e kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht persona që u duken të dyshimtë, pavarësisht rregullsisë së dokumentacionit. Kjo është një praktikë që grekët e njohin shumë mirë. Megjithatë kjo e ka rritur tensionin mes palëve në pikën kufitare, ku të gjithë janë mësuar t’i presin bllokimet nga ana jugore dhe ankesat nga ajo veriore.

Deri pak kohë më parë, ishin drejtues të mjeteve nga Shqipëria ata që shkonin në Greqi për të furnizuar makinat me karburant, kryesisht të një lloji që përdoret vetëm për mjetet bujqësore, me çmim më të lirë në vendin fqinj. Edhe peshkatarët, kryesisht ata të Sarandës, kanë shfrytëzuar portet e afërta greke të Korfuzit dhe Igumenicës për t’u furnizuar me karburant më të lirë se në Shqipëri.

Por sot rolet kanë ndryshuar dhe kufitarët që nuk bëjnë dot përjashtim, është dashur të përshtaten gjithashtu në rolet e reja, shqiptarët bllokues e grekët ankues.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close