Mbi acarimin e lexuesve për Berishën dhe Kosovën

Mero Baze
Ka një acarim të lexuesve në Shqipëri dhe Kosovë kur diskutohet për Berishën në raport me Kosovën. Botimi nga gazeta Zëri e dosjes së interkonjeksionit dhe sabotimit të saj të qëllimshëm prej Berishës, i hodhi benzinë mbi zjarr kësaj teme. Shqiptarët e Shqipërisë, në shumicë mendojnë se shqiptarët e Kosovës nuk duan ta shikojnë realitetin në sy dhe glorifikojnë një politikan që nuk ka qenë kurrë në anën e tyre. Shqiptarët e Kosovës nga ana tjetër, përgjithësisht popullsia jourbane e Kosovës, e ndjejnë më të afërt Berishën në Kosovë dhe janë mosbesues ndaj akuzave që Berisha po favorizon serbët, ose së paku po çon drejt dështimit linjën e interkonjeksionit me Kosovën, që realisht pavarëson Kosovën nga Serbia së paku në fushën e energjisë.

Debati është sipërfaqësor dhe jo real. Unë jam ndër gazetarët e paktë të Shqipërisë që qysh prej vitit 1992 kam punuar me shtypin e Kosovës me Rilindjen (Bujku), revistën Koha të Surroit, më pas Bota Sot, etj. I kam parë shqiptarët e Kosovës në kohë të ndryshme dhe pozicione të ndryshme në raport me Shqipërinë. Kam njohur nga afër udhëheqësit e tyre politikë, Rugovën, Bukoshin, dhe më pas këta që qeverisin sot Kosovën. Nuk është e vërtetë që ata kanë një adhurim pa kushte për Sali Berishën. E vërteta që ne duhet të pranojmë është se ata kanë një adhurim pa kushte për “të parin e Shqipërisë”. Ky është realisht mentaliteti që vjen nga një hapësirë shqiptare, e cila ndjen mungesën e identitetit të saj kombëtar dhe kërkon me çdo kusht të njësohet me atdheun dhe të parin e saj pa asnjë kusht.

Kam qenë nervoz në vitin 1991 kur si gazetar i ri kam dalë në Elbasan të pres bashkë me disa gazetarë të rinj “Mandelën e Kosovës”, Adem Demaçin, dhe ai na tha se adhuronte Enver Hoxhën. E thoshte këtë një i sapodalë nga tridhjetë vite burg nga një regjim komunist më i moderuar si i Hoxhës. Më pas kjo përsëritej tek dhjetëra e qindra kosovarë. Adhurimi i tyre për Hoxhën ishte njëlloj nacionalkomunizmi që nuk kishte lidhje me komunizmin apo dashurinë për të. Ata që urrenin një komunist liberal si Tito, që ne i thoshim revizionist, adhuronin një komunist stalinist si Enver Hoxha për arsyen e vetme se këtë të dytin e adhuronin si “të parin e Shqipërisë” për retorikën e tij antisllave e antisovjetike. Ishte fuqia e ëndërruar, që atyre u mungonte. Më pas në skenë u shfaq Sali Berisha, në një moment delikat të historisë së tyre, kur ata shpallën shkëputjen nga Jugosllavia, por nuk i njihte askush përveç Tiranës. Shqipëria u bë avokatja e tyre në Perëndim edhe pse realisht nuk dinte dhe s’kishte shumë mundësi të bënte gjëra që të shpejtonin pavarësinë e tyre. Raportet delikate të Berishës me Rugovën, dhe shpeshherë armiqësinë mes tyre, shtypi ua fshehu shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri dhe ata u mësuan ta shikojnë Shqipërinë si një atdhe që po mendonte për ta. Kjo i lidhi ata me Sali Berishën.

Më pas erdhi lufta dhe ndërhyrja ndërkombëtare dhe mbi 1 milionë shqiptarë të Kosovës kaluan kufirin dhe erdhën në Shqipëri. Fytyra e pafajshme e Pandeli Majkos dhe sinqeriteti i tij për t’i hyrë detit me këmbë dhe për t’i pritur të gjithë ata në Shqipëri, e bëri atë një hero në Kosovë dhe Berishën një figurë më pak popullore se Majko. Të gjithë e mbajmë mend kur Pandeli Majko ishte idhulli i tyre dhe kjo për të njëjtin shkak. Ishte i pari i shtëpisë që i priti dhe nuk kish rëndësi nëse ishte ortodoks i jugut apo mysliman i Tropojës.

Erdhi më pas epoka e adhurimit të Edi Ramës dhe ndryshimeve të tij në Tiranë. Mediat e Kosovës flisnin për një yll që i mungonte Prishtinës dhe askush nuk fliste për Sali Berishën në opozitë. Të gjithë e mbajmë mend se si e kthyen atë në Morinë dhe nuk e lanë të hynte në Kosovë. Ishte Thaçi kryeministër, Rugova president dhe po këta gazetarë që shkruajnë sot për të. Nuk e lanë, bile e përçmuan. Ibrahim Rugova nuk e priti kurrë në Prishtinë. Vetëm kur vdiq ia mundësoi vizën në Kosovë për ta takuar të vdekur.

Tashmë Berisha kishte riardhur në pushtet dhe në Kosovë po rivinte koha e adhurimit për të. Retorika e tij populiste për Rrugën e Kombit dhe përlotjet folklorike në Gjakovë, mjaftonin për ta rikthyer atë në idhull të radhës. Pas ardhjes në pushtet të Berishës, për herë të parë në Shqipëri u instalua ish- mafia jugosllave, kompani serbe morën tenderë prej miliona eurosh në ndërtim rrugësh, në shitje blerje energjie e deri së fundmi në pajisje të shkollave me kompjuterë. Asnjë kompani kosovare s’ka fituar dot një copë rrugë për ndërtim në Shqipëri apo një tender të konsiderueshëm. As rrushin e Suharekës nuk lejon Ritvan Bodja të shitet në Shqipëri dhe as patatet e Shishtavecit nuk kalojnë dot matanë. E gjithë kjo është një sjellje e ndyrë ndaj Kosovës, por njerëzit atje preferojnë të mos humbasin “të parin e Shqipërisë” si idhull të tyre. Kjo është një dashuri kalimtare për kryeministrin e Shqipërisë dhe një keqkuptim historik për “patriotizmin” e tij. E vetmja gjë jetëgjatë në Kosovë ka për të qenë adhurimi pa kushte për atë që do të jetë në krye të Tiranës. Nuk duhen gjykuar për këtë. Nuk duhen gjykuar pasi ata nuk e shikojnë Tiranën siç shikojmë ne Prishtinën. Ne e shikojmë si diçka të re, për të cilën kujtohemi kur nuk na lënë të shkojmë ose kur shkojmë për qejf, kurse ata Tiranën e kanë atdheun e tyre të munguar.

Media e Prishtinës dhe gazetarët atje janë njerëz normalë, realistë, bile më të mirë se ata të Tiranës. Ata janë më të guximshëm, më profesionistë dhe më pak dallaverexhinj se sa gazetarët e Tiranës. Ata nuk i gënjen dot Sali Berisha. Nuk i ka gënjyer dot kurrë. Nuk është rastësi që betejën kundër një akti të ndyrë antikosovar të Sali Berishës e bëri ‘Zëri’. Nuk është çudi që shumë nga lidhjet e vjetra të Berishës me Serbinë i ka bërë ‘Koha Ditore’ apo gazeta të tjera në Kosovë. Mos ta ngatërrojmë atë që i mungon Kosovës dhe e plotëson institucioni i të parit të Shqipërisë, me atë që i mungon Berishës dhe e plotëson dëshira e Kosovës për të pasur të parin e Shqipërisë patriot. Sali Berisha dhe familja e tij në pushtet prej vitit 2005 kanë punuar pa hezitim me bizneset serbe në Shqipëri. Ata kanë sjellë këtu gjithë mafien ish- jugosllave që nis nga zëvendësi i Milosheviçit e deri tek njerëzit e punëve të zeza të luftës në Bosnjë. Nuk e ka bërë këtë se urren Kosovën, por se familja e tij në pushtet do më shumë paret dhe pushtetin se sa Kosovën. Lërini në fatin e tyre dhe miqësitë e tyre të vjetra e të reja, me serbë, boshnjakë e malazezë. Kur të mos jetë më kryeministër, të gjithë do kujtohemi se ishte një ëndërr e keqe, për të cilën do të ndjehemi keq.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

4 Komentet

  1. zoti Baze pajtohem plotesisht me ty se perse kosovaret e duan berishen po nuk jan te gjithe ata qe e duan siq e ke cekur edhe ti me lart por duheni edhe ju dhe gazetaret te tjer ti tregoin popullit te shkret per pislleqet e berishes se kjo nuk eshte hera e pare qe ai bashkpunon me krimenelet serb edhe ne kohen e sankasioneve ndaj serbis eshte ky njeri i cili kishte shkelur emabargon dhe e furnizonte regjimin serb me derivate ne naftes dhe tani del ky pseudo patriot dhe siq e ke cekur edhe ti derdh lot krokodili ne Gjakove vetem vazdho zoti Baze ti dhe te gjithe koleget tuaj ti tregoni pislleqet e ketij PSEUDOPATRIOTI

  2. Teorikisht,jane mire gjerat sic i thoni.Por keto
    duhet te kishin dale ne drite nga gazetaret ne
    Shqiperi qe prej viteve 94, 95,96 me kontrabanden
    e karburanteve me Serbine,me zhdukjen nga depot e
    Forcave te Armatosura Shqiptare te armeve me me
    rendiment dhe shitja e tyre ne fshehtesi deri ne
    Ruanda.Qe atehere duhet te kishit ngritur zerin,
    "Zeri" i juaj dhe i te tjereve.Apo mos atehere
    ishit ne te njejten llogore me "te parin" dhe i
    prishej figura?Sa per qartessi,-dicka me shume
    nga ty dhe nga shume ne te tjereve dinte Adem
    Demaci.

  3. fatkeqsisht gazetat ku paske punuar e kane dezinformu opinjonin ne nje mase aq te madhe sa nuk merret me mend,gje qe edhe ti e paske dhane "kontributin" tuaj per kete gjendje

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close