Kurti: Për Mitrovicën të reagojmë si komb

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti

Skerdilajd Zaimi

Mitrovica riaktualizohet sërish në skenën rajonale si një problem politik i qeverisë së Kosovës, një çështje taktike e  Serbisë dhe një element negocimi për ndërkombëtarët. Duket se vetëm për Vetëvendosjen e Albin Kurtit ajo është një kauzë, një kauzë që lidhet me parimet e lëvizjes,  por edhe e ushqen atë në veprimin e vet disi atipik për politikën shqiptare. Në intervistën e vet për Shekullin, Kurti thekson se rruga e vetme për të biseduar me Serbinë është aksioni mbarëkombëtar. Sipas tij, çdo lëshim apo luhatje do të sillte pasoja fatale dhe një dëm historik të madh. Më qartë; me Mitrovicën sipas tij, sot është në provë shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar.
Z. Kurti në Kosovë së fundmi akuzat për terrorizëm kanë nisur me vrasjen e një qytetari në Mitrovicë për të pasuar më pas ndaj jush në Kuvendin e Kosovës. Çfarë po ndodh në realitet?
Nocionet dhe kuptimet e tyre nuk duhet ti ngatërrojmë; terrorizëm në Kosovë ka bërë dhe vazhdon të bëjë Serbia me përmes strukturave të saj ilegale armiqësore. Selver Haradinaj u vra me eksploziv plastik të sofistikuar që iu montua në dritaren e katit përdhes ku banonte. Familja e tij; 4 fëmijët dhe gruaja u plagosën por shpëtuan. Qëllimi i këtij sulmi terrorist vrastar ishte që përveçse të vritej kjo familje, njëkohësisht të përhapej frika dhe paniku në masë te shqiptarët në Veri të Mitrovicës dhe ky akt i Serbisë ishte sulm i qartë terrorist dhe madje mundet fare mirë të shërbejë si ilustrim se çka është terrorizmi. Mendoj që kryekuvendari Krasniqi bëri një ngatërrim shumë të çuditshëm të nocionit të terrorizmit dhe kuptimit të tij me protestën tonë paqësore brenda sallës së Kuvendit të Kosovës ku ne insistonim për seancë të jashtëzakonshme në këtë gjendje e cila është gjithsesi e jashtëzakonshme.
Ju si subjekt politik kërkuar shpalljen e gjendjes së Jashtëzakonshme për Veriun e Kosovës. Mos vallë po kërkoni të ndërmerret një hap që do të ndërkombëtarizonte vetë Veriun si problem, duke konstituuar një çështje të re mes Serbisë dhe Kosovës edhe në planin juridik?
Në periudhën e okupimit të Serbisë gjatë viteve ’90, Kosova ka patur shumë nevojë për ndërkombëtarizim, meqenëse atëbotë na trajtonin si çështje të brendshme të Serbisë. Tani, kur janë mbushur më shumë se katër vjet qëkurse shpallëm pavarësinë, ne kemi nevojë për sovranitet dhe zhvillim ekonomik, kemi nevojë për bashkim të Mitrovicës dhe kontroll të kufijve të Kosovës, gjë që bëhet nëpërmjet një procesi të kombëtarizimit. Nëse para më shumë se një dekade kishim nevojë për ndërkombëtarizim tani kemi nevojë për kombëtarizim në mënyrë që të bëhemi sovranë. Në këtë aspekt duhet të aktivizohen të gjithë institucionet e Kosovës që në këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe alarmante të ndërmarrin hapa urgjente.  Synimi ynë ishte që përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë, të trajtohej i gjithë qyteti dhe komuna e Mitrovicës si një dhe e pandarë dhe, të gjitha institucionet e Kosovës, por edhe shoqëria të aktivizoheshin pikërisht në funksion të bashkimit të Mitrovicës dhe të eliminimit të strukturave të Serbisë. Struktura që përpara se të jenë kriminale janë armiqësore dhe ilegale. Me këtë rast, edhe ata që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të mund të na ndihmonin, mbështesnin. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, duhet kërkuar ndihma e Republikës së Shqipërisë e cila edhe në arenën ndërkombëtare i ka disa përparësi në krahasim me Kosovën, meqenëse është anëtare edhe në OKB edhe në NATO. Për të gjithë këto ne i kemi shkruar edhe një letër Presidentit të Shqipërisë, z. Bamir Topi që ta ngrejë çështjen e sigurisë së Kosovës në këto forume.
Cili ka qenë reagimi i Presidentit të Shqipërisë?
Deri në këto momente, pra sot në datën 12 prill, ende nuk kemi një përgjigje, por presim përgjigje të tij, sepse besojmë që është edhe detyrim kushtetues i të gjithë përfaqësuesve të lartë shtetërorë të Shqipërisë që të angazhohen jo vetëm për nënshtetasit e Shqipërisë administrative, por për të gjithë kombin në tërësi. Nuk mund t’ja lëmë bashkimin e Mitrovicës mitrovicasve. Duhet e gjithë Kosova të angazhohet për këtë gjë, madje i gjithë kombi shqiptar. Pasi Mitrovica është vendi ku sot matet edhe shteti i Kosovës, por edhe kombi shqiptar në përgjithësi. Nuk ka për të patur përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk bashkojmë Mitrovicën.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka deklaruar para disa kohësh se marrëdhëniet Serbi-Shqipëri nuk kushtëzohen me Kosovën. Për më tepër që Beogradi ka lejuar vizita të politikanëve shqiptarë si kreu socialist Edi Rama në Luginën  e Preshevës duke sugjeruar kështu një imazh modelimi.  A mos vallë po izolohet çështja e Mitrovicës në vetvete për të kaluar mandej në negocim final për ndarje?
Çdokush që është sjellë mirë me Serbinë, prej politikanëve shqiptarë, e ka bërë Serbinë më të keqe. As nuk është e drejtë dhe as e dobishme që t’i bëjmë koncesione Serbisë. Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë në funksion të faktorizimit të kombit shqiptar në Ballkan. Të gjithë shqiptarët, kudo ku janë kanë kontribuar për Republikën e Shqipërisë dhe më vonë për Republikën e Kosovës, ndaj këto dy shtete ua kanë borxh ndihmën e pakursyer të gjithë shqiptarëve kurdoherë që u shkelen të drejtat. Mendoj se koncesionet që po i bëhen Serbisë në dialogun e vazhdueshëm me të, tani po pasohen edhe me një lloj indiference ndaj sulmeve terroriste të saj. Çdo lëshim pe, apo indiferencë ndaj veprimeve kriminale dhe destruktive të Serbisë, vetë sa e inkurajon atë më shumë. Mendoj që edhe kryetari i Serbisë, Tadiç dhe kundër-kandidati i tij Nikoliç, janë të mbivlerësuar nga Brukseli, Neë York-u dhe Ëashingtoni; i pari si demokrat dhe i dyti si potencial destabilizues. Ne shqiptarët duhet ti kthehemi vetes në mënyrë që të forcohemi dhe me Perëndimin të krijojmë marrëdhënie partneriteti dhe jo servilizmi, duke mos harruar asnjëherë, se Serbia jo vetëm që ka të kaluar dhe të tashmë kriminale, por në të njëjtën kohë i mirëmban planet e saj antishqiptare dhe kundër Kosovës të cilat janë normuar që me Kushtetutën e vet, ku shkruhet se Kosova është pjesë e Serbisë.
Gjithsesi për sigurinë e Kosovës ka një investim shumë të madh të komunitetit ndërkombëtar, madje edhe një përgjegjësi institucionale tëshprehur në prezencën e KFOR dhe EULEX. Si mund të legjitimohet një aksion i njëanshëm force në këto kushte?
Faktorët ndërkombëtarë ndodhen sipër nesh, por jo përpara nesh. Nëse ne lëvizim, ata na ndjekin, nëse ne qëndrojmë në vend ata na shtypin nga lart. Edhe ndërhyrja e NATO-s nuk do të ndodhte pa UÇK-në dhe luftën e saj. Ndërkombëtarët na respektojnë kur ne respektojmë veten dhe jemi të përkushtuar në angazhimin tonë. Përndryshe, trysnimin që do të bëni mbi Serbinë e bëjnë mbi ne. Ata ndjekin rrugën e rezistencës më të vogël Me sa duket në Beograd ka qëndresë më të madhe. Edhe në Tiranë mendoj se ka një lloj inferioriteti që shprehet në vetëpërmbajtje dhe ngurim të tepërt.
Një nga pikat e manifestit të VV-së është edhe ‘dekolonizimi i Kosovës” në emër të lirisë. Mos vallë kjo çon në një spastrim të serbëve dhe synon një shtet të Kosovës të pastër etnikisht?
Në vitin 1962 kur u çlirua Algjeria nga Franca, 1/5 e saj zotërohej nga francezët me dokumentacion të rregullt ligjor pronësor. Po të mos ndodhte dekolonizimi pas luftës, 1/5-tat e Algjerisë do i takonin Francës. Për analogji, në Kosovë ka familje që brenda 100 vjetësh e ka blerë katër herë pronën e vet nga Serbia, e cila ua merrte shqiptarëve dhe ua rishiste. Kjo ka ndodhur përmes reformës agrare mes dy luftrave botërore, me nacionalizimin jugosllav të vitit 1945, në kohën e sundimit të Aleksandër Rankoviçit dhe së fundmi me pasuesin e tij, Millosheviç. Pra dekolonizimi nënkupton restaurimin pronësor të shqiptarëve në Kosovë.
Ju përfaqësoni një lëvizje që quhet Vetëvendosje-një emër që ngjit shpejt në kujtesë me të gjithë kuptimet e veta. Por ndoshta në emër të kësaj kredoje edhe serbët po kërkojnë vetëvendosje, ndonëse në këtë rast historia do të ofronte një sens ironie.
Ne duam që të vetëvendosë populli i Kosovës, ndërsa ata që po vendosin në Veri janë strukturat kriminale dhe aty ka ndodhur spastrimi etnik. Edhe në Bosnje, Serbia ka kryer spastrim etnik. Në Republikën Serbe atje ndodhi Serbrenica. Republika Serbe që është krijesë gjenocidale e Karaxhiçit dhe Mlladiçit nuk ka dhe nuk duhet të ketë të drejtë Vetëvendosjeje. Vetëvendosja e popujve dhe spastrimet etnike që i bëjnë shtetet kriminale janë e kundërta e njëra-tjetrës.
Sa i përket mosveprimit të qeverisë-vlerësoni se ka pafuqi reale, apo mungesë vullneti?
Nuk ka mungesë të kapaciteteve sesa mungesë të vullnetit për të vepruar në Mitrovicë. Aksioni i 25 korrikut tregoi se policia i ka aftësitë. Kosova ka afërsisht 10 000 policë dhe 2500 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë. Të gjitha veprimet e instrumenteve të sigurisë padyshim që do të kishin përkrahjen absolute të popullit para së cilës nuk do të mund të qëndronte cilido reagim atyre qindra kriminelëve serbë.
Pas gati 13 vitesh pavarësi, cili është vlerësimi juaj mbi trashëgiminë e Ibrahim Rugovës dhe pacifizmit të tij, qoftë edhe në edukimin politik të shoqërisë?
Shqiptarët janë paqësorë. Mos të harrojmë se ishin më të shtypurit dhe u ngritën në luftë të fundit. Në vitet ’90 kishim një organizim të madh shoqëror të shqiptarëve në kushtet e okupimit të egër serb. Ky organizim mbi të gjitha mirëmbante sistemin arsimor dhe ndaj kishte edhe një vlerë shoqërore dhe qytetare. Kritika ime dhe atëherë dhe sot është që organizimi dhe strukturat e krijuara ishin pasive, pra të pamjaftueshme. 

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close