Shkupi, zyrtarisht me simbole shqiptare

Izet Mexhiti

Skerdilajd Zaimi

“Rikthimi” i shqiptarëve në Shkup përmes manifestimit të simboleve të tij duket se po ngjiz një proces historik. Shkupi, dikur qyteti më i madh shqiptar, mundet sot të afirmojë të vërtetën historike, por edhe perspektivën e një qendre shumë etnike. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti thekson se simbolet dhe historia shqiptare do të bëhen prezente edhe në sheshin Makedonia, krahas përmendores së Aleksandrit të Madh apo edhe Cirillit dhe Metodit.
Z. Mexhiti çfarë përfaqëson për shqiptarët konstituimi i komunave ku drejtojnë përfaqësues të tyre dhe me këtë rast diçka nga përvoja juaj si kryetar i Komunës së Çairit në Shkup?
Për herë të parë, Çairi (njësia e parë komunale me drejtues shqiptar në Shkup), Struga dhe së shpejti edhe Kërçova kanë në krye për kryetar një shqiptar. Kjo erdhi si pasojë e ndarjes territoriale të kryer në vitin 2004 dhe unë jam në këtë detyrë në mandatin e dytë. Ky zhvillim cilësor, ka mundësuar që shqiptarët për herë të parë të vendosin vetë për prioritetet e tyre, zgjidhjen e problemeve  thelbësore përveç atyre të zakonshmeve që lidhen me infrastrukturën apo edhe cilësinë e shërbimeve. Për të qëndruara këtu, qëkurse jam zgjedhur në detyrën e kryetarit të komunës së Çairit, në Shkup simbolet kombëtare shqiptare janë rikthyer. Kjo ka rëndësi të nënvizohet pasi më parë ka patur një strategji për të zhveshur Shkupin nga rëndësia dhe kuptimi historik që ai ka për shqiptarët. Dihet se Shkupi deri në vitet ’70 ka qenë qyteti me më shumë shqiptarë, më herët ai ka qenë qendër e Vilajetit të Kosovës, e par ai historikisht ka qenë një qytet shumë i rëndësishëm shqiptar. Ky proces ka përfshirë jo vetëm komunën e Çairit që është zemra e Shkupit, por të gjithë qytetin; flamuri kombëtar yni është i barabartë me atë shtetëror. Po kështu në vitin 2002 u vendos përmendorja e Skënderbeut, në një vend që së shpejti do të jetë edhe sheshi më i madh i Maqedonisë me emrin e heroit tonë kombëtar. Është themeluar muzeu i Ilirisë që përfshin periudhën prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Këto ditë është në përfundim procesi i riemërtimit të rrugëve në Shkup ku përfshihen për herë të parë emra dhe ngjarje të historisë sonë, prej periudhës ilire e deri te historia me e re shqiptare. Po përmend disa prej tyre: mbreti Gent, mbretëresha Teuta, emërtimi Iliria, Arbëria, apo Gjergj Fishta, Hasan Prishtina  e për të mbërritur deri tek Azem Hajdari. Po kështu në sheshin qendror të Shkupit, “Makedonia”, krahas Aleksandrit të Madh, do të vendosen edhe përmendoret e Nexhat Agollit, i pushkatuar nga komunistët, Pjetër Bogdanit dhe Josif Bagerit. Konkursi është realizuar dhe puna ka nisur. Pra edhe për turistët që do të vijnë në Shkup, ne u prezantohemi me larminë tonë fetare që është pasuri e jona, por po ashut krahas përmendores së Skënderbeut ne shqiptarët përfaqësohemi edhe me Nënë Terezën dhe Pjetër Bogdanin, figura europiane dhe të njohura.
Në fakt, megjithë këto arritje të dukshme, z.Thaçi edhe në një intervistë të fundit për mediat në Shqipëri ka nënvizuar probleme shumë serioze në zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni…
Sa për informim të opinionit publik të Shqipërisë , duhet të kemi parasysh se që kurse ka dalë në skenën politike si fraksionist i  Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, z. Menduh Thaçi nuk i ka fituar  asnjëherë zgjedhjet. Në 15 vjet që funksionon si parti PDSh-ja pra, asnjëherë nuk i ka fituar zgjedhjet në kampin shqiptar. Dhe duhet të kemi parasysh se Ali Ahmeti dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që prej vitit 2002 e këtej merr besimin e 70% të shqiptarëve. Kjo për  të kuptuar se çfarë peshe politike mban ai në Maqedoni. Në të njëjtën kohë, unë nuk them se në Maqedoni është parajsë për shqiptarët. Nuk them se çështja kombëtare filloi dhe mbaroi me Ali Ahmetin, por me përgjegjësi të plotë mund të them se ka lëvizje pozitive për shqiptarët në Maqedoni dhe se ato janë rezultat i luftës së UÇK-së dhe filozofisë politike të BDI-së. Mendoj se problemet siç ishte rasti i incidenteve të fundit, ekzistojnë, janë evidente dhe paraqesin rrezik për stabilitetin e Maqedonisë nëse eskalojnë. Qasja jonë ka qenë serioze, në veçanti me faktorin ndërkombëtar, e sidomos ShBA-të, qasje e cila ka synuar funksionimin e shtetit ligjor dhe vënirn para përgjegjësisë të këtyre elementëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Ajo që  mund të them është se lideri i opozitës shqiptare, mundohet tu fryjë gjërave, me pretendimin se gjithçka që ndodh në Maqedoni kur ai nuk është në pushtet është zi e më zi.
Është diçka paradoksale të shikosh në një shtet me fërkime të forta etnike një koalicion qeverisës me dy partie respektivisht nacionaliste, si BDI-ja dhe VMRO-DPMNE. Si është i mundur të puqen dy armiq tradicionalë, të paktën parimisht të tillë?
BDI-ja partner strategjik ka votuesin shqiptar, pra popullin shqiptar. Ne nuk kemi asnjë partner strategjik në kampin maqedon. Është meritë e BDI-së që u vendos rregulli i pashkruar se qeveritë në Maqedoni do krijohen nga fituesit e zgjedhjeve në të dy kampet respektive. Pra populli vendos se cili do të drejtojë dhe se cilës parti do i japë legjitimitetin dhe mandatin e ardhshëm. Dhe me këtë mandat ne jemi legjitim, sikundër partnerit qeverisës e përcakton populli maqedon. Në këtë histori të shkurtër ne kemi qeverisur vendin njëherë me LSDM-në dhe njëherë me VMRO-DPMNE për shkak se ky ka qenë vullneti i popullit maqedon. Për hir të së vërtetës, qeverisja me Gruevskin ka patur probleme për shkak se gjatë vitit 2001 kemi përfaqësuar dy anë të kundërta-ne me UÇK-në dhe ai si ish-ministër Financash në qeverinë e Gjeorgjevskit. Kjo ka krijuar disa paragjykime. Mirëpo edhe njëherë mendoj se këtë rregull e kei imponuar dhe është më i drejtë. U krijua një precedent në vitin 2006 kur z. Thaçi edhe pse humbi u fut në qeveri me Gruevskin përmes porosisë elektorale se “nuk ka rëndësi për kë votojnë shqiptarët”, por se ç’ka i pëlqen Gruevskit sot, apo Cervenkovskit nesër. Kjo na ktheu pas në kohën kur përfaqësuesit shqiptarë emëroheshin nga pala maqedone.
Nisur nga sa renditët më sipër, a mund të themi se shqiptarët janë sot para ligjit, por edhe institucioneve shtetërore të barabartë me maqedonët?
Nuk kemi arritur barazinë, por kjo nuk i jep dikujt të drejtën të bëhet nihilist dhe të mohojë gjithçka që është bërë në këto 10 vjet. Vërtet shqiptarët nuk i janë të përfaqësuar në mënyrë adekuate, por sot nuk mund të mohohet që janë me mijëra ata që punojnë në administratë. Po marr dy institucione që kanë prodhuar dhunë ndaj shqiptarëve; Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes. Për herë të parë ministri i Mbrojtjes është shqiptar, teksa përqindja e shqiptarëve aty është 20%. Pretendojmë që përfaqësim të rritet edhe cilësisht. Nga ana tjetër ka institucione në Maqedoni që edhe nuk ka lëvizje, por sërish nuk duhet të harrojmë se para disa vitesh në këtë vend kishte institucione të pastra etnikisht. Për më tepër, Ministria e Shëndetësisë ka mbi 50% të të punësuarve shqiptarë, Ministria e Ekonomisë ka 37% etj. Pra nuk them se ka barazi të plotë, por nëse në Gostivar para disa vitesh u vranë 4 shqiptarë pse përdorën flamurin kombëtar, sot flamuri përdoret në Shkup, Strugë bile edhe në thellësi të Maqedonisë; në Prilep ku kemi fituar një komunë dhe ku përdoret edhe gjuha shqipe zyrtare. Po kështu në Tetovë me themelimin e universitetit u vra një shqiptar, ndërsa sot ky universitet është zyrtar dhe i shpërndarë në të gjitha qytetet shqiptare, përveçse shërben edhe për studentë nga Lugina e Preshevës.
Ka një problem shumë të njohur në Maqedoni që ka të bëjë me numrin e shqiptarëve. Do të kryhet regjistrimi i popullsisë dhe kur?
Po, regjistrimi do të realizohet sepse është detyrim. Për shkak të dallimeve konceptuale me partnerin tonë qeverisës, erdhëm në përfundimin se regjistrimi duhet shtyrë për një kohë të shkurtër. Duhet të hyjmë në proces më të përgatitur nga ana ligjore por edhe sa i përket aspektit të zbatimit të tij. Jam optimist që ndoshta edhe vitin e ardhshëm regjistrimi do të kryhet, sipas deklarimit të qytetarëve. Kemi patur vërejtjet tona lidhur me regjistrimin e qytetarëve që kanë më shumë se një vit që janë larguar nga Maqedonia apo edhe për rregullimin e Entit të Statistikës. 

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close