Albanologu suedez Ulmar Kvik, i lidhur për jetë me botën shqiptare

Meditim rreth Kumtesës së Ulmar Kvik “Suedia dhe suedezët në veprat e shkrimtarëve shqiptarë” (Kumtesë e mbajtur në seminarin   XXIII  Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare më 15 – 27 gusht 2004)

Shkruar nga Viron KONA
Edhe më parë, por tashmë që po e njoh nga afër Suedinë dhe popullin e saj të mrekullueshëm, kam të drejtën të shprehem, sepse, ndonëse të dy popujt tanë shqiptar e suedez ndodhen gjeografikisht larg njëri-tjetrit, kemi  përvoja të shumta dhe  fakte të historisë apo krijimtarisë artistike, që vërtetojnë natyrshmërinë e lidhjeve të thella dhe të veçanta të miqësisë mes tyre. Ato kanë qenë dhe janë tepër harmonike dhe të pa sforcuara. Në ligjëratën e Ullmarit, që citova më sipër, por edhe në materiale të tjera të tij hulumtuese, publicistike ose edhe poetike, ai shprehë me bukuri të rrallë  ndjenjat e fuqishme, që lidhin të dy popujt tanë, duke u nisur nga përvojat e  tija vetjake, nga vizitat e shumta në Shqipëri, nga takimet me shumë shqiptarë, nga leximi i literaturës të llojllojshme shqiptare. Ullmar  Kvik, pasi ka lexuar romanin “Hasta la vista” të Petro Markos,  na rrëfen ndjenjat e thella dhe të bukura dashurore të infermieres Kristinë për personazhin e romanit Gori Gjinleka: “Infermierja suedeze, herë dremiste, herë i vinte dorën në ballë. E kish skalitur thellë fizionominë tërheqëse të Gorit. Ç’ qepalla të zeza e të kthyera, aq sa kur çeleshin arrinin gjer tek vetullat e zeza! Ç’ dhëmbë të bardhë. Po t’ ishte piktore do t’i bënte një portret, do ta mbante me vete e kur të kthehej atje larg në Suedi, do t’u thoshte shoqeve: ”Shikoni ç’ fytyra ka Mesdheu ! Shikoni ç’ fytyra kemi mjekuar…”
Mënyra sesi shkrimtari shqiptar përshkruan dhe portretizon figurën e Kristinës, flet për një njohje të natyrshme të botës së brendshme të vajzës, për botën e thellë të ndjenjave të saj, por ai përshkruan po aq natyrshëm shpërthimin e atyre ndjenjave dashurore drejt një shqiptari. Një vajzë, që dashuron me aq ndjenjë e zjarr një shqiptar… Pikërisht për të treguar ndjenja poetike dhe shkrimtarie që i burojnë nga zemra, Petro Marko zgjedh si heroinë, një vajzë të mrekullueshme suedeze. E përshkruan aq bukur në tërësinë e saj, e “pikturon” me një dorë mjeshtërore, saqë, ajo mbetet një ndër figurat artistike  më të dashura të lexuesit. Sikurse, mbetet mbresëlënës, akti i saj i sakrifikimit të vetes, e udhëhequr nga një  qëllim i madh fisnik, për të mos i lënë të vdesin të sëmurët e pambrojtur… ”Rri unë me ta!” – kishte thënë Kristina.
Shprehjet më të bukura të zemrës së saj vajzërore, që duket sikur “këndon”, ajo zgjedh për t`ia  shprehur shoqes së saj dhe shqiptarit që dashuron…Gori mbetet shumë i prekur. Dhe Drita i tregon për fjalët e  fundit të Kristinës para ndarjes: “E në mos u pafshim për jetë më, jetoni edhe për mua ! Ëndrrat e mia i ëndërroni dhe i jetoni ju. Mos harroni Kristinën, Kristinën tuaj nga Stokholmi !”

Ulmar Kvik
Në ligjëratën e tij, Ulmar  përmend përshtypjet mbresëlënëse të Sterjo Spasses për Suedinë, pavarësisht ndonjë kufizimi kohor të Spasses; përmend poezitë e Natasha Lakos, e cila është bërë e njohur me vargun e saj të përkryer në disa antologji poetike. Përmend Ramadan Tahirin, që, siç shprehet Ulmar “shkruan një prozë të këndshme; përmend Ymri Demishaj, që përjetoi personalisht si mjek, zjarrin në një diskotekë në Gotheborg, ku 63 të rinj humbën jetën; Flet për Ibrahim Abedinin, i cili pasqyron jetën në mërgim; shprehet me simpati për shkrimtarin aktiv Riza Sheqiri, Shqiptar Osekun…Na sjellë Eglantina Mandian me “Sonata  e Hënës”, ku ajo shkruan për biografinë e Musine Kokalarit, heroinën shqiptare, e cila, sepse kërkonte demokraci, regjimi diktatorial ia dërmoi jetën dhe ardhmërinë. Nëse do të ndaleshim pakëz te ditari i Kokalarit, siç citon Ullmar në ligjëratën e tij, ajo shprehet me dashuri të parrëfyer për prozën e  shkëlqyer të Selma Lagerlëf:   “Penda  e saj ( Selmës ) nuk shkruan, po i bie telave që tingëllojnë muzikën e ndjenjave të zemrës…..” Fjalët e Musine Kokalarit, të kësaj vajze me ëndrra të bukura, që nuk e lanë t`i jetonte, rrjedhin natyrshëm si vargje ndjenjash miqësie dhe dashurie për Suedinë e mrekullueshme. Ullmari vijon: Personazhi i Faik Konicës te “Doktor Gjilpëra”, kur shkon për një vakancë nga Petërburgu në Stokholm, takimin e parë me Suedinë e shpreh me fjalët: ”Gjilpëra hyri tani në një botë të re….” Ai pa aty tjetër vend, tjetër qytetërim dhe civilizim, që i bëri shumë përshtypje….Me fjalë miradije, shprehet Ulmar në ligjëratën e tij të shkëlqyer, edhe për nivelin dhe ndjeshmërinë poetike të Meto Muhametit, kur në poezinë e tij “Nordikes”,  shpërthen aq befasisht dhe bukur në vargjet:
Ti stuhi prej Suedie,
Unë tufan prej Tepelene.
Nga ana tjetër, do të thosha, se kur Ulmar flet për shqiptarët, duket sikur zemra i këndon, pena sikur vallëzon në rreshta. Idetë dhe mendimet për shqiptarët, ai i shtjellon me një mënyrë krejt origjinale, të besueshme,  tërheqëse dhe të këndshme. Ky NJERI, nuk del rastësisht në mbrojtje të shqiptarëve, nuk është thjesht rastësi që ai i do aq shumë shqiptarët dhe ne, ta  duan aq shumë atë. Në një nga mesazhet e përbashkëta, mes meje dhe Ulmar,  ai shprehet:” Ju siguroj se shprehja “Kush e ka mik shqiptarin nuk është i humbur”, është vërtetuar në rastin tim jo një herë por qindra herë ! Në plan të parë më shpëtoi Samka, gruaja ime, nga vetmia në pleqëri ! U bashkuam para 15 vitesh, kisha jetuar vetëm për 3 vite pas një ndarjeje, dhe u takova me këtë grua të dashur dhe të mençur nga Prishtina. Dhe gjetëm simpati të përbashkët”.
Ose, në një mesazh tjetër shprehet: 
Për mua është frymëzim, kur miqtë shqiptarë tregojnë interesim dhe angazhim në lidhje me veprimtarinë time. Kjo punë disi surrealiste në dukje ( por vetëm në dukje ) të interesohesh për Shqipërinë e vogël në anën tjetër të Evropës, ka shkaktuar pak habi në ambientin tim në të kaluarën… Disa qeshnin, bile pa e fshehur, kuptova mendimet: I krisur mendsh ky, pse po merret me shqiptarët kur ka gjëra vërtet tërheqëse në këtë botë ! ( Ata nuk kuptuan fare sa tërheqës janë shqiptarët.)
Kjo lidhje miqësie, paraqet përpara lexuesit ndjenja të spikatura jo rastësore mes dy popujve tanë, që  e kuptojnë shpejt njëri – tjetrin, por edhe lexojnë po aq shpejt ndjenjat e njëri-tjetrit, dhe, fare natyrshëm, vendosin ura lidhëse miqësie, dashurie, respekti. Shembujve nga shkrimtarë të sotëm shqiptarë me banim në Suedi, që Ulmar përmend më sipër, do t`i shtoja  edhe  disa nga poezitë e Sadulla Zendeli – Daja, i cili, në porositë për të rinjtë në mërgim shprehet:“Kur hyn në shpirtin suedez thellë, të japin forcë, fuqi, ide…Nëse hyn në shpirtin suedez, gjen gjëra shumë të mira. Por kemi edhe ne shqiptarët gjëra shumë të mira dhe këtu bëhet pikëtakimi.
 Këtë lidhje shpirtërore e shohim dhe në bukuritë poetike të vargjeve të Demakut dhe Latifit, te proza e Hamit F. Gurgurit, i cili te tregimi “E shpëtuara e detit Jon”, paraqet mjaft bukur çastin, kur anija transoqeanike suedeze e, gjendur  në vendin ku ndodhi një nga tragjeditë shqiptare në detin Jon, shpëtoi të vetmin njeri të mbetur gjallë nga mbytja e anijes, vajzën e vogël Arta nga Shqipëria. Dhe, më tej, autori i tregimit shkruan se, kapiteni Hokan, e vendosi pa hezitim: “Unë kapiteni Hokan Shoman, shpreh gatishmërinë time që ta adoptoj vajzën, pasi nuk kam fëmijë. Jam i bindur se unë e gruaja ime do të jemi të denjë për ta edukuar mirë”. Ndonëse fati nuk e  mundësoi një lidhje të tillë birësimi, pasi vajza nuk i mbijetoi pasojave të tragjedisë, në rrëfimin e tij, shkrimtari tregon thellësinë dhe dashurinë e çiftit suedez, për të birësuar me ngrohtësi e përkushtim një vajzë të vogël shqiptare..
 Ndërkaq, sjell në kujtesën time një pasdite kur po bëhesha gati të shkoja në shtëpi pasi po mbaronte orari zyrtar. Vjen në zyrë Robert Çeço, një djalosh i mençur, që kishte mbaruar studimet në Londër. Bashkë me të ndodhej edhe një grua disi e moshuar afro të gjashtëdhjetave. Berti ma prezantoi gruan e moshuar.
-Është amerikane dhe kemi një projekt të përbashkët, – më shpjegoi ai.
Nisëm të bisedonim dhe, kur kolegu im i ri, i tha mikeshës, se unë sapo isha kthyer nga Suedia, ku më ishte përkthyer një libër, gruaja u gjallërua shumë dhe m`u duk sikur u rinua brenda disa minutash. Sytë nisën t`i vezullonin ëmbël dhe fytyra i ndriste gjithë gaz. Pamja e mëparshme disi zyrtare, sepse ne porsa u njohëm, sikur u shkri si akulli në pranverë. Mes nesh, nisi një bisedë që na bëri të mos ndjenim orën që po kalonte. Mund të them se në pak minuta u vendos një miqësi e sinqertë. Shkaku: Nëna e gruas, e cila jetonte, ishte suedeze dhe familjarisht banonin në Amerikë, pasi ajo ishte martuar me një amerikan.
-Mund t`ju dhuroj një libër të përkthyer në suedisht për nënën tuaj, –  i them mikeshës suedeze.
Ajo mori librin në dorë, shihte shkronjat dhe gjuhën suedeze  dhe nisi ta shfletonte me interes të dukshëm. Ndiqja me sy leximin që bënte dhe vija re që sytë i ndrisnin. Fytyra e saj, brenda pak çastesh kishte marrë pamjen e një vajze të re.
-Mamaja do të gëzohet shumë, madje do t`a marr në telefon dhe do t`i tregoj për librin tënd, për ty, për përshtypjet e tua kaq të bukura për Suedinë, – më tha ajo me një zë mjaft të ngrohtë e miqësor. – Oh, ta dini sesa do të gëzohet mamaja ! Sa do të gëzohet ! – përsëriste ajo dhe sytë i vezullonin ëmbël. Në ato sy shkëlqimtar, më bëhej se shihja prushin e zjarrtë të dashurisë për vendlindjen e nënës, Suedinë.
Pastaj, ajo më pa drejt e në sy dhe më tha:
-Më vjen mirë që, ti, si shqiptar ke shkruar për Suedinë, për vendlindjen e dashur të  nënës sime. Ajo, çdo ditë flet për të.
-Po të shkruante një tjetër, nuk do ta respektonit  kaq shumë ? – e pyeta buzagaz.
-Sigurisht, por, ju,  shqiptarët…Nuk e di, por se ç`keni në shpirt, në zemër, një ngrohtësi që mua, gjatë këtyre javëve që jam këtu, më ka tërhequr shumë.. Nuk e di, nuk e di !, – përsëriste ajo teksa sytë vijonin t`i vezullonin….
                                x             x           x
U takova rastësisht me mikun tim të vjetër Zhani Canco, intelektual i njohur, inxhinier arkitekt, autor librash. Teksa pinim kafe, Zhani nxori nga çanta një album me fotografi familjare, miqsh dhe shokësh dhe nisi të më fliste herë për njërën dhe herë për tjetrën fotografi. Një çast, u ndal tek një foto, ku dukej një grua disi e moshuar, dalë në një mjedis të brendshëm shtëpie. Në sfond, midis disa pikturash, binte në  sy një tablo  ku ishte pikturuar një tufë luledielli me bojëra vaji dhe pranë  saj një flamur shqiptar.
-Cila është kjo grua ? – e pyes mikun tim.
Ai bëri buzën në gaz dhe sytë i ndritën.
-Është Inja, Inja Maj  nga Suedia, – Dhe, duke parë, herë nga fotoja dhe, herë nga unë, Zhani  nisi të më tregonte se Inja kishte ardhur në Shqipëri në  vitin 1991 për të ndihmuar fondacionin e sapo hapur  “Nënë Tereza” në Tiranë, në rrugën “Budi”. – Ne, – vijoi Zhani, –  e ftuam suedezen të banonte në shtëpinë tonë, dhe, që në fillim, komunikimi ynë ishte  i hapur, i ngrohtë  dhe shumë  miqësor. Inja ishte një grua shumë  e sjellshme, me moshë rreth të pesëdhjetave dhe, kur fliste, nga sytë i buronte fisnikëri. Ne komunikonim anglisht, sidomos bashkëshortja  ime Tina. Nga bisedat, mësuam për familjen e saj në Suedi, por edhe për punën e përbashkët që kishin bërë me Nënë Terezën në Indi. I dëgjoja me vëmendje tregimet e saj dhe, më dukej se, ajo dhe Nënë Tereza, kishin gjëra të përbashkëta, madje, herë-herë  dukeshin  si motra.
Mikeshës suedeze, i la mbresa veçanërisht njohja me nënën time dhe emri i saj: Cezarina. Nëna ka qenë  piktorja e parë grua, shqiptare. Pikturat e përzgjedhura, ajo i kishte vendosur në mjediset e shtëpisë, në  dhoma e sallonin e pritjes. Inja  i shikonte me vëmendje të veçantë portretet, natyrat e qeta, peizazhet, dhe ndjente dëshirë të fliste dhe të shprehej për to. Pikturat e mamasë i pëlqenin dhe, entuziazmin e shfaqte hapur. E tërhiqte më shumë tabloja e punuar me bojëra vaj, ku shfaqeshin lirshëm një tufë luledielli.  Mbaj mend se, kur nëna e kishte punuar atë pikturë, sytë i ndrisnin nga pasioni dhe dashuria. Ishte një  pikturë  e ndjerë  dhe me shumë  art.
Ndërsa ditët kalonin, mikesha suedeze u bë si pjesëtare e shtëpisë sonë. E donin dhe na donte shumë. Fatkeqësisht, gjatë asaj kohe, nëna ime u sëmur dhe u nda nga jeta. Atëherë, suedezja e dhimbsur na qëndroi pranë, duke na lehtësuar dhimbjen me fjalët e saj të ngrohta. Sikur e dëgjoj edhe sot zërin e saj, kur më thoshte:“Zhan, të gjithë jemi të përkohshëm në këtë botë, duam apo nuk duam. Do të vijë një kohë që do të largohemi. Kryesorja është që njeriu duhet të lërë gjurmë. Nëna juaj, do të mbetet e paharruar, sepse, ajo, ka lënë gjurmë të shenjta me mirësinë  dhe artin e saj.”
Fjalët e mikeshës sonë më prekën dhe më mbetën në mendje. Ditën që ajo do të largohej nga Shqipëria, hoqa nga muri “Lulediellin”, pikturën më të dashur të nënës sime dhe ia fala si kujtim. Ajo u gëzua shumë. Kur shkoi në Suedi, na dërgoi edhe këto fotografi. Ja tek është  edhe “Luledielli”, e vendosur në  mur dhe, aty  pranë, flamuri ynë…Arti i lidh njerëzit, por akoma më shumë i lidhin ndjenjat dhe zemrat e bukura…
                             x                 x                 x
Sjellë ndërmend vizitën në familjen Persson, ku kalova darkën e parë të porsa-mbërritjes në Boras. Ishte një mbrëmje, ku bashkë me ne,  ndodhej një mbretëreshë me emrin MIKPRITJE. ( Përshkrimin më të gjerë dhe më të hollësishëm të asaj mbrëmjeje e kam bërë te libri im ”Bukuri suedeze”.)
Dita e Verës në Shqipëri, ngjason aq shumë me Midsomar të suedezëve…Urimet, veshjet popullore, karakteristike të festës, dalja në natyrë në mes të gjelbërimit, zbukurimet me kurora në kokë, me rrathë të thurur me lule shumëngjyrëshe në duar e qafë…. Veçse pak elementë ndryshojnë. Suedezët vallëzojnë rreth flamurit, kryqit – simbolik, të zbukuruar me ngjyrat e flamurit, me lule dhe gjelbërim. Shqiptarët festojnë, këndojnë e vallëzojnë, në parqe dhe mjedise pyjore të gjelbëruar dhe me lule. Në Elbasan, festuesit vallëzojnë e këndojnë pranë rrapeve shekullor të Byshekut, përdorin ballokumet, një ëmbëlsirë e veçantë elbasanase e përgatitur posaçërisht për festën e “Ditës së Verës”.( Elbasani është vendi simbolik i festimit të Ditës së verës. Këtë festë, e feston e gjithë Shqipëria). Në mjediset e festës, në gostitë, qerasjet, në drekën që organizohet, në dy vendet janë gjithnjë të pranishëm flamujt kombëtarë.
Këto nuk janë rastësi, por janë të përbashkëta, si ndodhi`, si vlera, si ndjenja njerëzore….
Mund të duket rastësi, por këto lidhje Shqipëri-Suedi,  kanë edhe karakter gjeografik dhe historik. Gjeografikisht jemi në të njëjtin meridian. Orën e kemi njëlloj. Do të thosha se, te shqiptarët ngjit shpejt ajo çfarë është suedeze. Siç shprehem te libri im“Bukuri suedeze”, gjyshja dhe nëna ime e vlerësonin të shenjtë termometrin e Celsiusit. Gjyshja e ruante atë bashkë me sendet më të vyera në baulen e saj të nusërisë. Kur isha në klasën e pestë, në orën e botanikës, mësuesja pyeste njërin nga ne: -Cili është  ai shkencëtar, që ia kushtoi tërë jetën luleve dhe bimëve ?,- Atëherë, thuajse e tërë klasa,nga dashuria për këtë shkencëtar të madh, thërrisnim si në kor:
“-Ai është suedezi Karl Von Linne, mësuese !” Kurse, mua, kur isha vetëm 23 vjeç, më shpëtoi nga “pushkatimi politik”   “Promeksi” suedez (Një makineri suedeze për shpimin e tuneleve)”. Atëherë, rastësisht dhe nga pakujdesia, humba një dokument sekret të partisë së punës. Sekretari i partisë, i cili punonte me makinerinë suedeze, e mori mbi vete përgjegjësinë e humbjes së dokumentit. Nuk e dënuan, as atë dhe, as mua, sepse ai ishte i vetmi në Shqipëri, që dinte ta drejtonte makinerinë moderne suedeze “Promeks”, që përdorej për shpimin e  tuneleve.. Ia kishin nevojën dhe e falën. Duke falur atë, shpëtova edhe unë…
Nuk është e rastësishme që, skandinavët,  suedezi Erik Hans Thunman, danezi Pedersen, mbrojnë me argumente dhe me një natyrshmëri  e besueshmëri shkencore origjinën ilire të shqiptarëve. Nuk është rastësore, që Gustav Adolfi, në vitin 1809 takoi Ali Pashë Tepelenën dhe i dha atij shpatën e Karlit të XII, i cili, siç shprehet Ulmar“ishte luftëtari më i famshëm i historisë suedeze”. Nuk është e rastësishme që shumë studentë shqiptarë, edhe dekada më parë, edhe sot, zgjedhin universitetet suedeze për të vijuar studimet, veçanërisht universitetin e vjetër dhe me famë të madhe Upsalën. Ay studioi dhe mbrojti doktoraturën, edhe njëri nga shkencëtarët më në zë shqiptar, Besnik Sykja, i cili, fatkeqësisht u nda shpejt nga jeta…Nuk është pak, që, janë dy shqiptarë që kanë marrë Nobelin: Nënë Tereza për Paqen dhe, Ferid Murati, për Mjekësi. Është kandidat i merituar edhe Ismail Kadare.
Nuk jam superticioz, por, unë një familje rrobaqepësi, lidhjet e para me Suedinë i krijova me qytetin e Borasit, “zemrën” e tekstilit të Suedisë dhe më gjerë. Ky qytet, ka simbol, gërshërët e rrobaqepësit. Dhurata e parë suedeze, që ma fali Per Kettisen, rektor i Fjardingskolan të Borasit, ishte një karficë kollareje me stemën e gërshërëve. Më është bërë zakon ta mbaj vazhdimisht në kollare atë karficë, që ka të gdhendur simbolin e gërshërëve. Kur ndodh që nuk e kam vënë karficën në kollare, më bëhet se diçka më mungon…Madje, kur u ndodha në Suedi, Per Kettisen, duke vënë re dëshirën time për atë karficë me simbolin e gërshërëve, më fali edhe një tjetër, që, nëse e humbisja njërën, të kisha tjetrën. Por, unë i kam të dyja. I ruaj si dhurata të shenjta e simbolike.
Nuk është rastësore që, Suedia është nga vendet e parë, që njohën Pavarësinë e Kosovës dhe ndihmoi mbi 50 mijë shqiptarë për të banuar e punuar në Suedi. Nga takimet dhe bisedat me shqiptarë e ardhur në Suedi, dëgjoj dhe ndjej mirënjohje, dashuri dhe ndjenja të thella miqësie për Suedinë mikpritëse.
Kemi lidhje miqësore dhe shpirtërore, të cilat qëndrojnë mbi  çdo  lloj lidhje tjetër. Kujtdo mund t`i ndodh, që të ri gjatë  me njerëz të ndryshëm dhe, veç marrëdhënieve korrekte ose zyrtare, mund të mos krijojë  simpati e miqësi me ta. Kurse, me suedezët, duket se, njohjet vijnë fare natyrshëm, siç vijnë ëmbëlsisht tingujt e një kënge të bukur, që e kap menjëherë veshi dhe zemra, dhe ti kërkon ta dëgjosh vazhdimisht. Grupi i këngëtarëve ABBA, është shumë i pëlqyer për shqiptarët. Këngët e tyre i dëgjon shumë shpesh në mjediset shqiptare. Këto lidhje shpirtërore, rrjedhin e ngjizen  natyrshëm, ashtu siç rrjedhin të pastër e transparent përrenjtë kur shkrin dëbora, si flladet që rrëshqasin maleve dhe luginave kur vjen pranvera, si këngët e zogjve dhe frushullimat e krahëve të dallëndysheve, lejlekëve, simbole të pranverës…Edhe më parë, edhe në vazhdim,  përherë, mes dy popujve tanë do të ketë  pranverë .
Këtë meditim për lidhjet e miqësisë shqiptare-suedeze, po e përfundoj me fjalët, që, Ulmar, duke falënderuar ata që janë shprehur miqësisht për referatin, u shkruan:
“…Do të mbetem me ju si mik, i lidhur për jetë me botën shqiptare. Kjo simpati, të mos themi dashuri, që u lind aq herët, në mënyrë të pashpjegueshme në rininë time larg në Suedi, sikur ra nga qielli dhe e mbajta si thesar afër zemrës… Samka, bashkëshortja ime e ka shpjegimin: Ishte vullneti i Zotit që unë do të takohesha një ditë me të, dhe për atë arsye fillova të interesohesha aq shumë për shqiptarët….”

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close