S’ka punë, s’ka rrugëdalje, s’ka shtet për rini!

Papunësia në Kosovë arrin në 45 për qind, ndërsa popullsia e saj është më e reja në Evropë. Pa shanse për të udhëtuar, dhe me pak mundësi në vendlindje, cilat janë shpresat e gjeneratës së re në rritje?

Në të gjitha orët e ditës, artistë të Prishtinës, shkrimtarë dhe ëndërrimtarë, mblidhen në qoshet e rehatshme të “Nat’ e dit’”, një kafene e mbushur me libra. Në mesin e tyre është Astrit Ismaili, artisti konceptual 20 vjeçar, i cili tash së voni u kthye nga qëndrimi gjashtëmujor në New York.

“Isha me fat. Kam marrë një çmim për të shkuar në SHBA”, thotë ai për Irish Times. “Shumica e njerëzve në Kosovë nuk kanë kurrë shanse për t’u larguar, për shkak të vështirësive në marrjen e vizave. Është e dhimbshme që talenti dhe ambiciet e të rinjve këtu janë më të mëdha seç lejon realiteti jonë”.

Puna e Ismailit hulumton temat e identitetit dhe seksualitetit përmes prizmit të një shoqërie që ende merret me pasojat e luftës, që ndihmuan Kosovën që të lindë si një shtet i pavarur. Ajo mund të jetë provokuese – një projekt e paraqet Ismailin pothuajse lakuriq në horizontin e një rrokaqielli të Prishtinës – dhe ai e di se është duke i shtyrë kufijtë në atë që vazhdon të jetë një vend kryesisht konservator.

“Nëse ju nuk keni mundësi të përjetoni gjërat jashtë Kosovës, mund të ngulfateni këtu”.

Ngufatja është fjala që përdoret edhe nga një i diplomuar i papunë, emri i të cilit është Dren. Duke konsumuar makiato në një kafene të mbushur plot me njerëz, me pamje drejtë monumentit të verdh Newborn – i zbuluar kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 – Dreni flet për rrethin e tij.

“Prishtina është e mbushur me kafene si kjo… të mbushura me të rinjtë si unë, që nuk kanë gjë tjetër të bëjnë pos të pinë kafe tërë ditën e lume”, thotë ai me hidhërim. “Nuk kemi punë, nuk ka perspektivë dhe asnjë rrugëdalje. Ky nuk është vend për të rinjtë”.

Kosova megjithatë është një vend i të rinjve. Dy milionë banorët e saj përbëjnë popullsinë më të re në Evropë: çdo person i dytë është nën moshën 25 vjeçe. Më shumë se gjysma e ministrave në Qeverinë e Kosovës janë nën 40 vjeç. Presidentja e vendit, një ish-komandante policisë me emrin Atifete Jahjaga, ishte vetëm 36 vjeçe kur u emërua në këtë post vitin e kaluar.

Dhe, siç zyrtarët duan të theksojnë kur diskutojnë sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, shteti i cili ka festuar katër vjetorin në shkurt është shteti më i ri në botë pas Sudanit Jugor!

“Nuk mund ta gjeni një rast të vetëm në histori ku brenda tri apo katër viteve të pavarësisë janë adresuar të çështjet e zhvillimit të vendit”, thotë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. “Unë do t’ju thosha të rinjve: na jepni pak kohë”.

Por, disa mendojnë se qeveria, e cila ia ka paguar 5 milionë euro kompanisë “Saatchi Saatchi” për të realizuar fushatën reklamuese që e trumbeton Kosovën si “evropianët e rinj”, nuk është duke u marrë seriozisht me mbufatjen e të rinjve. Para dy vitesh, Iniciativa për Stabilitet – organizatë e Prishtinës në partneritet me UNICE-in – ka publikuar raportin që thotë se 73 për qind e të rinjve janë të papunë.

“Papunësia në Kosovë po shkatërron të rinjtë”, u tha hulumtuesve një i intervistuar i quajtur Milot; të tjerët folën se si nepotizmi dhe favorizimi i miqve e ka bërë edhe më të vështirë jetën e të rinjve. Situata ka të ngjarë të bëhet më e keqe se më e mirë: parashikohet që afro 200 mijë vetë do ta arrijnë moshën e punës gjatë pesë viteve të ardhshme.

“Derisa shumica janë dakord se e ardhmja e Kosovës qëndron në duart e të rinjve, rinia e Kosovës zë shumë pak vend në politikat që përcaktojnë të ardhmen e saj”, thotë raporti. “Arsimimi, fuqizimi dhe punësimi i të rinjve janë sfidat kryesore të rrugës së Kosovës drejtë integrimit evropian. Kosova ka nevojë të investojë më shumë në rininë e saj, që të ketë një ekonomi konkurruese”.

Një nga autoret e raportit, Brikena Hoxha, thotë se pak gjëra kanë ndryshuar. “Rinia nuk është prioritet për qeverinë. Ata na thonë se kanë nevojë fillimisht ta zhvillojnë ekonominë. Nuk e dinë se të dy këto gjëra shkojnë së bashku”., thotë ajo.

Kolegia e saj, Vjosa Rogova-Damoni, pajtohet me të. “Të rinjtë e Kosovës mund të jetë forca shtytëse për vendin tonë. Nëse qeveria e injoron këtë, ne mund t’i humbasin ata që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi”, thotë ajo. “Hulumtimi ynë tregon se të rinjtë nuk duan të qëndrojnë këtu për shkak të mungesës së mundësive. Kur ju flisni me ta, janë gjithnjë e më shumë apatikë, mungon motivimi dhe janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme .”

Benefitet për të papunët nuk ekzistojnë në Kosovë. Rrjeti i vetëm i sigurisë është familja.

“Çfarë bëjnë të rinjtë? Ata jetojnë me prindërit e tyre dhe të gjejnë një mënyrë për të mbijetuar “, thotë Rogova-Damoni. Shumë kërkojnë ikjen në mënyra të tjera. Përdorimi i alkoolit dhe drogës është shtuar, thonë ata që punojnë me të rinjtë e Kosovës.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovës është rreth 45 për qind, më e larta në Ballkanin perëndimor. Një raport i vitit të kaluar, nga programi i OKB-së për zhvillim. vuri në dukje se shteti i ri lufton me infrastrukturë të dobët dhe me pasiguri politike e juridike – 104 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë edhe pesë në BE, ende nuk e kanë njohur Kosovën – gjë që ka rezultuar me investimeve të kufizuara nga jashtë. Vendi po ashtu ballafaqohet me korrupsionin: javën e kaluar, shefi i Task-Forcës së Qeverisë, për luftën kundër korrupsionit, është arrestuar nën dyshimin për mitmarrje.

Ajo që mbetet është një ekonomi në agoni, e varur nga sektori i shërbimeve, ndihmës ndërkombëtare dhe parave të dërguara nga diaspora e Kosovës (edhe pse ky burim i fundit i të ardhurave ka qenë i prekur nga kriza globale financiare).

Frustrimeve të të rinjve i shtohet edhe fakti se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë lirisht në vendet e BE-së. Zhgënjimi për përjashtimin e Kosovës nga liberalizimi i vizave është një refren i zakonshëm në mesin e të pakënaqurve.

“Ne jemi gjeografikisht në Evropë, por më të izoluar se njerëzit në Afganistan”, thotë njëri.

“Një nga pengesat më të mëdha është mungesa e lëvizjes, veçanërisht për të rinjtë. Unë e konsideroj rininë tonë si një nga thesaret më të mëdha të Kosovës. Liberalizimi i vizave do t’ua mundësojë atyre që të shkëmbejnë idetë, përvojat dhe vizionin me bashkëmoshatarët “, thotë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në zyrat e saj qendrore në Prishtinë. “Çështja e papunësisë dhe përplasjet mes brezave nuk janë fenomen vetëm i Kosovës, por i gjithë rajonit”.

Një raport nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, e shtroi çështjen e të rinjve në aspektin e sigurisë.

“Ndoshta kërcënimi më afatgjatë për Kosovën është mungesa e zhvillimit ekonomik e kombinuar me rritjen e shpejtë të popullsisë “, thuhet aty.

“Papunësia e të rinjve dhe vështirësitë ekonomike mund të kërcënojnë destabilizimin e Kosovës duke i shtyrë të rinjtë në kriminalitetit, ekonominë gri, ose duke krijuar trazira sociale. Paaftësia e shtetit për të siguruar nevojat themelore të popullsisë në lidhje me energjinë elektrike, shëndetësi, edukim dhe drejtësi. mund të shkaktojë trazira sociale”.

Kreshnik Hoxha, një kolumnist në fillim të 20-tat të tij, vitin e kaluar ka shkruar: “E vërteta është se Kosova ka nënshkruar vetë dënimin e saj me vdekje, duke neglizhuar rininë e saj”.

Një person me shumë vite përvojë në agjencitë ndërkombëtare në Kosovë, tërheq paralele me ankesat që shpien në protesta në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore vitin e kaluar: “Popullata e re, papunësia e lartë e të rinjve dhe çmagjepsja e shtuar me status quon – të njëjtit përbërës janë të pranishëm këtu”.

Disa e atribuojnë rritjen e lëvizjes nacionaliste të të rinjve, Vetëvendsoje – nga një organizatë ngatërrestare në partinë e tretë më të madhe në Parlament – për shkak të aftësisë së tyre për të kanalizuar pakënaqësitë në rritje rreth izolimit dhe stagnimit të vendit.

Vetëvendosje kundërshton të gjitha kontaktet me Serbinë, rreshtohet kundër asaj që perceptohet paternalizëm ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë operacionin evropian të njohur si EULEX, ndërsa kërkon bashkim me Shqipërinë fqinje.

Rrugët e Prishtinës janë të mbuluara me grafitet e tyre, përfshirë ato “Eulexperiment” dhe “Jo Negociata – Vetëvendosje”!. Ky i fundit është me germa të mëdha prapa statujës historike të Bill Clintonit, në rrugën që mban emrin e ish presidentin të SHBA-ve, për të shënuar kështu rolin e tij në nisjen e fushatës bombarduese të NATO-së për të përzënë trupat e Beogradit, gjatë luftimeve të përgjakshme etnike të vitit 1999 – midis serbëve dhe shqiptarëve.

Lideri i Vetëvendosjes ,sAlbin Kurti, flet për një kryengritje paqësore popullore, kundër asaj që ai e sheh si elita e korruptuar politike të Kosovës. Por, protestat e lëvizjes në rrugë kanë çuar në disa raste në përleshje me policinë.

Zyrtarët e Kosovës, disa prej të cilëve e përshkruajnë Kurtin dhe lëvizjen e tij si ekstremiste, hedhin poshtë mundësinë e trazirave më të mëdha.

“Nuk ka asnjë rrezik për këtë “, thotë presidentja Jahjaga.

Shem Aliu, një 28-vjeçar, aktivist i shoqërisë civile i cili punon me projektet e financuar nga BE e që ndërlidhen për zhvillimin ekonomik dhe pajtimin, thotë se Kosova ka shumë për të dhënë.

“Ne duam të bashkohet me BE-në, ne duam që të jemi pjesë e Lojërave Olimpike, ne duam të jemi anëtar i FIFA-s… Ne duam t’ia tregojmë botës anët tona të ndritshme: të rinjtë e talentuar”, thotë ai. “Si vend kemi bërë rrugë të gjatë, edhe pse jemi larg nga ku ne duam të jemi. Por, izolimi që jemi përballur po i bën aspiratat tona më të forta. Ne besojmë se ditët më të mira po vijnë për ne”.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close