Abetarja mbarëkombëtare edhe në Maqedoni

Zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri, nuk përjashton mundësinë që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund ta përdorin Abetaren mbarëkombëtare. Mirëpo, që të arrihet kjo, nevojitet që në MASH të dorëzohet iniciativë dhe kërkesë dhe që prindërit ta blejnë vetë Abetaren. Sigurimi i këtij libri me paratë e MASH-it as nuk mund të imagjinohet. E shumta që mund të arrihet është sigurimi i lejes për përdorim zyrtar

Nëse pajtohen prindërit shqiptarë që ta blejnë vetë Abetaren mbarëkombëtare dhe nëse ia dalin të formalizojnë kërkesën për përdorimin e kësaj abetare, të blerë me paratë e veta dhe jo Abetaren, e cila u jepet falas nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), kjo e fundit edhe mund ta lejojë përdorimin e saj zyrtar në shkollat e tona. Shqiptarët e Maqedonisë, sikurse dihet, mbetën jashtë projektit të Abetares mbarëkombëtare, kurse pas 10 ditësh do të mësohet emri i fituesit të këtij libri, që prej një shtatorit do të nis të përdoret në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës. Mundësia e vetme që prej këtij libri të mos përjashtohen filloristët shqiptarë është që të organizohen dhe të kërkojnë një gjë të këtillë, pasi në asnjë rast nuk duhet të presin që Abetaren mbarëkombëtare t’jua sigurojë MASH-i, aq më tepër kur duhet të përdoren edhe tre vjet të ardhshme librat, të cilat u blenë prej saj në vitin 2008. Skeptik për këtë është edhe zëvendësministri Safet Neziri, ndërsa nuk hedhë poshtë variantin që prindërit ta blejnë vetë Abetaren. Mirëpo, edhe për këtë variant, sikurse vëren zëvendësministri i Arsimit, duhet të ketë një iniciativë përkatëse, e cila do të buronte nga ndonjë shkollë apo asociacion i prindërve. Në Konkursin për Abetaren Mbarëkombëtare është edhe një botues nga Maqedonia, konkretisht “Albas”, e cila ka përfaqësitë e saj në Tiranë, Prishtinë, Tetovë dhe Preshevë. Drejtori ekzekutiv i kësaj shtëpie botuese, Latif Ajrullau thotë se do të ishte gjë e bukur sikur edhe filloristët nga Maqedonia të mund të përdorin Abetaren Mbarëkombëtare, pavarësisht se cila shtëpi e fiton atë Konkurs.

“Nëse e fitojmë neve Konkursin, sigurisht se libri do të gjendet në të gjitha sallonet tona, jo vetëm në Tetovë, por edhe në Preshevë dhe gjithë diasporën ku ‘Albas’ ka rrjetin e distribuimit”, pohon Ajrullai. Abetarja mbarëkombëtare, e cila ka nisur të hartohet enkas për shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës, do të përdoret në forma të ndryshme për shkak të dallimeve ligjore. Në Kosovë do të jetë i vetmi libër i Abetares, i lejuar për përdorim nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa në Shqipëri – do të jetë tekst alternativ, pasi atje ende janë në fuqi ligjet e liberalizimit të teksteve shkollore, e të cilat mundësojnë përdorimin e dy e më tepër librave për të njëjtën lëndë mësimore. Në këtë kontekst, ministri shqiptar i Arsimit dhe Shkencës në Tiranë, Myqerem Tafaj, do të nënshkruajë lejen për përdorimin e Abetares mbarëkombëtare, që pritet të caktohet këto ditë, mirëpo pa u marrë të drejtën e përdorimit dy Abetareve në përdorim. Nëse në Maqedoni nuk ndryshojnë gjëra, ministri Pançe Karlev nuk do të ketë privilegjin të hedhë firmën në asnjë tekst shkollor të arsimit nëntëvjeçar deri në vitin 2015, pasi me ndryshimet që pritet t’i miratojë Parlamenti ditëve në vijim, deri në shtator të atij viti do të jenë të vlefshme librat e firmosur nga ish-ministri Nikolla Todorov. “Konform sistemit arsimor, do të përdoret Abetarja e cila është në përdorim, kurse për iniciativa si kjo për përdorimin e Abetares mbarëkombëtare me iniciativë të prindërve, do të shohim se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen”, thotë zëvendësministri Neziri. Kjo, megjithatë nuk e pengon asnjë prind që ta ketë në shtëpi një Abetare mbarëkombëtare, plotëson më tej ai, ndërsa pohon se asgjë nuk është e pamundshme. “Nuk janë opsione për ti hedhur poshtë. Gjithçka është e mundur në të ardhmen dhe çdo variant meriton të shqyrtohet. Kur të na vijnë kërkesa apo iniciativa të atilla, do ti shqyrtojmë me qëllim që të arrijmë deri në një pëlqim të kënaqshëm për prindërit dhe nxënësit”, pohon zëvendësministri i Arsimit.

Gjasat që çështja e përdorimit të Abetares mbarëkombëtare edhe në Maqedoni të diskutohet në ministri, e mbase edhe në nivel të partive të koalicionit qeveritar, ekzistojnë gjithsesi, kurse për arritjen e një marrëveshje të këtillë eventuale me BDI-së dhe VMRO-së, mund të shpresohet vetëm nëse kërkohet diçka e këtillë nga shkollat dhe nëse prindërit pajtohen ta blejnë Abetaren me paratë e veta. Në rast të një organizimi të mirë, kuptohet se mund të sigurohen edhe donatorë, e kjo nuk duhet të jetë ndërmarrje kushedi sa e vështirë në kohën kur Maqedonia zyrtarisht është bërë pjesë e Këshillit organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close