Më mirë i fundit nëpër botë apo i parë në Shqipëri?

Magdalena Alla
Po lajmërohet si dukuri kthimi i emigrantëve shqiptarë përfundimisht në shtëpi. Edhe zëra institucionalë ‘për shtim të të kthyerve në atdhe’, por pa shifra të sakta, si gjithmonë. Por një tendencë e tillë në rritje përkapet nga gjithsecili prej nesh, duke dëgjuar biseda sa andej-këtej, që tregojnë raste që shtohen e shtohen. E sidomos me të zhgënjyer prej Greqisë dhe Italisë, vendet më në krizë të Eurozonës dhe me përqendrimin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Do të ishte gazeta greke “Ekathimerini” që në shtator të 2011-ës raportoi një shifër: ‘Rreth 10% e emigrantëve shqiptarë të Greqisë janë kthyer në atdheun e tyre gjatë 5 vjetëve të fundit”. Por ka të kthyer edhe nga ShBA, Kanada e ngado nëpër botë ku ka shqiptarë. Kthime vështirë për t’u matur saktësisht, por që e mbartin një domethënie. Dëgjohen emigrantë shqiptarë që kthehen, që duan të kthehen, por pavarësisht kësaj më shumë duket se janë ata që as kthehen, e as duan të kthehen. Pjesa më e madhe nuk po kthehet. Edhe në një anketim që gazeta ‘Shekulli’ bëri me 100 të intervistuar, emigrantë shqiptarë që jetojnë nëpër botë, nëpërmjet profileve të tyre në facebook, del përafërsisht ajo matje më sipër që ka bërë gazeta greke. Vetëm 1/10 e tyre mendon seriozisht rikthimin.

Po përse nuk po kthehen, edhe pas njëzet vjetësh ndryshime në Shqipëri, edhe pse kriza botërore ka kapluar gjithandej e po rrënon ekonominë dhe standardet, sidomos të vendeve fqinje ku janë përqendruar më së shumti emigrantët shqiptarë?

Pse nuk kthehen së paku në Tiranë, meqë kryeqyteti është shndërruar në modelin më të mirë të zhvillimit të sotshëm shqiptar? Qendra ku mund të  përqendronin shtëpinë, familjen, punën, shkollimin apo biznesin vetjak, argëtimin mjaft emigrantë shqiptarë, që së paku standardin më të mirë të vendit të tyre mund ta gjenin në Tiranë?

Më poshtë janë shkëputur opinionet e dhjetë emigrantëve shqiptarë të moshave, profesioneve, gjinive dhe vendbanimeve të ndryshme nëpër botë. Nëntë prej tyre nuk pranojnë t’i lënë vendet ku kanë emigruar për shkak të standardeve më të larta që kanë atje, edhe pse në krizë, e që nuk mund t’i gjejnë ende në atdheun për të cilin thuhet se ‘balta është më e ëmbël se mjalta’. Vetëm njëri prej tyre, gazetari Fatos Mahmutaj, azilanti në Bruksel i pas ‘21 janarit’, mezi pret të rikthehet në Shqipëri, nëse do të rrëzohet qeveria aktuale.

Natasha Bedaj, Athinë, Greqi
Mosha: 45 vjeç
Profesioni: shitëse lulesh
Vendlindja: Vlorë
Vendbanimi: Athinë, Greqi
Kam shumë vite dhe këtu e kam ngritur jetën, shoqërinë dhe punën. Kam shumë nostalgji dhe mall për vendin, por s’e në mund të isha më mirë apo më keq aty. Por me këto përpjekje që kam bërë, besoj se po. Dhe diçka tjetër: për kaq përpjekje që kam bërë këtu, po të isha në një vend evropian tjetër mund të isha dhe më mirë akoma. Kjo varet dha nga mbështetja e shtetit tonë për emigrantët kudo në botë. Standardi është më i lartë, këtu, kuptohet. Por ajri, trafiku, edukata, janë shumë elementë, detaje dhe varet sa të rëndësishme janë për ty.
T’i merrja ca gjëra me vete që këtej në Shqipëri do ishte akoma më mirë.

Marsela Bozhani – Ravenna, Itali
Mosha: 36 vjeç
Profesioni: punëtore
Vendlindja: Vlorë, Shqipëri
Venbanimi: Ravenna, Itali
Në Shqipëri nuk ma ha mendja të kthehem tani për tani. Jemi mësuar me këtë jetë këtej. Fëmijët janë ende duke bërë shkollën. Atje nuk di nga t’ia filloj po vajta.
Standard ii jetesës ka rënë shumë dhe këtu. Është rritur vlera e benzinës, punë nuk ka si më parë. Na qan zemra për Shqipërinë, por atje s’ke liri, s’ke mundësi për një punë stabël. Ligji atje nuk zbatohet njësoj për të gjithë dhe ka shumë dallime mes njerëzve. Edhe Italia ka probleme, port ë paktën për dokumenta, për shkollat e fëmijëve, për rregullat e punës nuk janë keq.

Masar Dogani – Aargau, Zvicër
Mosha: 47 vjeç
Profesioni: drejtor arti
Vendlindja: Kosovë
Vendbanimi: Baselaugst, Aargau, Zvicër
Për momentin gjendem në emigrim, Zvicër. Nuk e shoh të arsyeshme të kthehem deri në rregullimin e situatës që po mbretëron në Kosovë. Shqipëria mendoj se është në tërësi pak më mirë se Kosova, por dhe Shqipërisë i duhen disa ndryshime. Do ende edhe pak kohë të arrijë disa standarde.

Vasil Bardhi – Athinë, Greqi
Mosha: 35 vjeç
Profesioni: punëtor ndërtimi
Vendlindja: Librazhd
Vendbanimi: Athinë, Greqi
Duam të kthehemi. Nuk ia vlen të rrish më këtu, me këtë krizë që ka zënë Greqinë, po ku të shkosh se? Dhe në atdhe druaj a do të gjej punë dhe nuk ndiej siguri për të ardhmen e fëmijëve. Më shumë anoj nga kthimi, por prapë në dilemë jam.

Leonard Toma – Toskana, Itali
Mosha: 48 vjeç
Profesioni: artist
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Rosignano Solvay, Toscana, Italy
Mentaliteti ka ndryshim të madh. Për atë që ka kaluar mbi dhjetë vjet në një vend tjetër të kthehet në Shqipëri përbën traumë. Nga ç’dëgjoj nga miqtë e mi atje…Domethënë emigrant nëpër botë, emigrant në Shqipëri! E mban mend atë këngën “s’di si me ia bërë”?
Në Tiranë, kam dëgjuar se po ta shoqërojë një komshi (mashkull) deri në Rinas komshien (femër) të nesërmen edhe meshkujt, edhe femrat do t’i vënë diçiturën: “Aha, e hëngri ajo!”. Domethënë presion, presion dhe thashetheme. Në Tiranë shkoj shpesh dhe këto janë lajme reale. E varet pastaj se sa i fortë është njeriu, kur presioni shtyp enët e mendimeve e veprimeve të tij.

Dhurata Lilaj-Koellner – Bremen, Gjermani
Mosha: 35 vjeç
Profesioni: Punonjëse sociale
Vendlindja: Poliçan
Vendbanimi: Bremen, Gjermani
Ia vlen më mirë të rrish në Gjermani për mendimin tim, sepse cilësia e jetës është shumë më e lartë se sa në Shqipëri. Siguria është shumë më e lartë, sepse minimumi i ekzistencës është i garantuar nga shteti. Mentaliteti dhe mënyra e sjelljes me njëri-tjetrin është më e përparuar se sa në Shqipëri dhe kjo nuk është gjë e vogël, pasi të krijon shëndet mendor dhe mirëqenie në çdo fushë të jetës.

Vilma Koçllari – Detroit, ShBA
Mosha: 24 vjeç
Profesioni: Studente
Vendlindja: Maliq, Korçë
Vendbanimi: Detroit, SHBA
Po t’ia vlente do isha kthyer. Por edhe ndoshta dëshira nuk ka qenë e koordinuar me mundësitë e momentit dhe si pasojë përfundimi mbetet i njëjtë. Për sa i përket arsyes, pjesa tjetër e përgjigjes qëndron në realitetin e themelit që unë po ndëtoj me studimet dhe paralelisht me punën time këtu dhe për mua është më e qëndrueshme për momentin. Plus dhe standardi i jetës as që krahasohet me Shqipërinë. Nuk di ku ta filloj; njerëzit, kultura, ligjet e rregullsisë qytetare, komunikimi profesional, vlera e privatësisë vetjake dhe pa dyshim edhe pastërtia e qytetit.

Adolon Troqe – East Haven, ShBA
Mosha: 35 vjeç

Profesioni: shitës
Vendlindja: Orikum, Vlorë
Vendbanimi: East Haven, Connecticut, ShBA
Të them të drejtën si këtu në ShBA nuk gjen më mirë. Dhe nuk të bezdis asnjë. Të gjithë shikojnë punën e tyre. Nuk ka racizëm si në Evropë. Nëse do të punosh ka punë sa të duash. Ka liri të plotë. Vetëm me shtetin mos u ngatërro dhe je mirë. Do të hapësh biznes? Nuk të pengon njeri. Do të bësh tre punë? I bën. Do të vesh në shkollë? Vete. Nëna ime mori diplomën në moshën 55-vjeçare dhe ne po marrim shkollim në moshën 35 vjeç. Në Shqipëri më bezdis mentaliteti i prapambetur i bashkatdhetarëve të mi. Për shembull, nuk ka inisiativë për të ndryshuar gjërat, nuk
shikojnë të zgjedhin kush ia vlen, por ecin me gjakun ose mbiemrin akoma. Ka shumë injorancë.

Ilda Hoxhallari – Melburn, Australi
Mosha: 24 vjeç
Profesioni: studente
Vendlindja: Korçë
Vendbanimi: Melburn, Australi
Për mua Australia është vendi më i mirë në botë. Më ka ofruar në pesë vjet që kam këtu mundësi që nuk do t’i kisha kurrë në Shqipëri. Shkoja dhe në shkollë, gjimnaz, dhe punoja dhe tani kam makinën time, vazhdoj studimet e larta për farmaciste dhe e di që këtu të ardhmen e kam të sigurt që shkon drejt progresit dhe jo e kundërta. Është shtet social, ekzistencën e ke të siguruar, shëndetin e ke në duar të sigurta, të gjithë shtetasit janë njësoj përpara ligjit, si unë e si kryeministri i Australisë. Më merr malli shumë shumë për Shqipërinë, por vendi që më ofron të ardhme është Australia.

 Fatos Mahmutaj – Bruksel, Belgjikë
 Mosha: 33 vjeç
Profesioni: gazetar
Vendlindja: Mallakastër
Vendbanimi: Bruksel, Belgjikë
  Jam i detyruar të rri larg vendit tim, që pas ngjarjeve të 21 janarit, kur më kërcënuan për jetën time. Më merr shumë malli. Atdheu me mungon më shumë se gjithçka. Sidomos kur ndodhesh larg e ndien mungesën e njerëzve të dashur, familjes dhe gjithçkaje me të cilën je rritur dhe ke jetuar bashkë me të. Por fatkeqësisht, për mua atdheu është pushtuar nga klane mafioze, që për më tepër po drejtojnë vendin. Në fakt, të paktën në Belgjikë, nuk jam vetëm unë që kam përfunduar azilant, pasi janë shumë të tjerë si unë, që mezi presin të ikë Berisha nga pushteti dhe të rikthehemi në vendin tonë.

  13 milionë shqiptarë në planet
Sipas Wikipedias, shqiptarët numërohen rreth 13 milionë në të gjithë botën. Ja edhe lista e publikuar në këtë faqe, aty ku shqiptarët janë më të shumtë në numër. Por janë njerëz me etni apo pasaportë shqiptare:
 Turqi                             5,000,000
Kosovë                                       2,000,000
Maqedoni                      509,083
Greqi                             500,036
Shtetet e Bashkuara     300,000
Itali                                238,000
Britania e Madhe                   200,000
Holandë                        105,706
Gjermani                       100,000
Zvicër                            40,000
Suedi                             35,000
Mal i Zi                         31,163
Australi                         20,000
Austri                            20,000
Francë                           20,000
Kanada                         16,135
Kroaci                           15,082
Bosnje/Hercegovinë      15,000
Rumani                         10,000
Danimarkë                    8,000
Norvegji                        7,000
Slloveni                         6,200
Finlandë                        5,000
Belgjikë                         5,000
Egjipt                            5,000
Luksemburg                 4,802
Ukrainë                         3,300
Afrikë e Jugut               2,000
Rusi                               1,200
 
Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close