Zbardhet letra e vitit 1918! Ismail Qemali: Pa Kosovë e Çamëri,s’ka qetësi në Ballkan

Zbardhet letra e vitit 1918! Kjo letër e Ismail Qemali dërguar Dhimitër Balës, shpalos idetë dhe shqetësimet e plakut të urtë të Vlorës për rrezikun që i kanosej Shqipërisë së kohës nga të tëra anët. Aty flet me detaje se si duhet menduar për bashkimin e Çamërisë e Kosovës me Shqipërinë dhe përpjekjet për të takuar politikanët amerikanë që t’iu bëhet i ditur problemi shqiptar. Letra është shkëputur nga vëllimi dokumentar që do botohet nga Arkivi i Shtetit dhe botohet me lejen e tij.

Paris 10 Mars 1918
I nderçmi Z.Dhimitër Bala, shkronjëtarit “Partisë Politike” Mora letrën tuaj të së 5-ës Shkurtit në Worcester e cila më gëzoj shumë dhe më nxori nga dyshimi që kisha, se mund të kish humbur kur pas të shkrojturat t’uaja do të m’a kishit dërguar bashkë me Credincial-in, të cilin e mora më parë.

Si ju bënja të njojtur me telegrafin që dërgova 7 ditë më parë, vendimet e mbledhjes që u bë në Worcester, me duken shumë të pëlqyera dhe më japin shpresë se pun’ e “Partisë” do të bëjë përparime të mbëdhenj. E dini fort mirë se sot për sot, për fatkeqësi, Shqipëria ndodhet në atë më të madhin rezik, se ky shtet megjithëse i gdhendur në të gjitha anët, ashtu si u njojt nga Konferenca e Londrës 1913, sot duke qenë i copëtuar dhe në shumë duar të huaja, në ditën e paqjes nuk dimë cili do të na dalë mprojtë dhe cili do të jetë miku i vërtetë i Shqipërisë. Shikoj se armiqtë t’anë kanë ndjenja dhe mendime të ndara mes tyre, po në vendet e huaja dhe në luftën kombëtare janë të gjithë tok dhe dëftenen të lidhur. Mjerërisht, neve që kemi atë më të madhen detyrë e të dëftejmë atë më të madhen lidhje, për kundrazi jemi të përçarë dhe të kundërshtuar njëri me tjetrin për zemërime vetjakë, të cilët as në kohët e shtruara s’lipsej t’i kishim se nuk do të nderonin aspak. Kjo më bën të helmonem po me gjithë kam shpresë se reziku i math me të cilin ndodhet atdhëu, reziku i cili na bën të dridhemi do të japë fuqi me patriotët e vërtetë, kështu të gjithë Shqipëtarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke patur nder ment shpëtimin e Shqipërisë, do të bashkëdëgjojnë këto porosi. Unë pa patur nderin të jem delegat i “Partisë” punonja për Shqipërinë, edhe me të marë këtë nder i shkrojta kryetarit të komitetit “Pro Albania” në Londrë Z.Aubrey Herbert, i cili është miku im i veçantë dhe miku i Shqipërisë, dhe i shënonja sa interes i math dotë ish një bashkëpunim me delegatët e të dya anëvet. Përgjigjeja që mora nga Z-a dhe Z-i Herbert, po ja u mbull bashkë me këtë letrë. Në letrën e parë ju kisha shkruar ç’ë mëndonesha të bënja këtu dhe me telegraf patt mirësinë të më siguroni se pranoni këshillat e mia. Banka më pagoj 400 dhollarë që kishit mirësinë të më dërgoni dhe për të cilat, duket nga shkaku i delikatesës, as që më kishit lajmëruar. Si e dini, interesi i Shqipërisë e do që, pa humbur kohë aspak të vemë në vepërim sendet e nevojshme duke mbajtur veten ashtu si lipset edhe duke qënë në marveshje të pareshtur me qarket politikë e të shtypit. Tri shkronjës për Buletin-in, për librat, kartat dhëshkronjëtare edhe për raportet e memuaret për çëstjen kombëtare, janë që sot të pajtuar. I pari i këtyre është Z.N.Lako, i cili përveç si patriot dhe shkrimtar, është i vetëmi për të botuar kartat që ka pregatitur e po pregatit, mbi këtë çëstje. Po atë gjë që dua të di, është të mar vesh, cila është fuqia e “Partisë” për të përkrahur këtë punë? Pra kur të di si dhe me sa mundet “Partia” ti dalë zot kësaj pune atëherë do të rregulloj punën pas fuqisë, se si thotë fjala “sipas jorganit t’i shtrijmë këmbët”. Me argumente historike, politike e gjeografike, lipset t’i dëftejmë botës së qytetëruar cili është kombi Shqipëtar, cilat janë dëshirat dhe të drejtat e këti kombi edhe qysh pa iu shtuar Shqipërisë, nga an e Verriut Kosova e nga an’ e Jugës Çamëria, nukë munt të shtronet në sinisin e Ballkanit. Për masat që kemi për të marë mbi kërkesat në mbledhjen e paqes, lipset një marëveshje me hollësira në mes t’ënë, për të cilën munt të vij edhe vetë gjer në Amerikë ku dotë kem rastin të piqem dhe të çpjegoj punën t’ënë në politikanët e Amerikës. Xgjedhja e Z-ës Duko si kryetare është shumë e veçantë. Ju lutem t’e uroni nga ana ime ashtu edhe “Partinë” që pati mejtimin e veçantë për këtë xgjedhje. Sa për nipin tim Nuredin Bejnë, s’kam përveç se t’iu falem për këtë xgjedhje që është një nder për shtëpinë t’ënë. Do të ishte fort e vlejtur të gjendeshe bashkë me mua si delegat në Europë. Dot’i shkruaj Nuredin Beut po kini mirësinë t’ë bisedoni këtë mejtim edhe pas një marëveshje me atë të më lajmëroni. Mejtimi që kini për një fletë organ të “Partisë” është i pëlqyher dhe dotë jem i lumtur të këndoj këtë fletë të re që do të na mprojë të drejtat e “Partisë” si edhe të Shqipërisë.
Duke pritur një përgjigje të shpetë ju përshëndosh me nder”

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close