Ambasada shqiptare pa simbole kombëtare

Nga Peter Tase
Është hera e dytë që vij në Uashington DC për studime. Në vitin 2006, për të kryer një internshipnë Kongresin Amerikan, para se të shkoja me shërbim si vullnetar i “Korpusit të Paqes” në Paraguaj dhe, në vitin 2010, përsëri në kryeqytetin Amerikan, për të vazhduar studimet për master në “Institutin e Politikave Botërore”

Duke qenë larg Atdheut, prej më shumë se dhjetë vjetësh e kam të vështirë të gjykoj progresin e vërtetë që ka arritur lidershipi dhe populli shqiptar gjatë dekadës së fundit. Por të vjen keq kur dëgjon nga media se Bashkimi Europian ende nuk i ka bërë ftesën zyrtare Shqipërisë për të qënë vend kandidat, ashtu sikurse edhe disa nga shtetet fqinjë.

Kaloj çdo mëngjes para godinës së ambasadës Shqiptare, të vetmes “pronë” të shtetit shqiptar që ndodhet pranë rrugës Konektikat. Një ndërtesë e lartë dhe shumë e bukur dhe e ndërtuar me gurë të skalitur. Ajo renditet ndër godinat më të vjetra dhe me vlera historike të këtij qyteti. Me radhë vijnë ato të Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, të cilat qëndrojnë dinjitoze me arritjen e tyre për t’u renditur rishtazi krah për krah me vendet e tjera të zhvilluara të Europës. Ndoshta është vetëm një iluzion, por flamuri i tyre më duket më i madh dhe sikur është ngritur edhe më lart se herët e tjera!

Kaloj çdo mëngjes para godinës së ambasadës Shqiptare i pushtuar nga dëshira se edhe kjo ‘pakëz tokë’ shqiptare, më e bukura në rrugën Konektikat të këtij kryeqyteti të Botës do ta kishte ngritur më në fund atë flamur të rrallë, kuq e zi, të zbukuruar nga përkrenarja e Skënderbeut, në bedenat e asaj godine si kështjellë mes ndërtesave të tjera të ambasadave që e rrethojnë. Por nuk paska qënë e thënë! Flamuri shqiptar nuk u ngrit në këtë ‘shtëpi- kala’ në zemër të Amerikës as edhe në Ditën e Flamurit! U mbulua Shqipëria dhe Kosova me flamuj…. Nuk mbeti asnjë qoshe e Tiranës dhe e Prishtinës pa flamuj të kuq, presidentët dhe kryeministrat, politikanët, diplomatët dhe atashetë bënin ‘parada’ të rrethuar nga flamujt e kuq duke të kujtuar proçesionet e gjeneralëve nga historia e lashtësisë romake. Një flamur gjigand nisi rrugëtimin nga Vlora në Prishtinë… por ndonjë flamurkëz e vogël nuk arriti të fluturonte këtu, përtej oqeanit, në këtë kryeqytet të botës së emigracionit, në Atdheun e Lirë që na ka dhënë edhe neve shqiptarëve një copëz tokë nga e veta për ta ndërtuar këtu edhe ne, shqiptarët, kryeqytetin tonë.

Nuk më bën zemra më të kaloj pranë këtij monumenti të braktisur që më kujton statujën e “Nënës Shqipëri”, Ditën e Flamurit, e akullt, pa jetë dhe e fyer, tek e shihte veten të rrethuar nga një botë hipokrite! E ku ka vend më të bukur në botë, më mirë se në “Capitolin” shqiptar, këtu në DC për të valëvitur Shqiponjën Dykrenare!

Më duhet të kaloj çdo mëngjes para kësaj ‘Statuje’ shqiptare, të fyer dhe të trishtuar në tokën Amerikane, që na hapi dyert e saj neve shqiptareve, për t’i treguar botës flamurin tonë, dhe për t’i bërë të njohur botës se jemi një nga nga kombet më të vjetra të Europës që kemi historinë, gjuhë dhe flamurin tonë. Jam unë, Petër Tase, shqiptari nga Shqipëria, që pata fatin të më jepej mundësia për të studiuar politikat botërore në këtë vend të mrekullueshëm, që marr përsipër misionin që të rihap portat e ‘capitolit shqiptar’ e për të ngritur në kullën më të lartë të saj Flamurin me dy koka dhe me përkrenaren në mes, çuditërisht të ulur dhe të lënë në harresë nga politika bashkëkohore shqiptare.

Më duhet të kaloj çdo mëngjes para “Capitolit shqiptar” për të shqiptuar me zë të lartë të vetmen fjalë në gjuhën shqipe që unë mund të përdor përgjatë gjithë orëve të ditës të ngarkuara më aktivitete në këtë botë të huaj, fjalën “mirëmëngjes!” Në se është ditë me diell ngul më thellë kapelën me strehë si për të mbrojtur nga dielli i nxehtë i Uashingtonit kokën time pa flokë, dhe tani në dimër me jakën e palltos të ngritur sa më lart, jo më tepër nga të ftohtit se sa për të mbuluar fytyrën dhe sytë që të mos shoh atë godinë të braktisur nga vetë Qeveria jonë (jo shqiptare!), të lënë shkretë, me mure të pluhurosura, me xhame të thyera dhe me kanatet e portës kryesore të çngjyrosura. Një pamje mjaft e rrallë për qytetet amerikane të shohësh hedhurina nëpër rrugë apo nëper hyrjet ose shkallët e ndërtesave! E, këtë pamje që unë nuk e ndesha as edhe në fshatin më të largët të Paraguajit, e shoh përditë në këtë copëz tokë shqiptare në mes të Amerikës!

Kaloj çdo mëngjes para ‘statujës’ shqiptare pa simbole për ta përshëndetur dhe si për t’i treguar se është një shqiptar që kalon përditë përgjatë rrugës ‘Connecticut’, i cili ende di të flasë shqip…. Dhe frymën e mbaj për tek Ambasada e Paraguajit, ku vazhdoj të kryej një tjetër internship krahas shkollës.

Kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga ajo kohë kur, para se të shkoja me shërbim me “Korpusin e Paqes” në Amerikën Latine, fundjavat i kaloja në ambjentet e ambasadës shqiptare, mes shqiptarësh ku flitej shqip, ku këndohej shqip dhe bëhej politikë shqiptare.

Sa mirë do të ishte sikur të punësuarit e kësaj ambasade të kishin marrë me vete atje ku kanë shkuar, bashkë me flamurin, edhe atë pllakën metalike ku është shkruar me shkronja ngjyrë ari të ndryshkura nga koha: “AMBASADA SHQIPTARE”. Për fat të mirë ajo është e shkruar me alfabetin e gjuhës shqipe, dhe askush nga kalimtarët, veç meje, nuk e merr vesh se kjo i përket atij vendit që me problemet e shumta në këto dy dekada është bërë i njohur në botë më shumë se kurrë ndonjëhërë me emrin: “Albania and Albanians”

Natyrisht, zyrtarët dhe ata që hyjnë e dalin nëpër godinat e ambasadave fqinjë, qofshin këta grekë, italianë apo të tjerë ballkanas mund ta njohin për faktin se ajo është e vetmja godinë ambasade pa flamur, (edhe emblema nuk është plotësuar ende me përkrenaren e Skenderbeut!), por të paktën për një gjë jam i sigurt, se për, studentin e IWP-së që merr pjesë vazhdimisht në aktivitetet e tyre për të përgatitur dizertacionin e tij mbi ‘politikat botërore’, nuk e dinë që ai është shqiptar! Si për ironi, përballë saj qëndron ambasada e Moldavisë – që bashkë me Shqipërinë renditen në dy vëndet më të varfëra të Evropës! Megjithatë, shteti i Moldavisë, siç duket, tregon kujdes të veçantë për të valëvitur simbolet e saj, dhe, ndoshta, ndonje ditë, kushedi që mbase edhe mund bëjë ndonjëdonation për zyrtarët e ambasadës fqinjë, jo më shumë për simbole dhe flamurë, se sa për ruajtjen e mjedisit. (edhe ambasada e Kamerunit është duke u riparuar aktualisht, dhe flamuri i këtij shteti afrikan valëvitet gjithmonë përjashta godinës)

Flitet shpesh në Media se Shqipëria nuk është e prekur nga kriza globale që ka pushtuar Evropën dhe Amerikën… Dëgjojmë financierët ekspertë të qeverisë aktuale shqiptare të shpalosin arritjet e tyre…

…Dhe unë ende vazhdoj të eci i heshtur para kësaj godine, shtrengoj dhembët se nuk dua të flas dhe t’i tregoj botës se çfarë po ndodh me Shqipërinë nga vetë ‘shqiptarët’…. Dhe frymën e mbaj drejt e tek ambasada e Paraguajit, ku mund të flas vetëm anglisht, spanjisht, bile edhe gjuhën e indianëve vendas, guaranisht… dhe vetëm shqip jo! (edhe pse të gjithë e dinë që unë jam shqiptar dhe flas një gjuhë që është më e vjetër se guaranishtja e tyre) Nuk e kam pasur të vështirë ta ndaja me ta këtë makth që më ka pushtuar, por sa herë që nisem për ta përkthyer trishtimin tim në gjuhën e tyre, e frenoj veten për të mos thënë asnjë fjalë, qoftë edhe në gjuhën e indianëve, të ruajtur me aq fanatizëm nga pasardhësit e tyre paragujanë. Mbledh të gjitha forcat për ta ruajtur brenda këtë sekret, i frikësuar se do të fyeja vetveten, dhe rrëmbej fizarmonikën për të kënduar bashkë me ta polkën Paraguajane në gjuhën e të parëve të tyre. Kjo gjë më bën me fat, pasi duke kryer internshipin pranë ambasadës se atij vendi, më ndodh shpesh që të flas me mburje për historinë më shumë se 2400- vjeçare të qytetit tim të lindjes dhe për gjuhën time shumë më e vjetër se ajo e tyre… Na është bërë zakon që pas mësimit të guaranishtes, në ambjentet e ambasadës së Paraguajit, tregojmë ndodhi nga jeta. Harroj krejt që prezantimi im i parë në këto qarqe ka qënë si një‘norteamericano’ me emrin Pedro, i cili jetoi dhe punoi si vullnetar i Korpusit të Paqes, për më shumë se dy vjet në zonat më të thella të Paraguait, për të vendosur urat e bashkimit mes popujve. Dhe një ditë, nga që e kisha merak atë punën e flamurit, vendosa ta tregoja në gjuhën guaranishte. Në çast kafshova gjuhën dhe vazhdova të rrefej në gjuhën e tyre një histori nga jeta ime në fshatin ku kreva shërbimin e Peace Corps, rreth 430 km në jug të Asunción-it, kryeqytetit të Paraguait.: “Teniente Sánchez, quhet fshati im, një fshat më shumë se dhjetë orë larg me autobus nga Asuncioni. Që në ditët e para të shërbimit u ndesha me një skenë të tillë: – flamuri kombëtar paraguajan ishte vendosur si perde në dritaren e një kasolleje që përdorej si banjë nga punonjësit e kuesturës së policisë së fshatit. Disa herë u mundova që t’i lija të kuptonte kryepolicit se banja nuk ishte vend i përshtatshëm për një flamur kombëtar, por ai më dëgjonte me indiferentizëm. Bile, një ditë, kur i thashë që ta hiqte flamurin prej andej, m’u përgjigj: “Hej norteamericano, nuk e di ti se sa patriotë jemi ne?”. Në krye të javës mora një çekan, një thes mielli bosh, disa gozhdë dhe zëvendësova flamurin trengjyrësh të Paraguait që kryente funksionin e perdes, me thesin bosh prej najloni. Nuk e di, por historia e flamurit dhe e thesit bosh të miellit u mor vesh dhe si duket vajti edhe në vesh të shefave të mëdhenj të policisë. Nuk e di se ç’ndodhi më tej me atë polic, por nëTeniente Sanchez nuk u pa më.”

Kjo ishte historia e flamurit Paraguajan në fshatin e largët Teniente Sanchez të Paraguajit.

Tani që po shkruaj këto rreshta më duket sikur do ta mbyll edhe këtë rrëfim me të njëjtat fjalë: “Kjo është historia e flamurit të ambasadës shqiptare në kryeqytetin më të madh të botës!” Por nuk është ky qëllimi im. Kam ngushëlluar veten duke menduar se kjo gjëndje ishte diçka e përkohshme, përderisa Ambasadori dhe stafi i tij kishin ndëruar zyrën, duke marrë me vete edhe flamurin, të cilin e kanë varur në dritaren e atij apartamenti ku kanë edhe zyrat. Është një flamur i madhësisë mesatare dhe gati i çngjyrosur dhe i bërë ngjyrë rozë.

Festimi madhështor i ditës së flamurit me 28 Nëntor, që u bë në Tiranë dhe Prishtinë dhe hapja e siparit të festimit të 100-vjetorit të festimit të pavarësisë, më mbushi me përmallim dhe më ngacmoi për të shkruar këtë opinion jo të këndshëm për zyrtarët e lartë shqiptarë të DC.-së dhe të Tiranës.

Uroj që kjo godinë historike të mos shitet nga shteti shqiptar por të rregullohet dhe të bëhet një ambasadë që i ka për hije njërit prej kombeve më të vjetër të Evropës Juglindore.

Uroj që gjithë shqiptarët e mërguar kudo në botë ta festojnë këtë jubile, gjithmonë të bashkuar pranë flamurit kombëtar, kudo që janë, edhe në këto institucione të rëndësishme shtetërore, duke i bërë ato vënde të shenjta ku t’i trëgohet botës historia e një flamuri dhe e një kombi.
respublica.al

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

3 Komentet

  1. E cfare komenti mund te behet per kete vella?! Duhet folur jastezakonisht shume per te gjetur shpjegim. Megjithate mund te them qe me sa di une jemi i vetmi komb qe ne Himnin Kombetar kemi fjalen ose ceshtjen TRADHETI. Duket si shabllon per mendjet por ky eshte nje fakt qe flet shume per problemet tona te hershme dhe sidomos te sotme, perfshire dhe shqetesimin tend teper serioz. Duket se kjo fjale apo ceshtje se fundmi eshte bere kaq e rende dhe domethenese sa pasqyrohet edhe aty, ne qender te botes,ne nje forme kaq te thjeshte. Nuk kushton fare te mbulohet ajo fjale ne Himnin Kombetar, te pakten me nje pelhure dhe ca bojna, por vella, ka arritur puna deri aty sa nuk ka me rendesi as kjo. Shqiponja jone eshte katandisur pa bojna dhe rrezikon te mbetet pa pupla nga cakenjte qe livadhisin ne malet e saje. Nderkohe zogjte e saje ( si ti dhe une ) rrime e bejme sehir te tmerruar e themi si 100 e kusur vjet me pare, MJERE NE, MJERE VATANI. Ja ne kete pike jemi. Ne pergjithesi nga kendveshtrimi im, pergjithesisht ne aspektin kombetar, jemi turpi i historise tone.

  2. shume e vertete dhe shume per te ardhur keq.e njejta gje ka ndodhur pak a shume me mua ne ambasaden tone ne canada.TURP….sikur shkoje ne ndonje zyre kooperativash ne kohen e xhaxhit.me beri shume pershtypje dhe pritja me bizhama nga nje punonjes i ambasades…..e pabesueshme.ne vendosem te largoheshim nga al per arsyet tona personale para shume kohe me shprese se nje dite gjerat do ndryshonin nga pak.qe te vesh njerez te pa afte nga ana prefisionale ne ambasade ,kjo eshte e cmenduri….I still love al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close