Mësuesi Petrit Bajro, misionar për mësimin e gjuhës shqipe në trevat shqiptare të Maqedonisë

Në një ditë me diell dhe plot shkëlqim të fundnëntorit të këtij viti, udhëtojmë drejt Dibrës së Madhe, thënë ndryshe “Sheheri” i Dibrës. Pasi kryejmë formalitetet përkatëse në Doganën e Bllatës, vetëm 3 kilometra larg Maqellarës, marrim rrugën drejt Dibrës së Madhe, qytetit të lashtësisë, tregtisë, emigracionit, arsimit, kulturës, qendrës lidhëse të të gjitha trojeve etnike shqiptare nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug.
Petrit Bajro, mësuesi që gjithçka e vuri në shërbim të shkollës e gjuhës shqipe

Me Petritin takohemi në shkollën ku ai punon aktualisht në Dibër të Madhe, e cila mban emrin e veprimtarit të shquar të lëvizjes sonë kombëtare, Said Najdeni, birit të këtij qyteti, që e zhvilloi veprimtarinë e tij për mësimin e gjuhës së bukur shqipe në zonën e Dibrës. Petriti krejt buzagaz dhe krenar na shoqëron për te busti i këtij patrioti të madh që ndodhet në hyrje të shkollës. Shkolla me mjedise të bollshme dhe krejt funksionale, ku nuk mungojnë as fushat sportive, si dhe palestra, biblioteka, kompjuterët etj., e kishte pothuajse të gjithë personelin mësimdhënës të kombësisë shqiptare. Drejtori i kësaj shkolle, Pëllumb Frangu, na pret në zyrën e tij dhe pasi na shpjegon për punën që bëhet në këtë shkollë, na qeras me kafe sipas zakonit të mikpritjes shqiptare të kësaj treve. Aty mësojmë dhe marrim një ftesë për pjesëmarrje në portikun poetik që do të zhvillohet në Pallatin e Kulturës. Pas këtij aktiviteti, vonë në mbrëmje marrim rrugën për në shtëpinë e Petrit Bajros, në realizimin e qëllimit të ardhjes sonë në Dibër të Madhe.

Në shtëpinë e Petritit, në mikpritje të tij

Shtëpia e Petritit ndodhej në pjesën jugore të qytetit, në afërsi të liqenit ku edhe është ndërtuar H/C derdhja e ujit e të cilit nis vërshimin e lumit të Drinit të Zi në tokën tonë, duke shërbyer edhe si vijë kufitare ndarëse mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shtëpia njëkatëshe në lagjen Uranik ishte e rrethuar me mur dhe ishte me oborr të bollshëm. Menjëherë sapo dëgjon zërin e motorit të makinës, del dhe na hap portën Hazbia, bashkëshortja e Petritit, e qeshur dhe krejt nur, duke na ofruar kështu një mikpritje tipike dibrane. Na ofrohet mikpritja në një dhomë me hapësirë të bollshme dhe të ngrohtë. Ndërkohë që Hazbia shtron gostinë sipas zakonit për miqtë e ardhur nga Shqipëria mëmë, Petriti na njeh me kalvarin e vuajtjeve të tij dhe familjes, ku gjithë jetën e tij aktive të punës e vuri në shërbim të shkollave dhe gjuhës shqipe.

Origjina e familjes së Petritit është nga fshati Macukull i Matit, vendosur para rreth 200 viteve në fshatin Konjarë buzë lumit të Drinit të Zi, për t’u zhvendosur pas dy vitesh në fshatin Sollokiq, ku dhe ndodhet kalaja e Moisi Golemit. Në këtë fshat lindi dhe u rrit ai, duke kaluar një fëmijëri sa të ëmbël aq edhe të hidhur, pasi ish-regjimi sllavo-komunist punonte për të rrënuar çdo gjë shqiptare, me qëllimin e vetëm asimilimin tonë, tregon Petriti. Kështu në fshatin e tij të lindjes, Petriti kreu vetëm shkollën fillore (tetëvjeçare), ndërsa atë të mesme, gjimnaz, e kreu në Dibër të Madhe. Shkollën e lartë pedagogjike e kreu në kryeqendrën kosovare, Prishtinë, ku dhe ndjenja e tij atdhetare me fillesa në Dibër të madhe, njohu zhvillim e konsolidim të mëtejshëm, që e ktheu atë në të ardhmen në promotor të hapjes e mësimit të gjuhës shqipe kudo ku ai punoi si mësues.

Puna si mësues, burgosja dhe ndalimi i ushtrimit të punës si mësues

Punën si mësues e nisi në Kosovën martire, në rrethin e Prizrenit, në shkollën e fshatit Planej dhe atë të Gjonajt në Hasin e Thatë afër malit të Pashtrikut, ku shërbeu deri në vitin 1972. Gjatë kësaj kohe, mori pjesë aktivisht në demonstratat që u zhvilluan në Prizren për vendosjen e flamurit shqiptar në shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjatë punës në Kosovë, ai mbeti gjithmonë aktiv dhe pjesëmarrës në debate e demonstrate që bëheshin për Kosovën republikë. Pjesëmarrja e tij aktive në këto demonstrata ra në sy të regjimit të kohës, i cili nuk qëndroi duarkryq. Kështu, për mësuesin e gjuhës dhe shkollës shqipe, vjen vendimi për transferimin e tij, duke e caktuar të punojë në fshatrat më të thellë malorë të zonës së Dibrës së Madhe, ata të Rekës së Epërme dhe të Poshtme, Zhirovnicë dhe Vërbjan, ku punoi për 9 vite radhazi. Por edhe kjo nuk e përkuli për asnjë çast mësuesin misionar patriot të gjuhës dhe shkollës shqipe. Ai iu vu punës më me shumë përkushtim për gjuhën dhe shkollën shqipe, për fëmijët e kësaj zone malore të banuar nga shqiptarë, duke fituar kështu respektin dhe dashurinë e nxënësve dhe banorëve të këtyre zonave. Rezistenca serbo-sllave e ish-regjimit të atëhershëm në Jugosllavi nuk mund të binte në dakordësi me mësuesin Petrit Bajro. Hapja e shkollës shqipe në Zhirovnicë, thotë Bajro, ishte vërtet një moment historik për kohën dhe për banorët e Rekës së Epërme. Ndërkohë përndjekja e mësuesit nga ish-punonjësit e sigurimit të UDB-së jugosllave kishte nisur me kohë që në Universitetin e Prishtinës kur ishte student, për të vazhduar me nisjen e punës në Prizren dhe tani në malësitë e Rekës, kur ai u bë promotor i hapjes së shkollave shqipe. Dhe hakmarrja serbe nuk vonoi për mësuesin misionar. Kështu, në një ditë të bukur maji, ku çdo gjë në malësinë e bukur dhe piktoreske të Rekës ishte zhytur në gjelbërimin e stinës, në shkollën e Zhirovnicës, ia behin policë sllavo-maqedonas, që prangosin në sy të nxënësve, mësuesin e tyre të dashur Petrit Bajro. Kjo natyrisht që i tronditi fëmijët dhe banorët e Rekës, që aq shumë e deshën dhe e respektuan mësuesin e tyre. Çdo gjë u duk se ra në heshtje dhe ndaloi, kur hekurat u vunë në duart e mësuesit që aq bukur shkruanin shkronjat shqipe. Madje u duk se ndaloi edhe zhurma e ujërave të kristalta të Radikës që zbresin fluturimthi me melodinë gurgulluese të tyre nga malet e larta.

Burgosja në Tetovë dhe ndalimi i ushtrimit të punës si mësues

Mësuesin atdhetar të shkollave e gjuhës shqipe, në trevat shqiptare të ish-Jugosllavisë, e mbyllin në burgun e Tetovës. Presionet dhe shantazhet ndaj tij ishin nga më çnjerëzoret. Ai akuzohej për nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm e shumë izma të tjera. Në atë kohë ishte shumë e vështirë të ishe misionar për mësimin dhe hapjen e shkollave shqipe, pasi regjimi i kohës në ish-Jugosllavi punonte për asimilimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, tregon Petriti. Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 9 vite burg, por falë ndërhyrjes së një miku të tij, fatmirësisht ai u dënua vetëm me dy muaj burg. Por më e rënda në dënimin e tij ishte vendimi i gjykatës që ai të mos punonte në arsim deri sa të ekzistonte vetë Jugosllavia. Natyrisht që kjo masë e dhënë nga gjykata ishte edhe më e rënda për të, pasi e shkëpuste atë përfundimisht nga nxënësit dhe shkollat shqipe, që ishin dhe mbetën gjërat më të shtrenjta për të.
Dalja nga burgu, emigrimi e vetmja mënyrë për mbijetesë

Burgimi dhe heqja e të drejtës për të ushtruar profesionin e mësuesisë, e vënë shumë në vështirësi mbijetesën e familjes së Petrit Bajros. Bashkëshortes së tij, Hazbies, një grua me karakter dhe tepër fisnike, i bie një barrë shumë e rëndë, pasi krejt e vetme ajo duhet të kujdeset jo vetëm për fëmijët e saj, dy djemtë Gëzimin e Dritanin dhe vajzën e vetme Besën, por edhe për bashkëshortin në burg. Në të tilla kushte, kur familja ishte totalisht e rrënuar ekonomikisht, me lirimin nga burgu, me vendosmërinë që e karakterizonte për të përballuar situata të rënda, mësuesi Petrit Bajro vendos të emigrojë për në Amerikë për të punuar atje në tokën e bekuar, si shumë dibranë të tjerë (vetëm në Nju Jork numërohen aktualisht rreth 15 mijë dibranë). Fillimisht vendoset në Nju Jork, ku punon për tre vite në Bruklin. Edhe gjatë kësaj kohe, ai nuk u shkëput nga veprimtaria patriotike kombëtare, duke u treguar pjesëmarrës aktiv në tubime, koncerte, demonstrata e shumë e shumë aktivitete të tjera që organizonin shqiptarët e Amerikës. Bëhet anëtar dhe veprimtar i shquar i Shoqatës Atdhetare Dibrane, të Nju Jorkut, e cila për kontributin e dhënë e dekoroi atë me medaljen e mirënjohjes, me motivacionin: “Për kontribut të pakursyer në drejtim të zhvillimit dhe afirmimit të arsimit shqiptar”. Pas tre viteve në Amerikë, ai provon të punojë në Irak, Slloveni, Itali etj. Por sa vinte dhe jeta larg familjes bëhej edhe më e vështirë për të, kur dhe fëmijët ishin rritur dhe kërkonin kujdesin e tij. Ndaj gjatë kësaj kohe ai provoi të punojë edhe si punëtor betoni, por ëndrra për nxënësit, shkollën e gjuhën shqipe, nuk iu largua për asnjë çast.

Vitet pos ’90-s, shpërbërja e Jugosllavisë, kthimi në arsim

Ëndrra e Petrit Bajros për t’iu rikthyer arsimit, edhe pse prej vitesh ishte veshur nga hiri, asnjëherë nuk ishte shuar në shpirtin e tij. Dhe kjo bëhet realitet vetëm pas viteve ’90 me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Kështu misionari i shkollës dhe gjuhës shqipe, Petrit Bajro, i rikthehet sërish arsimit, falë përkrahjes së partive shqiptare në pushtet, ku emërohet mësues në shkollën “Said Najdeni” të Dibrës së Madhe, në të cilën vazhdon të punojë edhe sot dhe pret të dalë në pension. Petrit Bajro, në kompleksitetin e figurës së tij shquhet për sinqeritet dhe korrektësi, mikpritje e bujari, humanizëm dhe largpamësi, ku zemra i rreh vetëm për Shqipërinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Pjesëmarrës me kontribut të spikatur në shumë fusha të jetës, si në arsim, për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës së bukur shqipe, shoqata patriotike brenda e jashtë vendit, kulturë, aktivitete sportive ku ka qenë lojtar hendbolli dhe futbolli në ligën e dytë të Maqedonisë, pjesëmarrës po kaq aktiv edhe në strukturat për çlirimin e Kosovës. Përkundër kësaj pjesëmarrje kaq aktive të tij në shumë fusha e veçanërisht atë të arsimit, bëhet e pakuptimtë dhe të lë një shije të hidhur që shtetarët shqiptarë të Maqedonisë asnjëherë nuk e vlerësuan atë qoftë edhe duke e emëruar drejtor në një nga shkollat në Dibër të Madhe, edhe pse ai si pak tjetër kush e meriton një gjë të tillë. Por mësuesin që së shpejti del në pension, fare pak e shqetëson një gjë e tillë. Edhe pse tani çdo gjë duket se ka shkuar në vendin e vet, ku vetë ai pret të dalë në pension faqebardhë dhe mjaft krenar, duke mbetur pishtar i arsimit dhe burim frymëzimi për brezat në Dibër të Madhe, krenari për të mbeten edhe fëmijët.

Në vend të mbylljes

Kafenë e lamtumirës së kthimit e pimë në lokalin “Besa” që ndodhet në qendër të Dibrës së Madhe. Petriti, që prej 24 orësh të qëndrimit me ne, më tepër ka folur për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni, edhe këto momente të fundit do që t’ia përkushtojë kësaj teme, e cila është dhe mbetet mjaft e preferuar për të. “Ndaj Dibrës së Madhe në veçanti dhe gjithë trevave shqiptare në Maqedoni, thotë ai, vazhdon po e njëjta politikë si edhe para viteve ’90 ë. Po qe se kjo politikë ndaj Dibrës do të vazhdojë kështu pa asnjë lloj investimi serioz për të, ne shqiptarët nuk kemi të ardhme këtu. Fëmijët vetëm ikin duke marrë rrugët nëpër Europë e Amerikë dhe nuk investojnë këtu, pasi nuk kanë garanci nga qeveria maqedonase. E vetmja shpresë e jona është Shqipëria mëmë dhe ndërtimi i Rrugës së Arbërit.” Edhe partitë shqiptare, në njërën prej të cilave militon edhe vetë Petriti, janë të “shitura”, pasi nuk këmbëngulin për zbatimin sa e si duhet të Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk zbatohet si për ngritjen e flamurit, gjuhën shqipe, etj. Shqetësimet tona, vijon në fjalën e tij mësuesi misionar i gjuhës shqipe, Petrit Bajro, bëhen edhe më të mëdha po të kemi parasysh shpërthimet histerike të nacionalizmit maqedonas këto kohët e fundit në një ndeshje miqësore futbolli mes Shqipërisë e Maqedonisë, të luajtur në Prilep, të cilat po përhapen në të gjithë Maqedoninë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close