Xhufi: Kombësia, censusi të shpallet antikushtetues

Historiani i njohur shqiptar, Pëllumb Xhufi, vlerëson se procesi i regjistrimit në të cilin përfshihet zëri “kombësi” është antikushtetues. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ai shpreh bindjen se nëse një institucion ose parti politike do të kërkonte shpalljen si antikushtetues të regjistrimit të popullsisë, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë censusin. Xhufi komenton gjithashtu vendimin e ditëve të fundit të kushtetueses për shfuqizimin e termit “kombësi”, qëndrimin e përfaqësuesve të minoritarëve grekë, ndodhjen e Shqipërisë pa kufij detar, negociatat e fundit të qeverisë me shtetin grek për kufijtë detar dhe problemet që ka vendi ynë për kufijtë me Malin e Zi.

Zoti Xhufi, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur pak ditë më parë vendimin për shfuqizimin e termit “kombësi” nga dokumentet e gjendjes civile. Si e vlerësoni jo këtë vendim?
Ishte padyshim një vendim i drejtë i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me standardet evropiane të mishëruara në kushtetutat e pothuaj të gjitha vendeve të BE si dhe në Rezolutat e Konventat e OKB dhe të Këshillit të Evropës, dhe me praktikat më të përparuara ndërkombëtare. Shqipëria përcaktohet në Kushtetutën e saj si vendi i të gjithë qytetarëve të saj, ku këta gëzojnë të njëjtat të drejta dhe kanë të njëjtat detyrime pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, krahinore, kulturore. Në këtë mënyrë, qytetarit shqiptar, pavarësisht përkatësisë së tij kombëtare, i ofrohen të njëjtat shërbime dhe i kërkohen të njëjtat detyrime kur paraqitet në gjykatë, në zyrat e punës, në degën ushtarake, në sekretarinë e shkollës, në komisariatin e policisë, në zyrën e tatim-taksave, në njësitë e shërbimit shëndetësor etj,. etj,.
Kushtetuta jonë, pra, sanksionon statusin më të avancuar të qytetarit evropian. Ajo përjashton çdo lloj qëndrimi diskriminues ndaj qytetarëve të vetë për shkak të origjinës etnike dhe kjo është një nga arsyet bazike pse Kushtetuta e miratuar në vitin 1998 u mirëprit nga vendet dhe institucionet partnere ndërkombëtare. Mirëpo, siç dihet, pas të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë e të pasurive të vitit 2001, pala greke bëri një presion konstant mbi qeveritë shqiptare në mënyrë që regjistrimi i ri, ai i vitit 2011, të përfshinte edhe zërat “kombësi” e “besim fetar” si element identifikues të qytetarëve shqiptarë. Siç dihet botërisht, në vitin 2004 z. Berisha asokohe në opozitë, iu nënshtrua presioneve të qarqeve nacionaliste greke, të përfaqësuara nga binomi Gaxojani-Dule dhe premtoi se me të ardhur në pushtet, do ta realizonte regjistrimin sipas matricës së hartuar në Athinë. Gjë që edhe e bëri, megjithë protestave dhe akuzave të hapura për tradhti të përsëritur kombëtare, që iu bënë nga personalitete e organizata të shumta në vend.
Nga organizatorët shqiptaro-grekë të këtij regjistrimi ishte parashikuar që do të ishin vetë qytetarët e pyetur që me një deklaratë të thjeshtë do të vendosnin se cila do të ishte kombësia e tyre. Kjo praktikë “e thjeshtësuar” do të bënte të mundur që numri i minoritarëve grekë të rritej ndjeshëm me të gjithë ata qytetarë shqiptarë që janë shqiptarë edhe me kombësi, por që në këta 20 vjet kanë marrë pensione e lehtësira të tjera nga shteti grek: pikërisht këtyre iu drejtua në prag të regjistrimit konsulli grek i Korçës, Ikonomou, duke u kërkuar me nota kërcënuese që të regjistroheshin si “grekë”. Në rast të kundërt, kuptohet, do të humbnin pensionet e lehtësirat e tjera për veten e familjarët e tyre që punojnë në Greqi.
Pikërisht, në vitin 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e shumicës-kukull një ligj të sjellë nga qeveria, i cili sanksiononte që në dokumentet e lëshuara nga gjendja civile të figuronte edhe zëri “kombësi”. Kështu pra, ky ligj do të mbyllte qarkun e do të ligjëronte me vulën e firmën e zyrave të gjendjes civile kombësitë e rreme të gatuara e të mundësuara nga regjistrimi që do të bëhej në 2011. Për fat të mirë të drejtësisë e të shqiptarisë, Gjykata Kushtetuese mori parasysh ankimimin e bërë për këtë çështje nga disa gjykata rrethesh, duke mbajtur edhe kësaj radhe një qëndrim parimor e profesional. Kështu, e shpalli si antikushtetues këtë ligj, që kishte për mision të noterizonte një të ashtuquajtur “Shqipëri multietnike” që ekziston vetëm në mendjet e antishqiptarëve. Dua të kujtoj që para disa muajsh Gjykata Kushtetuese kishte shpallur si antikushtetues edhe një ligj të vitit 2003, pra të qeverisë Nano, i cili lejonte që me anë të një vendimi të thjeshtë gjykate, të mund të ndryshohej kombësia. Ky ligj, që tregonte faqen tjetër të zezë të politikës së korruptuar e të rekrutuar shqiptare, binte gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe me ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit “kombësia nuk është një çështje e së drejtës, por një çështje fakti”.

Përfaqësues të partive minoritare janë shprehur kundër vendimit të Kushtetueses dhe sipas tyre do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut. Cili është interesi i tyre për të mos u hequr termi “Kombësi”?
Për fat të keq përfaqësuesit zyrtarë të minoritetit grek, kryesisht, nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit grek në Shqipëri, por ato të qarqeve nacionaliste e antishqiptare greke. Provoni të bëni një antologji të deklaratave të bëra në këto 20 vjet nga Dulet e Bollanot e Shqipërisë, e do të shihni se ç’helm kanë vjellë ata kundër këtij vendi, qytetarë të të cilit ata janë. Kush mund ta besojë se një qytetari të thjeshtë minoritar në Dropull apo në Delvinë i intereson që himariotët, korçarët, që të gjithë ortodoksët shqiptarë e vllehë të regjistrohen si “grekë”, që minoritarin e thjeshtë e të ndershëm grek nuk e zë gjumi deri sa të shohë se po zbatohet marrëveshja hileqare për ndarjen e kufirit detar me Greqinë, apo protokolli për ngritjen e varrezave monumentale greke në Kosinë apo në Boboshticë, makar edhe duke përdhosur varret e vjetra të vendasve? Jo, këto nuk janë shqetësimet e vërteta të minoritetit grek, që dëshiron të jetojë në paqe e në vëllazëri me shqiptarët, siç ka jetuar në shekuj e në kohë shumë herë më të trazuara se ato të sotmet. Sa për drejtuesit e “Omonias” e të ndonjë organizate tjetër që i shkon pas avazit, këta duhet ta dinë se në historinë e saj të re, Greqia ka gllabëruar jashtëzakonisht shumë popullsi shqiptare, të cilat nuk i ka “tretur” akoma. Do t’i plaste stomaku sikur të kërkonte të gllabëronte popullsi të tjera shqiptare me hiletë e demaskuara tashmë, siç është edhe kjo e regjistrimit të telekomanduar mbi bazë të vetëpërcaktimit të kombësisë apo ato të ligjeve të viteve 2003 e 2009, të saporrëzuara nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sa i përket Strasburgut, jam i bindur që në atë gjykatë të nderuar evropiane ka shumë më tepër shans të ngjisë çështja tragjike çame, se sa një çështje me background të qartë nacionalist, siç është ajo e ndryshimit nën presion të panoramës etnike të Shqipërisë sipas orekseve otomano-bizantine të Athinës.

Siç dihet censusi ka përfunduar. Ndërsa nga ana tjetër kushtetuesja ka hedhur poshtë termin “kombësi”, i cili ndodhet gjithashtu si pyetje për qytetarët. A ka dështuar censusi?
Në dritën e këtyre dy vendimeve të drejta të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë si ligjin e vitit 2003 për ndryshimin e kombësisë me një vendim të thjeshtë gjykate, ashtu edhe ligjin e vitit 2009 mbi shënimin e kombësisë në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, shtrohet pyetja: a mund të jetë kushtetues një regjistrim, si ai i porsa zhvilluar në vjeshtën e vitit 2011, i cili së pari përfshin zërin “kombësi” në një dokument zyrtar, dhe së dyti lejon, madje nxit, ndryshimin e kombësisë së të intervistuarit me një deklarim të thjeshtë gojor të tij? Unë jam i bindur se jo, dhe do të prisja që një institucion a parti politike të kërkonte shpalljen si antikushtetues të këtij regjistrimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Zoti Xhufi, Shqipëria ndodhet pa kufij detar në jug të vendit prej vitit 2008. Opozita ka kërkuar që të bëhet një ligj për kufijtë, pasi ai që ishte është shfuqizuar. A keni një koment për këtë?
Po, përpara se të nënshkruante marrëveshjen për ndarjen e hapësirës detare me Greqinë, qeveria e z. Berisha ka kryer një akt të ulët antikombëtar, ka abroguar ligjin e vitit 2001 “Për kufijtë e Republikës së Shqipërisë”, pa e zëvendësuar atë me një ligj tjetër. Ky ligj përcaktonte në mënyrë akribike pikat që përmbledhin hapësirën ujore që i përket Shqipërisë në bazë të ligjit ndërkombëtar. Ekzistenca e këtij ligji, që e ka çdo shtet, e bënte të pamundur jetërsimin e hapësirës ujore, që qeveritarët tanë kishin vendosur t’ia falnin Greqisë. Në këtë mënyrë, mund të themi se qeverisë greke, e cila nuk pranon t’i njohë kufijtë tokësorë e ujorë të Shqipërisë që prej vitit 1913, i është bashkuar paradoksalisht edhe qeveria shqiptare e Sali Berishës, e cila me ligjin e vitit 2008 ka “fshirë” përcaktimin ligjorë të kufijve të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë që pastaj t’i nxirrte pa pengesë në pazaret e ndyra me të tjerët. Vërtet, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë njëzëri marrëveshjen për ndarjen e kufirit ujor me Greqinë, por askush nuk po e ngre zërin për përgjegjësitë penale që rëndojnë mbi aktorët e kësaj loje të ndyrë, ku abrogimi i ligjit të kufirit përbën një nga aktet më të poshtra. Do të pritej që ta bënte këtë Prokuroria, por kjo…

Pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të marrëveshjes me shtetin helen për kufijtë detar, qeveria shqiptare ka nisur sërish negociatat me homologët grekë për të përcaktuar kufijtë. Besoni se këtë herë të dyja vendet do të marrin atë që u takon apo do të abuzohet në këtë pikë?
Së pari, unë mendoj që nuk ka arsye për t’u nxituar në këtë çështje, përkundrazi ekzistojnë të gjitha arsyet për të qenë pambarimisht të matur, edhe në dritën e historisë së errët që porsa përshkruam. Problemi nuk qëndron në një “ridefinim” të kufirit detar shqiptaro-grek, por në njohjen në tërësi të kufirit mes Greqisë e Shqipërisë, ashtu si ai u caktua nga Fuqitë e Mëdha në 1913 dhe u rikonfirmua në 1926. Këtë kufi, prej vitit 1913, Athina vazhdon të mos e njohë në mënyrë sistematike, pavarësisht presionit që kanë bërë qeveritë e ndryshme shqiptare dhe vetë OKB. Kjo mosnjohje e paprecedent në marrëdhëniet midis shteteve, në kushtet e mbajtjes në fuqi të Ligjit të Luftës nga pala greke, përbën një arsye të rëndë shqetësimi për marrëdhëniet dypalëshe, madje për vetë paqen në rajon. Sa i përket kufirit detar, ai është përcaktuar qartë në Konferencën e Ambasadorëve në 1913, njëlloj si kufiri tokësor: ai ndjek vijën e mesme të baraslarguar nga brigjet e Shqipërisë dhe ato të Greqisë (Korfuzit). Zbatimi i kritereve të Konventës së Montego Bay e vitit 1982 nuk sjell asnjë ndryshim e asnjë favor për palët. Ndaj pala shqiptare është e interesuar për të nisur një dialog lidhur me një marrëveshje të re për kufirin detar me Greqinë, vetëm në rast se kjo çështje do të shihet e pandarë nga problemi i madh i njohjes në tërësi nga ana e Athinës e kufijve tokësorë e ujorë të përcaktuara e të njohura ndërkombëtarisht prej një shekulli. Por siç po duket, Athina kërkon ta “revizionojë” kufirin me Shqipërinë, duke filluar nga segmenti ujor i tij. Sa i përket atij tokësor, tashmë edhe zyrtarët e lartë grekë po flasin gjithnjë e më hapur për vendosjen e kufijve të “Vorio-Epirit”. Me marrëveshjen-krim të ndarjes së detit, që mbeti në tentativë falë denoncimit në kohë të Partisë Socialiste, qeveria e mazhorancës së PD tregon qartë se e ka pranuar shantazhin grek dhe është e gatshme të kryej çdo poshtërsi ndaj vendit të vet. Me sa duket është e korruptuar, e komprometuar dhe e rekrutuar sa nuk thuhet. Ndaj e quaj të pamendueshme që kjo qeveri të negociojë çfarëdolloj marrëveshje që ka të bëjë me integritetin tokësor të vendit. Nëse kjo duhet të ndodhë, duhet të ndodhë kur në krye të vendit të jetë një qeveri tjetër, një qeveri shqiptarësh.

Profesor, probleme me kufijtë vendi ynë ka edhe me Malin e Zi për përcaktimin e kufijve. Sipas deputetëve të mazhorancës, kjo problematikë zgjidhet me marrëveshje bilaterale. A është normale kjo situatë për një shtet që nuk ka të përcaktuar kufijtë e saj?
Kjo është një gënjeshtër e paturp. Kufijtë tanë veriorë janë të përcaktuar qartë gjithashtu në vitin 1913. Vërtet, Jugosllavia e dikurshme nuk është më dhe një shtet i ri, Mali i Zi është krijuar në kufijtë tanë veriorë. Por kjo s’do të thotë se kufijtë e këtij me Shqipërinë do të jenë të ndryshëm nga ata që kishte me fqinjin jugor Jugosllavia e dikurshme, pjesë e së cilës ishte edhe Mali i Zi. Apo mendojnë ndryshe zotërinjtë e qeverisë, veçanërisht ata që kanë lidhje e miqësira të veçanta në Podgoricë? Ndryshe nga qeveria greke, qeveritë jugosllave dhe më tej, ajo malazeze pas krijimit të shtetit të Malit të Zi, i kanë njohur, e qysh, kufijtë tokësorë e ujorë me Republikën e Shqipërisë. Janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse dhe kanë funksionuar rregullisht komisionet mikste të kufirit për parandalimin dhe zgjidhjen e problemeve kufitare. Por si për vetë historinë e shtetit shqiptar, edhe për çështjen e kufijve, “çlirimtarët” e PD kujtojnë se jeta fillon me daljen e tyre në dritë dhe ardhjen e tyre në pushtet. Harrojnë që ky shtet fillon me “baba Qemon”, me atë që Ministri pëdëist i Kulturës (i Kulturës!) dinte se prehej në tokën e Italisë. Harrojnë gjithashtu, se në kohë të tjera bëmat si ato që po gatuajnë ata quheshin thjesht tradhti dhe dënoheshin rëndë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button