Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Arbënishtja e Zarës në Kroaci

Bisedë me profesoreshën kroate, Maximiljana Baranćić

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana: Profesoreshë Baranćić, sa është e zhvilluar albanologjia në shtetin kroat, a mund të thuhet se ka trashëgimtar të denjë të albanologut të njohur Prof. Dr. Aleksandër Stipćević?

Maximiljana Baranćić: Në fakt nuk ekzistojnë studime albanologjike në Kroaci. Me sa di unë, gjer më tani, nuk ka trashëgimtarë të denjë të albanologut dhe ilirologut prof. dr. Aleksander Stipčević.

M.: Në studimet tuaja të fundit shohim një interesim më të madh për të folmen arbënishte, studimin e së cilës e keni zgjedhur për temën tuaj të doktoratuës, a mund të veçoni disa elemente karakterizuese të kësaj gjuhe?

M.B.: Në studimet e mia doktorale kam vënë theksin në disa karakteristika kryesore të së folmes së dialektit tonë Arbënishtes. I kemi humbur disa zanore, p. sh: nuk kemi themi ”thana” por ”sana”, me ”than” por ”san”, derisa në gjuhën shqipe e kemi ”th” ne e përdorim “s”. Nuk ekziston ndonjë dallim kur ne përdorim ”q” dhe ”ç”, dallim që ekziston edhe në gjuhën kroate. Ne përdorim diçka në mes, që në gjuhën kroate tingëllons si ”č”. E foljma jonë është e përafërt me dialektin shqiptar, e vetmja gjë është se pas shumë viteve ne kemi humbur shumë fjalë dhe po ashtu artikulimi ka ndryshuar lehtësisht. Por, kur unë flas, njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri më kuptojnë plotësisht. Kur ata flasin me mua nganjëherë nuk i kuptoj, në veçanti nëse flasin shpejt.

M.: Përveç studimeve lidhur me të folmen arbëreshe, tanimë keni publikuar edhe studimin për ndikimet e fjalëve italiane në gjuhën arbëreshe, cilat janë rezultatet, sa ka arritur arbërishtja e sotme të ruaj origjinën e saj, që nga koha e emigrimit të komunitetit shqiptarë?

M.B.: Kam shkruar një artikull dhe vitin e kaluar kam mbajtur një prezantim të atyre kërkimeve në Kosovë mbi ndikimin e gjuhës italiane në dialektin tonë Arbanasi. Ka shumë fjalë me origjinë italiane, të cilat kanë ardhur drejtpërdrejtë apo indirekt përmes dialektit kakavian, që vjen si rezultat i jetesës në komunitetit, me këta banorë. Arbënishtja është ruajtur në 35% të origjinës së saj, që nga koha kur ka ndodhur emigrimi nga mëmëdheu Shqipëria, duke qenë kjo një fenomen në vehte meqë nuk kanë ekzistuar shkolla, institucione etj.

M.: Keni botuar edhe një libër për mësimin arbënishtes, si u mirëprit nga komuniteti arbëresh?

M.B.: Është pritur mjaft mirë nga komuniteti Arbëresh.

M.: A është i mjaftueshëm organizimi i konferencave, seminareve, tryezave që organizohen në Kosovë dhe në Shqipëri dhe sa ndihmojnë në zhvillimin dhe prezantimin e hulumtimeve të studiuesve të huaj lidhur me studimet e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare?

M.B.: Besoj se konferencat, seminaret dhe tryezat e rrumbullakëta, që organizohen në Kosovë, Shqipëri, janë shumë të nevojshme dhe ndihmojnë shumë në zhvillimin, ruajtjen e hulumtimit akademik mbi gjuhën shqipe, letërsinë, kulturën; parë veçmas si dialogim debatues për nivelin ku kanë mbërritur kërkimet albanologjike, të gjuhës dhe letërsisë shqipe, në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Unë kam marrë pjesë tre herë deri më tani në seminaret ndërkombëtare që mbahen në Kosovë.

M.: Çfarë mendoni për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ofrojnë katedrat e gjuhës shqipe në Kosovë dhe Shqipëri?

M.B.: Mendoj se bashkëpunimi dhe përkrahja në nivel universiteti në Kosovë dhe Shqipëri për studiuesit dhe studentët e huaj është e mirë dhe i nevojshëm, por megjithatë në lëmin e shkëmbimit të përvojave, gjithnjë ka nevojë për thellim dhe për plotësime.

M.: Sipas mendimit tuaj, sa është e njohur letërsia shqipe në Koraci?

M.B.: Më duhet ta pranoj se letërsia shqipe nuk është mjaftueshëm e njohur në Kroaci, e prandaj ka nevojë për zgjerim të hapësirave të komunikimit.

M.: Sot, në mbarë Kroacinë kemi emra të njohur arbëreshë që përfaqësojnë kulturën e vendit në fusha të ndryshme, sa vlerësohen dhe respektohen nga shteti kroat?

M.B.: Po, ekziston një respekt dhe vlerësim i merituar tek shoqëria dhe institucionet kroate. Mund t’i përmend disa: nga familja Deshpalj kemi dirigjentin e njohur Pavle Deshpalj, vëllain e tij violinistin Valter dhe motrën e tyre Maja; Ennio Stipčević, muzikolog i njohur (djali i Aleksandër Stipčević); prof. dr. sc. Serdo Dokoza (historian që punon në Universitetin e Zarës) etj.

M.: Aktualisht, a jeni duke punuar në ndonjë projekt lidhur me studimet në fushën e albanologjisë?

M.B.: Në këto momente jam duke punuar në fjalorin Kroat-Arbanas, ende duke punuar në detaje dhe shpresoj të publikohet këtë vit. Në maj planifikohet vënia në skenë e dramës ”Nita” në teatrin kombëtar në Zarë (kombinim i gjuhës kroate dhe arbënishtes), ende vazhdoj me kursin e së folmes Arbënishte, që prej katër vitesh tashmë.

Maximiljana BARANĆIĆ, ka mbaruar studimet bazike në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Zagrebit, ndërsa studimet pasuniversitare për gjuhësi i mbaroi në Universitetin e Splitit. Aktualisht është duke punuar në disertacionin e doktoraturës me temën “Lexisi i të folmes së Arbanasit si reflektim i gjuhëve në kontakt”. Punon si ligjëruese në Departamentin e Anglishtes në Universitetin e Zarës. Kërkimet e saj janë të përqëndruara në studimet e emrave, mbiemrave dhe pseudonimeve, veçanërisht nga Arbanasi, pastaj ka realizuar studime për identitetin etnolinguistik të arbanasëve, studime për poezinë, etj. Është e njohur për përkthimin e disa librave me poezi dhe zhanreve tjera letrare.

Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Boutes: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com

Back to top button