Prof. Kristo Frashëri: Paramithia, vendbanim ilir, Dropulli e Bylisi fjalë ilire (Pj.2)

Bylis

(vijon nga numri i meparshem)
Si dëshmi të helenizmit të Epir it-të-Ri, historiani grek E. Chrysos sjell emrin e qytetit Bylis (sot: Ballshi në Mallakastër). Duket se ai nuk e njeh opinionin që mbisundon në historiografi, në të cilën emri Bylis vlerësohet si një toponimi tipike ilire me rrënjë fjalën “ballë”, në kuptimin e kryes. Për t’u bindur për këtë përmbajtje etimologjike shqipe mjafton të kujtojmë se sllavët e quajtën Gllavinicë (nga Gllavë: Krye), kurse në një burim mesjetar grek Kefalini (nga Qefali: Krye). Pra, në të dyja rastet kemi një përkthim në sllavisht dhe në greqisht të toponimit ilir Bylis (=ballë, krye).
Një tjetër argument që përmend historiani grek Chrysos është përpjekja e tij për të hetuar origjinën e emrit të Dropullit. Siç dihet, jo pak historianë mendojnë se toponimi “Dropull” e ka burimin te emri i qytetit të lashtë Hadrianopolis (qyteti i themeluar nga perandori romak Hadriani, pra qyteti i Hadrianit). Por ka edhe një tezë tjetër shumë bindëse, e cila e sheh burimin e toponimit Dropull, dikur Drinopul, Drinopolis, te emri i lumit Drino, siç quhet edhe sot, që përshkon luginën e Gjirokastrës, pra qyteti i Drinos. Eqerem Çabej shkruan se lumi Drin, trajta e hershme ilire Drin, grekët e vjetër Drinos, latinët Drinus, sllavët Drim është, sipas gjuhëtarëve, toponimi ilire. Është mjaft i përhapur në botën ilire: Drini në Shkodër, Drina në Bosnjë, Drini i Zi në Strugë, Drini i Bardhë në Pejë. Ka edhe përrenj me emrin Drin, si në Lumë, në Shtip (Maqedoni) e gjetkë. Emri i krahinës Dropull, dikur Drinopull, ????????? greqisht, e ka origjinën pra te lumi Drin dhe jo te qyteti antik Hadrianopolis. Shtojmë me këtë rast se Drinos, ??????? e ndeshim edhe më herët se kur jetoi perandori romak Hadrian. Në një nga mbishkrimet e Butrintit edhe si emër fisi, ndoshta emri i banorëve të luginës së lumit Drinos. (K. Boxhori, Dh. Budina. Disa mbishkrime të pabotuara të theatrit të Butrintit. Në: “Studime historike”, 2, 1966, f. 189). Lumi Drin i ka dhënë emrin krahinës Dropull nëpër të cilën kalon lumi, nga Drinopull, Drnopull, Drropull ????????? te grekët (ashtu si lumi Mat i dha emrin krahinës së Matit). (Shih më gjerë E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll. III, Tiranë 1987, f. 320). Duket se historiani grek Chrysos nuk e pranon karakterin ilir të dy toponimeve të përmendura, mbasi kërkon medoemos të na mbushë mendjen qoftë edhe me përdhunë, se ato janë me origjinë helene.

Dropull

Për të provuar helenizmin e të dy Epireve, historianët grekë zakonisht i referohen edhe historisë kishtare. Sipas tyre, krishterimi në të dy Epiret erdhi nga Lindja, duke nënkuptuar me këtë krishterimin grek. Në të vërtetë, ky pretendim nuk ka asnjë mbështetje. Apostulli i parë, i cili e përhapi krishterimin në të dyja trevat ishte Shën Pali, i cili pa pikë dyshimi ishte i lidhur më tepër me Romën se sa me Kostandinopojën, mbasi kjo nuk ekzistonte në kohën e tij. Kisha e krishterë jo vetëm në Epirin-e-Ri, por edhe në Epirin-e-Vjetër ka qenë deri në fillimin e Mesjetës (shek. VI), vazhdimisht e lidhur me Romën. Madje, në shekullin II të krishterët e Nikopojës i dhanë Romës edhe një kryeprift – Papën Eleuterin. Peshkopatat e krishtera i mbajtën lidhjet me Romën edhe pas vitit 395 kur të dy Epiret u përfshinë në Perandorinë Bizantine.
Dëshmi e padiskutueshme e përhapjes dhe e konsolidimit të krishterimit në viset shqiptare nga Perëndimi, është terminologjia kishtare e ritit dhe e liturgjisë që ka përvetësuar dhe që ka akoma në përdorim jo vetëm kisha katolike, por edhe kisha ortodokse shqiptare. Siç e kanë argumentuar linguistët, terminologjia e të dyja kishave është e njëjtë, mbasi te të dyja është me origjinë latine. Të tilla janë për shembull termat: kryq (crux), shenjt (sanctus), meshë (missam), kishë (eçlesia), pagëzim (baptistum), kungim (comunionem), bekim (benedictionem), mallkim (maledictionem), krezhmë (crisma), pendim (penitentiam), lavdi (laudem), këmbanë (campanum), shpirt (spiritus), qiri (cera), ferr (infernus), paradis (paradis), mrekulli (miraculum), agjinim (jenunare), i kërshterë (cristianus), Kërshndella (Cristi natalia), rushaje (rosarium). Ky fenomen shpjegohet vetëm me faktin se terminologjia kishtare ka hyrë në gjuhën shqipe në Antikitetin e vonë kur edhe viset jugore të Shqipërisë, e kishin kthyer fytyrën nga Roma. Origjinën e përbashkët të fillimeve kishtare nën ombrellën e Perëndimit e tregojnë edhe trajtat e njëjta që kanë te shqiptarët e të dy riteve të krishtera, emrat e shenjtorëve të hershëm si: Shën Pjetri, Shën Pali, Shën Ndreu, Shën Mitri, Shën Gjoni, Shën Gjergji, Shën Gjini, Shën Mëhilli, Shën Mërtiri, Shënd’Ëlliu, etj.etj.

Lidhjen kishtare me Romën jo vetëm të Epirit-të-Ri, por edhe të Epirit-të-Vjetër e dëshmojnë edhe qëndrimi i peshkopëve të tyre në koncilet kishtare të përbashkëta të periudhës para skizmës së hershme, pra para ndarjes së Kishës Perëndimore me Kishën Lindore. Këtu nuk është vendi për të trajtuar gjatë këtë histori, të cilën historiani grek Chrysos e kalon në heshtje. Do të përmendim vetëm qëndrimin e tyre në koncilin e Efezit të vitit 431. Edhe pse ky koncil u mbajt me pjesëmarrjen e peshkopëve të kishave të Perandorisë Bizantine, peshkopi i Nikopojës, Donati dhe peshkopi i Dodonës, Theodori u rreshtuan në krahun e peshkopëve ilirë të Epirit-të-Ri – të Eukarit, peshkop i Durrësit dhe të Feliksit, peshkop i Apollonisë dhe i Bylisit, – të cilët së bashku me peshkopin e Shkodrës, Senecioni dhe të Dioklesë, Kostanci, nuk pranuan tezën e perandorit bizantin për nënshtrimin e tyre ndaj pushtetit perandorak. Historianët me autoritet të historisë kishtare e vënë në dukje se përçarja në gjirin e koncilit të Efezit kishte afërsisht një karakter etnik, mbasi peshkopët e viseve greke e mbështetën platformën e perandorit të Kostandinopojës, kurse ata që e kundërshtuan midis të cilëve ishin dhe peshkopët e Epirit-të-Vjetër dhe Epirit-të Ri, përfaqësonin popullsitë jo greke. Distancimi i peshkopëve të të dy Epireve nga Kostandinopoja vazhdoi të thellohej deri në atë shkallë sa perandori bizantin Justinian krijoi në vitin 535 në Shkup një kryepeshkopatë të kishave ilire të lidhur me Romën. Historia e provincave epirote na çon tek konkluzioni se tek të dy Epiret mbisundonte elementi ilir. Në fillim të shekullit VI, sikurse del nga Synecdemus-i i Hieroklit, në trevën jugore ilire vazhdonte të ishte në fuqi ndarja administrative e saj në katër provinca: në Epirin-e-Vjetër, Epirin-e-Ri, Dardani, Prevalitani. (Hieroclis Synecdemus, 651, 653, 655, 656. Shih: Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë 1965, ff. 455-456). Disa dhjetëvjeçarë më vonë, gjatë mbretërimit të Justinianit, numri i provincave jugore ilire u pakësua nga katër në tri. Provinca e Prevalitanisë me qendër Shkodrën, u suprimua. Viset e saj u bashkuan me provincën e Epirit-të-Ri, e cila vazhdoi të kishte për qendër Durrësin. Përfshirja në Epirin-e-Ri të viseve që ndodheshin në Provincën e Prevalitanisë pa dyshim vise ilire, është një dëshmi më tepër që flet në favor të identitetit etnik të provincave që mbanin të njëjtin emër Epir. Gjatë sundimit romak nga historia njerëzore e Epirit njohim shumë pak emra njerëzish. Janë emra të elitës administrative dhe shoqërore, të cilët mund të tregojnë edhe përkatësinë e tyre etnike. Kështu për shembull, një nga familjet më të shquara të aristokracisë së Epirit ishte ajo e klearkëve (Klearchoi) në shekullin IV me origjinë nga Thesprotia (Çamëria). Klearku (plaku) ishte anëtar i Senatit të Kostandinopojës, kurse nipi i tij Klearku (i riu) prefekt i Kostandinopojës dhe prefekt pretorian i Illirikumit në fillim të shekullit V. Një tjetër epirot i shquar i cili quhej Marcellinus, ishte guvernator i Sirisë më 382. Ndër më të shquarit epirotë të Antikitetit të vonë ishte pa dyshim filozofi Priscus, kryetar i Akademisë së Platonit në Athinë. Ai i qëndroi besnik fesë pagane edhe pasi krishterimi u shpall fe zyrtare e perandorisë. Për këtë arsye, perandori Julian, i cili iu kundërvu fesë së krishterë, e ngarkoi në poste me përgjegjësi në fushën e kulturës. Pas vdekjes së Julianit, Prisku u kthye në Akademinë e Athinës, ku dha mësime për mëse tridhjetë vjet. Për të shpëtuar nga persekutimet e Kishës së krishterë, ai u strehua në Epir. Ndër familjet e tjera të shquara, të cilat i trajton historiani E. Chrysos, duhen përmendur prej tyre dy pronarë të mëdhenj tokash – ajo e Paulas nga Roma me prona në Nikopojë dhe ajo e Paulinëve (Paulinus) nga Pella, me prona në Epirin-e-Vjetër dhe në Epirin-e-Ri. Sikurse shihet, vetëm emri i familjes së Klearkëve ka tingull helen. Të tjerat anojnë nga gjuha latine. Përdorimi i emrave dhe i mbiemrave latinë nuk tregon medoemos se mbajtësi i tyre ishte romak. Madje, edhe përdorimi i emrit helen nuk do të thotë medoemos se mbajtësi i tij qe grek. Ne kemi një mori qytetarësh, madje dhe perandorësh, të cilët mbajnë emër të përveçëm nga fusha e onomastikës latine (si për shembull perandori Justinian), madje edhe helene (si për shembull perandori Anastas), të cilët dihet me siguri se nuk qenë as romakë, as grekë, por ilirë. Historiani grek E. Chrysos, duke folur për selinë peshkopale Euria (më vonë Shën Donati dhe në ditët tona Paramithia), lë të kuptohet se emri i qytetit i takon greqishtes. Sipas një legjende, shkruan ai, Donati, peshkopi i parë i Euresë, të cilin kisha e ka shpallur shenjtor (Shën Donati), vrau një dragua në vendin e quajtur Chamaigephyrai dhe aty shpërtheu një burim uji për qytetin e tij. Chrysos shkruan se Euroia mund të përkthehet “rrjedhë e bollshme”. Duket se ai nuk e ka vënë re se në toponimin Euroia > Uroia > Ujë-roia > Ujë i rrjedhshëm > Ujë i bollshëm. Si rrjedhim, toponimia lë të kuptohet se banorët e Euroia-s gjatë Antikitetit të vonë kanë qenë ilirë, pra paraardhësit e shqiptarëve.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

2 Komentet

  1. me pelqen qe mundoheni te paraqitni sa me shume vlera per kombin dhe gjuhen shqipe .. por lind pyetja kur ka fjale shqipe qe mund te shprehni pse perdorni fjale greke ??? spo marr shue fjale shembull por thjesht fjalen TOPONIM fjale 100 % greke .. qe ne shqip do te thote EMER VENDI . ( VENDEMER ) .. AA SHQIPETARE O SHQIPETARE GJITHMONE JU PELQEN E HUAJA ME SHUM SE E JUAJA ..

  2. Per Komentuesin:
    Cdo gjuhe ka huazuar nga te tjera, shume fjale greqisht apo latinisht perdoren ne shkenca mes gjuhes angleze, kjo nuk do te thote se Anglezet apo gjith Amerikanet jane Greke!

    Per Autorin:
    Nje detaj doja te shtoja, qe kur flitet per Greke behet fjale per ata qe flasin preferonin gjuhen greke, sepse ne lashtesi shumica e tyre ishin me origjine Pellasgo-Illyre! Iliret kan qune shume te shperndare dhe perzierja me fise te tjera si Hitite, Asiatike, Afrikane, dhe me vone Vllahe apo Sllave, krijoi degen Helene dhe preferoi te fliste Greqisht dhe te mbeshteteshin te feja Ortodokse.
    Si permbledhje, raca helene eshte nje race e perzier qe perfishin edhe Pellazgo-Ilire. Si te thuash si puna e vellait me nje prind te perbashket. Por qe eshte i perfshire nga xhelozia shekullore ndaj vellait me prejardhje te paster ne teritorin e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close