Prof. Kristo Frashëri: Epiri, emrat e kalave janë toponime ilire (Pj.1)

Moment kthese në historinë e Epirit antik shënon tragjedia që treva pësoi në kohën e pushtimit romak në vitin 167 p.e.s. Ngjarjet e dhimbshme që pësuan epirotët në kohën e këtij pushtimi i përshkruan historiani grek bashkëkohës i ngjarjeve, Polibi, por tekstin e tij ne nuk e njohim. Ne kemi njoftime nga dy autorë të tjerë – njëri romak, Tit Livi; tjetri grek, Straboni.
Drama ndodhi në kuadrin e luftës së ashpër romako-maqedone. Në lidhje me këtë ngjarje Tit Livi shkruan se pletori romak Paul Luc Emili (Paulus Lucius Aemilius) kur mori vesh lidhjet që mbanin ilirët dhe epirotët me kundërshtarin, Perseun e Maqedonisë, organizoi dy fushata ndëshkimore – njërën nën udhëheqjen e birit të tij Kv. Maksimi kundër ilirëve, kurse vetë u drejtua për në Epir. Brenda pesëmbëdhjetë ditëve ai arriti në Pasaron, në afërsi të lëmit të pretorit romak Anicit (L. Anicius Gallus).
Pal Emili, shkruan Titi Livi, “që të mos shqetësohej aspak përsa do të ndodhte, i dërgoi letër Anicit në të cilën shkruante se senati i lejonte ushtritë që të plaçkisnin ato qytete të Epirit, të cilat kishin kaluar në anën e Perseut. Menjëherë pastaj dërgoi në çdo qytet centurionë që të shpallnin se kishte ardhur për të hequr rojet ashtu që edhe epirotët të ishin të lirë njësoj si maqedonët. Thirri pastaj nga çdo qytet nga dhjetë krerë dhe i porositi të derdhnin në arkën shtetërore tërë arin dhe argjendin dhe shpërndau kohortet në të gjitha qytetet… Triburnët dhe centurionët morën urdhër si të vepronin. Në mëngjes ari dhe argjendi ishin grumbulluar. Në orën e katërt iu dha shenjë ushtarëve për të plaçkitur qytetet. Plaçka e rrëmbyer qe aq e madhe sa çdo kalorësi i ranë nga 400 denarë dhe këmbësorëve nga 200. Numri i robërve arriti në 150 mijë. Pastaj u rrënuan muret e qyteteve të plaçkitura, të cilat ishin afro 70. U shit gjithë plaçka dhe vlefta e mbledhur u nda midis ushtarëve. Pauli zbriti në bregdet në Orik duke menduar se me plaçkitjen në Epir do të ishte ngopur lakmia e ushtarëve”. (T. Livi, Ab urbe Condita, Libri XLV 34,1 e 7).
Për këtë dramë flet edhe Straboni, por shumë shkurt. Njoftimin e ka marrë nga Polibi, historiani grek i shekullit II p.e.s., pra më i hershëm se Tit Livi, vepra e të cilit, sikurse u tha, nuk ka arritur në ditët tona. Straboni shkruan tekstualisht: “Me të vërtetë Polibi thotë se Pauli, pasi theu dhe rrënoi maqedonët e Perseun, shkatërroi 70 qytete të epirotëve (shumica e këtyre kanë qenë të molosëve) dhe robëroi 150 mijë njerëz”. (Straboni, Geographia, libri VII, 22).
Nëse i pranojmë të sakta këto njoftime të Polibit, Livit dhe Strabonit lind vetvetiu pyetja: Cilës kombësi i përkisnin robërit kaq të shumtë që zunë romakët në Epir, të cilët sipas zakonit u shitën si skllevër në tregjet e Egjeut? Përgjigjja ka rëndësi, mbasi nga kombësia e robërve që romakët zunë, del se cilët u pakësuan në Epir, ilirët apo grekët. Në monografinë e Akademisë së Athinës kushtuar Epirit, nuk shtrohet fare kjo pyetje, mbasi për autorin e saj, Epiri banohej vetëm nga popullsi greke. Megjithatë, përderisa prania e ilirëve në Epir nuk mund të mohohet, aq më tepër që sikurse u pa ilirët përbënin shumicën e popullatës së trevës, problemi kërkon përgjigje. Meqenëse njoftime historike rreth kombësisë së robërve të Epirit nuk ka, duhen shkelur monopate të tjera. Pavarësisht nga pakësimi i popullatës, Epiri e rimori dalëngadalë veten. Popullsia përsëri u rrit. Inkubatorët që krijuan popullsinë e re ishin kryesisht fshatrat malore të trevës, të cilat si zakonisht i shpëtojnë rrezikut të shfarosjes ose të robërimit, duke u strukur përkohësisht në stërkat e paarritshme. Burimin e dytë të ripopullimit e përbëjnë kolonët romakë që erdhën nga Gadishulli Italik. Puna e do që kolonët romakë preferuan qytetet. Përkundrazi, banorët e stërkave malore, të cilët duhet të kenë qenë pa dyshim ilirë u shtrinë nëpër viset e ulëta, natyrisht edhe nëpër qytete.
Praninë që në shekullin I p.e.s. të kolonëve romakë në Butrint e dokumenton një nga letrat e oratorit të madh Ciceron, drejtuar L. Plaucit në kohën e Jul Cezarit. Në këtë letër flitet për një latifundist romak me emrin Atik, i cili banonte në afërsi të Butrintit. Atiku ankohej ngase pronat e tij u qenë shpërndarë ushtarëve romakë. Në letër thuhet ndër të tjera: “Që kur u bë e njohur se tokat e Buthrotit (Butrintit – K.F.) u ishin caktuar ushtarëve, Atiku i prekur hartoi një ankesë, të cilën ma dha mua për t’ia dorëzuar Cezarit. Kur isha për darkë tek Cezari ia dhashë lutjen. Ky e pranoi dhe iu përgjigj Atikut se ajo që kërkonte ishte e drejtë, por duhet që buthrotasit të paguanin tepricën e taksës së tyre kur të vinte afati”. Më tej Ciceroni shkruan: “Pasi Cezari nxorri një dekret në favor të buthrotëve, në të cilin vura emrin si dëshmitar bashkë me persona të tjerë të lartë, na premtoi se kur ushtarët veteranë të kenë kaluar detin do t’u jepte toka të tjera, por ai pas pak vdiq”. (Ciceronis Epistolae, Romanorum scriptorium corpus italicum currante Hectore Romagnoli. La Santa (Milano) 1927-1928. Ad Atticum 16,1. Marrë nga “Ilirët dhe Iliria te Autorët Antikë”, Tiranë 1965, f. 82).
Me një fjalë, ndryshime në përbërjen etnike të popullsisë së Epirit ndodhën edhe në kolonitë e vjetra helene, ndër të cilat më kryesoret ishin Butrinti (Buthroton) dhe Finiqi (Phoinike), që të dyja në trevën e kaonëve. Fizionominë e re që morën këto koloni pas pushtimit romak e ndriçojnë mbishkrimet që janë zbuluar në Butrint. Mbishkrimet për tradicion vazhduan për disa kohë të ishin greqisht, por dalëngadalë filluan të shfaqeshin dhe latinisht. Emrat e qytetarëve të Butrintit që përmbajnë këto mbishkrime i përkasin pjesërisht onomastikës helene, pjesërisht onomastikës latine dhe në një masë të konsiderueshme onomastikës ilire. Dihet se pas pushtimit nga Roma, Epiri u fut në hallkat e administratës të saj. Rreth vitit 146 p.e.s. territoret e tij u përfshinë në një njësi administrative më vete – në provincën e Epirit, kufijtë e së cilës duket se ishin të njëjtë me ato të Epirit historik. Qendra e provincës u caktua Nikopoja (Nikopolis), qyteti kryesor i Ambrakisë. Viset në veri të Epirit historik, të cilët banoheshin pa dyshim nga popullata ilire, u përfshinë në një provincë më vete – në provincën e Maqedonisë së Dytë, me kryeqendër Durrësin. Gjatë shekullit III kur Perandoria Romake ndërmori një organizim të ri administrativ shfaqen dy provinca me emrin Epir, nga të cilat njëra u quajt Epiri i Vjetër (Epirus Vetus) me qendër në Nikopojë, tjetra Epiri i Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin, e cila zëvendësoi provincën e dytë maqedone. Historiani romak i shekullit IV Ruf Festi duke folur për reformat e perandorit Aurelian (270-276) me origjinë ilire shkruan se Epiri-i-Ri dhe Epiri-i-Vjetër së bashku me pesë provinca të tjera (Maqedonia, Thesalia, Ahea, Prevalia dhe Kreta), bënin pjesë në diocezën e Maqedonisë. (Ruf Festi, Brevarium rerum gestarum populi Romani, Libri VIII. Në historiografi është përhapur pikëpamja se dy provincat epirote – Epiri-i-Vjetër dhe Epiri-i-Ri – u krijuan nga perandori romak Diokleciani, në fund të shekullit III ose në fillim të shekullit IV, pasardhës i perandorit Aurelian, që të dy me origjinë ilire).
Në sistemin administrativ të Perandorisë Romake që ekzistonte në fillim të shekullit IV, i cili trajtohet në veprën e njohur “Lista e Rangjeve” (Notitia Dignitatum), thuhet shprehimisht se në diocezën e Maqedonisë (e cila varej nga prefektura e Ilirikut) bënin pjesë shtatë provinca – Ahea, Maqedonia e Parë, Kreta, Thesalia, Epiri-i-Vjetër, Epiri-i-Ri dhe Maqedonia Salutaris. (Notitia Dignitatum, I). Nga ana tjetër, Zosimi, shkrimtari bizantin i shekullit V pohon se perandori Kostandini i Madh, i cili siç dihet e ndau perandorinë në katër pjesë, në njërën prej tyre ai përfshiu: Maqedoninë, Thesalinë, Kretën, Heladën, ishujt rreth saj dhe dy Epiret. (Zosimi, Historia Nova, Libri II, 33). Shkrimtari bizantin i shekullit VI, Joan Malala, shkruan se, edhe perandori Theodosi e ndau Epirin-e-Ri nga Epiri-i-Vjetër dhe i bëri të dyja provinca. (Joan Malala, Hronografia, f. 347, 11-13). Për dy Epiret flet edhe gjeografi romak i shekujve VII-VIII i ashtuquajturi Anonimi i Ravenës. (Anonimi i Ravensës, Cosmographia, IV, 8).
Këtu lind pyetja: Përse dy provinca me të njëjtin emër Epir? Emërtimi i njëjtë lë të dyshohet se kemi të bëjmë me dy provinca të banuara nga popullsi që kishin të njëjtin identitet etnik. Nëse pranojmë këtë interpretim, shtrohet pyetja e dytë: Cili mbisundonte nga këto dy identitete etnike, identiteti ilir apo grek? Meqenëse identiteti etnik ilir i provincës së Epirit-të-Ri nuk është vënë në dyshim, duhet të pranojmë se edhe provinca e Epirit-të-Vjetër e populluar nga banorë të cilësuar “barbarë”, kishte të njëjtin identitet etnik ilir.
Historiani grek E. Chrysos, autori i kapitujve kushtuar Epirit të periudhës bizantine, të cilat janë përfshirë në punimin e përmendur të Akademisë së Athinës – pohon se Epiri-i-Ri kishte identitet etnik grek. Këtë pikëpamje ai e mbështet te njoftimi i kronistit bizantin Prokopi i Cezaresë, i cili shkruan kalimthi se, “nga ana tjetër e gjiut, të parët janë helenët e quajtur epirotë deri tek qyteti Epidamn (Durrësi – K.F.), i cili gjendet në bregdet”. (Proc. De Bello Gothico, V 15, 24). Duhet vënë në dukje se ndër pesëdhjetë e më tepër autorë grekë, romakë e bizantinë që zenë në gojë Epirin dhe banorët e tij, Prokopi i Cezaresë është i vetmi që i cilëson epirotët helenë. Veç kësaj, ky formulim përveçse i vetmi është nga pikëpamja gjeografike jo fort i qartë. Kjo për arsye se Prokopi i Cezaresë flet jo për viset e brendshme të Epirit, por për viset bregdetare, ku dikur kishin lulëzuar koloni helene. Ndërkohë, Prokopi i Cezaresë në një tjetër vepër të tij “Mbi ndërtimet”, nëpërmjet listës së emrave të kalave që perandori Justinian (527-565) ndërtoi dhe rindërtoi në kohën e tij në Epirin-e-Vjetër dhe në Epirin-e-Ri na jep një material të çmuar, i cili ndriçon qoftë edhe tërthorazi, identitetin jo grek të dy provincave epirote. Nuk është e vështirë të shihet se ndër 37 emrat e kalave në Epirin-e-Vjetër dhe 58 kalave në Epirin-e-Ri që ekzistonin në shekullin VI numri i toponimive me origjinë helene dhe me origjinë romake është tepër i paktë në krahasim me toponimet jo greke dhe jo romake, të cilat supozohet se janë vendëse, pra ilire ose parailire.
(Vijon)

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close