Prof. Kristo Frashëri: Absurdi i librit grek (pj.2)

(Vijon nga numri i kaluar )
Shumica e historianëve, gjuhëtarëve, etnologëve dhe antropologëve mendojnë se popullatat që banonin në periudhën e fundit të Neolitit gjatë brigjeve veriore të detit Mesdhe bënin pjesë në popullatat e grupit etnogjuhësor mesdhetar. Nga tradita historike dihen dhe disa emra fisesh apo popullatash të kësaj epoke, si: lelegë, karianë, frygë, iberë, tirenë, oskë, umbrë, etj, etj. Gjurmët e qytetërimit mesdhetar në truallin e Shqipërisë së sotme janë zbuluar në liqenin e Maliqit. Se cilat nga këto popullata të grupit etnogjuhësor mesdhetar banonin në viset e sotme të Shqipërisë dhe të Epirit është vështirë të thuhet.
Rreth 25 shekuj para erës sonë kur u mbyll epoka e Neolitit dhe nisi epoka e metaleve, rrjedha e jetës njerëzore në mbarë pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik përfshirë dhe trevën epirote pësoi ndryshim. Faktori që shkaktoi këtë ndryshim qe dyndja në këtë trevë e popullatave të reja, të cilat për disa erdhën nga deti, për disa nga toka. Mendohet se vatra e tyre fillestare ka qenë në Rusinë e sotme jugore, në trevën midis Detit të Zi dhe Detit Kaspik, aty ku u mbrujtën popullatat e familjes së madhe etnogjuhësore indoevropiane. Pikërisht nga kjo trevë filloi shtegtimi grupe-grupe dhe kohë pas kohe i popullatave që sot njihen si pjesëtarë të familjes etnogjuhësore indoevropiane. Të parët që u shkëputën nga vatra e tyre fillestare qenë hititët, të cilët morën drejtimin e Jugut dhe u vendosën në Azinë e Vogël, në afërsi të qytetërimit mesopotam. Të dytët shtegtuan drejt Perëndimit dhe u vendosën në pjesën jugore të Gadishullit Ballkanik në afërsi të qytetërimit egjean. Këta qenë indoevropianët e parë ose siç quhen ndryshe protoindoevropianët.
***
Dyndja e tyre në Epir vërtetohet ndër të tjera nga shfaqja e një riti të ri varrimi, që ka dalë prej kohësh në dritë gjatë zbulimeve arkeologjike. Janë varret tumulare ose siç quhen ndryshe varret kurgane, të zbuluara kryesisht në pjesën jugperëndimore dhe perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Banorët e rinj të vdekurit i shtrinin në tokë pa hapur gropë dhe pastaj i mbulonin me dhe. Kur pjesëtarët e tjerë të familjes patriarkale vdisnin, trupat e tyre vendoseshin mbi tumulin e paraardhësit të tyre. Kështu veprohej edhe për brezat pasardhës. Me kohë, varreza e një bashkësie ose e një familjeje të madhe patriarkale kthehej në një kodër, latinisht tumulus, rusisht kurgan, shqip tumë.
Në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s., pra në fillim të epokës së Bronzit, pjesa jugore e Gadishullit Ballkanik pësoi një valë të re dyndjesh popullatash indoevropiane. Dëshmi për këtë dyndje është fakti se popullatat e reja nuk përdornin varrezat tumulare, por praktikonin varrosjen e të vdekurit në gropë. Këta qenë popullatat helene, të cilat u shtrinë në viset e banuara më parë nga pellazgët, pastaj kaluan edhe nëpër ishujt e Egjeut, madje edhe në Azinë e Vogël. Nga fundi i epokës së Bronzit në Gadishullin Ballkanik u dukën ilirët, të cilët zunë vend në veri të Helladës dhe në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
Ka kohë që jo pak historianë dhe gjuhëtarë të kohëve moderne banorët e hershëm protoindoevropianë, të cilët u vendosën në viset e sotme të Greqisë, Epirit, Shqipërisë dhe Maqedonisë, i quajnë pellazgë. Në fakt, apelativin pellazgë e kanë përdorur mijëra vjet më parë vetë historianët dhe shkrimtarët e vjetër grekë, pas tyre romakë. Do të shkonte tepër gjatë po të rreshtonim këtu të gjithë ata autorë të vjetër grekë, të cilët i dallojnë në mënyrë rigoroze pellazgët nga helenët dhe nga ilirët. Asnjëri prej tyre nuk ka prurë argumente bindëse që t’i identifikojnë pellazgët me grekët apo me ilirët. Helenët kanë bashkëjetuar me pellazgët, kanë marrë prej tyre elementë të qytetërimit pellazgjik, derisa i asimiluan, ashtu si pellazgët nga ana e tyre asimiluan popullatat e mëparshme mesdhetare. Asimilim do të thotë huazim elementësh kulturorë, por jo identifikim etnik. Dihet se nga përplasja e dy identiteteve njëra prej tyre zhduket.
Pikërisht, këtu qëndron shtrembërimi kryesor i historianit britanik Hammond në veprën e përmendur mbi Epirin. Ai nuk i trajton pellazgët si një kombësi më vete. Sipas tij, pellazgët qenë helenë të mirëfilltë. Në sajë të këtij identifikimi të shpifur ai ka gatuar një konkluzion që nuk e kemi dëgjuar asnjëherë – se helenët nuk kanë shtegtuar në Ballkan në fillim të epokës së Bronzit, as pesë shekuj më parë kur shtegtuan protoindoevropianët e hershëm, por janë pjellë e historisë së truallit grek. Pra, sipas tij, helenët kanë qenë vazhdimisht në truallin ballkanik dhe se epiteti që Homeri u jep pellazgëve si popullatë hyjnore u takon pa mëdyshje helenëve. Këtë hamendësim N. Hammondi e shtrin edhe kur flet për Epirin. Nuk i mohon njoftimet që përmban letërsia klasike mbi praninë e pellazgëve në Epir. Por, nga ky hamendësim Hammondi nxjerr konkluzionin se helenët kanë qenë në Epir që kur shfaqen varret tumulare, pra që kur vërtetohet prania e pellazgëve në trevën epirote.
***
Pavarësisht se ka dijetarë që nuk e pranojnë se pellazgët qenë bartësit e kulturës tumulare – tashmë apelativi pellazgë përdoret në mënyrë konvencionale si emri i protoindoevropianëve të hershëm, të cilët banonin në Gadishullin Ballkanik para grekëve dhe para ilirëve.
Historianët dhe gjeografët e vjetër grekë dhe romakë pohojnë se banorët më të hershëm të Epirit qenë pellazgët. Madje, njëri prej tyre, Plutarku (shekulli II), thotë se pellazgët e hershëm që banonin në Epir quheshin thesalë. Sipas tij, pellazgët në Epir erdhën fill pasi ndodhi përmbytja mitologjike e Noes, e cila sipas Biblës, ka ndodhur në kohët parahistorike (Pyrrhus, 1,1). Plutarku njofton gjithashtu se një nga veprat e pellazgëve të hershëm kur ata erdhën në Epir, ishte ndërtimi i faltores së Dodonës, një nga faltoret më të famshme të kohës antike, gërmadhat e së cilës janë zbuluar 18 km në jug të Janinës.
Themelimin nga pellazgët të faltores së Dodonës në trevën e Epirit e përmend për të parën herë poeti epik grek, Homeri. Ai thotë për të: “O Zeus, mbret dodonas e pellazgjik, që banon larg/ që kujdesesh për Dodonën me dimër të ashpër/ ku për rreth janë selët / aty banojnë fallxhorët që nuk lajnë këmbët e flenë për tokë”. (Iliada, XVI 233 e 234).
Straboni, gjeografi grek i shekullit I, i cili ka njoftime për Epirin më të pasura se çdo autor tjetër antik, shkruan: “Shumë autorë të vjetër edhe fiset epirote i kanë quajtur pellazgjike, sepse ata (pellazgët – K.F.) shtriheshin deri në Epir”. (Libri V. 2,4). Straboni shkruan gjithashtu: “Orakulli i Dodonës, sipas Eforit, është ndërtuar nga pellazgët. Për pellazgët flitet se kanë qenë më të vjetrit nga të gjithë ata popuj që kanë sunduar në Helladë. Hesiodi thotë se Dodona dhe Lisi ishin qendra e pellazgëve”. Straboni shton më në fund se popullsitë që banonin rreth e rrotull Dodonës qenë barbarë, pra jo grekë. Nga Straboni del se Dodona ishte ndërtuar në një truall të banuar nga pellazgët, pra jo nga grekët dhe se më vonë u përfshi në kufijtë e Molosisë, pastaj të Thesprotisë – dy fiset kryesore të Epirit, të cilët sikurse do të shihet më tej, ishin me përkatësi etnike ilire. Këtë e përforcon edhe Skimni (shek. III-II p.e.s.), i cili shkruan: Në Molosi “është edhe Dodona/ faltore e Zeusit, themeluar prej pellazgëve/ Në viset e brendshme banojnë barbarë të përzier/ për të cilët shtojnë se banojnë pranë faltores”. (V, 448).
Herodoti, historiani i parë i Greqisë së vjetër (shekulli V p.e.s.), shkruan se në fillim pellazgët adhuronin perënditë e tyre, por nuk i njihnin me emra. Kur panë se në Egjipt perënditë kishin emra të veçantë, vendosën që edhe ata t’i pagëzonin perënditë e tyre me emra të veçantë. Para se të vendosnin, erdhën në Dodonë dhe pyetën orakullin, i cili u përgjigj se mund t’i quanin perënditë me emra të veçantë. Gjithnjë sipas Herodotit, më vonë helenët i morën nga pellazgët emrat e perëndive.
Nga njoftimet që japin autorët e vjetër grekë dalin këto konkluzione: se asnjë autor antik grek nuk pohon se banorët e Epirit të lashtë qenë grekë; se pellazgët dhe grekët qenë dy kombësi të ndryshme; se qendra kryesore shpirtërore e pellazgëve, faltorja e Dodonës, ndodhej në zemrën e trevës epirote; se praktikën e pagëzimit të perëndive me emra të veçantë grekët e morën nga pellazgët. Shkurt, pellazgët banonin në Epir para se të shfaqeshin në Ballkan helenët dhe ilirët.
Megjithëse historikisht nuk vërtetohet prania e helenëve në Epir, historianët grekë janë gozhduar prej kohësh pas pikëpamjes se grekët kanë banuar në këto vise që në agimin e historisë.
Ndër historianët grekë të Paraluftës zgjodhëm K. Gjerojanin, mbasi trajtesa e tij përfaqëson në mënyrë koncize, më mirë se të tjerat, vizionin që kishte historiografia greke mbi Epirin antik në periudhën midis dy luftave botërore. Ai ngul këmbë se faltorja e Dodonës është gjithsesi greke, mbasi grekët qenë pasardhësit e pellazgëve. Si rrjedhim, praninë e pellazgëve ai e identifikon pa të drejtë me praninë e grekëve në Epir. Siç dihet, identifikimi i pellazgëve me helenët ka qenë një tezë romantike e historianëve grekë të kohëve të reja, tezë të cilën sipas mendimit të përgjithshëm, koha e ka marrë me vete.
Edhe dëshmia e dytë e tij se autorët antikë pohojnë se banorët e rrethinave të Dodonës i përkisnin fisit “Hylloi”, është ndërtuar mbi një premisë të pasaktë. Orvatja e K. Gjerojanit për ta lidhur emrin “Hylloi” me emrin “helenë”, është e nxituar. Sipas dijetarëve të linguistikës historike, kjo lidhje është artificiale. Përkundrazi, ata shohin te emri “Hylloi” – ¾ëëïé te Skilaksi (220); Hyllis te Plini Sekundi (3, 22); Õëëßò te Eustathi (384), – një apelativ ilir që ka në rrënjë fjalën “yll”, i cili nga ana e vet ka lidhje gjithashtu me fjalën shqipe “hyjni” (perëndi). Shkurt, pohimi i tij se “epirotët kanë qenë gjithmonë dhe nuk pushuan asnjëherë së qeni grekë (Îëëçíåò)”, është një deklaratë retorike e cila, nuk ka mbështetje as logjike, as dokumentare. (M.E.E. vol. XII, f. 326).
Në lidhje me përkatësinë etnike të banorëve të Epirit në mijëvjeçarin II p.e.s, ne prisnim që Hammondi të sillte argumente pak a shumë të besueshme në vend të deklaratave retorike të Gjerojanit. Por, për fat të keq, edhe ai shkel në truallin e hamendësimeve. Sipas Hammondit, e folmja e popullatave të varrezave tumulare apo të kulturës kurgane, pra e folmja e popullatave protoindoevropiane që mbuluan Epirin në fund të mijëvjeçarit III p.e.s. ose në fillim të mijëvjeçarit II p.e.s. mund të ishte sa ilirishtja, aq edhe greqishtja. Nuk ka dyshim, shton ai, se në veriun e largët krerët kurganë flisnin një formë të hershme të ilirishtes, kurse në Epir, thekson ai, gjuha e tyre ishte “ndoshta” greqishtja (pra një etnikon me dy gjuhë!). Megjithatë, më poshtë Hammondi e thotë prerazi se krerët kurganë ishin greqishtfolës. Si dëshmi ai sjell varrezat tumulare që janë zbuluar në Helladikun e Mesëm (1900-1600 vjet p.e.s.), në disa vise të Greqisë së sotme qendrore dhe në disa pika të ndryshme të Peloponezit. Por, siç e pohon edhe vetë historiani britanik, varrezat tumulare u përkasin krerëve kurganë dhe jo shtresave të gjera të popullsisë. Ai shkruan: “Ishin krerët kurganë të Shqipërisë dhe Leukasit, të cilët sollën varrimin tumular në Greqinë jugore dhe themeluan aty shumë prej qendrave mikene, të cilat siç mësojmë nga deshifrimi i Shkrimit Linear B përdorën greqishten si gjuha e klasës sunduese”. (It was the Kurgan leaders of Albania and Leukas who brought tumulus-burial to southern Greece and founded many of the Mycenaeau centrues which, as we know from the decipherment of the Linear B. Script, used Greek as the language of the rulin class). (Epirus, f. 36).
Sipas tij, dëshmi se popullata greqishtfolëse shfaqen në Epir 2100 vjet p.e.s. janë sëpatat për luftë prej guri me vrimë, të cilat janë zbuluar edhe në stacionin e Maliqit pranë Korçës. Pra, nga një sëpatë me vrimë zbuluar në Maliq del, sipas tij, se në pellgun e Korçës në fund të mijëvjeçarit III p.e.s. popullatat ishin greqishtfolëse (!). Ne gjithashtu, e kemi të vështirë ta besojmë bindjen që ka Hammondi se tërësia e objekteve miniane, të cilat shfaqen në Epir në fund të Helladikut të hershëm, janë prodhuar nga fiset e para greqishtfolëse, të cilat u vendosën në Epir, gjithnjë sipas tij, siç e tregojnë dëshmitë arkeologjike, paqësisht. Më tej N. Hammond thotë pa na sjellë asnjë argument bindës se krerët e varrezave tumulare e përhapën helenizmin nga Maqedonia në Epirin e Jugut, pastaj nga Epiri i Jugut në Epirin e Veriut, ku dihet se mbisundojnë stërkat malore. Ai nxjerr konkluzionin krejtësisht hipotetik se qysh në Helladikun e Mesëm gjuha greqishte u shtri në një trevë, në Epir, prej së cilës ajo nuk do të nxirrej më kurrë (Many of them may have joined in the southwards movement which was to establish what we call Mycenaean civilization and to introduce the Greek language into an area from ëhich it was never to be ousted). (Epirus, f. 36).
Nuk kuptohet se si popullatat kurgane qenkan përhapur nga jugu në veri, kur dihet se tipari kryesor i shtegtimeve të popullsive gjatë Parahistorisë, Protohistorisë dhe Antikitetit ka qenë të paktën përsa i përket Gadishullit Ballkanik nga veriu drejt jugut, pra drejt Egjeut. Kjo për arsye se Egjeu ka shërbyer si pol magnetik për hir të ujërave të tij të ngrohta, por ca më tepër për epërsinë e tij kulturore. Që këtu fillon, mendon Hammondi, historia e pandërprerë 4000-vjeçare e helenizmit në provincën e Epirit. Sikurse shihet, ky është një supozim i cili ka në themelin e vet jo argumentin shkencor, por një prapavijë.
(Vijon)

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button