Maqedonas ne Tirane,Ivanov: Probleme me censusin në Shqipëri

Në të parën intervistë të dhënë për një media në Shqipëri, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ndan ekskluzivisht me lexuesit e “Gazeta Shqiptare” qëndrimet e tij për një sërë çështjesh të marrëdhënieve dypalëshe. 

Z.President, paraardhësi juaj, Kiro Gligorov ka ndjekur të ashtuquajturën politikën e ekuidistancës në raport me fqinjët. Ju a jeni duke ndjekur të njëjtën politikë? Në atë kohë, nuk njiheshim ndërkombëtarisht, të paktën jo nga komuniteti europian, kishim probleme me disa prej fqinjëve dhe madje edhe pretendime sovraniteti, ishim të bllokuar ekonomikisht dhe politika e ekuidistancës kishte kuptim. Por, gjërat kanë ndryshuar. Tani njihemi ndërkombëtarisht, jemi një entitet i barabartë dhe i vlerësuar në arenën ndërkombëtare, të angazhuar për integrimet euro-atlantike dhe të hapur për bashkëpunim me vendet e tjera. Marrëdhëniet në rajon janë më të qeta tani dhe ne bëjmë të gjitha përpjekjet tona që paqja, stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik të dominojë në rajon. Ndaj sot, nuk ka kuptim të flitet për distancë me fqinjët, përkundrazi Maqedonia po punon për të tërhequr fqinjët përmes mundësive të hapura për bashkëpunim të ndërsjelltë. 

10 vjetori i “Marrëveshjes së Ohrit” duket se i ka gjetur të pakënaqura të dyja palët, pra si shqiptarët ashtu edhe maqedonasit. Sipas jush ku çalon problemi? Defekt është mozbatimi si duhet i “Marrëveshjes së Ohrit” apo mendoni se ka ardhur koha për një marrëveshje të re? Së fundmi ne kujtuam 10 vjetorin e “Marrëveshjes së Ohrit” dhe unë si kryetar i shtetit, kisha në patronazh këtë festim. Në shumë diskutime dhe tryeza të rrumbullakëta kemi dhënë vlerësimin pozitiv të kuptimit dhe arritjeve të rrjedhin nga marrëveshja. Ndoshta ka individë të pakënaqur apo qarqe të tilla pasi kjo kërkon kohën e vet. Por, parimet e marrëveshjes janë “përkthyer” në Kushtetutë, ligje dhe praktika dhe sot kjo është realitet në Maqedoni. Ky pakt tregon se mund të sigurojë pjesëmarrjen e qytetarëve nga të gjitha komunitetet etnike në vendimmarrje në nivel shtetëror pra lejon gjithkënd që të ndihet si pjesëmarrës në procesin politik e të mos ndihet si i lënë jashtë. Prandaj është veçanërisht e rëndësishme që ky process të mos e humbasë efektivitetin në Maqedoni dhe vendi të jetë në gjendje që të kryejë reforma serioze që janë të rëndësishme për përmirësimin e vazhdueshëm si shtet dhe si shoqëri, zhvillimin ekonomik, dhe sigurinë ligjore pra të jemi lider në rajon. Ne besojmë se ky model ofron parime tashmë të testuara që mund të zbatohen në vendet fqinje, ku ka popullatë heterogjene, e tillë është situata në vendet e Ballkanit ku ka nevojë për ndihmë për të përmirësuar mënyrën sesi merren vendimet në shoqëri. 

Cili është roli që luajnë sipas jush shqiptarët në Maqedoni për integrimin e shtetit në strukturat euro-atlantike? Shqiptarët në Maqedoni kanë kontribut domethënës dhe proporcional në progresin e vendit dhe anëtarësimin në NATO dhe BE, ashtu si edhe në biznes, ekonomi, kulturë, arsim dhe kujdes shëndetësor. Ata kanë vende të rëndësishme në parlament, qeveri, ministri, administratë publike, diplomaci, polici dhe ushtri. Mund të them se zonja Arifi, si zëvendëskryeministre e qeverisë e drejton dhe me shumë rigorozitet sektorin e çështjeve europiane dhe ministri Besimi drejton sektorin e mbrojtjes, dy sektorë shumë të rëndësishëm sa u përket proceseve integruese në NATO dhe BE. Shumë politikanë shqiptarë, deputetë, ministra, liderë partish dhe njerëz të thjeshtë, shqiptarë që shërbejnë si ushtarë apo paqeruajtës në misione në botë kontribuojnë përditë për reformat në Maqedoni, si dhe për integrimin në NATO dhe BE. 

Në datën 1 tetor në Maqedoni ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë. Paraprakisht ky census është rrethuar nga një debat politik me prapavijë etnike. Çfarë garancish jepni ju si kryetar shteti që shqiptarët në Maqedoni nuk do të penalizohen nga ky proces? Censusi u përgatit sipas ligjit dhe rregullave që janë në përputhje me standardet e BE. Ne kemi përvoja me regjistrimet e popullsisë dhe unë kam besim se procesi do të kryhet në mënyrën e duhur duke u dhënë mundësi qytetarëve të bëjnë lirisht zgjedhjen e tyre për etninë. Në fakt, autoritetet e censusit, format etj janë përpiluar në një mënyrë që përjashton parregullsitë. Maqedonia, që prej përcaktimit të saj si shtet i pavarur dhe i lirë, mbështet formimin e partive dhe asosacioneve të të gjitha komuniteteve etnike, mbështet median në gjuhën e komuniteteve etnike dhe ndaj rreziku që të mos ketë informim për censusin apo rreziqet që njerëzit të frikësohen janë inekzistente. Censusi në Maqedoni do të jetë i hapur për monitorim ndërkombëtar dhe të gjitha vërejtjet do të adresohen. Unë uroj që kjo liri për vetëvendosjen, format, procedurat, instruktorët dhe trajnimet për censusin të ekzistojnë edhe në vendet e tjera të rajonit në mënyrë që edhe maqedonasit që jetojnë aty të gëzojnë këto mundësi. Është mirë që censuset të kryhen në të njëjtën kohë në disa shtete pasi ne mësojmë nga përvojat. Unë shpresoj që në fund të procesit të gjitha censuset të jenë të kryera në përputhje me standardet dhe rregullat europiane. Jam i vetëdijshëm se vërejtjet e maqedonasve në Shqipëri lidhur me mundësinë për të shprehur lirisht etninë në census janë vërejtje që i kanë edhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera që jetojnë në vend. Ia kam komunikuar këtë çështje kolegut tim, Presidentit Bamir Topi dhe shpresoj që Shqipëria të jetë e aftë të gjejë një model që censusi të kryhet plotësisht dhe pa mohime. 

Ka afro dy dekada që flitet për “Korridorin 8”. Rreth 16 vjet më parë është nënshkruar një marrëveshje mes katër shteteve, në praninë edhe të Presidentit të SHBA, Bill Klinton. Cili nga 4 shtetet mendoni se po bëhet pengesë për implementimin e saj? Të katër vendet janë përgjegjëse për pjesën e tyre të projekit Korridori 8; të gjitha kanë termat e referencës, por nuk ka afate kohore specifike dhe fonde. Vendet kanë priorite të ndryshme dhe jo gjithnjë Korridori 8 është në listën e prioriteve. Maqedonia shpalli koncesionet për ndërtimin e rrugëve që janë pjesë e projektit, unaza e Shkupit ka përfunduar dhe jemi në procesin e gjetjes së partnerëve të interesuar për lidhjet më të rëndëisshme me Bullgarinë dhe Shqipërinë. Për fat të keq, nuk kemi siguruar dot fonde të mjaftueshme europiane. Gjithsesi, në samitin e fundit rajonal të Ohrit, ku morën pjesë me ftesën time homologët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, ne vendosëm të angazhohemi për ta bërë prioritet Korridorin 8 dhe për të bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për fazën operacionel të projektit. Ky fakt ka lidhje edhe me projekte të tjera rajonale si ato mjedisore, infrastruktore, energjitike e të tjera. 

Z.President, cili është niveli i marrëdhënieve dypalëshe, mes Republikës së Maqedonisë dhe Shqipërisë? Vlerësimi im është se niveli i marrëdhënieve dypalëshe është shumë i lartë. Së fundmi, shumë marrëveshje dypalëshe janë nënshkruar gjë që mundëson bashkëpunimin aktiv, shkëmbimet tregtare dhe lidhjet mes komuniteteve të biznesit. Bashkëpunimi kulturor dhe arsimor gjithashtu është forcuar si dhe bashkëpunimi në fushën e kujdesit shëndetësor, mbrojtjes së mjedisit dhe turizmit. Unë besoj se kur rrugët e trafikut të ndërtohen mes vendeve, bashkëpunimi dhe shkëmbimet tona do të dyfishohen. Nuk ka çështje dypalëshe të hapura, orientimi euro-atlantik i vendeve tona po na drejton drejt synimeve të përbashkëta. Ekzistenca e komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe e komunitetit maqedonas në Shqipëri është gjithashtu një urë miqësie që unë mendoj se nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm. 

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me homologun shqiptar, Bamir Topi? Në këtë vit unë kam pasur disa takime me Presidentin Topi (në Ohër në korrik dhe në Beograd në shtator). Kemi marrëdhënie shumë të mira, marrëdhënie të miqësisë dhe besimit personal. Unë mendoj se të dy mund të japim kontribut themelor personal për forcimin e marrëdhënive mes popujve dhe vendeve tona. Në fakt, ne e bejmë këtë tashmë. 

Me çfarë problemesh përballet sipas jush minoriteti maqedonas në Shqipëri? Dhe si do ta vlerësonit angazhimin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemeve të tyre? Problemi më i madh i komunitetit tonë në Shqipëri është se deri tani nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë veten për shkak të problemeve me regjistrimin e popullsisë. Veç Prespës së Madhe, shumë maqedonas jetojnë në Gollobordë, në fshatrat Goranë, Tiranë, Korçë, Elbasan dhe qytete të tjera. Ata përballen me probleme si arsimi në gjuhën mëmë, përfshirja në media, punësimi, përfaqësimi në politikë e të tjera. Presidenti Topi personalisht bëri thirrje për përcaktim të lirë etnik në census dhe unë shpresoj që kjo të respektohet edhe pse jam informuar që ka disa vështirësi aktualisht lidhur me këtë. Unë uroj që komuniteti maqedonas në Shqipëri, si komunitet, të bëhet një faktor më domethënës në zhvillimet social-ekonomike, demokratike, kulturore dhe avancimin e Shqipërisë. Qeveria mund të bëjë shumë në këtë drejtim veçanërisht në sektorin ekonomik, arsimor dhe kulturor.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close