Godo: Berisha të heqë dorë nga regjistrimi i nxitur nga Greqia, Shqipëria të mbrojë çamët

Politikani Sabri Godo i quan “të gabuara” dhe në kundërshtim me Kushtetutën kërkesat për vetëdeklarim fetar dhe etnik në pyetësorin e regjistrimit të popullatës në Shqipëri. Zoti Godo thotë se Greqia ka nxitur regjistrimin për të rritur numrin e homogjenëve në Shqipëri dhe kërkon që shteti shqiptar ta ndalë për shkak të çrregullimeve që ka sjellë në jug të vendit. Sipas zotit Godo, qëndrimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare që drejtohet nga kryepeshkopi grek Anastas Janullatos “është një lojë e përbindshme, fillimi i tyre i hershëm që të krishterët shqiptarë të quhen grekë”. Me zotin Godo bisedoi për gazetën shqiptaro-amerikane në Nju Jork, gazetari Denion Ndrenika.
Zoti Godo, kemi një problem në Shqipëri, çështjen e regjistrimit të popullatës me të quajturin “vetëdeklarim fetar dhe etnik” apo me të komentuarin “ligji për censusin”. A besoni se kjo është nismë e mirë e Shqipërisë?
Këto janë të dyja të gabuara, si pyetja për përkatësinë fetare ashtu edhe për përkatësinë kombëtare. Përsa i takon besimit fetar, ajo është përcaktuar qartë në Kushtetutë: Është një e drejtë individuale e paprekshme. Askush nuk ka të drejtë të pyesë qytetarin mbi besimin e tij fetar! Kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës. Dhe, (Sali) Berisha (kryeministri) duhet të heqë dorë nga kjo kërkesë. Përsa i takon regjistrimit kombëtar: Janë dokumentat në gjendjen civile dhe nuk ka pse shtrohet kjo pyetja fare. Dhe, nëqoftëse bëhet tani, bëhet e nxitur nga disa qarqe të caktuara që në të vërtetë duan të falsifikojnë shifrat e homogjenëve grekë në Shqipëri.
Çfarë besoni se duhet bërë që të dilet nga kjo rrugë?
Unë besoj se ishte një akt proteset i fuqishëm letra e hapur që bënë më 1 mars 52 intelektualë nga më të shquarit në Shqipëri, të cilët i kundërshtonin hapur këto dy gjëra, duke i konsideruar jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme. Sepse, në një farë mënyrë nxisin heshtur një lloj gare midis feve, të cilat në Shqipëri jetojnë në harmoni të plotë.
Zotëri, në këto kushte, kur ju përmendët mundësinë e shtimit të numrit të shtetasve që pretendojnë se janë me orgjinë tjetër (jo shqiptare), përderisa ne kemi (sikurse ju thatë) një regjistër të qartë kombëtar prej shumë vjetësh, pse u ndërmor ky hap me nxitjen ndoshta të ndonjë vendi fqinj të Shqipërisë?
Është tamam me nxitje të huaj dhe qarqet greke kanë kohë që punojnë për t’u ndryshuar kombësinë shtetasve shqiptarë në zonat kufitare në Korçë, Gjirokastër e gjetkë, duke u paguar pleqve të vjetër pensione në këmbim të ndërrimit të kombësisë. Kjo është tamam një politikë regresive, është politikë që vjen nga kohëra të kaluara.
Ju mendoni se me pagesa të pensioneve apo me përfitime të tjera financiare gjatë këtyre 20 vjetëve problematikë për historinë e Shqipërisë, do të mund të kemi ndryshim të identitetit të shtetasve?
Kanë arritur të bëjnë ndryshime dhe kjo duhet të ndalet. Duhet të vërë dorë shteti shqiptar, i cili nuk po e bën këtë.
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo që është ngarkuar për çështjen e regjistrimit, kur ka qenë ministër Arsimi, mendohet se ka dhënë leje për ndërtimin e një kolegji (“Arsaqio”) në Tiranë (Arsaqio është ndër hartuesit e “Megallo Idhesë” për Greqinë e Madhe, ndërsa kolegji mban emrin e tij. shën.,i gazetarit). A besoni se kjo është një gjë e duhur dhe se dyshimet që i mvishen zotit Pollo mund të jenë shtuar pas kësaj nisme?
Nuk di se çka bërë Genc Pollua, por ai ka qenë ngarkuar nga qeveria me defterin e regjistrimit, me pyetësorin. Dhe, ai e ka nisur gabim që në fillim këtë punë. Ajo që e bën serioze është se pastaj pati edhe mbështetjen e Berishës në këtë çështje.
Kur themi “vende fqinje”, zoti Godo, ne padyshim që mendojmë Greqinë, pasi ajo ka qenë shumë e interesuar për të rritur numrin e popullatës së saj të pretenduar me “prejardhje” apo “etnike” në Shqipëri. Çfarë mase apo kundramase duhet të marrë qeveria e Shqipërisë, Shqipëria në tërësi, shoqëria në Shqipëri që t’i thotë “Ndal!” veprimeve të Greqisë dhe të grekërve?
Qeveria greke nuk i ka fshehur qëllimet e veta, sepse shpeshherë funksionarë, zyrtarë të lartë grekë kanë bërë thirrje për të bërë regjistrimin dhe kanë përshëndetur qeverinë shqiptare që të ecë në këtë rrugë. Domethënë, që ndërhyrja e tyre është fare e qartë. Mund të ketë pasur ndonjë gjë të vogël nga ana e bullgarëve apo e maqedonasve, por këto kanë qenë pa pasoja. Ndërsa, në të vërtetë ajo që ka sjellë çekulibër do të thoja edhe çrregullime në regjistrimin e drejtë të popullsisë, kanë qenë ndërhyrjet greke në jug.
Shqipëria megjithatë nuk po tregohet shumë aktive për t’iu përgjigjur Greqisë me çështjen e krahinës së saj jugore Çamëri. Shumë çamë jo vetëm që janë përfshirë nga asimilimi shumëvjeçar, mirëpo edhe sot ata që dinë shqipen, nuk guxojnë ta flasin. A është kjo një mënyrë që Shqipëria të kërkojë kundërreagim?
Shqipëria ka qenë gjithnjë pasive gjatë këtyre 20 vjetëve dhe nuk u ka dhënë çamëve përkrahjen e duhur. Tani ata kanë filluar vetë një lëvizje energjike dhe po e çojnë disi përpara punën e tyre. Por, është krejt i pakuptimtë qëndrimi dhe heshtja e qeverisë shqiptare ndaj të drejtave që duhet të sigurohen për bashkëkombësit e saj çamë.
Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut (mbron interesat greke.shën.i gazetarit) megjithëse mund të quhet e interesuar për regjistrimin, vazhdon ta kundërshtojë dhe disa pika të saj, siç pretendon, thonë që (ky regjistrim) përbën shkelje të të drejtave të njeriut. Cila duhet të jetë përgjigja ndaj kësaj force politike?
Ajo ka të drejtë të protestojë dhe protestat e saj duhet të merren parasysh.
Një lidhje me regjistrimin është edhe rasti i Kosovës. Edhe atje u krye regjistrimi, por nuk pati probleme të thella përjashto 4-5 për qind të serbëve që mendojnë se janë etnikë. Përderisa serbët në Kosovë gëzojnë të gjitha të drejtat, përse shqiptarët në Greqi të mos e kenë këtë?
Po, unë them se në Kosovë punët ecën më mirë dhe janë më të qarta falë edhe qëndirmit të qeverisë kosovare.
Lidhur me qëndrimin e opozitës mbi të gjithë këtë proces. A besoni se ajo është treguar aktive që ta ndalë qeverinë në nismën e saj?
Aspak dhe kjo është e habitshme! Sepse,e ishte rasti i opozitës të atakonte qeverinë, por duket se edhe ajo i është nënshtruar në heshtje presionit që i ëshhtë bërë nga ana e grekërve në tërë këtë çështje.
Më lejoni ta mbyll me Kishën Autoqefale Shqiptare, që mund të jetë e përfshirë në këtë nismë, meqënëse edhe numri i ortodoksëve shqiptarë shpesh nga shteti grek, llogaritet si numër grekësh. A duhet që Kisha Autoqefale Shqiptare të kthehet në origjinën e saj?
Po patjetër! E gjitha kjo është një lojë e përbindshme, fillimi i tyre i hershëm që të krishterët shqiptarë të quhen grekë. Ndërsa, në të vërtetë kanë qenë të krishterët shqiptarë ata kapedanët e mëdhenj të rilindjes që kanë luftuar që herët për pavarësinë e këtij vendi.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button