Brokaj: Janullatos të largohet, të kthehet ortodoksia e Fan Nolit

Ish-deputet i Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në katër mandate, Sabit Brokaj analizon procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur të kryhet në Shqipëri. Në bashkëbisedimin e tij Brokaj flet edhe për situatën politike në Shqipëri në prag të publikimit të raportit të progresit më 12 tetor ndërsa jep opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si e vetmja mundësi për t’i dhënë fund agonisë ku ndodhet vendi. Në të kundërtën thotë ai është si të zgjasësh agoninë e një të sëmuri që mbahet me oksigjen të intubuar dhe aktivitetin e zemrës e mban me impulse elektrikë të jashtëm. Me zotin Brokaj bashkëbisedoi gazetari Denion Ndrenika.
Zoti Brokaj, Shqipëria përgatitet të fillojë më 1 tetor regjistrimin me elementë të dyshuar se mund të krijojnë probleme, siç është vetëdeklarimi fetar dhe etnik. Çfarë duhej bërë që kjo të mos ndodhte?
Zgjidhja ishte shumë e thjeshtë. Ne, kërkohet që të integrohemi dhe Bashkimi Europian i ka të fiksuara kërkesat. Mjafton që ne t’i përgjigeshim kërkesave të Bashkimit Europian, ku pikërisht këta dy elementë që janë delikatë për këtë periudhë kohe për Shqipërinë, deklarimi i fesë dhe i kombësisë, sjellin probleme dhe nuk do të kishte asnjë turbullirë, asnjë shqetësim, të cilët lindën pasi qeveria i fiksoi këto dy kërkesa nën presionin e qeverisë greke. Fakti që këto dy kërkesa bëhen nga qeveria greke, së pari tregon që presioni dhe kërkesat e Greqisë që deri tani janë interpretuar si presione nga lobe nacionaliste agresive greke me bërthamën si të thuash Kishën greke, nuk janë thjesht këto lobe, por është një politikë zyrtare e Athinës, e cila ka realizuar veçanërisht prej vitit 2005 deri tani të gjitha kërkesat e Megallo Idhesë ndaj Shqipërisë. Pra, t’i rikthehem pyetjes që më bëtë ju. Nuk do të kishte asnjë problem nëse do të realizohej regjistrimi në përputhje me kartën, censusin që aplikon Bashkimi Europian. Ndërlikimi erdhi, sepse qeveria shqiptare, si dendur këto 5-6 vjetët e fundit veçanërisht, i bindet, i nënshtrohet plotësisht dhe në kundërshtim me interesat kombëtare presionit të shtetit grek. Vemdimi i Gjykatës Kushtetuese, vërtetë është gjykuar si historik, sepse në këtë moment, që dëmtohen rëndë interesat kombëtare, ku në themel të tyre ka një përqindje të rëndësishme shkombëtarizimi me arsyet, shkaqet që janë thënë dendur nga media. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e parandalon këtë dëmtim të rëndë të interesave kombëtare.
Regjistrimi është kundërshtuar edhe nga organizata e të quajturit “minoritet etnik” grek në Shqipëri dhe nga Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut që mbron interesat e këtij komuniteti. Cili është problemi që ne duhet të shmangim përkundrejt këtyre dy organizmave me karakter politik. Pra, jo thjesht në këndvështrimin e njerëzve që për interesa financiare mund të deklarohen joshqiptarë, por që këto dy organizma të mos ndërhyjnë “dhunshëm” në jetën e Shqipërisë?
Së pari, këto dy struktura, e vërteta është që veçanërisht OMONIA dhe PBDNJ, kanë vepruar si struktura politike në shërbim të çdo kërkese të qeverisë së Athinës me përmbajtje antishqiptare, realisht. Nëqoftëse do të merrnim në vijim të gjithë debatet, diskutimet, kundërshtitë që ka patur për varrezat sidomos në Këlcyrë, skandalin e madh të eshtrave, skandalin e madh të Bobshticës ku u shkatërruan varret e shqiptarëve për të ngritur një lapidar grek ku nuk ka patur fare ushtarë grekë të vrarë në atë vend. Debati për kërkesat për shkollë greke në Korçë, në Himarë etj., pozicioni i PBDNJ-së ka qenë qartësisht, qartësisht, si një vegël, si një kobure në dorë të Athinës në dëm të interesave të shqiptarëve. Ky është fakt! Le të thonë si të duan! Por, kur kjo parti, në të gjithë deklarimet politike dhe publike, ka arritur deri absurdin e Këlcyrës, domethënë ku merreshin eshtra fëmijësh e grash e bëheshin ushtarë grekë, apo i i Boboshticës e të tjera, nuk mbajti asnjë qëndrim, qoftë edhe human, tregon rolin e kësaj partie apo organizatës OMONIA.
E paraqita këtë të vërtetë të madhe, për të treguar që qëndrimi i politikës shqiptare tërësisht, e të lidhur me qëndrimet e këtyre organizmave apo partiake, apo shoqëroro-etnike, ka qenë tejet tolerantë dhe në dëm të interesave tona. Në rastin konkret, ka një përgjigje fare të thjeshtë dhe që sapo e thashë në përgjigjen e pyetjes së parë. Këtyre zotërnjve, të cilët janë zëdhënës të Megallo Idhesë për këto probleme, t’u thuhet qartë se ne do të integrohemi pikërisht me ato kërkesa që ka qeveria greke për shtetin grek, ku nuk shënon as etni, as minoritete, as fe dhe që është karta e Bashkimit Europian dhe nuk ka përse të kërkojnë regjistrime në Shqipëri që nuk i bën as Greqia në shtetin e vet. Mjafton kaq që t’u mbyllësh gojën!
Por, unë gjykoj, që fakti që qeveria shqiptare e fut Shqipërinë në një problem të tillë mjaft delikat dhe në pozitë të vështirë është thjesht problemi i qeverisë, por jo i shqiptarëve”.
Ju përmendët Kishën Ortodokse në Greqi si dhe ka qenë në të vërtetë e njehsuar me politikat e shtetit grek. Po Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare duket se është cenuar nga këto ndjesi të Kishës greke. A mund të kishte një zgjidhje të problemit, Hirësinë e Tij Janullatos, siç ishte rasti i një viktime në një aksident vitin e kaluar të një himarjoti? Pra, që të mos jo thjesht politizohet, por të mos kalojë në kanalet e rrymave nacionaliste, përfshi regjistrimin ku mund të kemi për shembull, ndërrimin nga myslimanë në ortodoksë?
Zgjidhja për mua përsëri nuk është e vështirë. Kisha shqiptare duhet të kthehet në statusin e vet, në statusin kur e ka themeluar Fan Noli dhe pikërisht elita e ortodoksisë patriotike shqiptare, ku mjaft prej tyre janë rilindasit e këtij vendi. Të kthehet pikërisht aty! Gjykoj që (e kam thënë edhe më parë, e kam thënë edhe në parlament), tashmë Janullatosi nuk ka vend në Shqipëri. Të falenderohet për ndihmën që ka dhënë. Po! Peshkopët, nja 3-4 peshkopë gjithashtu, që janë vendosur në Korçë, Berat, Gjirokastër, gjykoj që nuk kanë më vend në Shqipëri. Më saktë, Shqipëria ka një histori të hidhur me praninë e ortodoksisë greke në Shqipëri. Ajo duhet të vendosë ashtu sikurse është vendosur në statusin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse Shqiptare nuk është aktualisht Autoqefale.
Zotëri, të mbetemi pak te regjistrimi, në syrin e krijimit të barazisë mes komuniteteve, rastin tonë për çamët etnikë dhe minoritetit të ardhur grek, të komentuar si etnik në zonën e jugut të Shqipërisë. Unë isha në Çamëri në muajin shkurt, që nga Arta deri në Paramithi. Atje pashë thuajse “zero” investime, përfshi rrugët kryesore që lidhnin Artën me Prevezën apo Gumenicën me Janinën. Çfarë duhet të bëjë qeveria, Shqipëria, që t’i kërkojë Greqisë jo thjesht investime ekonomike, por nivel më të lartë të shkollimit të shqiptarëve në Çamëri, që është sot në Greqi, për çamët e dëbuar në vitet 1944-1949 dhe mbi të gjitha për kthimin e nënshtetësisë greke të hequr nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1953-1954 për të gjithë të dëbuarit nga Greqia. Kjo mund t’i hapë rrugë kthimit të çamëve dhe përfitimit të drejtave.
Ky është një problem ekzistues, është një problem kardinal. Fakti që gjendja në vitin 2011 është në këto nivele tregon se shteti grek nuk bën atë politikë që e kërkon ndaj shqiptarëve, ndaj qeverisë shqiptare për minoritetin grek në Shqipëri. Dihet fare mirë që megjithëse është anëtar i BE-së etj., etj., dhe niihet si vend demokratik, nuk njeh minoritetin, nuk njeh as minoritete të shteteve të mëdhenj siç është Turqia. Ndërsa për Shqipërinë, dihet shumë mirë, është shkruar edhe nga vetë grekët, më shumë nga autorë të huaj, që ajo ka ndjekur që nga fillimi, që nga Revolucioni Grek e këtej, ku shumica e udhëheqësve kanë qenë shqiptarë, asgjësimin kombëtar të shqiptarëve dhe vijimin në Luftën e Dytë Botërore ka patur këtë vektor të politikës greke, eliminimin e faktorit shqiptar në Greqi, në rastin e fundit të çamëve. Kjo është një politikë konseguente e tyre dhe për këtë mban edhe ligjin e Luftës në fuqi me Shqipërinë.  Ç’duhet të bëjë, shtroni ju pyetjen, qeveria shqiptare? Qeveria shqiptare duhet të kërkojë nga Greqia nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, nga Brukseli, Strasburgu, OKB e të tjera, që shqiptarët në Greqi të trajtohen siç trajtohen të gjithë qytetarët në vendet e tjera demokratike. T’u njihet e drejta e etnisë, t’u njihet shkollimi, t’u njihet pasuria dhe domosdo, rikthimi i mundshëm i çamëve si shtetas grekë.
Meqënëse jemi te çështja e kombësisë apo nënshtetësisë. Ligji në Shqipëri e kushtëzon marrjen e shtetësisë me qëndrimin në Shqipëri të 3-5 vjet të shtetasve që bëjnë kërkesën. Këtu bëjnë ndonjëherë përjashtim lojtarët për Kombëtaren e futbollit apo shërbime të tjera. A është po aq e rëndësishme që të hiqet ky ligj dhe shqiptarët kudo që jetojnë të kenë një shtetësi?
Unë mendoj që kjo punë mund të bëhet fare mirë. Në këtë pikë shteti shqiptar mund të zgjerojë spektrin fare mirë të marrjes së nënshtetësisë shqiptare.
Diçka lidhur me gjendjen në Kosovë, kthimin e autoritetit të shtetit të Kosovës në veri të vendit, shqiptarët në Malin e Zi, në Luginën e Preshveës dhe në shtetin maqedonas. Nuk më duket se ka ndonjë barazi të shqiptarëve, sidomos në Mal të Zi në Preshevë, me atë që kanë serbët dhe që kërkojnë serbët në Kosovë. Besoni se qëndrimi i Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë i qartë dhe i prerë për të kërkuar dhe garantuar të drejta të barabarta?
Do të thoja që pozicioni i shqiptarëve në të gjithë hapësirat jashtë shqiptare, Preshevë, Malin e Zi, shtetin maqedonas, janë qytetarë të të dorës së dytë, realisht. Ndërsa, në kontrast me këtë shtetasit e Kosovës me etni serbe, serbët e Kosovës, kanë një disksrminim pozitiv, në të kundërt, ndërsa shqiptyarët në të gjithë rajonin, jashtë shtetit shqiptar dhe Kosovës, kanë diskriminim negativ, serbët kanë më shumë të drejta se vetë shqiptarët në Kosovë dhe se etnitë e tjera, turq, ashkalinj etj. Kini parasysh se ata automatikisht marrin më shumë vende në parlament mbi popullatën, marrin vende ministrash mbi përfaqësinë konkrete të popullatës apo të votës. Ky diskriminim pozitiv i një popullate që jo thjesht në lidhje me shtetin serb atëherë, por realisht edhe në vijim kanë mbajtur qëndrime që trondisin jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin, kjo nuk është thjesht një dobësi e qeverisë së Kosovës (që edhe si e tillë është), por është një politikë e mjegullt ndërkombëtare ndaj Kosovës. Një shembull: rumunët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Por, për shumë muaj e vite trupat rumune qëndronin në Mitrovicë, ishte një lloj sikur të qëndronte një ushtri serbe si pjesë e NATO-s apo struktura të OKB-së e tjera. Që këtu është një politikë jokonseguente, jo e qartë, si një thikë me dy presa që bëhet ndaj sovranitetit të Kosovës nga ndërkombëtarët. Të lësh problemin e veriut të Kosovës prej gati 10 vjetësh pas lufte dhe të merresh me Fatmir Limajn, Ramush Haradinajn dhe luftëtarë të shquar të lirisë së Kosovës, është e qartë që edhe këto struktura ndërkombëtare, pse jo edhe politika ndërkombëtare ende vuajnë nga mentaliteti për shqiptarët e Kosovës. Më mjafton argumenti i parë që përmenda: Diskriminimi pozitiv i serbëve në Kosovë dhe moskërkesa për të zgjidhur problemin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në Preshevë dhe në Malin e Zi dëshmon diskriminimin negativ ndaj shqiptarëve. Doemos që qeveria shqiptare duhet të kërkojë dhe duhet të bëjë atë që nuk e ka bërë. Dihet që qeveria shqiptare kohë më kohë edhe ka ndihmuar serbët fqinjë, i ka furnizuar me karburant, e ka tronditur stabilitetin në Shqipëri në periudhën më delikate të luftës në Kosovë apo në rajon. Do të thoja se është koha, është limit, që qeveria shqiptare të kërkojë me zë të lartë, ballin lart, mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në rajon, pasi është edhe detyrim kushtetues, është që në preambulën e Kushtetutës që qeveria shqiptare merret dhe politika shqiptare është e detyruar të jetë e angazhuar që të jetë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve. Mjerisht në këto 20 vjet, të gjithë qeveritë shqiptare, por pretendoj më shumë (sepse këtu janë shkeljet më të mëdha) në qeverinë dhe në drejtimin Berisha, nuk janë mbrojtur interesat e shqiptarëve. Por, përgjithësisht 20 vjeçari i ndryshimit të sistemit nuk ka patur përpjekjet e mjaftueshme për të drejtat e shqiptarëve në rajon aq sa i detyrohet me Kushtetutë politika shqiptare.
Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha në televizionin “Ora News” në Tiranë se pas 21 janarit u krijua një ndjenjë kundëramerikane në Shqipëri. Ambasadori tha gjithashtu se kishte persona në grupime të ndryshme kanë mbështetur apo financuar këtë. Besoni kjo është rrugë e duhur për bashkëpunim me SHBA-në, pra bëj fjalë për opozitën dhe qeverinë?
Unë këtë e marr me një lente zvogëluese. Këtë që thotë Arvizu. Unë nuk mendoj se ka grupime. Natyrisht që mund të ketë individë. Mund të ketë momente, fjala vjen, kur lindin mendime të tilla edhe spontane, ndjenja. Fjala vjen, qoftë Arvizu mund të ishte përgjegjës që të lindë spontanisht një mendim i tillë në një masë njerëzish. Kur vriten katër njerëz dhe ai quan Berishë “burrë shteti”, kur vriten katër njerëz nga Berisha dhe ai vete i fut krahun Bashës, kur disa njerëz protestojnë para policëve dhe ai vete te policët… Këto gjeste që janë publike të Arvizut, bëjnë atë përgjegjës, nëqoftëse ka individë që të mendojnë kështu. Jam i sigurtë në një gjë, që shqiptarët janë në po atë përqindje që kanë qenë proamerikanë. Nëqoftëse përfaqësues të politikës amerikane bëjnë gjeste të këtij karakteri, që vërtetë janë tronditëse në aspektin njerëzor dhe politik, vetiu që do të lindin mendime. Shqiptarët janë qytetarë të lirë të kësaj Europe, mendja e tyre është e çliruar nga tabutë dhe nuk kanë përse të bëjnë “be” për Arvizun siç bëjnë “be” për Amerikën. Prandaj, ai të mos e zmadhojë e t’i quajë grupe dhe financime. Kështu e gjykoj unë. Por, në momente të caktuara spontanisht, nga gjeste dhe veprime të caktuara të lindin këto mendime, edhe mund të lindin. Në përmbajtje popullata shqiptare është në atë përqindje që ka qenë proamerikane”.
Zoti Arvizu ka kërkuar gjithashtu zbardhjen dhe vendosjen përpara drejtësisë të autorëve të 21 janarit….  
Po, ai e ka kërkuar. Por, ne shqiptarët dimë një gjë, që kur amerikanët e kërkojnë një gjë dhe e fiksojnë për ta realizuar, e realizojnë edhe në Rusi dhe në Kinë që janë vende të mëdha, jo më në Shqipëri, ku ata janë më të besuarit për shqiptarët, që kanë hapësirë veprimi shumë të gjerë. Ndaj dhe shqiptarët pretendojnë se i besojnë si Zotit. Neglizhencat dhe përjetimet e tyre, ndaj krijojnë ndonjë interpretim jo shumë komod për Amerikën.
Vihen re tek-tuk te shqiptarët në rajon, lëvizje disi në rritje të prirjeve për besimin islam. Përmend rastin e lëvizjes “Bashkohu” në Kosovë. Përbën kjo problem për shqiptarët?
E vërteta është në dukje siç e paraqitët ju. Ka patur paraqitje të këtij karakteri që e detyrojnë ose e imponojnë lindjen e këtij opinioni. Unë gjykoj se Kosova është më pak myslimane sivjet se sa dy vjet më parë. Do të jetë shumë më pak islame pas 3 apo 5 vjetësh. Sa më shumë që të zhvillohet shoqëria shqiptare, sa më shumë të emancipohet në tërësi, shqiptarët do të jenë më pak fetarë. Shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në palcën e formimit të tyre fetar është thënia e famshme e Pashko Vasës: “Feja e shqiptarit, është shqiptaria”. Ekzistenca e një besimi fetare më solid në Kosovë, ka pasur një funksion për t’u mbrojtur nga ortodoksia e egër serbe, pra ka patur një frymë realisht kombëtare. Kur nuk është më nevoja që feja të jetë në shërbim të kombit, vetiu që ajo do të shuhet aq më shumë që janë gjeneratat e reja. Shikoni si e kanë përmirësuar sistemin e të menduarit dhe të folurit, që ju si gazetar e vëreni më mirë. Pra, edhe në këtë aspekt nuk ka pse të trembet kurrkush nga këto demonstrimet në dukje si shumë fetare.
Lidhur me zhvillimet në Shqipëri, kemi sfidat për marrjen e statusit të vendit “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian nga “Opinioni” i Komisionit Europian dhe mosbashkpunimin, mosbesimin e thellë ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Aq më tepër, kur po hymë në vitin e zgjedhjes së presidentit të ri. Si duhet gjetur rruga e bashkëpunimit dhe presidenti i ri çfarë duhet të jetë?
Unë do ta shihja më në themel problemin. Për mua asnjë operacion i pjesshëm nuk e zgjidh problemin. Pas dy zgjedhjeve radhazi 2009 dhe 2011, ndërkombëtarëisht skandaloze dhe veçanërisht kjo e fundit për mënyrën se si përfundoi, provoi që ndërsa shqiptarët duan të votojnë në mënyrë demokratike, por nuk i lejon politika, më saktë, pothuajse një person, sepse dihet se kush e urdhëroi manipulimin e fundit të numërimit të votave. Të tjerët, dy strukturat që duhet të ishin vartëse të tij, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor iu bindën urdhërave të Berishës. Problemi ka ardhur deri në këtë pikë, kur politika shqiptare frenon demokratizimin e Shqipërisë, vetiu frenon integrimin, sepse zgjedhjet janë elementi thelbësor dhe guri themelor i integrimit. Duke qenë se është prekur guri themelor i një ndërtese të tërë, nuk mendoj që në këtë proces, kur kriza është e thellë politike, është e thellë ekonomike, është e thellë sociale, të zgjidhen problemet. Apo, për çudi për një buzëqeshje të Edit (Rama) apo të Saliut (Berisha) apo të grupeve parlamentarë të zgjidhen këto probleme. Në parlamentin shqiptar nuk ka asnjë fije mirëbesim midis kundërshtarëve politikë, nuk ka absolutisht asnjë princip që t’i bëjë ata të bashkëpunojnë sinqerisht, qoftë edhe për probleme të mëdha kombëtare. Ju e shikoni se çfarë ndodhi me hapësirën detare (marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar jugor), ju e shikoni se çfarë ndodh me shkombëtaraizmin. Ku është politika? Del Arben Ristani atje, doli Myslim Pasha, dolën organizata dhe shoqata të rëndësishme patriotike si aleanca “Kuq e Zi” dhe quhen “faqezinj”. Mirë po e themi Berisha dhe grupi i tij i ushtarëve të PD-së. Po pjesa tjetër?! Janë probleme të mëdha kombëtare që mund të ishin elementë shumë të fuqishëm si anë politike, po them edhe për krahun tjetër (PS, opozita). Pra, e keqja është shumë thellë, e keqja për mua nuk zgjidhet dot, përveçse duke e parë në themel. Cili është themeli? Dihet, klasa politike duhet të votëbesohet përsëri. Nuk beson njeri te klasa politike, e ka humbur mirëbesimin në popull, e ka humbur besueshmërinë me ndërkombëtarët. Ju kujtoj vetëm një thënie që është vërtetë tronditëse që në 20 vjet nuk është thënë edhe kur ishte Partia e Punës në pushtet në 1991, përfaqësuesi i OSBE/ODIHR-it, thotë: “Nëqoftëse në këta muaj nuk zgjidhen problemet kardinale të integrimit, demokracia shqiptare hyn në spiralen e vdekjes”. Nuk është fjalori i OSBE/ODIHR-it ky. Por, ata e shikojnë kaq hidhur realitetin shqiptar, që detyrohen thonë edhe këtë. Pse në këta tre muaj do ta zgjidhin spiralen e vdekjes së demokracisë shqiptare?! Absolutisht jo! Nëqoftëse nuk kalohet në zgjedhje të parakohëshme, me Kodin Zgjedhor dhe ndryshime të tjera të rëndësishme në ligjin shqiptar, është si të zgjasësh agoninë e një të sëmuri që mbahet me oksigjen të intubuar dhe aktivitetin e zemrës e mban me impulse elektrikë të jashtëm. I duhet dhënë fund agonisë. Agonia është proces vdekjeje, nuk është proces jete.
Si e shihni rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe çfarë duhet të bëjë shteti që ata të ndihen të përfaqësuar, deri me pjesëmarrjen në Kuvend, praktikë e njohur edhe përpara Luftës së Dytë Botërore si dhe në vendet fqinj?
Vetë ky kontigjent i shqiptarëve në Amerikë dhe politika shqiptare në tërësi, në të gjithë veprimtarinë e saj, atë komunitet duhet ta vendosë në pozicionin që ka më aktiv, në funksionin që i ka karakterizuar ata në të gjithë procesin historik të ekzistencës së shtetit shqiptar. Dihet roli jetësor i shqiptarëve të Amerikës në zhvillimet aspak të lehta të Shqipërisë prej pavarësisë e këtej. Ata vetë dhe politika shqiptare së këndejmi, duhet që në cilindo aspekt, edhe atë që thatë ju në Parlamentin shqiptar, madje ata dhe të tjerë jashtë Shqipërisë, diaspora, emigracioni, është e domosdoshme që të futen, të përfshihen, pasi politika shqiptare është kalbur në këtë përmasë dhe e keqja ka përfshirë edhe gjenerata më pas, dekada më pas, kontigjente që erdhën direkt në politikë nga viti 1990, sa që duhen transfuzione të këtij karakteri për ta rigjallëruar frymën demokratike dhe zhvillimin demokratik të Shqipërisë”.
Bisedoi: Denion Ndrenika “Yllyria”

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

2 Komentet

  1. Ky fare politikani e ish komunisti dua ti nbzkujtoje se kur ishte minister i mbrojtes firmosi marrveshjen per ndertimin e varrezave te ushtareve grek ne territorin shqipetar,ne vend qe greket t'i merrnin me vete e te thyenin qafen me gjithe ta.Ky person nuk eshte i besueshme per mua.Keto qe po thote sot duhej t'i kish thene kur ishte neper karriget e ministrive te ndryshme kur socialistet ishin ne fuqi,prandaj fuck of sabit!

  2. z sabit ligji i luftës me greqinë qëndron në bazë të faktit se bataljonet shqipëtare në bashkëpunim me italinë sulmuan greqinë. mos vazhdo me historin e enver hoxhës këto broçkulla i ha populli shqipëtar që snje histori nuk i ha politika evropjane që ti se njeh fare ti akoma qëndronnë mentalitete isterike komuniste nuk ke kuptuar demokracin evropjane që njeriu duhet të jet i lirë dhe të shprehet i lirë ik bën ndonjë mbëledhje byroje dhe bën prapë ndonjë armik populli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button