Revista zvicerane fyen shqiptarët e Kosovës, i quan: Kriminelë

Revista javore zvicerane “Die Weltwoche”, e njohur për qëndrimin e saj problematik ndaj të huajve, ka botuar dje një shkrim të gjatë lidhur me komunitetin kosovar në Zvicër, respektivisht lidhur me imazhin e keq të këtij komuniteti. “Kosovarët kriminelë”, është titulli i artikullit, të prezantuar në ballinën e revistës, ndërsa “të gjitha, vetëm raste të izoluara?”, është pyetja retorike që shtrohet në moton e artikullit, duke iu referuar dy rasteve të fundit të rënda, protagonistë të të cilave ishin shqiptarët e Kosovës.

Është simptomatike e dhëna se revista “Die Weltwoche”, e cila zakonisht nuk i publikon shkrimet e saj në internet, kësaj radhe është treguar “dorëlëshuar”, duke lejuar që artikulli për kosovarët të lexohet pa pasur nevojë të blihet revista në kioskë.

“Dy gra të vrara, një burrë i prerë në fyt brenda një dite: në të dyja rastet dorasit ishin kosovarë. Natyrisht, nuk janë kriminelë të gjithë shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër, por megjithatë, një pakicë e konsiderueshme, është. Cilat janë arsyet?”

Pas kësaj hyrjeje, artikulli në Weltwoche fokusohet në përshkrimin e rastit të therjes së ish-mundësit zviceran në Interlaken, Kari Zingrich. “Vëllezërit kosovarë Rasimi dhe Jetoni dalin nga taksi, shajnë mysafirët e restorantit si “zviceranë të mutit”, “plehra” etj. dhe pas kësaj Rasimi e ther në fyt nga mbrapa ish-mundësin, Kari Zingrich.

Por, më pak fat se Zingrich, i cili kishte mbijetuar sulmin, kishte pasur punëtorja sociale, 48-vjeçarja Daniela H. në Pfafikon të Cyrihut. Ajo, të njëjtën ditë është qëlluar për vdekje nga pensionisti invalidor kosovar Shani S. Para kësaj ai kishte vrarë edhe të shoqen. Policia thotë se ai donte të parandalonte shkurorëzimin, ndërsa nga punëtorja sociale kishte kërkuar më shumë të holla.

Dy akte të tmerrshme në një ditë. Të dyja i ushtruan kosovarët, të cilët jetojnë me dhjetëra vjet në Zvicër. Nuk janë rastet e para me të cilat imigrantët kosovarë mbulojnë titujt e gazetave. Na ka mbetur në kujtesë Gani L., i cili pak kohë më parë vrau të bijën, ose Dedë Gecaj, që kishte vrarë mësuesin e të bijës në St. Gallen ose kick boksieri Bashkim Berisha, i njohur si “vrasësi nga parkingu…”

“Nuk shkon viti pa ndodhur gjithandej ndonjë veprim i tmerrshëm”, shkruan Weltwoche dhe pastaj në mënyrë sugjeruese u drejtohet lexuesve “së paku secili njeh dikë që ka pasur përvoja të këqija me kosovarët. A janë të gjitha këto raste të izoluara? Ose, përse së tepërmi shumë nga rreth 170.000 kosovarët që jetojnë në Zvicër, edhe pas dekadave nuk ia kanë dalë të integrohen, ashtu siç kanë bërë me sukses të huajt e tjerë?”

Në vazhdim përshkruhet gjeneza e problemit. Në fakt bëhet një histori e shkurtër nga koha kur kosovarët, në kuadër të kontingjenteve të sezonierëve “jugosllavë” vinin të mirëpritur nga ekonomia zvicerane. Ata rridhnin kryesisht nga regjionet rurale dhe të prapambetura. Ishin keq të kualifikuar.

Por, “gabimi” ka ndodhur sipas “Weltwoche”-s, në momentin kur shteti filloi t`u jepte status qëndrimi të rregullt ish sezonierëve. Me këtë status ata mund të sillnin familjet e tyre në Zvicër. Dhe kur kjo filloi të ndodhte, “burrat sollën gratë dhe fëmijët e tyre në Zvicër. Shpeshherë ishin familje me shumë fëmijë ato që vinin, kështu që për një kohë fare të shkurtër numri i shqiptarëve në Zvicër u trefishua. Me të ardhurat që merrnin, baballarët nuk mund të mbanin familjet e tyre të mëdha. Dhe, duke qenë se gratë e tyre në shumicën e rasteve nuk kishin mbaruar as shkollimin fillor, ato mund të punonin, e shumta, si pastruese. Ishte kjo koha kur kosovarët për herë të parë zunë vend në kryetitujt negativë të gazetave. Shumë prej tyre filluan të jetonin nga ndihmat sociale, të tjerët, shumë syresh të mitur, u aktivizuan në tregtinë me drogë, në të cilën rrjetet shqiptare luanin një rol dominues. Deri në 90 për qind e heroinës së kontrabanduar në Zvicër vinte asokohe nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Weltwoche më tutje e adreson te kosovarët edhe fajin për rritjen enorme të numrit të delikteve të dhunës në mes të viteve 1997-2005. Por, cila është mbështetja për këtë? “Kur, nga fundi i viteve ’90-a erdhën përkohësisht në Zvicër edhe 50.000 refugjatë lufte nga Kosova, u shënua rritje e madhe e delikteve të dhunës. Sipas një studimi të bërë nga Suva (Enti i sigurimeve nga aksidentet), në mes të vitit 1997 dhe 2005 qe trefishuar numri i “aksidenteve” të shkaktuara nga veprimet e dhunshme në mesin e meshkujve të rinj. Në statistikën kriminalistike udhëheq ranglistën e grupeve më kriminele të të huajve grupi “Serbi, Mal i Zi dhe Kosovë” (statistika nuk bën ndarjen e kosovarëve). Mesatarisht shtetasit nga Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kryejnë 3.1 herë më shumë vepra penale se sa zviceranët. Në këtë numër nuk janë llogaritur deliktet e kryera nga shumë të huaj të natyralizuar. Ndërsa këtë shkallë e tejkalojnë vetëm imigrantët nga shtetet afrikane”, shkruan Weltwoche.

Në vazhdim artikulli përqendrohet në jetëshkrimin e Rasim R., njërit nga vëllezërit e akuzuar për therjen në Interlaken. Ai ka ardhur në Zvicër si 11 vjeçar. Kosovarët në regjionin ku jetojnë Rasimi dhe Jetoni i njohin mirë ata dhe ua kanë frikën. Një kosovare e re u ka treguar autorëve të shkrimit se të njëjtën ditë kur dy vëllezërit kishin bërë sulmin me thikë, po ata i kishin shkaktuar lëndime edhe vëllait të saj. “Ata kanë nevojë për të bërë diçka të tillë”, thotë ajo dhe nuk dëshiron t`i dalë emri në gazetë sepse ka frikë se Rasimi e Jetoni mund t`i hakmerren asaj dhe madje edhe familjes.

Më tutje, citohen kosovarët e tjerë, të cilët nuk mund të kuptojnë urrejtjen dhe mllefin që i ka shtyrë dy vëllezërit të bënin atë që kishin bërë. “Ata janë të mllefosur me dorasit, veprimi i tyre është i padëshirueshëm dhe i turpshëm. Janë pra me mijëra bashkatdhetarë të tyre që janë integruar më së miri në Zvicër, thonë ata. Një nga shembujt është edhe vëllai më i ri i Rasimit dhe Jetonit, Mustafa. Ai është punëtor i zellshëm dhe i ndershëm, punon në një hotel të kategorisë së lartë në rrethinë dhe ka marrë tashmë shtetësinë zvicerane.

Fakti se Rasimi ishte i papunë dhe i varur nga ndihmat sociale, i shtyn autorët e shkrimit që të vendosin paralele në mes të rastit në Interlaken dhe atij në Pfaffikon. Edhe vrasësi nga Pfäffikoni merrte ndihma sociale. Kjo paralele shërben më tutje në shkrim për të treguar sfondin social në të cilin jetojnë mjaft kosovarë.

“7.4% e të huajve nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova marrin ndihma sociale. Te zviceranët kjo kuotë është vetëm 2.3%. E përafërt është edhe shkalla e të papunëve. Përderisa mesatarja zvicerane e papunësisë është 2.8%, ajo te serbët, kosovarët dhe malazeztë është 7.5% dhe me këtë, më e larta në mesin e komuniteteve të huaja. Por, vazhdon artikulli, edhe për ata që varen nga ndihmat sociale ia vlen qëndrimi i mëtejmë në Zvicër. Natyrisht, po u krahasua me të ardhurat mesatare rreth 300 euro në Kosovë ose me ndihmat sociale të atjeshme që, nëse i merr, janë 40 euro”.

A shpjegohet shkalla e kriminalitetit te kosovarët me diskriminimin që, sipas sociologëve, ata e përjetojnë në Zvicër, pyesin gazetarët. Përgjigjen mohuese ata e gjejnë te kriminologu i njohur i Universitetit të Cyrihut, Martin Killias. “Një shpjegim i tillë, sado i preferuar që është, është i zhvlerësuar empirikisht”.  Killias tregon për studimet mbi italianët, të cilët kishin imigruar në Zvicër në vitet gjashtëdhjeta. “Me gjithë faktin se përbënin një grup të diskriminuar, numri i delikteve të bëra nga ata nuk ishte sinjifikant”.

Kur është fjala për diskriminimin që përjetojnë në shoqëri, vazhdon artikulli, kjo shpjegohet me shkallën e ulët të arsimimit të kosovarëve në Zvicër, të ulët edhe në krahasim me komunitetet e tjera të huaja. Vetëm 4% të kosovarëve e bëjnë maturën (krahas 22 % të zviceranëve). Një tregues tjetër i këtij niveli është shkalla e lartë e fëmijëve kosovarë që detyrohen të ndjekin shkollat speciale (për fëmijë me zhvillim të vonuar). Me 15 % (djemtë) dhe 11% (vajzat) kjo përqindje është trefish më e lartë se te zviceranët. Si përfundim, studimi i kryer nga BFM-ODM konstaton se “edhe në brezin e dytë ngritja e statusit social deri tash ka mbetur modeste.

Një fenomen tjetër që, sipas artikullshkruesve e shpjegon “prapambetjen” e kosovarëve në Zvicër është mosndjekja nga ata e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Vetëm rreth 10% e nxënësve kosovarë shfrytëzojnë këtë mundësi, që është dukshëm më pak se te moshatarët e tyre të komuniteteve të tjera.

Por, atë që nuk e bëjnë për shkollim, kosovarët e bëjnë për ndërtim shtëpish në vendlindje, vazhdon artikulli. Nga rreth 500 milionë eurot që dërgohen brenda vitit në Kosovë, shumica nga Gjermania dhe Zvicra, vetëm 3% shkojnë për arsimim, citon gazeta studimin e BFM-ODM. Shumëfish më shumë investohet në ndërtimin e shtëpive. Për shumë etër është më me rëndësi që i biri të zotërojë një shtëpi në vendlindje se sa të marrë një arsim të duhur në Zvicër.

Në pasusin në vazhdim “Weltwoche” i jep të drejtë vetes të deklarojë “të vërteta përfundimtare” duke ballafaquar opinionin zviceran me “rrezikun real” që paraqitkan kosovarët ose shqiptarët për Zvicrën. Ja se me çfarë tonesh dramatike e prezanton ajo këtë rrezik: “Është e pakontestueshme se kosovarët zënë vendin më të lartë në të gjitha statistikat negative. Ata e sjellin Zvicrën para sfidës më të madhe në historinë e saj me migracionin. Numri i tyre vazhdon të rritet. Çdo vit vijnë rreth 4000 “serbë, malazezë dhe kosovarë” në kuadrin e bashkimit familjar. Rreth 1500 sish kërkojnë azil. Më shumë se 10.000 në vit fitojnë shtetësinë zvicerane, me tendencë rritjeje. Rreth 90% e kosovarëve të Zvicrës janë myslimanë. Pjesa më e madhe e tyre janë në mes 20 dhe 29 vjeç. Shkalla e lindjeve te kosovaret është 2.6% ose pothuaj sa dyfishi i zviceranëve”. Për të bërë pohime sikur këto, duhet guxim i madh, s`ka fjalë. Qoftë edhe për “Weltwoche”-n.

Në fund të artikullit përmendet edhe ndikimi negativ i kanunit, i cili, sipas një studimi nga Schweizerische Flüchtlingshilfe, vazhdon të ketë një rol që nuk duhet nënçmuar.

Dhe në përmbyllje: “Shumica e kosovarëve gjatë jetës së tyre nuk kryejnë vepra të dënueshme dhe as nuk jetojnë nga ndihmat sociale. Por, mjafton një pakicë (relativisht e madhe) që i shpërfill vlerat zvicerane dhe rendin e këtushëm ligjor, që me veprat e tyre pikërisht bashkatdhetarëve të tyre u shkaktojnë dëm të madh”.

Është meritë e “Weltwoche”-s që megjithatë, i ka “kursyer” shumicën e kosovarëve nga etiketa e kriminelëve, (sepse “shumica e kosovarëve nuk kryejnë vepra të dënueshme…), por mbase do të na bënte shërbim më të mirë, ne dhe opinionit në përgjithësi, sikur të merrte mundimin që të dhënat dhe ato që i prezanton si “të dhëna” të mos i nxjerrë jashtë kontekstit të tyre. Ndryshe, edhe ajo rrezikon të shpërfillë vlerat zvicerane dhe rendin ligjor të këtushëm.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button