Shkëndija lut Ballistët për qetësi

Drejtuesit e Shkëndijës kanë reaguar pas paralajmërimeve të ‘Ballistëve’ se Partizanin në Shkup do të presin ashtu siç ishin pritur tetovarët në Beograd. Ata kanë lutur tifozët e tyre që të jenë të matur gjatë ndeshjes së kthimit dhe mos të krijojnë eksese, pasi mund të dënohen nga UEFA.

Udhëheqësit e Shkëndijës i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e ndeshjes së kthimit kundër Partizanit, në kuadër të rrethit të dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, e cila nga UEFA konsiderohet si e rrezikut të lartë.

Zyrtarët e kampionit të Maqedonisë shpresojnë që tifozët e vet ‘Ballistët’ të jenë të matur në veprimet e tyre gjatë ndeshjes dhe mos të krijojnë eksese të asnjë natyre, sepse në të kundërtën, Shkëndija mund të dënohet nga UEFA.

“Kryesia e Shkëndijës kërkon nga tifozët e saj dhe gjithë ata që do të vijnë të ndjekin këtë ndeshje të kontribuojnë për atmosferë pozitive dhe mos të lejojnë të provokohen për të kryer akte dhune apo sjellje që do të ishin fatale për klubin”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga skuadra tetovare.

Kjo thirrje e drejtuesve të Shkëndijës vjen pas paralajmërimeve të ‘Ballistëve’ se Partizanin në Shkup do ta presin ashtu siç ishte pritur Shkëndija në Beograd nga ‘Grobari’, duke aluduar se do t’i fyejnë njëjtë bardhezinjtë siç ishin fyer kuqezinjtë nga tifozët serbë, të cilët u kishin kënduar këngë fyese për shqiptarë si: ‘Kush nuk kërcen është shqiptar’, ‘Mbyte shqiptarin’, etj.

Partizani ndeshjen e parë ndaj Shkëndijës e kishte fituar me rezultat 4:0. Andaj tetovarët vështirë se mund të rrezikojnë kualifikimin e ekipit serb në rrethin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, por takimin e së martës, që do të luhet në Shkup (20:45), të nxehtë pritet ta bëjnë ‘Ballistët’.

S’ka bileta për tifozët e Partizanit

Shkëndija të dielën do t’i hedhë në shitje biletat për ndeshjen e saj të kthimit ndaj Partizanit të Beogradit, që zhvillohet të martën në Shkup. Biletat do të shiten në kryeqytetin maqedonas dhe në Tetovë, ndërsa ato nuk do të mund të blihen nga ana e tifozëve pa posedim të ndonjë dokumenti identifikues.

Nëpërmjet një njoftimi për media, drejtuesit e Shkëndijës kanë bërë të ditur se tifozët e Partizanit nuk do të lejohen të hyjnë në stadium, sipas marrëveshjes mes klubeve, edhe nëse ata ia dalin të sigurojnë bileta.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button