“Regjistrimi im”

Regjistrimi i popullsisë mbi baza fetare dhe etnike ka ndezur prej kohësh një përplasje të fortë qeveritare – mediatike – popullore duke krijuar një vorbull ku janë përfshirë kush më pak e kush më shumë thuajse të gjithë njerëz të thjeshtë e zyrtarë me kollare. Akuza e kundërakuza, argumente që fluturojë sa nga njëri krahë në tjetrin, teori konspirative me parti në epruvetë të shoqëruara me deklarata të forta që kanë marrë tashmë edhe ngjyrime politike.
Kuvendi i Shqipërisë duke u bërë palë në këtë proces (askush gjithsesi nuk dyshonte të kundërtën) miratoi ligjin me procedura blic duke shkelur në sytë e të gjithëve edhe parimin një deputet një votë. Të zgjedhurit e shqiptarëve me një zell të çuditshëm bënë cirk për të votuar për kolegët që nuk ishin në sallë duke manipuluar edhe kuorumin që në fakt nuk ishte i mjaftueshëm. Zyrtarisht, ligji mori 71 vota kur në fakt duhet të merrte vetëm 69. Pra sot shqiptarëve u kërkohet të respektojnë një ligj që ka shkelur ligjin.
Prej kohësh tashmë realiteti shqiptar është ngjyer gjithanësh me këtë debat ku tonet e qeta të fillimit janë zëvendësuar hap pas hapi me kërcënime e kërcëllitje dhëmbësh.
Nuk është e vështirë dhe as e lehtë të bëhesh pjesë e këtij debati i cili jo pa qëllim ngatërrohet, pështjellohet dhe manovrohet sipas dëshirës dhe interesit nga aktorët drejtpërsëdrejti të implikuar.
Gjithsecili interesat e tij, me qëllime të ndryshme si bomba tymuese, në një realitet ku humbet vetëm Shqipëria e cila po shitet e blihet si në tregun e gjësë së gjallë.
Aktorët e kësaj tragjikomedie i lejojnë vetes gjithçka, të rreshtojnë e rreshtojnë argumente pa kuptim, fjalë të shkëputura kushedi se ku, togfjalësha që pak ose aspak kanë lidhje me të vërtetën e pakundërshtueshme të këtij regjistrimi.
Shqiptarëve nuk mund t’u imponohet një regjistrim i tillë apo qoftë edhe vetëdeklarim (sido ta quajnë) i cili do apo s’do ta pranojë ndonjë ekspert hartues i tij krijon precedentë të rrezikshëm jo vetëm në marrëdhëniet historikisht hipokrite me Greqinë, por në të gjithë pellgun e trazuar të Ballkanit.
Nuk ka asnjë ndryshim nëse ky regjistrim do të përdoret për qëllime thjesht statistikore ose jo, rezultati në thelb do të ishte i njëjtë. Rreziku i prodhimit të shifrave të rreme mbetet i përhershëm, pavarësisht kërcënimeve qesharake me gjoba që nuk do të trembnin askënd, aq më tepër në realitetin shqiptar ku varfëria të bën të jesh grek, italian, francez, serb a ku di unë se çfarë.
E kjo varfëri nuk tërhiqet përballë pseudo masave të tilla të qeverisë për të shmangur manipulimet, as para deklaratave të ndonjë ministri kaq shumë të dashuruar pas këtij procesi. E aq më pak i besueshëm është kontrolli e verifikimi përmes INSTAT, ky i fundit nuk jep shifra të besueshme për papunësinë e jo më të japë për një proces kaq delikat.
Historia shkon pak më larg sesa komentet e përcipta dhe tonet që kërkojnë të përforcojnë një siguri të shtirur që nuk do ta besonte as intelektuali më pak intelektual në Shqipëri.
Pas viteve ‘90 amullia e tranzicionit e pleksur fort me vështirësitë ekonomike ka prodhuar bollshëm në zona të ndryshme të vendit imponuar edhe nga shteti grek më së shumti individë apo grupe individësh, të cilët janë detyruar të ndryshojnë emër, fe, por shpesh edhe kombësi. Fakt për këtë janë shifrat që prodhojnë gjendjet civile apo gjykatat kryesisht në jug apo juglindje, të cilat në këto 20 vite në këmbim të shumave të caktuara kanë bërë manipulime e ndryshime të çfarëdollojshme.
Këtë s’mund ta mohojë askush, mjafton të përmendet fakti i thjeshtë se një përqindje e madhe e vllehëve (në Shqipëri banojnë rreth 150 mijë) banues në zona të ndryshme sidomos Korçë, Sarandë e Gjirokastër janë pajisur me pasaporta greke.
Për të mos përmendur edhe faktin tjetër se në Korçë edhe komuniteti rom pretendon se është grek dhe është pajisur në masë të madhe me dokumente të vendit fqinj.
Në listë sigurisht duhen përfshirë edhe ata rreth 35 mijë shtetas shqiptarë me kombësi greke, të cilët përfitojnë pensione brenda kufirit shqiptar.
360 euro në muaj të dhëna nga shteti grek sigurisht janë më të leverdishme sesa 10 mijë lekët që ofron shteti shqiptar për të moshuarit e tij. Pa llogaritur shqiptarët që kanë përfituar kartat e homogjenit shifra e përafërt e tyre është mbi 100 mijë. Ata sigurisht të urdhëruar mund të dynden për pak ditë në qytetet e tyre për të marrë pjesë në këtë proces regjistrimi apo vetëdeklarimi.
Sigurisht, në këtë listë duhen përfshirë pasaportat e shpërndara nga shteti maqedonas në zonën Prespë, Pogradec, Korçë e Liqenas.
Mjafton të bësh një mbledhje të thjeshtë dhe rezultati fiktiv që do të prodhohej do të ishte vërtet i frikshëm duke i dhënë krahë një oreksi gjithmonë në rritje të fqinjëve, të cilët kanë punuar gjatë e me përpikmëri për këtë ditë. Të mos harrojmë se ndryshe nga sa publikohej e propagandohej në masën e gjerë, pensionet greke nuk kanë nisur në periudhën e postkomunizmit, por që në vitin 1928 dhe provë e kësaj janë shkresat e Ministrisë së Drejtësisë së kohës.
Sigurisht, 2011 nuk prodhon më luftë apo kërkesa për ndryshime kufijsh me dhunë, por presioni përmes ndërkombëtarëve për kalim në shtet multietnik është plotësisht i mundshëm, ashtu si kërkesat shpesh të artikuluara për zyrtarizimin e greqishtes si gjuhë të dytë pas shqipes. Duke rreshtuar më pas një sërë të drejtash të tjera si ajo e ndonjë koncepti vetëqeverisës në pushtet lokal në zona të caktuara, himni, flamuri e deri numër të përcaktuar deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë. Për të mos thënë që do të na duhej neve këtë herë të nënshkruajmë një marrëveshje të përafërt si ajo e Ohrit, ku të garantonim karakterin (fiktiv) multietnik të shoqërisë sonë, të cilit do të duhej t’i jepnim edhe shprehjen e vetë në jetën publike.
Të gjitha këto nuk do të duken më kaq të largëta nëse ky proces kaq i vrullshëm i regjistrimit të popullsisë do të japë përfundimin fiktiv që edhe mund të pritet, ku grekët nga rreth 3 për qind do mund të fluturonin në më shumë se 10 për qind e kështu me radhë maqedonasit, bullgarët, malazezët, egjiptianët.
Nëse do ta merrnim nga një krah tjetër edhe më pragmatist është e vështirë të kuptosh se pse ekspertët shqiptarë (nëse e kanë hartuar ata vetë) kanë zgjedhur një formular të tillë. Vetë Greqia nuk ka të përfshirë në formularin e saj as etninë dhe as fenë. E për më tepër ajo nuk njeh minoritetet pjesë reale e territorit të saj, hebrenjtë, turqit, bullgarët, maqedonasit. Për të mos përmendur popullsinë çame e cila jo vetëm u masakrua dhe u grabit në një gjenocid të paprecedentë, por nuk ka të drejtë as të shkelë në ato toka që dikur ishin shqiptare.
Regjistrimi i popullsisë ka kundërshti edhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në dokumentin themeltar të shtetit në asnjë moment nuk shkruhet për kombësinë, por vetëm për shtetësinë. Kushtetuta njeh vetëm këtë të dytën ndryshe nga ç’ofrohet në formular ku nuk kërkohet shtetësia, por kombësia. Atëherë mbi ç’baza po ngrihet ky proces që nuk ekziston as në Kushtetutë?
Një element ky i rrezikshëm që do të duhej të analizohej nëse është bërë me qëllim apo nga mosdija.
Ose edhe më keq, nëse siç mendojnë të gjithë ata që kanë një memorie pak më të gjatë, se ky regjistrim është siç e kujton edhe historiani Pëllumb Xhufi, pjesë e planit me 6 pika të kërkuar nga ish-kryeministri grek, Micotaqis, në 1993 përballë Presidentit të atëhershëm dhe Kryeministrit të sotëm, Berisha.
Sigurisht, dyshimet të lindin kur rreshton koncesionet që i janë bërë palës greke në këto vite. Marrëveshja e kufirit detar, protokolli për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë dhe hapja e shkollave greke në Himarë e Korçë janë lëshime që ne i kemi bërë fqinjëve tanë (po ata ç’koncesion kanë bërë kundrejt nesh?)
Një regjistrim i tillë i mbështetur në baza fetare dhe etnike është i domosdoshëm vetëm në ato vende të cilat kanë probleme të tilla, ç’ka deri më sot nuk është hasur në Shqipëri. Për më tepër vendi ynë nuk njihet si problematik dhe nuk udhëhiqet nga politikat diskriminuese kundrejt minoriteteve. Kjo mund të verifikohet më së miri me faktin se ky ngulmim për një regjistrim të tillë nuk vjen nga vetë minoriteti, por nga disa të vetëquajtur apo vetëpozicionuar si krerë të partive apo organizatave të minoritetit grek. Në çdo zonë të vendit minoriteti grek bashkëjeton në mënyrë paqësore, miqësore, bashkëpunuese e aspak paragjykuese me shqiptarët, ortodoksë, myslimanë, bektashinj apo katolikë qofshin. Kjo edhe në zona ku balancat mund të ishin prishur për shkak të historisë së shkuar. P.sh në Peshkëpi të Gjirokastrës kur në 1994 të ashtuquajturit grupi për çlirimin e Vorio-Epirit sulmuan postën kufitare duke vrarë ushtarin 20-vjeçar Arsen Gjini, komandantin Fatmir Shehu dhe duke plagosur tre ushtarë të tjerë. Asgjë nuk ndodhi më pas, grekët hyjnë e dalin në këtë fshat, qëndrojnë e punojnë bashkë me shqiptarët, sepse në këtë pikë për sa u përket minoriteteve, shqiptarët historikisht janë treguar edhe më europianë se europianët dhe dëshmitarët më të mirë janë grekët e thjeshtë, ata që jetojnë në Dropull, në Dervician e kudo tjetër.
Janë ata grekë që sigurisht nuk kanë përfaqësues ndonjë hajdut ordiner si ata që janë nën hetim e që vetëquheshin pedagogë të degës së greqishtes në Universitetin e Gjirokastrës, ata grekë që nuk kanë përfaqësues ndonjë abuzues që vjedh deri edhe paratë e varrezave në Himarë apo ndonjë prift që rrëmon nëpër arkivole duke mbledhur eshtra. Sepse grekët përfaqësojnë shumë më shumë kulturë e nivel sesa kaq, sepse grekët kanë më shumë aftësi sesa kaq, sepse grekët bartin vlera njerëzore e intelektuale që shkojnë përtej kësaj çorbe individësh të kalbur e injorantë.
Ajo që pritej ndodhi. Pikërisht në këtë moment të gjithë deputetët filo grekë, fshehur sa majtas e sa djathtas nga armiq me akuza e presione, u bënë gati të bashkohen. Kushtrimi i bashkoi sërish. Dule, Barka, Ksera e Tavo në shtator do të gjenden me shumë gjasa prapë nën të njëjtën çati. E çuditshmja e vetme mbetet se përse sa herë që vijnë zgjedhjet të gjithë shpërndahen në PS, në PD e LSI? Edhe për këtë përgjigjja është e qartë. PBDNJ ashtu si në zgjedhjet e fundit të përgjithshme mund të marrë vetëm 1, 19 për qind, të mjaftueshme për vetëm një deputet, ish-përkthyesin e Anastas Janullatos, Vangjel Dule.
E pavarësisht këtyre fakteve që nuk mund as të fshihen dhe as të manipulohen, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për regjistrimin e popullsisë. Duke shkelur vullnetin e një mase të madhe të shqiptarëve, të cilët në forma të ndryshme kanë kundërshtuar këtë aksion. Por ç’duhet bërë në këtë situatë kur shteti shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk dëgjojnë apelin e intelektualëve, historianëve e studiuesve, nuk dëgjon apelin e popullit për këtë regjistrim të rrezikshëm?
Unë personalisht nuk i përkas komunitetit çam, të cilin e nderoj dhe e respektoj duke mbetur një mbështetës i fortë i zgjidhjes së kësaj çështje jo thjesht me fjalë. Mbetem i qëndrimit se njohja e gjenocidit dhe kthimi i pronave janë vetëm hapi i parë i një historie që nuk mund të harrohet dhe as të fshihet nga shteti grek. Në të njëjtën kohë unë nuk jam pjesë e Aleancës Kuq e Zi pavarësisht se edhe unë si mijëra shqiptarë të njohur e të panjohur kam hedhur firmën kundër regjistrimit. Nuk më intereson nëse kjo lëvizje do të bëhet apo jo forcë politike, nuk më intereson pozicioni i Kreshnik Spahiut në këtë histori, sepse në mes ka një çështje më të madhe. Për mua ka rëndësi çështja dhe jo të tjerat. E në këtë çështje jam pjesë edhe unë si gjithë shqiptarët. Unë zgjedhjen time e kam bërë i imponuar nga veshi i shurdhër i qeveritarëve që mendojnë ende së Shqipërisë e shqiptarëve gjërat mund t’u imponohen njësoj ashtu siç bënte Enveri në momentet e çmendurisë së tij.
Kush do, le ta lexojë sot regjistrimin tim, sepse më shumë se kaq nuk do të ketë.
Unë quhem Marin Mema, jam edhe shqiptar edhe europian dhe i tillë do të mbetem. Ditën kur do të nisë procesi i regjistrimit e dikush të trokasë në derën e shtëpisë time unë nuk do të jem aty, por edhe nëse do të jem – nuk do të kem kohë, por edhe nëse do të kem kohë nuk do të dua të përgjigjem, sepse do të kem diçka më të rëndësishme për të bërë, por edhe nëse s’do kem asgjë për të bërë prapë s’do të përgjigjem, sepse do më duhet të dal të thith jashtë shtëpisë ajrin e ndotur që gjeneron politika shqiptare.
Ky do të jetë regjistrimi im … vazhdimin le ta bëjnë qeveritarët e zellshëm që e hartuan….

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button