Summertime & turizmi made in Albania

Për shumëkënd, turizmi është sekreti i zhvillimit të këtij vendi. Por cilat janë arsyet se përse panorama mbetet e trishtë dhe e paperspektivë vit pas viti?

Kjo e pyetje e shtruar që në fillim të herës në këtë cikël shkrimesh për turizmin (summertime & turizmi në jug, summertime & Saranda airport, summertime & Cez Albania), artikulohet herë më thjesht e herë më e sofistikuar nga shumëkush dhe është në fakt një shqetësim që duhet ta kemi të gjithë. Nëse turizmi për shumëkënd është sekreti i zhvillimit të këtij vendi, askush nuk po sillet sot as si një investitor i madh politik i tij, as si një investitor financiar dhe as shpirtëror.

Nëse do të qëndronim tek investimi politik vlen të shohim atë që politika deri sot ka bërë për turizmin. Pa përmendur sërish disa investime në privatizime strategjike që duket se deri tani janë në dëm të turizmit ose të paktën nuk e ndihmojnë asfare (shih summertime & Saranda airport, summertime & Cez Albania) ajo që mbetet janë vetëm fjalë në fillim të çdo sezoni turistik.

Aq më keq kur fillimi i sezonit turistik, si ky i fundit, është edhe periudhë post fushate, inflacioni i fjalëve duket sikur ka legjitimitet.

Në një fushatë krejtësisht shterpë mediatikisht publiku nuk arriti të kuptojë asgjë mbi premtimet e kryebashkiakëve ambiciozë. Tani që gjithçka ka përfunduar, mirë për disa e keq për të tjerë, çka shohim është një situatë stanjacioni që s’ka gjasa të ndryshojë me të njëjtat probleme të bartura shpesh prej të njëjtave konflikte politike. Me të njëjtët kryebashkiakë që kanë po të njëjtat probleme me këshillat që do drejtojnë dhe që në fund s’do të mund të miratojnë as rrogat e tyre dhe jo më investime strategjike (dyshoj të kenë dhe ndonjë strategji duke parë mandatet e shkuara).

Por e lënë mënjanë politika e lokaleve, nuk mund të thuhet se “peshat e rënda” të Tiranës zyrtare po e vrasin mendjen gjatë për të ndërtuar një shtrat ku turizmi të rritet e të gjejë vetveten.

Moratoriumi për skafet për shembull, një iniciativë shumë e debatuar e qeverisë së 2005-s, sipas njerëzve të turizmit sot është një handikap i rëndë. Në plazhet tona, përveç se të shullëhesh në diell, nuk mund të bësh asgjë tjetër. As zhytje, as mund të përdorësh skafet dhe anijet për të vizituar plazhe të paeksplorueshme ndryshe me të cilat bregdeti jugor është i tejpasur dhe asnjë aktivitet për të ndërtuar turizmin aktiv, një përpjekje që në të gjithë botën është gati në perfeksion tashmë dhe ne mund veç të kopjojmë edhe këtë herë.

Po të shtosh këtu edhe agresionin e ndërtimeve pa leje që politika e 20 viteve të fundit i ka bërë dhuratë turizmit prej impotencës së saj, edhe pse korrik panorama bëhet e akullt.

Investimet private pa asnjë lloj fizibiliteti të kioskave që u bënë lokale e që më pas u bënë dhoma plazhi e më pastaj akoma transformohen në restorante e në fund fare në hotele tregojnë për një turizëm alla shqiptarçe thënë ndryshe made in Albania.

Mungesa e standardeve në shërbime na rendit ndër popujt me kulturën minimale të sjelljes ndaj këtij lloji biznesi dhe tregon se sa artizanal ngelet ende turizmi në Shqipëri, kur një peshk të serviret në pjatë ëmbëlsire dhe kjo e fundit në një pjatë sallate.

Mungesa e këtyre standardeve nga ana tjetër nxjerr në sipërfaqe një problem tjetër, atë të mungesës së qartë të vizionit dhe hartimit të politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, siç do të ishin për shembull shkollat profesionale,kurset e trajnimet ofruar operatorëve turistikë qoftë edhe falas nga qeveria nëpërmjet subvencionesh apo projektesh të financuara prej saj, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e investimeve ekzistuese. Investimi në kualifikimin e shërbimeve është një investim me nevojë urgjente, që nëse sot ai investitori i vogël i plazhit nuk e kupton, duhet ta kuptojnë ata që kanë detyrë të shohin përtej së sotmes. Shërbimi më në fund në Shqipëri duhet të konsiderohet një produkt dhe të trajtohet si i tillë. Për ta prodhuar këtë produkt në standardet e duhura duhet investim dhe kohë. Të themi që jemi vonë do të ishte shumë pak.

Por ka edhe një produkt tjetër, për të cilin duhet të investohet sa nuk është tepër vonë. Për indeksin e lumturisë. Një koncept për të cilin filozofët e kohës sonë po këmbëngulin gjithmonë e më tepër. Krahas indeksit të rritjes ekonomike duhet të shohim ku është indeksi i lumturisë së njerëzve tanë. A është politika dhe a janë politikat aty për të bërë të mundur një buzëqeshje më shumë? Nëse nuk do dimë të buzëqeshim dhe jemi të kënaqur e të motivuar me jetën dhe punën tonë vështirë të jemi të aftë të falim lumturi dhe paqe për të tjerët qofshin këta bashkëkombës apo turistë të rastit.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut —> “Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button