Skandali në Kuvend, votimi i ligjit për regjistrimin, i falsifikuar

Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, i quajtur nga qeveria “Census” (mbledhje e informacionit me anë të pyetësorëve) është miratuar dje nga parlamenti shqiptar në kundërshtim me ligjin pasi mungonte numri i duhur i votave. Ligji mori vetëm 69 vota pro, por në mungesë të opozitës dhe të një faktori kontrollues, deputetët e mazhorancës kanë votuar për kolegët që mungonin. Fotot që shoqërojnë këtë shkrim tregojnë se si edhe deputetët votojnë për njëri-tjetrin. Dikush vendos një gazetë përpara për të mos rënë në sy, ndërsa dikush tjetër vendos xhaketën dhe shtyp butonin në emër të kolegut. Miratimi i këtij ligji kërkonte të paktën 71 vota, ndërsa mazhoranca kishte vetëm 69. Kjo e bën votimin të pavlefshëm.
***
Në seancën e djeshme plenare, kur u votua për prezencën e deputetëve në sallë, rezultuan 73 të pranishëm. Gjatë fundit të seancës, kur dhe deputetët u mblodhën të gjithë për të marrë pjesën në votim, në sallë dy karrige ishin bosh, të cilët i përkisnin deputetëve të Partisë Demokratike. Pasiguria e demokratëve për të kaluar ligjet, sidomos projektligjin për regjistrimin e popullsisë, solli dhe manovrën e tyre për të marrë votat e duhura. Për këtë ligji kërkoheshin 71 vota, ndërsa dy deputetë e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, abstenuan. Megjithatë në ekranin e Kuvendit të Shqipërisë rezultuan 71 vota pro, 2 abstenim. Në votim rezultuan të kenë votuar dhe dy deputetë Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi, të cilët nuk ishin të pranishëm. Ndonëse karriget ishin bosh, në ekran personat dilnin sikur kishin marrë pjesë në votim.
Nga numërimi që iu bë deputetë në sallë, rezultuan se 60 deputetë ishin ulur në sallë, 10 deputetë ishin ulur tek tavolina e ministrave dhe një votë ishte e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Pikërisht mungesa e votave, nga 74 vota që ka mazhoranca, minus dy votat e deputetëve të PDIU-së, të dy deputetëve që mungonin dhe kryeministrit Berisha, e çonin mazhorancën në 69 vota. Kjo do të sillte dhe rënien e numrave për mazhorancës. Më herët, përpara nisjes së procesit të votimit, dy të zgjedhurit demokrat, Viktor Gumi dhe Eduard Halimi, janë kontaktuar nga drejtues demokrat për të ardhur në sallën e Kuvendit dhe për të votuar, pasi ndodheshin në seancën e Kolegjit Zgjedhor. Dy deputetët kanë lënë Kolegjin dhe janë paraqitur në Kuvend.
Edhe ndërprerja e seancës parlamentare për të mbledhur deputetët nuk e shpëtoi mazhorancës, përkundrazi e futi atë në procesin e manipulimit të votave brenda kampit të saj. Shumica e ligjeve u miratuar me 73 vota. Në rreshtin e katërt, në anën e djathtë, tre deputetët Arenca Trashani, Rajmonda Bulku dhe Astrit Bushati votonin edhe për një tjetër deputetin e tyre, Gëzim Dibra. Për projektligje të ndryshme, për të mos rënë në sy, nëse votonte njëri për kolegun, pas dy sekondash, votonte edhe tek personi. Ky veprim u bë sistematikisht. Ndërsa dy rreshta më prapa, një tjetër deputet demokrat, Bedri Hoxha, votonte për kolegun e tij, Lefter Maliqi. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë, por që vota e tij ishte e pranishme në votimin për ligjin e regjistrimit të popullsisë. Deputeti Hoxha kishte pranë tij dy vende votimi. Njërin e kishte mbuluar me gazetë gjatë gjithës kohës, ku shtypte për votën e tij, ndërsa me dorën tjetër votonte për deputetin që mungonte, Lefter Maliqi.

Amendimet e PDIU që u miratuan
Pyetjet fakultative (si feja, kombësia, apo çdo lloj pyetje tjetër që mund të vihet si fakultative në formular) do të duhet të marrin përgjigje të sakta dhe të plota, përndryshe personat do të gjobiten. INSTAT detyrohet që të hetojë të dhënat e vetëdeklaruara nga individët me regjistrat, përfshi edhe regjistrin mbi gjendjen civile, çka do të thotë se këto të dhëna do të jenë tashmë objektive dhe askush nuk mund të mashtrojë mbi kombësinë.

73
Deputetë ishin të pranishëm në Kuvendin e Shqipërisë sipas prezencës së votuar gjatë seancës plenare. Ndryshimet në buxhet u miratuan me 73 vota pro, ndërsa ligji për regjistrimin e popullsisë u miratua me 71 vota pro dhe dy deputetët e PDIU-së abstenuan.
2
Deputetë të Partisë Demokratike megjithëse nuk ishin të pranishëm në sallë, njëri i qarkut të Shkodrës, Gëzim Dibra dhe tjetri i qarkut të Beratit, Lefter Maliqi, kanë shprehur vullnetin e tyre duke mos qenë në sallë, pasi kolegët e tyre votuan për ta.

Aldo Bumçi, relatori i ligjit
Ky projektligj është i dyti në 20 vjet. Në këtë kohë ka pasur shume ndryshime të shpejta. Shoqëria shqiptare është karakterizuar në ndryshime të reja. Këto të dhëna do t’i shërbejnë sipërmarrësve private për t’iu drejtuar popullit shqiptar. Ndryshe nga 2001 nuk do të shërbejnë për hartimin e listave zgjedhore, por si një bazë të dhënash për arsimin, ekonominë e kështu me radhë. Këto të dhëna nuk do të shërbejnë për regjistrin e gjendjes civile.

Të dhënat do verifikohen në regjistrin e gjendjes civile
TIRANË – Të dhënat që do të vetëdeklarohen gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë do të verifikohen për përputhshmërinë e tyre me regjistrat e gjendjes civile. Një hap i tillë është marrë pas propozimit të PDIU-së për të marrë masa që të mos ketë abuzime me ligjin për regjistrimin e popullsisë. Megjithëse PD ka këmbëngulur se qëllimi i këtij ligji ka të bëjë më përdorimin e të dhënave për qëllime investimesh në arsim apo të tjera, aleatët e tyre e kanë kundërshtuar. Pas negociatave të zhvilluara edhe gjatë seancës plenare, është rënë dakord që të pranohen dy amendime, nga tre të propozuar. Amendamenti i parë thotë se pyetjet fakultative do të duhet të marrin përgjigje të sakta dhe të plota, përndryshe personat do të gjobiten. Së dyti, INSTAT detyrohet që të hetojë të dhënat e vetëdeklaruara nga individët me regjistrat, përfshi edhe regjistrin mbi gjendjen civile, çka do të thotë se këto të dhëna do të jenë tashmë objektive dhe askush nuk mund të mashtrojë mbi kombësinë. Pra, në momentin që dikush do të deklarojë kombësi tjetër nga ajo shqiptare, ai do të kalojë në proces verifikimi. Nëse rezulton se ka mashtruar do të gjobitet me 100 mijë lekë të reja. “Më duhet të them me keqardhje se ky proces realisht ka qenë i paqartë, jo transparent, dhe ndonjëherë provokativ. Procesi në fjalë duhet të kishte përfshirjen e grupeve të interesit, dhe do të duhej të merrte më seriozisht vërejtjet e bëra nga intelektualë apo figura të rëndësishme të jetës publike në vend. Regjistrimi i vërtetë duhet të kryhet tek autoriteti i gjendjes civile. Faktet e deklaruara dhe të vërtetuara prej tij i mbesin të vërtetës”,- propozoi deputeti i PDIU-së.

Pollo sulmon Kreshnik Spahiun
Teksa mbronte ligjin për Regjistrimin e popullsisë, ministri i Teknologjisë, Genc Pollo është shprehur se ai është diskutuar me të gjitha grupet e interesit. “Ka 18 muaj që diskutohet. Është përfshirë në këtë debat çdo palë e interesuar, komunitet fetar, komunitet etnik, OJQ, grupe të tjera që përfaqësohen në mënyra të ndryshme, grupe të tjera specialistësh”,- tha dje Genc Pollo. Por më pas ai nuk kurseu as nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ka kundërshtuar ligjin. “Dua të shpreh se është për të ardhur keq me abuzimin që i është bërë këtij ligji, sidomos me këtë projektligj nga shumë persona publik, përfshirë dhe zyrtarëve faqezi që kanë dalë me votat tona përpara disa vitesh, përfshirë timen, që kërkojnë të na përbaltin. Por besoj që koha rrjedh dhe gjerat do të vijnë në vendin e tyre”,- tha Pollo. Sipas tij, Spahiu ka detyrime ndaj asaj mazhorance që e ka ndihmuar dhe nuk mund të dalë kundër PD-së.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut
Per me teper klikoni me siper ^^^
“Shperndaje”

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button