Shkolla shqipe në Lion të Francës themel i së ardhmes, libri i Nusret Pllanës dëshmi e terrorit dhe gjenocidit serb në Kosovë
Ambasadat dhe personalitetet shqiptare bashkohen për të vizituar shkollën shqipe në Lion
Në prag të njëvjetorit të themelimit të Shoqërisë “Bashkimi Shqiptar”, që vepron në Lion (Lyon) të Francës, mërgata shqiptare organizoi dy veprimtari të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe historisë shqiptare në Universitetin Ndërkombëtar Profesional të Lionit “René Cassin”. Në pajtim me moton e shoqërisë: “Të njohim të kaluarën tonë, të punojmë për të ardhmën”, ishte organizuar promovimi i librit të Nusret Pllanës, “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” dhe vizita në shkollën shqipe e diplomatëve shqiptarë dhe e profesor Nusret Pllanës.
Të shtunën, më 28 maj, në orën 10.00 të mëngjesit mbërritën në Universitetin Ndërkombëtar, ku është hapur shkolla dhe mësohet gjuha shqipe, Ambasadori i Shqipërisë, Ylljet Aliçka dhe atasheu i kulturës së Ambasadës shqiptare, Luiz Ejlli, si dhe konsujt e Ambasadës së Kosovës në Paris, Kadri Dakaj dhe Mustafë Avdiu. Në këtë veprimtari dhe vizitë ishte edhe profesori dhe luftëtari i lirisë, drejtori i Arkivit të Qeverisë së Kosovës, Nusret Pllana. Fatkeqësisht, mungonte ish-udhëheqësi i Shoqërisë famadhe “Fan Noli”, që vepronte para lufte në Lion, Xhevat Bislimi, të cilit iu pamundësua udhëtimi.