Fajin e ka Ismail Kadareja!

Nga Adriatik Kelmendi
MORA NË TELEFON Ismail Kadarenë, dy muaj më parë, dhe e pyeta nëse do të më jepte një intervistë. Pasi që po shkoja në Paris, mendova se s’do të ishte keq që ta intervistoja, pikërisht për shkak të vlimeve të mëdha që po ndodhnin si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Por, për çudinë time, ndonëse kam qenë një nga gazetarët që ka realizuar më së shumti intervista të gjata me të përgjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Kadare po më refuzonte për herë të parë. Biseduam gjatë në telefon, megjithëse përgjigjja e tij ishte e prerë: nuk të jap intervistë kësaj radhe! Dhe, arsyetimi i tij i qartë: “Adriatik, sigurisht ti s’do durohesh pa më pyetur edhe për situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, dhe unë jam në hall të madh, se çka do që do të flas, çka do që do të them, do të keqinterpretohet, ose do të cilësohet si mbajtje anë, ose prej njërës palë, ose prej tjetrës”, me fliste në telefon nga Parisi. “Kështu që e kam vendosur, nuk do të flas për këto gjëra deri pas 12 majit. Pas zgjedhjeve, e bëjmë kur të duash”, premtoi. I dhashë të drejtë. Në Kosovë sapo ishte kumtuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për “rastin Pacolli”, me të cilin Kosova për herë të dytë brenda pak muajsh mbeste pa president, teksa në Shqipëri fushata parazgjedhore po mbërrinte zenitin, me akuza e kundërakuza të ashpra. Mbase, më në fund, i ka ardhur në majë të hundës gjithçka, mendova.

MIRËPO, KADAREJA NUK do të ishte Kadare po të vazhdonte të kalkulonte për mundësinë e akuzimit dhe keqkuptimit në rastet kur shqiptarët nuk i kanë punët si duhet. Dhe, në Kosovë u arrit një marrëveshje për postin e presidentit, e mjaftueshme për të ulur pak tensionet politike, dhe në Shqipëri duket se u mbajtën zgjedhjet më të rregullta ndonjëherë në demokraci. Sidoqoftë, ajo që ndodhi pas zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës kërcënoi dhe po vazhdon të kërcënojë gjithçka që u arrit në Shqipëri. E Kadare, s’duroi më, s’kalkuloi më, s’heshti më. Foli. Atë që e mendoi se është e drejtë, për vendin e tij. Me anë të një letre të hapur. Dhe… Dhe?…

Déjà Vu. Po e paguan. Ndodhi sërish. Absolutisht nuk është hera e parë që Kadare dha një mendim, ose bëri një veprim personal, në kohë të vështira për shqiptarët, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, a Maqedoni, dhe menjëherë mobilizohet një grup individësh për ta sharë – shpesh me qëllimin e fshehur ose të hapur drejt “diskreditimit përfundimtar” – dhe një grup tjetër pastaj për ta mbrojtur. Zakonisht, shumica prej këtyre që hyjnë në këtë garë për ta sharë ose mbrojtur janë shumë koshientë se këto mund të jenë çastet e vetme që mund të kapen nga vëmendja e opinionit.

Kot! Sërish u dhanë etiketime, iu përmend “Nobeli” i munguar, u quajt mendjemadh, “përfundimisht i zbuluar politikisht”, i llastuar e të tjera, të ngjashme e të përsëritura vazhdimisht tash e 20 vjet. A s’kemi dëgjuar pastaj, që Kadare të kritikohet si shkrimtar për “veset” e tij jashtëletrare, ose që të vlerësohet si shkrimtar nga persona që librat e vetëm që i kanë lexuar prej tij janë “Gjenerali…” dhe “Kështjella”, dhe atë si detyrim i lekturës shkollore.

Njësoj si pas ikjes së tij në Francë, si pas përkrahjes së demokracisë, kritikave ose lëvdatave për politikën e të ’90-ve në Kosovë, ngjarjet e ’97-s në Shqipëri, përkrahjen e UÇK-së dhe këshillimet në Rambouillet, luftën në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni, kritikat për mëritë (marritë) ekstreme PD-PS, prononcimet për (mos)bashkimin kombëtar, gjuhën shqipe e shumë nga çështjet më të rëndësishme nëpër të cilat kaluan shqiptarët në këto vite të trazuara. Gjithmonë një grup shumë contra, një tjetër shumë pro. Dhe shpesh në këto grupe mund të dallosh individë të cilëve nuk u dëgjohet zëri për asgjë tjetër që ndodh në shoqëri, veçse kur i zgjon kambana Kadare. Një Déjà Vu e pështirë.

MJERUESE! HARROHET SE roli i intelektualit në një shoqëri është të flasë atëherë kur të tjerët frikësohen edhe të mendojnë duke kalkuluar se mund të gabojnë, të flasë edhe kur e di se (qëllimisht) mund të keqkuptohet, të fyhet e të tentohet të denigrohet. Edhe nëse del se e ka gabim. Në kohën kur shumë të tjerë, që ia mbajnë vetes, zgjedhin të heshtin. Zgjedhin që të hyjnë në vrima të miut pikërisht për të mos rrezikuar, rastësisht, që – të gabojnë.

E për dallim nga shumica e intelektualëve që ia mbajnë vetes, duhet thënë hapur, sigurisht Kadare qëndron më mirë. Dhe fare lehtë do të mund t’ia bënte edhe pa u përzier fare në punët e shqiptarëve. Janë shumë fakte që, edhe përkrahësit, edhe kundërshtuesit, nuk mund t’i mohojnë: Kadare është shkrimtari dhe artisti më i çmuar shqiptar i gjallë në botë, Kadare ka marrë ndër çmimet më prestigjioze letrare që ka marrë ndonjëherë ndonjë bashkëkohanik i tij në këto anë të Evropës, Kadare është një ndër personalitetet shqiptare më me ndikim në botë, Kadare fiton më tepër nga publikimi i veprave të tija në gjuhë të huaja sesa në gjuhën shqipe, jeton në Paris… Ndoshta, dikujt përmendja e këtyre fakteve i duket e pavend, por – hej! – a s’do të ishin të bollshme këto për shumë individë që të mjaftoheshin me mbylljen e tyre në Kullën e Fildishtë, pa interesim çfarëdo qoftë për familje, miq, bashkëqytetarë ose për popull të vet. Epo, raste të këtilla mund të gjenden me shumicë ndër artistët nëpër botë, e po ashtu edhe te shkrimtarët.

PA U ZGJATUR, që të mos keqkuptohem këtu, dua vetëm të them se besoj që Kadarenë e mbron më së miri puna që ka bërë. E që po vazhdon ta bëjë me vetëmohim, siç po e tregon edhe ky rast me Letrën për Bashën. Drejt e në pikë. Pavarësisht rrezikut.

E deshëm, apo nuk e deshëm, me dëshirë, apo me inat – Kadarenë e kemi par excellence. Ja që, thjesht, edhe një herë na dëshmoi përse ka arritur atë që deri më tash shqiptarët e tjerë vetëm mund ta ëndërrojnë.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut Per me teper klikoni me siper ^^^ Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

loading...

Një koment

  1. Oh zoti Shqiptar(Adriatik Kelmendi) Do ju Lutesha Shume shume shume ..kur te shkruash heren tjeter ne gjuhen SHQIPE te Lutem – Perdor Fjale te Fjalorit Shqip dhe mos i zevendeso me fjale te huaja!( e morem vesh tani qe ti di gjuhe te huaja, po per shkrime ne gjuhen Shqipe ne nuk na interesojne !!! Shume shume shume Faleminderit per mirekuptimin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button