Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Nëse Shqipëria rrëshqet, rrezikohet gjithë rajoni

Nga Janusz Bugajski*
Shqipëria vuan nga të paktën gjashtë çrregullime të lidhura që pengojnë zhvillimin e saj politik, ekonomik dhe ndërkombëtar dhe që mund të precipitojnë në një spirale të një konflikti destabilizues kombëtar:

1. Bipolarizimi politik: Shqipëria ka zhvilluar një sistem të ndarë mes dy partive, pavarësisht përpjekjeve të shumtë nga individë brenda partive Socialiste dhe Demokratike gjatë dy dekadave të shkuara për të thyer këtë ngërç dhe për të formuar parti të qëndrueshme të rrugës së tretë. Jeta politike është e polarizuar dhe është diktuar nga liderë të fortë, ku menaxhmenti i niveleve të larta ka kufizuar ndjeshëm konkurrencën brenda partisë dhe kontributin e qytetarëve në vendimmarrje. Raundi më i fundit i konfliktit shfaq simptoma të këtij realiteti thelbësor.

2. Konkurrencë e kufizuar politike: Përpjekjet për të formuar parti të qëndrueshme dhe elektorale të treta kanë qenë të vështira, veçanërisht në rastet kur ato janë të shkëputura nga dy formacionet kryesore, liderët e të cilave kërkojnë të dekurajojnë fraksionet. Edhe pse disa të tilla ekzistojnë dhe kanë kaluar disa cikle zgjedhore, PD dhe PS së bashku kontrollojnë mbi tre të katërtat e vendeve në parlament. Partive të mëdha u shkon për shtat më shumë që të kenë një numër të madh formacionesh të vogla në parlament se një forcë të tretë politike, që mund të bëhet kurorëzuese e fituesit dhe që mund t’i tërheqë ata në koalicione elektorale. Pas çdo raundi të zgjedhjeve parlamentare, disa parti të vogla hyjnë në koalicionet qeverisëse, por kjo nuk kërcënon monopolin e dy partive të mëdha dhe nuk kontribuon në mënyrë të ndjeshme në zhvillimin e programeve të reja politike dhe në nxitjen e konkurrencës politike.

3. Konfliktet jo- ideologjike: Mosmarrëveshjet themelore politike në Shqipëri nuk janë të bazuara në ideologjitë partiake ose në programet e tyre për shkak se dy formacionet e mëdha ndajnë thuajse të njëjtat objektiva. E majta, qendra dhe e djathta janë nga pikëpamja e programeve pa ndonjë kuptim në Shqipëri. Në vend të kësaj, ndarjet politike janë të bazuara në besnikërinë ndaj grupit dhe mbështetjen ndaj lidershipit, e konkretizuar në dy kampe politike reciprokisht ekskluzive.

4. Klientelizmi politik: Kjo është zhvilluar gjatë 20 viteve të shkuar, njësoj me vendet e tjera të Ballkanit, dhe përfshin një rrjet të zgjeruar patronazhi, një sistem të emërimeve zyrtare, favorizim të mbështetësve të partisë në pushtet dhe nivele të ndryshme të korrupsionit të partisë- shtet. Klientelizmi është thellësisht i ingranuar në sistemin politik, sigurisht jo vetëm në Shqipëri, dhe minon konkurrencën politike bazuar në programin dhe meritat. Gjithashtu kjo nënkupton se posti politik është fitimprurës dhe humbja e këtij posti ka kosto financiare, ndaj bëhet rezistencë.

5. Kultura politike zero: çdo palë zgjedhje supozohet të krijojë fitues dhe humbës të qartë dhe kur rezultati është ekstremisht i ngushtë siç shohim në zgjedhjet e fundit lokale në Tiranë, madje edhe aty ku procesi është përmirësuar. Ka shumë pak traditë dhe vullnet për tu angazhuar në dialog dhe kompromis. Nga ana tjetër, ekziston gjithmonë rreziku se mosmarrëveshjet mund të përshkallëzohen në konflikt të hapur. Dhe nuk është vetëm çështje e votave në kutitë e gabuara, por edhe në interpretimet e ndryshme dhe përdorimin që i bëhet kodit zgjedhor.

6. Faktori i hakmarrjes politike: Politika në Shqipëri përmban principin që ti më kontestove fitoren në zgjedhje, unë do ta kundërshtoj edhe më ashpër ty. Dhe një kontest i tillë nuk zhvillohet vetëm me mjete ligjore. Si rezultat ne kemi parë bojkot parlamentar, ankesa të vazhdueshme tek institucionet ndërkombëtare, protesta të vazhdueshme publike kundër rezultatit zgjedhor e madje edhe akte vandalizmi dhe dhune që shpesh synojnë të provokojnë reagimin e tepruar të qeverisë.

Zgjedhjet e diskutueshme për kryebashkiak në Tiranë dhe beteja që vijon për votat kanë komplikuar ankesat ekzistuese nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe kanë kërcënuar që të transformojnë polarizimin politik dhe ngërçin legjislativ në një konflikt të plotë civil. E vetmja zgjidhje, megjithatë e vështirë në një ambient politik të tejnxehur, është një vendim ligjor për rezultatin e zgjedhjeve që plotëson standardet kushtetuese e ndërkombëtare (pavarësisht nëse shkon për kandidatin e PD apo atë të PS). Kjo mund të kërkojë ndërhyrjen në nivele të larta ndërkombëtare të përfaqësuesve të BE dhe SHBA për të zbutur krizën përpara se konflikti të përshkallëzohet.
Si rezultat i faktorëve të sipërpërmendur dhe për shkak të ngecjes politike prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, gjithashtu edhe zgjedhjet e fundit lokale janë kthyer në një mundësi të rrezikshme për konfrontim e përshkallëzim të dhunshëm.
Ndërkohë, reformat e nevojshme për të plotësuar kriteret e anëtarësimit në BE kanë ngecur dhe miratimi i legjislacionit është bllokuar. Paraliza afatgjatë thjesht do të rrisë frustrimin social, shtojë rrezikun e rënies ekonomike dhe do dëmtojë kualifikimin e Shqipërisë për në BE.
Shpesh thuhet se kur një vend hyn në NATO, aleatët kanë pak instrumente politikë në dispozicion për të influencuar pozitivisht sjelljen e tij. Kjo nuk është plotësisht e saktë në rastin e marrëdhënieve shqiptaro- amerikane për shkak të vlerësimit të lartë që ka Shqipëria për SHBA-në. Uashingtoni ka instrumentet direkt dhe indirekt për të ndihmuar Shqipërinë që të marrë vendimet e duhura në favor të interesave kombëtare të saj. Është e nevojshme të asistohet Shqipëria në ndërtimin e një sistemi politik më konkurrues e më të hapur, në zhvillimin e një gjenerate të rinjsh më aktiv politikisht, në vijimin e përmirësimit të zgjedhjeve, në reformimin e institucioneve kyçe si gjyqësori, në inkurajimin e medieve jo- partizane dhe në rrugë të tjera për tu kualifikuar politikisht për pranimin në BE dhe në këtë mënyrë për tu bërë një partner efektiv për SHBA-në.
Uashingtoni mund të promovojë interesat strategjike të Shqipërisë duke ndihmuar në zgjidhjen e çështjes pan- kombëtare, në mënyrë që Tirana të mos rrëshqasë në përplasje dëmtuese me fqinjët e saj, por të mbetet një lojtar konstruktiv politik në rajon, siç ka qenë për 20 vite.
Një skenar potencialisht negativ mund të zhvillohet në rajon në rast se bëhen bashkë një sërë faktorësh në vitet në vijim çka mund të sjellë një Shqipëri të paqëndrueshme me perspektivë të kufizuar europiane në vend të një Shqipërie të qëndrueshme në rrugën drejt BE.
Këto faktorë përfshijnë trazirat sociale në rritje në Kosovë si pasojë e izolimit ndërkombëtar dhe problemet ekonomike që inkurajojnë elementët nacionalistë dhe populistë që dalin si kërpudha: ndarja e Kosovës përmes ndarjeve unilaterale, e mbështetur nga Beogradi: një përçarje de facto e konfederatës boshnjake dhe rrëshqitja e saj drejt konfliktit duke inkurajuar ndarjet në rajon: dhe konfliktet politike në Republikën e Maqedonisë që nisin të marrin dimensione etnike me partitë politike shqiptare që bëjnë thirrje për federalizëm ose dhe për ndarje pasi progresi i Shkupit drejt BE ka ndaluar.
Kjo është një çështje shumë komplekse që nuk mund të zgjidhet nga SHBA e BE duke vepruar të vetme. Ajo kërkon një përkushtim më të madh nga BE me ndihmën e SHBA për të përfshirë shtetet e Ballkanit sa më shpejt të jetë e mundur duke nisur me Kroacinë (e cila pritet të anëtarësohet në vitin 2012) e shoqëruar kjo me një plan të qartë anëtarësimi për çdo shtet. Kjo bën të nevojshme gjithashtu një përfshirje më domethënëse në stabilizimin institucional. Për fat të keq kjo gjë nuk është shumë popullore në BE ku liderët dhe taksapaguesit janë të vetëdijshëm për sjelljen e problemeve të reja në Union.
Mungesa e këtyre angazhimeve do të zvogëlojë perspektivat ekonomike e politike në Ballkanin Perëndimor duke nxitur migrimin. Zhgënjimi me BE-në do të rritet dhe efektiviteti i Unionit do vihet në pikëpyetje. Skenarë të tillë do të minojnë liderët reformistë dhe do të sjellin në front elementë nacionalistë dhe populistë, që do të përfitojnë nga stanjacioni ekonomik dhe zemërimi publik në rritje dhe mund të trumbetojnë etnicitetin dhe ksenofobinë si zgjidhje të sfidave të brendshme në rritje. Në këtë kontekst, nëse Shqipëria rrëshqet nga konflikti i tejzgjatur politik në trazira sociale dhe destabilitet shtetëror, kjo do të kishte konsekuenca negative për rajonin më gjerë.

*Fjala e mbajtur në seancën dëgjimore të Komitetit Amerikan të Helsinkit pranë Kongresit Amerikan

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut  

Per me teper klikoni me siper ^^^  

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button