“Paulina”, historia e një “Baby” prostitute shqiptare, dërguar me postë

Një libër i ardhur me postë, brenda një zarfi, nga shpaloset një botë dhimbjeje dhe shprese. “Paulina”, shkruar nga Giovana Betto është historia e një vajze shqiptare, me një fëmijëri të prerë në mes. Ajo është vetëm një nga dhjetra vajzat e dhunuara dhe të prostituuara në bregun përballë.
Faksimile e gazetës “La Repubblica”, që shkruan për librin “Paulina”

Fillimisht m’u duk si një nga ato shakatë pa kripë që na ndodh të gjejmë në inbox-in e “Facebook”-ut. “Përshëndetje, punoni si gazetare në një media të madhe në Shqipëri, në mos gaboj? Dëshiroj t’ju dërgoj me postë një libër që quhet “Paulina”, rrëfen historinë e një vajze shqiptare”. Ky ishte mesazhi i dërguar nga Emilia Aru, në statusin e së cilës thuhej se ishte një botuese italo-franceze. E grishur nga fakti se hokatarët e “Facebook”-ut kanë gjëra më rozë për të shkruar sesa librat, këmbeva disa mesazhe me zonjën në fjalë. Mjaftuan për të kuptuar se nuk ishte një profil i rremë dhe kishte ndërmend të më dërgonte vërtet librin, të cilin dukej se kishte shumë për zemër. Gjithsesi, dyshimet u fashitën krejt vetëm kur pas disa ditësh më erdhi në duar “Paulina”. Brenda në zarf bashkë me librin edhe një artikull i botuar për të tek “La Repubblica”. Në fakt, më duhet të pranoj se ishte një nga dhuratat më interesante që më janë bërë ndonjëherë. E, për këtë, ja vlente ta lexoja me një frymë.
* * *

Sa e ngjashme, po aq edhe e ndryshme nga ajo çka kanë përjetuar mijëra vajza shqiptare, të cilat për të shpëtuar nga skamja morën rrugët në kërkim të “tokës së premtuar”. Shumë prej tyre të gënjyera nga naiviteti i së panjohurës. Të tjera, me forcë. Ndoshta Paulina personifikon ndër rastet më të dhimbshme, sepse ishte e destinuar të rritej me një fëmijëri të vjedhur… Ishte vetëm 13 vjeç, kur e shkëputën nga lodrat dhe nga e shkuara e saj, mes varfërisë e dhunës, për ta transportuar në botën e madhe. Për ta sjellë në një të tashme shumë herë më të rëndë. Duke përcjellë faqet e libri, nuk mund t’u shpëtosh mornicave e molepsjes. Narrativa e shkrimtares Giovana Betto i ka kushtuar pak rëndësi dhunës fizike. Në fakt, ajo thuajse mungon në këtë histori të frikshme pedofilie e prostitucioni. Bëhet fjalë për një dhunë të një tjetër përmase. Shumë herë më të madhe e shkatërruese. Të tillë që jo çdo lloj psikike mund ta përballojë. Te Paulina gjen një “lojë” psikologjike të fortë, të një fëmije që superon veten, që mësohet të jetojë e dyzuar duke arritur të menaxhojë ndjesitë e saj. Arrin deri në atë shkallë sa të gjejë paqe e t’i shohë gjërat nga jashtë, sikur të mos jetë ajo së cilës po i ndodhin. Paulina, fillimisht e përdhunuar nga njerku në fshatin e lindjes, mësohet të pranojë të jetë lodër e një tufe krrupëndjellësish, të fshehur pas petkut të pushtetit e moralit fals. Ajo pranon në heshtje, sepse fati ka vendosur për të. Kush e ka blerë mundohet ta mbajë mbyllur brenda katër mureve, por është e pamundur që një fëmije t’i vidhet edhe ngadhënjimi për të njohur botën e madhe.. E etur, ajo nis të zbulojë dhe të gjejë në këtë mënyrë edhe disa grimca lumturie, që zbehin gjithçka tjetër. Është ajo ndjesi e mbushjes shpirtërore që mund të ta ofrojë vetëm një miqësi e pastër, të cilën Paulina e gjen dhe e jeton.
* * *
Tek Paulina, edhe pse orvatesh, nuk e gjen tmerrin e pandërprerë të personazheve të Elvira Donesit tek “Yjet nuk vishen kështu” (një libër mrekullisht rrëqethës, që m’u risoll në kujtesë nga përqasja e realitetit të tmerrshëm, të përjetuar nga mijëra vajza shqiptare të trafikuara). Tek Paulina gjen një dhimbje të heshtur, pa rezistencë, që pranohet nga një fëmijë që është e aftë të jetojë në dy qenie. Njëra e paqtë me atë çka s’mund të ndryshohet, tjetra e mbushur me shpresë për të ikur prej të parës. Të dyja këto qenia i ndan vetëm fati. I cili, i paparashikueshëm dhe pa mundësi shpëtimi si gjithnjë, vendos t’i japë një shans të dytë. Një mundësi për t’ia nisur nga fillimi. Sigurisht me një kosto fatale: Jetën e dikujt tjetër të këputur në mes, në vend të asaj të Paulinës. Fatalisht, zgjidhet mikesha e saj më e mirë, që arriti t’i mbushë gjithë atë boshllëkun që sjell mungesa e dashurisë.
* * *
Nëse Libri “Paulina” do të ishte përkthyer në shqip, nuk do të nguroja ta sugjeroja për t’u lexuar. Por, të paktën deri tani, ai nuk gjendet në libraritë tona. I shkruar me mjeshtëri nga gazetarja dhe publicistja italiane, Giovanna Betto, botimi ka dalë në treg në mars të këtij viti nga “Portaparole” dhe ka bërë jehonë në mediat e njohura italiane. Paulina vjen si një denoncim për të gjitha llojet e mizerjes. Si ndaj atyre që detyrohen të shesin shpirtin për pak para, si ndaj të ashtuquajtura elita që trumbetojnë moralin. Shpirti i Paulinës del mbi gjithë çka përfaqëson ajo “kastë” e mbetur peng e vogëlsisë së sëmurë.

Advertisement

Pse mua zonja Emilia?
Pasi mbylla faqen e fundit të librit, nuk po më linte rehat një pyetje, të cilën me padurim prita t’ia bëja zonjës Emilia Aru, që  pati mirësinë, pa më njohur fare, të më dërgonte me postë “Paulinën”. “Pse pikërisht mua, Emilia? Veç ndjesisë së vlerësimit, përgjigjja e saj më dhuroi një buzëqeshje. “Sepse nuk donim që ky libër të keqinterpretohej. Kjo histori vjen për të denoncuar, dhe jo për të paragjykuar vajzat shqiptare të  pafajshme. Me interesonte si e shihni ju që nga përtej detit këtë histori, të rrëfyer nga një italiane, për fatin e një vajzë shqiptare. Nuk e di, ishte edhe përzgjedhje instiktive ndoshta”, me shkruante Emilia.

Nga faqa ne facebook: Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut

Per me teper klikoni me siper ^^^

Nese mendoni se kjo faqe vlen per cdo inforamcion,atehere do tju luteshim te gjithe te na ndihmonit duke e shperndare kete faqe ne profilet tuaja thjeshte duke klikuar ketu “Shperndaje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button